BallinaOP EDShqiptarët të bashkuar me 30-të gusht në zgjedhjet lokale në Guci. Të...

Shqiptarët të bashkuar me 30-të gusht në zgjedhjet lokale në Guci. Të gjitha votat për….

Nga Azgan Haklaj

Atdheu është Perendia e shqiptarëve dhe feja e tyre shqiptaria

Shqiptarët shkojnë të bashkuar me 30-të gusht në zgjedhjet lokale në Guci

Të gjitha votat për Edenin Shqiptar

Plavë – Gucia, Meka e Jeruzalemi Shqiptar

Fitorja e shqiptarëve në Guci aktakuzë kundër atyre që ngritën një shekull më parë Murin e Berlinit mes shqiptarëve etnikë

Me dt 30 gusht janë zgjedhjet nacionale në Mal të Zi dhe lokale në Guci.
Në zgjedhjet nacionale shqiptarët shkuan me dy lista, por të shpresojmë të paktën, që ata në bllok të votojnë kandidatët e partive të veta e jo për partitë qytetare, kurse në Guci në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në të njëjtën ditë shkuan me listë të përbashkët.
Shqiptarët e kësaj treve heroike arbërore vendosën të jenë të bashkuar, si vëllezërit tanë të Komunës së Tuzit, dhe Luginës së Preshevës.
Është kjo një besëlidhje e re në emër të Flamurit Kuqezi, të Atdheut e historisë së lavdishme të të parëve tanë, të cilët shkuan të besatuar në betejat për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, Hotit dhe Grudës, Ulqinit dhe Tivarit dhe nëshkruan një nga faqet me të lavdishme të historisë kombëtare, duke i treguar agresorëve malazezas, Perandorisë Otomane e fuqive të mëdha se shqiptarët janë të vendosur të mbrojnë trojet e tyre amtare deri në pikën e fundit të gjakut.
Vendimi i Kongresit të Berlinit për të i’a aneksuar Plavën e Gucinë Malit të Zi, për të kënaqur kështu oreksin e pangopshëm të fqinjit të vogël sllavë, i cili ashtu si bretkoca në fabulën e La Fontenit kërkonte të fryhej sa një ka duke gllabëruar trojet shqiptare, ngjalli indinjatë të paparë tek populli shqiptar dhe udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Thirrjes së Ali Pashë Gucisë, Jakup Ferrit Ymer Prizrenit, Sylejman Vokshit, Ali Ibrës, Haxhi Zekës ju përgjigjën rrufeshëm mijëra vullnetarë shqiptarë, nga Rrafshi i Dukagjinit, Malësia e Gjakovës dhe Malësia e Madhe.
Dragojtë shqiptarë fluturuan si shqiponjat drejt e në logun e mejdanit duke i shkaktuar ushtrisë malazeze të Mark Milanit një humbje të turpshme e poshtëruese.
I quajta Mekë dhe Jeruzalem Plavën e Gucinë sepse ashtu si toka e shenjtë është simboli i besimit tek Zoti e plotëfuqia e tij edhe kjo trevë e Atdheut e përmbytur me gjakun e trimave të rënë për lirinë e saj është kthyer në një simbol të përjetshëm të qëndresës shqiptare e të dashurisë së tyre sublime për liri.
Epopeja legjendare për mbrojtjen e Plavë- Gucisë ka hyrë tashmë në historinë e njerëzimit ashtu si beteja për mbrojtjen e Jeruzalemit nga legjionet e Perandorisë Romake.
Homeri i shqiptarëve Gjergj Fishta u ka ngritur monument të pavdekshëm e madhështorë kryetrimave që u përkundën në djepat e kullave legjendare të Plavës dhe Gucisë Ali Pashë Gucisë e Jakup Ferrit dhe prijësve të fiseve shqiptare që vringëllonin shpatat në sheshiet e mejdaneve, ashtu si shpatat e Mujit dhe Halilit kundër krajlive serbe, ashtu si shpata e Gjergj Elez Alisë kundër bajlozit të zi, ashtu si shpata e Gjergj Kastriotitt kundër sulltanëve të Turqinë e hordhive turke.
Ali Pashë Gucisë gjatë rrugës për në Besëlidhjen e Prizrenit i doli përpara Zana e Shqipërisë dhe e porositi që shqiptarët të jenë të bashkuar, pa dallim krahine e feje dhe i jep forcë e kurajo të mbinatyrshme për t’u përballur me armikun.
E shqiptarët, kjo racë e pashoqe luftëtarësh siç i quante historiani romak Plini apo “Racë tigrash kthetër fortë”, siç shkruante kronikani i Sulltan Mehmetit të dytë Idriz Bitlisi skuqën Lumin Lim me gjakun e armikut siç thotë kënga
“Mark Milani hip në previ
Shikon Limin me dylbi
Çka ka Limi që dirgjet zi
Haj medet vojnikt e mi”.
Apo kënga tjetër epike që përshkruan trimëritë legjendare të Jakup Ferrit e Zhuj Selmanit:
“Me t’kallzue ty nanë të vjen seri
Mos besofsh t’kallzon tefteri
30-të krena i ka pre një njeri
N’ja lypsh emrin Jakup Ferri”
E më tej vargjet brilante, homerike:
“Mark Milan e Mark Milica
Janë Kosova të tanë me plisa
Të tanë me plisa anë për anë
Derë pas dere po shkojnë me gjamë
Derë pas dere e shpi për shpi
Në ato kulla kush ka hy
Zhuj Selmani me kapakli
Flakë të kuqe e tym të zi
Kah len dielli e praron hana
Zhuj Selman nuk ban ma nana”
Ashtu si kali i Pal Golemit që kthehet nga Beteja e Vajkalit pa të Zotin, edhe ati i bardhë i Jakup Ferrit fluturon drejt legjendës pa luanin e maleve, i cili kishte rënë në fushën e nderit.
Ati i Jakup Ferrit është përjetësuar kështu si Buqefali i Aleksandrit të Madh e doriu i bardhë i Gjergj Kastriotit përmes vargjeve madhështore:
“Çështë ai gjog i kuq e i bardhë
Që kërrkund nuk e ndal vrapin
As ujëvarat e Valbonës
Nuk ja lajnë rrëketë e gjakut”.
Për Plavën e Gucinë, për Hotin dhe Grudën, Ulqinin e Tivarin luftuan krah për krah si vëllezërit Dioskurë, shqiptarët myslimanë e katolikë, duke u treguar armiqëve shekullorë se Perendia e tyre është Atdheu dhe feja e tyre shqiptaria, siç shkruante në ato vite Rilindasi i madh Pashko Vasa.
Ata që ëndërrojnë e besojmë se mund të legjitimojnë padrejtësitë historike të coptimit të trojeve shqiptare dua të ju kujtoj se Plava e Gucia janë aty prej mijëra vitesh, tokë Iliro- arbërore dhe si malet vigane e madhështore, ashtu janë dhe bijtë e bijat e tyre.
Plisi është aty që nga prehistoria e shqiptarët nuk kanë ndërmend aspak ta ndërrojnë me kapicën, as lahutën me guslën, apo Flamurin Kuqezi me traboiken.
Është kjo arsyeja që 30- të gushti është dita e ripërtëritjes së Besëlidhjes së shenjtë për tu bashkuar rreth Flamurit Kuqezi e për t’i treguar botës se vota e shqiptarëve kudo që ata jetojnë në trojet e tyre etnike në Ballkan është një votë bashkim mes tyre e njëherësh një aktakuzë e rëndë për padrejtësitë historike të atyre që një shekull më parë ngritën Murin e Berlinit mes shqiptarëve etnikë.
Me dt 30-të gusht të gjithë jemi Gucias, siç është përjetësisht Gucia pjesë e pandarë e Trollit Arbërorë, e njëherësh nderi e krenaria e tij.
S’ka forcë në botë që mund të përballet me shqiptarët e bashkuar, sepse i gjen siç i gjeti në Trojen Shqiptare, në Vraninën e Oso Barotit.
Plava e Gucia janë tokë e shenjtë shqiptare.
Ato janë për shqiptarët Meka e Jeruzalemi i tyre.
Me dt 30- të gusht do ta vertetojnë ngadhënjimin në Guci me votën unike.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular