BallinaKryesore(De)reformimi i sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes

(De)reformimi i sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes

PIRO AHMETAJ

Jemi ende në pikun e pushi meve verore dhe sigurisht nuk është koha e duhur për të ndarë (bezdisur) më tej me lexuesit, dashamirësit, kritikët dhe blogjarët një përmbledhje të shqetësimeve strategjike në lidhje me reformën në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes në RSH. Dhe kështu, u kërkoj ndjesë të sinqertë të gjithëve.
I. Paketa Ligjore. Faktorët, dhe kushdo tjetër të interesuar që na kanë ndjekur, shpresoj të kenë mirëkuptuar këmbënguljen për të qartësuar urtësisht/ me argumente profesionale peshën strategjike të kësaj reforme. Tashmë që kjo paketë është e miratuar nga Kuvendi – i takon më tej Gjykatës Kushtetuese të japë verdiktin për këtë deformim flagrant, të paprecedent dhe antikushtetues. Në këtë reflektim do përpiqem të paraqes vlerësime strategjike për thellësinë, gjerësinë dhe pasojat në sistemin e sigurisë dhe të mbrojtjes që mbart kjo përqasje. “T’i bie në kokë profesionalisht”: Përtej problematikave të shkëputura të ligjit/ve, neneve, konflikteve brenda ligjeve, inkoherencës me realitetin dhe modelet perëndimore, kjo paketë, për fat të keq, jo vetëm që nuk përbën reformë, por çon në një deformim kritik të modelit kushtetues të balancave në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes në RSH! Më konkretisht, kjo paketë materializon “arrogancën antikushtetuese” të uzurpimit “me ligj” të pushteteve. Kështu, si definicion mundet të formulohet: “puç i butë/modern institucional…”, pasi jo me forcë/armë, por me ligj (forcën e kartonëve)… i rrëmbehen njërit (Presidentit) dhe i jepen një tjetër pushteti (Kryeministrit) të gjitha kompetencat e Komandantit të Përgjithshëm, duke tejkaluar njëherësh edhe vijën e kuqe të politizimit të vendimmarrjeve dhe strukturave në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Mendoj se është për t’u shqetësuar dhe ardhur keq që në asnjë nen të vetëm të kësaj pakete nuk adresohen (siç domosdoshmërisht duhej) përmirësimi (në fakt i përkeqëson ndjeshëm ) i marrëdhënieve të komandim kontrollit strategjik si vend anëtar i NATO-s; nuk përcakton qartë autoritetet kombëtare për: pjesëmarrjen&vendimmarrjen në samite; operacionet jashtë dhe në kuadër të nenit 5; policimin ajror, rasteve renegate, si dhe nuk hap asnjë perspektivë për menaxhimin e integruar (jo të parcelizuar) të çështjeve të sigurisë, një model bashkëkohor, racional dhe mjaft relevant për t’u aplikuar, jo vetëm brenda vendit, dhe jo vetëm në këtë fushë. a. Ligji i Autoriteteve të Komandim-Kontrollit: të gjitha pushtetet për komandim-kontrollin e FA, në lidhje me: (1) Personelin Strategjik; (2) Strukturën; (3) Planin e Vendosjes; (4) ekuivalentimin e pozicioneve me gradat madhore; (5) ndikimin në buxhetin/programet e mbrojtjes; (6) të drejtën për të nxjerrë urdhra dhe udhëzime etj., kalojnë nga Presidenti te Kryeministri – model i paprecedent në asnjë nga 27 vendet e NATO-s, përfshi edhe Turqinë, që siç dihet ende vijon të aplikojë një model tjetër në raport me peshën e FA. Presidentit i mbetet vetëm përcaktimi kushtetues si “Komandant i Përgjithshëm” pa asnjë autoritet/ mekanizëm esencial për ta ushtruar. Është e qartë për këdo që ka kulturën minimale nga komandimi kontrolli (C2), që heqja e këtyre kompetencave e vendos çdo nivel komandimi, në këtë rast Presidentin, në kushtet e pamundësisë të ushtrimit të detyrës kushtetuese si Komandantit i Përgjithshëm (neni 168, pika 2). Nënvizoj se përcaktimi kushtetues Komandant i Përgjithshëm nuk është as “titull honorifik” dhe as “atavizëm apo reminishencë bllokmenësh”, por përgjegjësi supreme kushtetuese. Në definicionin e NATO-s: “Komandanti i Përgjithshëm është autoriteti më i lartë në nivel strategjik të një vendi që ka autoritetet e drejtimit, koordinimit dhe kontrollit të forcave ushtarake”. b. Ligji i gradave dhe karrierës. Ky ligj, përveçse marrjes se kompetencave të Presidentit (!) dhe Kuvendit (!!) shkel parimin universal të prezumimit të pafajësisë dhe barazinë kushtetuese. Kategorive të ndryshme ushtarakësh nuk u jepen shanse të barabarta. Me këtë ligj, një pjesë (gjeneralë, kolonelë, nënkolonelë) ose 15% favorizohen, ndërsa pjesa më e madhe (majorë, kapitenë, togerë) 75%, ose pjesa më vitale e FASH, diskriminohen me ligj. Nga modeli anglosakson (in or out), i konkurrencës së vlerave të bazuar në kohën/vitet e qëndrimit në gradë, p.sh. gjeneralët 32-35 vjet, kolonelët 30 etj. Ky ligj favorizon modelin lindor të “barazitizmit (nënkupto parazitizmit) të vlerave” të bazuar në moshë, përkatësisht gjeneralët 62-65 vjeç, kolonelët 59 vjeç. Ky model po braktiset edhe nga ato pak vende/ushtri që e kanë zbatuar atë në periudha dhe rrethana të caktuara. Lutem të jem gabim, por kam bindjen që ky sistem do të mbjellë politizimin ekstrem të FA, parazitizmin në gradat e larta, demoralizimin e gradave të ulëta, dembelizmin e piramidës së gradave, plakjen e institucionit të mbrojtjes, uljen e performancës së tyre operacionale, uljen e motivimit për karrierë te të rinjtë dhe nxitjen e praktikave korruptive.
II. Ristrukturimi dhe plani i përhapjes së FA. Megjithëse janë konsumuar përpjekje të sforcuara për ta “shitur si reformë”, nuk ka asgjë të tillë, pasi përveçse shumë pak ndryshime në formë, të dyja planet nuk sjellin asnjë ndryshim esencial në përmbajtje. Fatkeqësisht, paketa ligjore dhe këto plane mund të lexohen si një përzierje e pakuptimtë e objektivave politikë, përpjekjeve për të materializuar produktet e makinerisë së thashethemeve ballkaniko-komuniste, axhendës personale të personazheve diabolikë të papërgjegjshëm, konfliktalë të certifikuar, mesatarë të përkëdhelur, mediokër që bëjnë “triumfatorin/Sulejmanin e madhërishëm” dhe puthadorë/yes-men të radhës, brenda radhëve (ose rezervë) të strukturave të sigurisë kombëtare, përfshi në FA. Përveçse një shkrirje apo bashkim pa kuptim strukturash, më së shumti ndryshime emërtimesh, nuk reflektohet vizion i qartë strategjik për gjendjen dhe perspektivën e kapaciteteve, materializimin e modelit të sigurisë kolektive, si aleat i NATO-s, 10 rekomandimet e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes etj. Pra: çfarë rreziqesh dhe, për rrjedhojë, çfarë lloj Force/kapacitetesh i duhet, ka mundësi/burime të ndërtojë RSH, dhe ku do të shkojnë FA në planin e kapaciteteve.
III. Si, pse arritëm deri këtu – mësimet e nxjerra? Reforma e mbrojtjes u bë e mbyllur dhe jo transparente. U kultivua një frymë mosbesimi, për të mos thënë armiqësore e pakuptimtë, e panevojshme dhe e pashembullt – si në 1944 më thotë një miku im profesionist. Reformave u japin frymë njerëzit, prandaj sa më gjithëpërfshirëse, aq më të suksesshme: të sigurta, të aplikueshme dhe të qëndrueshme janë ato. Nuk u pyetën drejtuesit aktual, nuk pati oponencë akademike, oponentët etiketoheshin armiq/sabotatorë të reformës, nuk u konsiderua personeli që zhvilloi RSM, NGO, dhe grupet e interesit, majorët, kapitenët, togerët etj. Selektoheshin, “emëroheshin” dhe keqpërdoroheshin “grupe të mençurish/urtësh”, për t’u konsideruar mbasi reforma ishte miratuar! Rikujtoj me konsideratë profesionale ministrin Majko, i cili në vitin 2002, pas RSM që u realizua me kompaninë SAIC/SHBA, zhvilloi Konventën e Ushtarakut me rreth 1000 ushtarakë, ku u shpalos dhe konsultua gjerësisht reforma më e madhe, që i kaloi FA nga 31 500 në forcën objektiv 16 500 veta. Nuk u konsultua me Presidentin, aktorët kombëtarë, vendet e NATO-s apo aleatët strategjikë. Më shumë se përqasje, ishte një platformë. Gjërat shkuan deri aty sa një nga deputetët në Komisionin e Sigurisë dhe relator i ligjeve tha që “pse duhet të konsultohemi me NATO – NE jemi vend sovran!!”, ndërsa autoritetet dhe shumica e ligjvënësve recitonin në kor “asnjë” kompetencë nuk i është hequr Presidentit”. Ndërkohë, nënvizoj se konsultimi me Aleancën dhe me partnerët strategjik, është detyrim që buron nga traktati i Uashingtonit. Bashkë me përfitimet nga anëtarësimi, Shqipëria i ka lëshuar Aleancës pjesë të sovranitetit dhe të mëvetësisë për çështjet e vendimmarrjes strategjike në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Në fakt, kjo paketë nuk konsideron as zërat racionalë nga të gjitha pozicionet politike, konstitucionalistë dhe shtetarë me përvojë, ish-presidentë, ish-ministra, mesazhet më të fundit të zyrtarëve të Departamentit të Shtetit për konsensus, gjithëpërfshirje, buxhet relevant për mbrojtjen etj. Nuk u konsideruan rekomandimet e ekipit të asistencës për reformën e mbrojtjes. Duhet specifikisht të qartësojmë se në reformën në fjalë nuk gjenden të reflektuara fryma dhe rekomandimet e Ekipit të Asistencës së SHBA në MM (CUBIC), të cilët ashtu si Presidenti dhe faktorët e tjerë u njohën me ligjet nga faqja e internetit të Kuvendit!! Konkretisht, rekomandimet e CUBIC synojnë amendimin në vend të ligjeve të reja; njëtrajtshmërinë e rolit të Komandantit të Përgjithshëm në kohë paqe, krize dhe lufte, si dhe jo heqje, por kompetenca shtesë Presidentit të Republikës në krahasim me ato ekzistuese, si për inicimin e SSK, vlerësimit të mbrojtjes (SDR) etj., pra rekomandojnë një President edhe më të fortë se sa aktualisht në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Për herë të parë në epokën/memorien e demokracisë: dokumenti i fundit i SSK, paketa ligjore dhe strukturore kanë kaluar pa konsensusin e opozitës, ndërkohë që dokumentet pararendëse, të gjitha ligjet dhe në të gjitha rastet, janë miratuar me konsensus të plotë. Për hatër të së vërtetës, në takimin e KSK (pjesëmarrje që u anatemua me terminologji staliniste), kryetari i PD, zoti Basha, konfirmoi një përgjegjshmëri premtuese shtetari që e tejkalonte qartësisht politizimin e çështjeve të sigurisë strategjike. Fatkeqësisht kam konstatuar se është keqpërdorur dokumenti i Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes (RSM) dhe po ashtu janë keqinterpretuar dhe keqpërdorur (qoftë edhe me dëshirë!) edhe qëndrimet e aleatit/ve strategjik. Kjo pasi përveç numrave, kuadrateve dhe ndryshimit të emërtimeve RSM jep 10 gjetje dhe rekomandime kritike, të fokusuara në perspektivën e kapaciteteve, përmirësimin e zinxhirit të komandimit, mbështetjen me buxhet dhe… ….. veçanërisht në përmirësimin rrënjësor të statusit social dhe bashkë me të integritetit të ushtarakëve që përtej “propagandës…” është në nivele të pakrahasueshme me vendet e rajonit, përfshi Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjën, Kosovën dhe Serbinë. Kështu, statusi i dëshmorit të atdheut është 50 mijë lekë të vjetër, një nënkolonel pilot (astet kombëtar), përfiton më pak se një ushtar i Forcave të Siguresë së Kosovës dhe gati 3 herë më pak se një ushtar në Slloveni dhe çuditërisht gati 2 herë më pak se reciprokisht homologët e Policisë dhe Gardës së vendit/atdheut të përbashkët!!! Nga komunikimi informal, por intensiv me kolegët e vendeve të NATO-s dhe ekspertë të rritur/sprovuar në çështjet e reformave të sigurisë, më është adresuar shqetësimi se vendi ynë është duke rrëshqitur nga “një nga 5 vendet model” në listën e vendeve problematike, më qartë në fundin e listës së 28 vendeve për shpejtësinë dhe cilësinë e vendimmarrjes në kuadër të NATO-s; për uljen kritike të buxhetit të mbrojtjes (kështu, viti 2014 – 14.231, në vitin 2015 është parashikuar 12.45, pra më pak se 1%, e GDP-së, më i ulëti prej vitit 2000 dhe më pak se gjysma e vitit 2008!!); për peshën e kontributeve në operacionet jashtë vendit, zënien e pozicioneve në strukturat e kohës, paqes (NCS, NFS); detyrimet në kuadër të MOU-ve/TA, për koeficientin e përdorimit të sistemeve, standardet dhe kulturën burokratike të komunikimit me Aleancën etj. E fundit, por jo nga rëndësia, është fakt se konsultimet, mesazhet dhe qëndrimet e Presidentit kanë qenë transparente, konsekuente, në përputhje me Kushtetutën dhe pa asnjë axhendë apo anësi politike. Po, Presidenti ka demonstruar “njëanësi”: në referencë të Kushtetutës dhe vetëm në mbështetjen e reformës në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes në dobi të interesave të qytetareve, shoqërisë dhe vendit. Këto qëndrime kanë qenë transparente, janë ndarë me të gjithë aktorët relevantë në takimin e KSK, u janë paraqitur për njohje deputeteve të Komisionit të Sigurisë, të Ligjeve, parlamentarëve, ish-ministrave, ambasadorëve të NATO-s, ekspertëve më të spikatur të fushës, brenda dhe jashtë vendit. Në përmbyllje dëshiroj të përcjell një mesazh për të gjithë audiencën dhe profesionistët në fushën e sigurisë strategjike: Nuk ka absolutisht vend për të “fërkuar duart”, as për “protagonizëm bolshevik”. Në të kundërt, mendoj se ia vlen, duhet të shqetësohemi, por sigurisht jo “të qajmë”. Përtej kësaj, kemi përgjegjësinë të kontribuojmë me profesionalizëm/vizion dhe përkushtim në reformimin e sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes. Deviza e përbotshme “çmimi i lirisë është sakrifica…”, do të mbetet edhe më tej sfida jonë e përbashkët për të tejkaluar “paranojën e pamundësisë…” në “mbjelljen” dhe konsolidimit e principeve/vlerave të sistemit perëndimor të balancave në këtë fushë kritike për shoqërinë dhe vendin. Që në krye të herës jam bashkuar vullnetarisht, përulësisht dhe përgjegjshmërisht me ata që refuzojnë të pranojnë që kjo është e pamundur. Panorama

* Këshilltar i Presidentit për Mbrojtjen ne PD

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular