BallinaEkonomiKRIZA/Mbyllen 32.4 mijë biznese, dalin të papunë 57 mijë persona; Goditja më...

KRIZA/Mbyllen 32.4 mijë biznese, dalin të papunë 57 mijë persona; Goditja më e fortë tek të vegjlit

Në vetëm pak muaj, kanë falimentuar gati një e treta e bizneseve në vend dhe kanë dalë dhjetëra të papunë. Fatale ka qenë pandemia për mijëra subjekte të vogla.

Kriza ka shkaktuar deri tani mbylljen e 32.4 mijë bizneseve, 98% e të cilave ishin subjekte të vogla. Pandemia nxori të papunë 57 mijë persona, deri në fund të korrikut, në krahasim me shkurtin, sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet.

Bizneset e mëdha kanë arritur të rimëkëmben dhe të rrisin sërish gradualisht numrin e të punësuarve pas krizës së fortë të prillit e majit.

Korriku ka nxjerrë në pah pasojat reale që kriza e koronavirusit dhe karantinimi gati tremujor i ekonomisë kanë dhënë në ekonominë vendase, si për sa i përket punësimit, ashtu edhe numrit të bizneseve. Paketat mbështetëse kanë arritur të ruajnë përkohësisht punësimin dhe mbylljen e të vegjëlve, por sapo ato kanë përfunduar, mijëra biznese nuk kanë arritur të mbijetojnë në një treg, ku konsumi është tkurru ndjeshëm. Gati një e treta e bizneseve në vend janë mbullur, ndërsa ka mbetur e papunnë 12% e forcës punëtore në sektorin privat jo bujqësor.

Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve, të vëna në dispozicion për “Monitor”, bënë të ditur se në fund të muajit korrik, numri total i të punësuarve, përjashtuar sektorin bujqësor, zbriti në 630 mijë persona, nga 688 mijë në shkurt, përpara fillimit të pandemisë, duke rënë me 8.3%.

Në total, 57 mijë persona rezultojnë të kenë humbur punën gjatë periudhës së pandemisë, ose 9% e të punësuarve në vend, pa përfshirë bujqësinë. 73% e humbjeve të vendeve të punës kanë ardhur nga subjektet e vogla.

Edhe mbylljet e bizneseve janë të larta. Vetëm në pak muaj, kanë falimentuar gati një e treta e subjekteve të vend, në pjesën dërrmuese të vogla. Të dhënat e Tatimeve tregojnë se numri i subjekteve në total, në fund të muajit korrik, zbriti në 79.6 mijë, nga 112 mijë në shkurt, duke u reduktuar me 29%. Ky është numri më i ulët i bizneseve që prej vitit 2007, sipas të dhënave të tjera për numrin e ndërmarrjeve aktive, të publikuara nga INSTAT.

Në vlerë absolute, nga shkurti deri në korrik të këtij viti, janë mbyllur 32.4 mijë biznese, 98% e të cilave ishin subjekte të vogla.

Të mëdhenjtë u mbështetën tek ekonomia e shkallës, ndërsa kanë dhe më shumë akses në financim dhe rezerva financiare, të cilat u mundësuan të përballonin mbylljen e përkohshme të aktiviteteve të tyre.

Ndërsa të vegjlit kishin nisur ciklin rënës që përpara krizës, si rrjedhojë e riorientimit të ekonomisë drejt zinxhirëve të mëdhenj dhe frenimit të konsumit, të ndikuar edhe nga emigracioni.

Burimi: Drejtoria e Tatimeve

Burimi: Drejtoria e Tatimeve

Burimi: Drejtoria e Tatimeve

 

Kriza e të vegjëlve

20 korriku ishte afati i fundit kur bizneset e vogla bëjnë raportime tremujore, për deklarimin e sigurimeve. Të dhënat e Tatimeve tregojnë se numri i subjekteve të vogla kishte qëndruar në nivele të pandryshueshme deri në qershor. Madje ai kishte shënuar një rritje të lehtë në maj e qershor, e ndikuar edhe nga paketat financiare që mbështetën të gjithë të punësuarit në subjektet e vogla, me përjashtim të profesioneve të lira. Rreth 65 mijë të punësuar nga bizneset e vogla, aktiviteti i të cilëve u mbyll me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë përfituan nga paketa e parë, me 26 mijë lekë në muaj për tre muaj. Pjesa tjetër përfituan nga paketa e dytë, me një pagesë 40 mijë lekë vetëm një herë.

Por, sapo ka ardhur korriku, shumë biznese kanë nxituar të çregjistrohen dhe të largojnë punonjësit nga puna. Numri i subjekteve aktive të vogla, me dhe pa TVSH, zbriti në 53.6 mijë në korrik, me një tkurrje prej 37%.

Më të brishtë kanë qenë bizneset pa TVSH, të cilët kanë rënë me 44%.

Mbyllja e këtyre bizneseve të vogla ka lënë pa punë 42 mijë persona në krahasim me shkurtin, përpara se gjithçka të kthehej përmbys nga pandemia.

 

Biznesi i madh arrin të rikuperojë punësimin

Bizneset e mëdha ishin të parat që reaguan ndaj mbylljes së ekonomisë. Të ndihmuar dhe nga fakti që ata i deklarojnë sigurimet çdo muaj, subjektet e mëdha nxorën nga listë-pagesat rreth 30 mijë persona në prill, sipas të dhënave nga tatimet. Ky ishte dhe muaji më i keq për të mëdhenjtë dhe më pas, në maj, rikuperimi filloi gradualisht deri në korrik, ndonëse nuk ka arritur ende në nivelin e parakrizës. Shteti përfshiu në paketën e dytë financiare (40 mijë lekë vetëm një herë)vetëm të larguarit nga listat e sigurimeve shoqërore nga 10 marsi deri më 16 maj.

Në fund të korrikut, biznesi i madh kishte të punësuar 375 mijë persona, ose 10.5 mijë më pak se në shkurt, me një rënie prej gati 3% në krahasim me shkurtin.

Në total, 320 biznese të mëdha mbyllën dyert që nga shkurti, me një rënie të lehtë prej 1.36%.

Burimi: Drejtoria e Tatimeve

 

Burimi: Drejtoria e Tatimeve

Ku punësohen shqiptarët

Në shkurt, përjashtuar bujqësinë, në total kishte 686 mijë të punësuar në vend.

56%, ose 385 mijë persona ishin të punësuar në bizneset e mëdha. 22% (rreth 147 mijë) e siguronin jetesën nga puna në bizneset e vogla, me ose pa TVSH. Pjesa tjetër, 23%, ose 155 mijë persona, janë në administratë.

Në korrik, struktura e punësimit ka pësuar ndryshime.

Pesha e biznesit të madh është rritur, në 59%, për shkak të tkurrjes së fortë të të punësuarve tek subjektet e vogla. Këta të fundit, zinin vetëm 17% të punësimit total jobujqësor në korrik.

Paketat e ndihmës

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, nga paketa e parë financiare, që parashikonte pagesa prej 26 mijë lekësh në muaj për tre muaj radhazi (mars-maj) kanë përfituar gjithsej rreth 65 mijë persona, të punësuar në gati 39 mijë subjekte të vogla. Shuma e akorduar për ta, përfshirë edhe dyfishimin e pagesave të papunësisë është 5.8 miliardë lekë.

Për paketën e dytë, që përfshinte katër masa (të punësuarit e tjerë të bizneseve të vogla që nuk përfituan nga paketa e parë; të punësuarit te biznesi i madh që ishin të mbyllur nga urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë; të punësuarit te biznesi i madh të larguar nga puna deri në 16 maj; Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, që ishin në listëpagesa)janë paguar gjithsej 172.4 mijë persona, për një vlerë prej 8.9 miliardë lekësh.

Në total, shuma e paguar për mbështetjen e biznesit për të dy paketat ishte 12.7 miliardë lekë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular