Nisja e shkollës në kushtet e pandemisë dhe nën masa të rrepta protokollare ka sjellë jo pak probleme për nxënësit, kryesisht ata më të vegjëlit, të cilët edhe pse sipas protokolleve shëndetësore, nuk e kanë të detyrueshme mbajtjen e saj, duhet të qëndrojnë gjatë gjithë orarit mësimor me maskë në fytyrë.

Një fakt i tillë ka bërë që shumë prej tyre ta përjetojnë në një mënyrë aspak pozitive.

Më poshtë, Ora News ju sjell letrën e një nxënësi të klasës së dytë në Durrës, i cili në ditarin e tij personal rrëfen të gjitha përjetimet në shkollë.

Sipas tij, maska e pengon të marrë frymë lirisht dhe të komunikojë me shokët ndaj dhe e urren atë.

“I dashur ditar!

Edhe sot shkova në shkollë me maskë. E urrej maskën sepse ajo më pengon, jo vetëm të marr frymë por edhe të flas me shokët e shoqet e klasës. Bile dje më dhembi dhe koka se nuk merrja dot frymë.

E ulja nganjëherë në gojë, tinës mësueses se nuk doja të më bërtiste ajo e të më quante “djalë i keq”. I urrej dhe viruset. Mirupafshim nesër.”