Universitetet hapen në…, mësim në auditorë dhe online. Rektori i UT: Ja si do të bëhen seminaret dhe praktikat

0

Viti i ri akademik do të nisë së paku dy javë me vonesë. Ndryshe nga vitet e tjera, pandemia ka diktuar edhe proceset universitare, duke bërë që të shtyhet hapja e universiteteve për shkak të detyrimeve shkollore që duhet të përmbushin vitet e ndërmjetme.

Në të parën intervistë nga karrigia e Rektorit, titullari i universitetit më të madh në vend, Artan Hoxha, deklaroi për “News 24” se po përballet me disa sfida njëherësh: mbarëvajtjen e vitit akademik që ende nuk është mbyllur, pranimet e reja dhe nisja e vitit të ri nën diktatin e koronavirusit. “Për shkak të pandemisë ka tejkaluar afatin ligjor të tij nisja e vitit të ri akademik, përgatitemi për fillimin e nëntorit, sipas përcaktimeve që do të ketë nga Ministria e Arsimit”.

MËSIMI ONLINE

Ashtu si shkollat, edhe universitetet po bëjnë përgatitjet e tyre për të zhvilluar mësimin online, në rast se situata do t’ua diktojë. Për të shmangur grumbullimet, do të zhvillohet mësim i kombinuar midis atij online dhe në auditorë. Të detyrueshme në klasa do të jenë vetëm seminaret dhe praktikat. Ndërsa leksionet, Hoxha lë të kuptohet që do të zhvillohen nga shtëpia. Krahas platformës së posaçme për Universitetin e Tiranës, po punohet që të mundësohet “e mesmja e artë” midis një procesi normal mësimor pa cenuar shëndetin e pedagogëve e studentëve.

“Ne do të mundohemi maksimalisht të përdorim auditorët dhe ta kombinojmë me mësimin online. Për këtë po përgatitemi që të kemi platformë të universitetit dhe jo më me platforma individuale. Po trajnojmë IT të e fakulteteve, të jetë lehtësisht e përdorshme për pedagogët dhe studentët. Proceset që kanë të bëjnë me marrjen e dijes, që janë seminaret, laboratorët apo praktikat mësimore, duke qenë se janë me grupe të vogla, ato kryesisht do të zhvillohen në auditorë. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë që edhe të mbrohemi nga virusi, por edhe proceset mësimore të mos jenë fiktive”.

Ecuria e pranimeve të reja, sipas Rektorit, është e krahasueshme me një vit më parë. Por ajo çfarë e shqetëson Hoxhën është mbyllja e degëve, kryesisht në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, për shkak se nuk plotësojnë numrin minimal të studentëve për të qëndruar hapur. Kërkesa e dekanit Artur Sula ka bërë që qeveria të marrë në konsideratë një ulje të notës mesatare me 0.5 për hyrjet e reja në këtë fakultet, duke e çuar nga 7.5 në 7. Por të dhënat e para flasin për një impakt tejet të ulët. Rusishtja dhe Greqishtja kanë regjistruar përkatësisht nga një dhe tre studentë, ndërsa për një profil nevojiten minimalisht dhjetë të tillë.

COVID NË UNIVERSITETE

Deri më tani, kur universitetet kanë qenë të hapura, fillimisht për praktikantët dhe vitet e fundit e tanimë për vitet e ndërmjetme, UT-ja nuk ka raportuar asnjë të infektuar. Por në një tjetër universitet, atë të Vlorës, dje janë identifikuar tri raste në radhët e administratës. Dy kate të njërës prej tri godinave tek “Ismail Qemali” (Rektoratit) janë mbyllur dje për t’u dezinfektuar, ndërsa ka nisur hetimi epidemiologjik me personat e kontaktit të të infektuarve.

Rastet e konfirmuara janë punonjës të zyrës së auditit, të seksionit të promovimit akademik dhe atij të komunikimit. Mësohet se dhjetë persona nga stafi akademik janë izoluar deri në përgjigjen e tamponit. Burime brenda universitetit bëjnë me dije se Departamenti i Biologjisë është mbyllur, ndërsa orët e Infermierisë zhvillohen në një tjetër ambient, pasi edhe aty dyshohet të ketë raste me COVID.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.