BallinaIntervista“Drafti i PS s'përputhet me ‘5 qershorin’”- Mustafaj: Si do të votohen...

“Drafti i PS s’përputhet me ‘5 qershorin’”- Mustafaj: Si do të votohen kandidatët për deputetë të PD. Çfarë thotë për qëndrimet e Presidentit

Anëtari i Komisionit të Përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në Partinë Demokratike, Besnik Musfataj tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se nga nesër nis procesi i votimit të kandidatëve në Qarkun e Kukësit. Sipas Mustafajt, anëtarësia do të bëjë një votim negativ me kryq të emrave, ku ai që merr 20%, do të skualifikohet.

“Janë disa qarqe të mëdha që nuk janë kryer akoma procedurat. Tani ka minimumi dyfishin e kandidatëve që nxjerr qarku. Do të bëhet një votim negativ, ku do të vihet një kryq (X), që nëse merr 20% negative, ai kandidat skualifikohet. Roli i anëtarësisë merr vlerësim maksimal në këtë proces. Çdo anëtar i PD ka pasur të drejtën të propozojë 1 emër dhe tani çdo anëtar ka të drejtën e votës të ndërhyjë drejtpërdrejt në kompozimin e listës”, u shpreh Mustafaj.

Më tej, demokrati u ndal dhe te zhvillimet e fundit politike mbi zgjedhjet e 25 prillit 2021, duke thënë se drafti i PS-së për hapjen e listave nuk përputhet me marrëveshjen e 5 qershorit.

“Nuk përputhet drafti i PS me marrëveshjen e 5 qershorit. Ata do ta miratojnë në fund siç e duan vetë, sepse i kanë votat. Opozita nuk ka zgjidhje, është e detyruar të zbatojë ligjin, ose të ikë nga zgjedhjet. Unë shpresoj që të mos ikë nga zgjedhjet”, tha ai.

Pjesë nga intervista:

Si ka vijuar deri tani procesi?

Për ne ka qenë dhe mbetet një ngarkesë voluminoze pune, por edhe një ngarkesë psikologjike, pasi ka pasur prurje shumë të mira. Patëm një ngarkesë shumë të madhe. Të gjithë ata që kanë shkuar për t’u votuar në Kukës, që është qarku i parë ku starton nesër procesi, kanë ardhur nga Kukësi. Ata janë projektuesit e tyre. Do të jenë rreth 350 emra, ku përfshihen edhe kandidatë për kryetarë bashkie, ku në fazën e tretë do të bëhet përsëri përzgjedhje më e imët, që partisë t’i shkojnë rreth 250 emra.

Sa mund të vazhdojë kjo?

Besoj deri më 15 tetor gjithçka është e mbyllur, mbarojë gjithë procesin.

Si e shikoni situatën e krijuar nga politika?

Opozita parlamentare nuk duhet të votonte ndryshimet kushtetuese më 30 korrik, por ajo nuk është opozitë. Synimi i kësaj opozite ka qenë dhe mbetet hapja 100% e listave. Formula që ka krijuar mazhoranca është shumë e ndërlikuar, por nuk është e hapur. Dëgjoj socialistët që thonë se partia ka të drejtë të fusë ekipin e saj. Ata po përpiqet të krijojnë mjegull dhe të krijojnë konfuzion të madh te publiku për t’i bërë gjërat siç duan vetë, me lista të mbyllura. Marrëveshja e 5 qershorit është baza për palët.

I shoh shumë çuditshëm këta të PS, që thonë se nuk është hedhur poshtë marrëveshja e 5 qershorit. Atëherë nëse nuk është hedhur poshtë, të punojmë bashkë për këtë marrëveshje. Edhe hallë, edhe dajë, njëkohësisht, nuk mund të jenë. Nuk përputhet drafti i PS me marrëveshjen e 5 qershorit. Ata do ta miratojnë në fund siç e duan vetë, sepse i kanë votat. Opozita nuk ka zgjidhje, është e detyruar të zbatojë ligjin, ose të ikë nga zgjedhjet. Unë shpresoj që të mos ikë nga zgjedhjet.

Po deklaratat e ambasadores amerikane si i vlerësoni?

Ambasadorja amerikane nuk do që të jetë e qartë. Mendoj se gjuha e mjegullt që ajo përdor në këtë mesazh është e zgjedhur, nuk vjen nga padia. Ambasadorja Kim kur do i formulon shumë qartë mendimet e saj.

Qëndrimet e Presidentit Meta si i shikoni?

Presidenti Meta është i vetmi që drejton një institucion shtetëror, pavarësisht nga sakatimet që i kanë bërë këtij profesioni mazhoranca socialiste, dhe më herët edhe mazhoranca demokratike. Meta po përpiqet të mbajë bastionin e mbrojtjes së Kushtetutës. Kushtetuta nuk mbrohet nga rruga, pasi opozita ka dalë. Kurse Presidenti i drejtohet kombit si President.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular