BallinaKryesoreSytë e Maries/100-vjetori i lindjes së aktores së shquar, “Nderi i Kombit

Sytë e Maries/100-vjetori i lindjes së aktores së shquar, “Nderi i Kombit

Nga Flori Slatina

Marie Logoreci – nuri i Shkodrës, bukuroshja me zërin e artë në Radio, në Teatrin kombëtar, në film. Hyjnore, legjendare..e paharruar.  Nëna e dashur me vështrimin më të fortë me sytë që të mbesin thellë në kujtesë… U mbushën 100 vjet nga lindja e saj, atë ditë të 23 shtatorit 1920, kur kambanat e kishës lajmëruan edhe lindjen e saj.

E rritur dhe edukuar ndryshe, në një mjedis ku nuk flitej për mjerim apo varfëri, por për shkollë, edukim, kulturë, art.

Maria ishte vajzë e vetme dhe nuk i mungoi asgjë në fëmijërinë apo rininë e saj. Brenda pak vitesh, kur Mbretëria do të ishte në fundin e saj, do të ishte ajo vetë që do të bëhej shembull i qytetërimit, edukatës e kulturës shkodrane.

Radio Tirana ishte institucioni i vetëm që promovonte artistët. Në mungesë të një Teatri Kombëtar apo të një Teatri Opere, Radio Tirana grumbulloi rreth vetes ajkën e artistëve të shkolluar në perëndim, por edhe atyre që kishin talent e bukuri skenike. Nga mikrofoni i Radio Tiranës kaluan drejt aktrimit aktore të njohura si Behije Çela, Liza Vorfi, Merita Sokoli, Marie Logoreci, etj. Jo të gjitha patën fatin dhe talentin për të ecur. Maria shkëlqeu që në fillim. Edhe pse nuk donte dhe as e kishte çuar kurrë në mendje se një ditë do të bëhej aktore, ajo aty pati shkëlqimin, kulmin e përjetësinë e saj.

Maria hyri në elitën e yjeve të teatrit e filmit në një kohë kur teatri dhe filmin kishin nevojë për të, imazhin e saj të papërsëritshëm, interpretimin brilant dhe shkëlqimin që i jepte skena dhe fjala e bukur shqipe.

Kryerole njëri pas tjetrit, role që të mbesin në kujtesë e që spektatori i duartrokiti gjatë. E padiskutueshme është karriera e Marie Logorecit në skenë e në ekran, kjo falë paraqitjes së saj të hijshme. Një zonjë në jetë e zonjë në skenë. Një shembull për gjithë atë brez aktoresh të reja që e rrethonin me admirim. Ajo nuk e kërkonte lavdinë, por kërkonte përsosmërinë, kërkonte më të mirën në skenë, kërkonte më të mirën në teatër. Nuk ishte roli i shkruar, por fuqia e interpretimit të saj që e bënte të veçantë personazhin. Ishte nga ato aktore të rralla që lexonte vazhdimisht, që jepej pas traditës, zakoneve, që dinte të merrte atë të veçantën për t’ia veshur rolit të saj ndaj edhe rolet e Maries ishin të gjithë të arrirë se ishin konkretë, ishin të prekshëm e të godisnin jo vetëm me fjalët, por edhe me qëndrimin, me vështrimin e saj të thellë.

Jeta reale dhe jeta artistike e Maries kanë qenë të trazuara. Pjesën më të madhe të jetës e mbylli mes dashurisë së të birit, Pjerinit, kolegëve dhe luleve e kafshëve të oborrit. Ato ishin bota e madhe e Maries, bota që i falte dashuri e i jepte gjallëri e freski në skenë e ekran.  Në Teatër rolet vinin njëri pas tjetrit, role që i bënte maksimumin e saj që asnjëri nuk ngjante me tjetrin. Falë këtij përkushtimi popullariteti  Maries u rrit shumë. Gëzonte dashurinë dhe respektin e të gjithëve. Maria ishte figurë qendrore e Teatrit Kombëtar, për të cilën edhe u vlerësua me çmimet e titujt e kohës.

Në këtë 100-vjetor të lindjes prita me qetësi një shënim sado të shkurtër të ministres së kulturës, të kryeministrit apo Presidentit, për të nderuar nëj nga yjet e artit shqiptar që mban edhe titullin e lartë “Nderi i kombit”. Ky shënim nuk erdhi kurrë, ashtu siç vjen për aktorë të shquar apo personalitete në botë, që nderohen me madhështi dhe shpallet viti i tyre. Kaloi në heshtje 100 vjetori i Sandër Prosit, i Prokop Mimës, i Marie Logorecit…

Vështroni sytë e Maries! Për fat të mirë na kanë mbetur një sërë fotosh nga rolet e saj të shumë. Asnjëherë nuk janë të njëjtë, asnjëherë nuk shohin njësoj. Sy që depërtojnë thellë, sy që të dënojnë, të falin, sy që të urrejnë, sy që luten, sy që falin, sy që dashurojnë, sy që të prekin thellë në shpirt…

Sytë e Maries nuk harrohen kurrë, ashtu si emri dhe vepra e saj. Vështrimi  tyre do të na shoqërojë gjithmonë…

Natyrisht, asgjë nuk është e përjetshme, por Marie Logoreci e ka fituar përjetësinë e saj në teatrin dhe filmin shqiptar…. Arti ka të tjera…

Për Marien:
“Ishte një partnere e shkëlqyer, gjithmonë plot ndjenjë. Sytë e saj të flisnin, të ndihmonin të hyje në rol me të me një natyrshmëri të pabesueshme e kjo, vinte se para teje ajo ishte personazh i gjallë…”

Ndrekë Luca
“Syri i majishte i plotë, mimika e saj aq shprehëse, kultura e saj e gjerë, gjuha e saj e bukur.”

Ilia Shyti

“… Kristaq Antoniu, duke vërejtur ekspresionin e syve të saj të thellë e guximin e saj në sjellje e këshilloi të bëhej aktore teatri.

Interpretonte fuqishëm dhe të mbërthente me syrin dhe zërin e saj.”
Gjon Karma

“Ata që e kanë parë në skenë shpërthimin e Maries nuk do të harrojnë sytë e saj, zërin e saj. Ajo ishte Marie Logoreci.
Piro Mani

“Me sy ekspresivë si të Maries, që ishin aq të ëmbël në butësi e aq të egër në inat. Këta sy i mbaj mend mirë, sepse shpesh më ka qëlluar të jem ballë për ballë me të në skenë si nënë e bijë, si nuse e vjehërr, si motra, si shoqe, si armike. Partnere serioze.”
Besa Imami

“Maria kishte dy gjëra kryesore: sytë verbues, shprehës dhe vizionin plastik. Ajo ka qenë kundër efekteve, mbështetej, në të dhënat e saj të natyrshme. Ajo kishte një portret shumë shprehës.”
Agim Zajmi

“Imazhi i Maries më ka shoqëruar vazhdimisht sepse ajo kishte të dhëna nga zoti, të dhëna portretore e fizike, zëri, artikulimi, shikimi, portreti, plastika, por edhe si natyrë, si karakter, ishte e ëmbël e dashur dhe e butë, aq sa dhe e fortë, ajo ishte e jashtëzakonëshme. Sytë e saj i kam përpara në çdo moment edhe pas kaq vjetësh që është ndarë nga ne.”
Roza Anagnosti

“Maria, me fytyrë shumë të bukur, sy ekspresivë, me trup mesatar por mjaft joshës, ishte një grua energjike që nuk ngjasonte me asnjë tjetër: Ishte Maria!”
Drita Pelinku

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular