BallinaOP EDMeta dhe Rama po zihen për miqtë apo armiqtë e zgjedhjeve/Nga Basir...

Meta dhe Rama po zihen për miqtë apo armiqtë e zgjedhjeve/Nga Basir Çollaku/

Nga Basir Çollaku

Nëse Presidenti Meta dhe Kryeministri Rama janë të sinqertë në deklaratat për lidhjet kriminale për njëri-tjetrin, ne duhet të bëjmë zgjedhje të reja nesër.

Nëse ata gënjejnë për njëri-tjetrin, sërish ne duhet të bëjmë zgjedhje të reja nesër.

Kreu i shtetit dhe kryeministri, janë dy drejtues të institucioneve kryesore në vend, imtësisht të informuar. Shërbimi informativ, agjencitë e zbatimit të ligjit, partnerët tanë, u përcjellin informacione delikate për një pafundësi ngjarjesh, ku ligji shkelet e bandat, mafia, trafiku e krimi i organizuar ushtrojnë aktivitet. Dy nga njerëzit më të informuar në Shqipëri, i thonë njëri-tjetrit se janë banditë, sipas gjërave që ata dinë. Pra, në këtë përplasje sa informative aq edhe politike, duhet patjetër të ketë një brendi me personazhe real. Kjo e bën situatën një alarm konkret. Tekstet president-kryeministër, ngjanin si kode njerëzish të njohur, për atë çfarë qëndronte pas fjalive. Dukej se të dy e dinin, se çfarë i kishin marrë dhe dhënë njëri-tjetrit. Në këtë kaos qëndrimesh, Prokuroria, si përfaqësuese e shtetit, duhet të merret me këto deklarime publike, shqetësuese të pushtetit.

Po në këtë ditë vjen një tjetër qëndrim shokues, për nga përmbajtja. Ai i numrit një të akuzës shqiptare.

Nëse Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, ka thënë te vërtetën, se Elbasani kontrollohet nga krimi i organizuar, ne duhet të bëjmë zgjedhje të reja nesër, qoftë edhe për të çliruar nga Mafia një superqytet me qindra mijë njerëz, të cilët janë të pushtuar nga një regjim kriminal, sipas deklarimit zyrtar.

Nëse Ambasadorja amerikane zonja Kim, ka të drejtë se mazhoranca po bën punë jo të ndershme me reformën zgjedhore, ne duhet të bëjmë zgjedhje nesër.

Nesë ajo çka thonë Parlamenti Europian dhe Bashkimi Evropian, se Rama hodhi një hije të errët për zgjedhjet e pritshme, ne duhet të bëjmë zgjedhje urgjent, që nesër.

Nëse raportet e ndërkombëtarëve janë të sakta se këtu janë pastruar në Tiranë mbi një miliard e gjysëm euro në dy vite, nga afro 700 leje ndërtini të Erion Veliajt, ne duhet t’i kishim bërë zgjedhjet që dje, sepse në gjashtë muajt e mbetur, ai mund të pastrojë edhe një milliard tjetër, për portofolet e MAFIA-s.

Nëse do të duam demokraci dhe ligj, por jemi prej katër vitesh pa Gykatë Kushtetuese dhe të Lartë, ne duhej të kishim bërë zgjedhje javën e parë të mungesës së këtyre institucioneve.

Nëse Shqipërisë i janë larguar në 7 vite rreth 500 mijë qytetarë nga pamundësia për të jetuar mirë në dheun e tyre, ne duhet t’i kishim bërë zgjedhjet që dje.

Nëse Mafia dhe krimi i organizuar kanë marrë zyrat dhe pronat publike, ne duhej t’i kishim bërë zgjedhjet dje.

Nëse ne nuk kemi media e shtyp të lirë, por të futur nën skllavërinë qeveritare, atëherë zgjedhjet duhej të ishin bërë dje.

Por, tej fajësisë së politikës, diku aksionerë në përgjëgjësi jemi edhe ne, sespe ne kemi lejuar këtë politikë dhe pushtet të na bëjë të jetojmë keq. Nuk i kemi ndëshkuar në asnjë mënyrë, qoftë dhe më të thjeshtën e duhur, në formën e ëmbël demokratike.

Ne gjendemi përsëri në ishull, në një vathë ku as leje nuk kërkojnë të na mundësojnë të dalim përtej gardhit të vjetër. Për kollajllëkun e plaçkës së bërë, na kanë prerë biletën për të udhëtuar në të shkuarën përsëri. Na kanë damkosur me pa të ardhme. Sa më tepër duhet që çdo reformë, ligj, formulë, skemë ta bëjmë të pavlefshme. Mjafton një shenjë kundër dhe ata zhbëhen. Ne mundemi t’i kthejmë në kopje derrash. Ndoshta vonesa po na jep një mundësi të bëjmë çfarë nuk bëmë në shumë vite.

Për të hapur një shteg njerëzish për të nesërmen, vetëm vonë nuk është.

Do dërgojmë në të s’ëmës ca maskarenjë shumëvjeçarë, të rinj të ngjashëm, e çfarëdoqofshin zgjatues.

Nëse politikanët kujdesen të marrin me çdo kusht privilegje të përhershme dhe ne detyrime të përjetshme, atëherë zgjedhjet duhet të bëhen dje.

Nëse ne gjendemi sot në një rrethanë ku rehatitë e partive politike ushqehen mbi varfëritë dhe pamundësitë e qindra mijë familjeve, zgjedhjet duhet të ishin bërë dje

Kjo nuk ka të bëjë fort me datën e caktuar, tashmë kurdoqoftë, e cilido mekanizmi që po gatuhet. Ka një rëndësi të pakthyeshme, një të vërtetë.

Ata nuk duhet të blejnë me qindarka vite jete shqiptarësh.

Duhen moslejuar të jenë sërish Ata, sepse kanë prova të pafundme për të qenë mijëra herë fajtorë.

Mjafton një votë dhe ata ikin, ndonëse me vonesë në destinacionin e merituar.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular