Në Shqipëri rastet e reja më COVID-19 shënuan sot një tjetër rekord, me 203 të prekur. Shifra e lartë duket se i dedikohet rritjes së ndjeshme me gati 30 përqind të testimeve, të cilat në 24 orët e fundit ishin mbi 1350, si asnjëherë më parë. Ndonëse në vlerë absolute numri i të infektuarve kërceu lart, pozitiviteti (raporti mes rasteve të reja dhe testimeve) ishte 15 përqind, nga 17.2 përqind i një ditë më parë. Pozitiviteti është një tregues i nivelit të transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, të infektuarit e 24 orëve të fundit, rezutojnë të shpërndarë në 27 qytete të ndryshme të vendit: 68 raste në Tiranë, nga 17 raste në Fier, Korçë, 15 në Elbasan, 14 në Berat, 12 në Lezhë, 10 në Durrës, 9 në Lushnje, 6 në Pogradec, nga 5 raste në Vlorë, Sarandë, nga 3 raste në Gramsh, Kuçovë, nga 2 raste në Shkodër, Kurbin, Mirditë, Tepelenë, Roskovec, dhe nga 1 rast në Krujë, Kavajë, Librazhd, Mat, Fushë-Arrëz, Selenicë, Bulqizë, Shijak, Vorë. Që prej muajit mars kur u konfirmuan dhe rastet e para, janë gjithsej 15.595 persona që rezultojnë të jenë prekur nga Koronavirusi. Aktualisht 5759 persona janë ende aktivë.
Numri i viktimave, ashtu si dhe një ditë më parë, mbeti në kuotat e 5 personave që kanë humbur jetën: një 59-vjeçare nga Elbasani, një 79-vjeçare nga Vlora, një 87-vjeçare nga Tirana dhe dy qytetarë nga Durrësi: 66 dhe 85 vjeç. Që nga fillimi i pandemisë, në total në Shqipëri janë rregjistruar 434 vdekje.
Në të dy spitalet që trajtojnë të sëmurët, numri i pacientëve prej disa ditësh është thuajse në të njëjtat kuota të larta. Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 239 pacientë, 15 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar, bëri të ditur ministria e Shëndetësisë.
Duke nisur nga nesër, hyn në fuqi urdhëri për përdorimin e detyrueshëm të maskave dhe në mjedise të hapura. Autoritetet publikuan sot të gjitha rastet kur duhet mbajtur maska, si dhe ato kur një masë e tillë është e përjashtuar. Gjoba për moszbatimin e urdhrit do të jetë 3 mijë lekë për shkelësit për herë të parë, dhe 5 mijë lekë për shkelje të përsëritur.