BallinaAktualitetBylykbashi për ekzekutimin e grupit të deputetëve: ADN-ja e PD janë pronarët...

Bylykbashi për ekzekutimin e grupit të deputetëve: ADN-ja e PD janë pronarët dhe të përndjekurit

Nga Oerd Bylykbashi

Sot pata nderin qe ne emër te Partisë Demokratike te përshëndes takimin e Shoqatës Antikomuniste te të Përndjekurve Politike ne përkujtim te Grupit te Deputeteve qe u ekzekutuan nga regjimi komunist ne 1947.

Nderim përjetë kujtimit te atyre burrave patriote qe flijuan jetën për aspiratën e lirive te njeriut dhe demokracinë!

Të nderuar miq e të pranishëm,

Është nder për mua që të jem sot mes jush e t’ju drejtohem në këtë përkujtim në emër të Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha.

Sot përkujtojmë 73 vjetorin e një prej momenteve më të hidhura që shënoi një prej akteve më terroriste në themel të ngrehinës së Komunizmit, por një moment që po aq shkëlqen në themel të përpjekjes së një populli për demokraci, ekzekutimit të Grupit të Deputetëve opozitarë në parlamentin e parë të pasluftës, dhe shumë prej miqve e bashkëpuntorëve të tyre në kauzën fisnike të lirisë.

75 vite më parë në Nurenberg u ngrit një gjyq publik, ku drejtësia ndërkombëtare e vendeve demokratike kishte vënë në bankën e të akuzuarve armikun tjetër të demokracisë sivlla i Komunizmit, Nazizmin. Në atë gjyq, hierarku më i lartë i akuzuar, krahu i djathtë i Hitlerit, Herman Goering, kur u pyet se si e bindën popullin gjerman të pranonte gjithë sa kishte ndodhur, ai do të deklaronte:

“Ishte e thjeshtë, nuk ka të bëjë me nazizmin, ka të bëjë me natyrën njerëzore. Mund ta bësh në një regjim nazist, socialist, komunist, në një monarki, po aq sa në një demokraci. E vetmja gjë që duhet bërë për t’i kthyer njerëzit në skllevër është t’i frikësosh.”

Image

Këto fjalë të një krimineli nazist thonë shumë. Me gojën e tij ai barazon natyrën terroriste të nazizmit dhe komunizmit. Pikërsht këtë shenjë barazimi ka vënë Këshilli i Europes midis këtyre dy mënxyrave tw shekullit XX.

75 vite më parë kur në Nurenberg mbi Nazizmin binte çekiçi i drejtësisë dhe sipari i turpit publik, Enver Hoxha dhe komunizmi shqiptar po ngrinin ngrehinën e terrorit komunist. Por pikërisht si tani, 75 vite më parë një grup burrash pinjollë të familjeve të shquara atdhetare, të brumosur me ideale për një Shqipëri demokratike liberale, bëheshin gati me kurajo përballë terrorit komunist për t’u zgjedhur deputetë të popullit e të përçonin idetë e tyre kundër shtypjes së lirive dhe vendosjes së diktaturës komuniste.

Pra 75 vite më pare, kur në Europë lindte dielli i lirive të individit dhe demokracisë, në Shqipëri binte terri i Komunizmit, nuk ka mënyrë tjetër për t’i imagjinuar ata burra trima që u njohën si Grupi i Deputetëve dhe bashkëpuntorët e tyre, veçse të mbledhur grusht me shpatulla tek njëri tjetri e me pishtarët e lirisë në dorë mes errësirës së terrorit për të kundërshtuar në parlament vendosjen edhe juridikisht të Komunizmit.

Në 30 vite nga rënia e Komunizmit, ende nuk është kërkuar falje nga ata që kryen krime. Falja kërkon forcë të madhe shpirtërore, por si ata që kryen krimet si edhe pasardhësit e tyre politikë, nuk kanë ndërmend ta pastrojnë ndërgjegjen.

Në 30 vite ende nuk kemi vënë plotësisht në vend dinjitetin e atyre që vuajtën drejtpërdrejt në burgje, atyre që humbën të afërmit, u internuan, dëbuan, nuk iu dha e drejta e studimit me breza apo u denigruan me çdo formë. Dinjiteti nuk kompensohet me këste. Ai rikthehet vetëm i plotë, dhe vetëm drejtësia e bën këtë.

Ne ende nuk kemi Murin e Kujtesës ku të jenë të skalitur me gërma të arta të gjithë emrat e atyre që sakrifikuan jetën në altarin e lirisë dhe demokracisë. Të kujtohen emër për emër me krenari për sakrificën e tyre që të mos harrohen. Ne ende nuk kemi Murin e Turpit ku të shkruhen emrat e atyre që spiunuan, torturuan, dënuan dhe ekzekutuan mijëra shqiptarë, Të kujtohen emër për emër me turp nëpër breza që të mos harrohen.

Na duhet lustracioni i institucioneve shqiptare. Tashmë egziston baza kushtetuese që më parë nuk ishte. Por po i shohim si po penetrojnë ata që lyen duart me gjak ose pinjollët e tyre në parlament, qeveri apo ne drejtësi. Kjo nuk duhet lejuar.

Na duhet një Simon Wizenthal shqiptar që iu qep kriminelëve nazistë e i çoi në gjyq. Na duhet një institucion që t’i vihet nga pas kriminelëve të Komunizmit, t’u bëjë dosjet dhe t’i çojë para drejtësisë për krime kundër njerëzimit, Nga hierarkët më të lartë që janë gjallë, tek ata që ekzekutuan krimet, ashtu siç kanë bërë në Europë me kriminelët nazistë apo ata komunistë. Nuk ka as afat dhe as moshë për të dënuar krimet kundër njerëzimit. Bisturia e drejtësisë do të bëjë ndarjen e qartë të së keqes së Komunizmit nga shpirti i shoqërisë.

Para 73 vitesh Komunizmi ngriti një gjyq publik, ku celebrohej terrori për të frikësuar dhe thyer shqiptarët. Ata 16 deputetë, Shefqet Beja, Enver Sazani, Riza Dani, Selaudin Toto për të përmendur disa prej tyre e dhjetëra shqiptarë patriotë që u dënuan 73 vite më pare bashkë me ta, me sakrificën e tyre në emër të lirive dhe një demokracie liberale perëndimore, na kanë lënë amanet të madh: atë që të mos harrojmë, të mbrojmë demokracinë dhe liritë dhe të rivemë në vend dinjitetin e atyre që sakrifikuan për liritë dhe demokracinë.

Partia Demokratike ka dy shtylla identiteti: të përndjekurit dhe pronarët. Ata janë ADN-ja e PD-së, dhe vetëm t’i qëndrosh kësaj AND-je siguron identitetin e PD si një parti që u themelua në mbrojtje të lirive. Grupi i Deputetëve dhe sakrifica e tyre janë shembull i detyrës historike që kemi.

I paharruar kujtimi i këtyre martirëve!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular