BallinaOP ED“Zezona e të Enjteve dhe shpresa e bardhë e së Dielës”

“Zezona e të Enjteve dhe shpresa e bardhë e së Dielës”

Nga Ardit Gjinali

E enjtja politike nuk është thjeshtë një ditë kalendarike; është stacioni politik ku e keqja qeverisëse materializon vizionin e mbrapshtë të sundimit lokal dhe kombëtar, i tilli që paraqitet si qeverisje përmes akteve dhe ligjeve të miratuara në funksion të të njëjtit, jo vetëm në Parlament, por dhe në këshillat bashkiakë, gjithashtu. Padyshim që nuk mund të konsiderohet e “entja e zezë”, por zezona e reve politike që qëndrojnë në qiellin e demokracisë shkarkohet gjatë të enjteve politike ku mbizotëron arroganca e të gjithë-pushtetëshmit, megalomania e keqqeverisësit, mediokriteti i pseudo-opozitarit kinse parlamentar, vulgariteti dhe banalizimi i qëllimtë i retorikës politike, shfaqja e remineshencave politike të regjimit të shkuar dhe panairi politik i individëve të nëntokës që janë shndërruar në aktorët politikë që miratojnë njëanshmërisht ligje që skalitin paligjshmërinë.
Këto shtatë vite keqqeverisje kronike dhe në vazhdim nuk mund të formësoheshin si të tilla nëse djallëzia, ligësia dhe babëzia nuk do të kryenin takimin dramatik në kufijtë e tragjikes për perspektivën dhe të ardhmen e një shoqërie; të enjtet janë dëshmia e gjallë në veprime konkrete të spirales negative dhe lëmshit të tjerrur që ka penguar frymëmarrjen normale të Republikës; e tilla që po përjeton rënien dhe degradimin institucional , i provokuar nga segmente institucionalë të së njëjtës që tentojnë të kultivojnë anarkinë institucionale në dobi të interesit të tyre të ngushtë ekonomik dhe politik, gjithashtu.
Enumeracioni thellësisht regresiv i të enjteve politike në kontekstin e një mjedisi demokratik të shëndetëshëm fillon me bojkotin e vazhdueshëm të opozitës parlamentare të kohës si shkak i mungesës së hapësirave dhe besimit për dialog politik dhe institucional; dorëzimin e mandateve parlamentare nga i gjithë spektri politik i partive të koalicionit opozitar si dëshmi e humbjes së rolit institucional të Parlamentit; miratimi i buxhetit vjetor të shtetit si dokumenti themelor ekonomik që darovit me paranë publike klientët e shtet-pushtetit; miratimi i të ashtuquajturit ligj special për Teatrin; parada groteske e secilës të enjte nga ana e personazheve anonimë që pranonin mandatin për tu shndërruar në patericat e keqqeverisjes; e enjtja e 14 Majit ku mbledhja pa mbledhje e Keshillit monist Bashkiak të Tiranës vendosi për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe për të vijuar humnerën e demokracisë me të enjten e 30 Korrikut ku enturazhi politik deledash vendosi njëanshmërisht në tempullin e paligjshmërisë grisjen e marrëveshjes së 5 Qershorit.
Përgjatë të enjtes mediatike të javës që sapo mbyllëm, secili ishte dëshmitar i fytyrë-qeverisjes, njeriut politik të njehsuar me shtet-pushtetin, KryeKreut fabulëhumbur dhe risi-munguar që ka lënë shtetarin dhe ka gjetur hokatarin batuta- përsëritës. Muajt në vazhdim do të jenë dëshmi e përpjekjeve regresive për paligjshmërinë e institucionalizuar dhe arbitraritetin përsëritës në funksion të shkurajimit të flukseve shoqërore dhe reagimit qytetar, gjithashtu.
E diela e 25 Prillit është stacioni fundor kohor ku mëkatarët njerëzor të keqqeverisjes duhet të marrin përgjigjen e merituar qytetare përmes ushtrimit të së drejtës demokratike të të votuarit për të garantuar një ndryshim thelbësor të mentalitetit qeverisës. Shpresa e bardhë e së Dielës së 25 Prillit nuk mund të errësohet nga tentativat e vazhdueshme të shtet-pushtetit që rreket të vijojë errësirën e një dekade që ka dobësuar Shqipërinë për të forcuar pozitën klienteliste të një arradhe apolitike që keqpërdor politikën. 25 Prilli është preludi i ditëve më të mira të dekadës së katërt së post-ndryshimeve demokratike; me një qeverisje ndryshe, Kryeministër normal për një Shqipëri normale. Shqipëria e vitit 2030 nuk mund të jetë plaçkë e papërdorshme e një aktori politik që qëndron në pushtet prej një çerek shekulli. 25 Prilli është shpresa e afërt për ndryshimin e madh që mund të arrihet përmes një bashkimi të madh. Bashkë sepse ka ende shpresë……

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular