BallinaOP EDPse pesë? Po sa? Po gjashtë. Po pse gjashtë? Po sa? Po...

Pse pesë? Po sa? Po gjashtë. Po pse gjashtë? Po sa? Po…

Eden Babani, Bruksel

Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe pretenduesi për fronin e PS-së (nëse kryetari aktual do të largohet ndonjëherë), paralajmëroi se pritet të dalin së shpejti pesë parti të reja nga gjiri i së djathtës.

“Kjo është hera e parë që pala tjetër del e përçarë në 5 parti. Mbajeni mend, do i numëroni ditët tjera. 5 parti nga e djathta. Imagjinoni nuk bëjnë dot zap shtëpinë e tyre.” Kështu foli… Veliaj në malin e Dajtit, prej nga Tirana dukej e mbuluar me një re të dendur pluhuri.  

Që deklarata e Veliajt është propagandë, kjo s’do mend. Që është qepur keq, duket ashiqare. Por edhe që të krijohen pesë parti të reja, – le t’i quajmë të djathta, për hatër të tij, – kjo s’ përbën ndonjë çudi. Sjell në kujtesë partinë e Gjergj Bojaxhiut, në 2015-n, të Astrit Patozit, dy vjet më vonë, pa përmendur sa e sa të tjera përpara tyre. Më të shumtat, në valë fushatash elektorale.

Propaganda bajate për të çorientuar elektoratin demokrat më kujtoi lojën e kungulleshkave. Kisha një kungulleshkë, m’ u bënë dy. Po pse dy? Po sa? Po kaq e aq… Të gjithë e dimë lojën e kungulleshkave, ndaj s’po e zgjat. Ama tashmë është vërtetuar katërçipërisht se partitë e krijuara për t’i hequr PD-së një grusht votash, kanë përfunduar si flluska sapuni.

Ditë më parë, shtypi njoftonte për një mbledhjeje të Bindjes Demokratike në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme. Një dhomë e vogël si kotec pulash, ku mund të numëroje me gishtat e dorës ca njerëz pa fytyra, sepse fotoja ishte marrë nga pas, që të vihej në pah kryetari.

A thua të ishin anëtarë të kryesisë? Kushedi. Militantë e dashamirë? Nëse ka. Inatçorë ndaj Kryetarit të PD-së, zotit Basha. Më e mundshmja. Ama aq e rrudhur ngjante, sa s’mund të krahasohet me një nga mbledhjet e Kryesisë së Degës së PD-së këtu, në Bruksel.

Siç bën të ditur shtypi, përveç partive të Patozit, të Hajdarit, të Murizit e të ndonjë tjetri, të cilave tashmë u ka dalë boja, më e reja parti kungulleshkë do të jetë ajo e zonjës Topalli, Lëvizja për Ndryshim. Është e drejta e gjithkujt për të krijuar një parti. Por është për të ardhur keq që politikanë të kalibrit Topalli e Patozi karrierën e tyre po e mbyllin qejfprishur, inatçorë, xhelozë, pse jo të keqpërdorur për interesa meskine.

* * *

Prej kohësh, në mediat tona tradicionale dhe në ato sociale po sulmohet klasa e sotme politike marrë toptan, pa e ndarë shapin nga sheqeri. Në gjykimin tim, më tepër sesa me zhgënjim, kemi të bëjmë me tentativë të fshehtë në dobi të qeverisjes ashtu të quajtur rilindëse, tashmë e dështuar dhe në grahmat e fundit.

Nuk e kam fjalën për anonimë “paemër” apo me pseudonime nga më të çuditshmet, të cilët gëlojnë me komentet e tyre bajate, me sharje rrugaçësh, duke akuzuar njëri-tjetrin se janë duke i bërë hyzmet “sufllaqes”. E kam për ata me emër e mbiemër, madje edhe me fotografi, disa prej të cilëve kanë kohë që i bien kavallit në një vrimë. Njëri sulmon “plogështinë” e opozitës jashtëparlamentare, duke kërkuar trazira. Një i dytë i turret drejtpërdrejt zotit Basha me arsyetimin se s’ka bërë aq sa pritej, ngase është me formim kulturor europian (?!). Madje e gjen zgjidhjen te krijimi i një poli të ri alternativ të së djathtës, a thua se kemi kohë të bëjmë eksperimente politike kur nga zgjedhjet s’na ndajnë veç 5 – 6 muaj.

Të gjithë flasin në emër të popullit (?!), pa e pasur votën e popullit, pa qenë të autorizuar prej tij. Që të bëhen interesantë, përmendin emra autorësh të njohur e citojnë thënie të tyre, nga të cilat sot, në erën e internetit, mund të gjesh pafund. I marrin dhe i futin ato si pykë në kontekstin e politikës së ditës.

E bëjnë se duan të hiqen të paanshëm apo sepse u duket vetja në nivelin e filozofit dhe fluturojnë me pras? Kjo nuk dihet. E sigurt është se dashka-padashka po e fusin në qorrsokak pjesën e pavendosur të elektoratit. Të paktën të na thonë sesi mund ta zhbëjmë këtë klasë politike tridhjetëvjeçare. Mbase bashkohem edhe unë me ta pas zgjedhjeve të pritshme, nëse alternativën e gjykoj produktive. Sepse, për të prishur, është kollaj. Për të ndërtuar, është zor.

Qofsha i gabuar, por në gjithë këtë zallamahi idesh dhe lukuni renegatësh nuk ka sesi të mos kërkosh edhe ndoca që kërcejnë si prifti nga belaja. Kur ke mbi krye Shpatën e Damokleut, zor se lëviz kollaj. Jo rastësisht ndonjë “i paemër”, por jo nga ata, “sufllaqexhinjtë”, i bie herë pas here kambanës në rrjetet sociale, duke hedhur në eter herë ndonjë pseudonim të kahershëm, herë ndonjë dokument arkivi, herë ndonjë gjynah të bërë me dashje a pa dashje. Domethënë kujdes, se gjallë jemi ne!…

Më në fund, duke iu rikthyer titullit të këtij shkrimi, dëshiroj të pyes. Përveç atyre që kërcejnë si prifti nga belaja, për më të shumtët, par ata që nuk e kanë mbi krye Shpatën e Damokleut, mos do të ishte më mirë të loznin me kungulleshka?

Dimri është i gjatë. Edhe nata është e gjatë. Kurse kungulleshkat s’kanë të sosur…

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular