BallinaBotaSi zgjidhet Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Si zgjidhet Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Në ndryshim nga zgjedhjet e tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti dhe zv/Presidenti nuk zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët. Ata zgjidhen nga një grup zgjedhësish (electors) që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor. Ky është një proces që buron nga Kushtetuta.

Secili shtet merr aq zgjedhës sa ka anëtarë të Kongresit (Dhoma dhe Senati). Përfshirë tre zgjedhësit e Washington D.C.-së, aktualisht ka një numër të përgjithshëm prej 538 zgjedhësish. Partitë politike të secilit shtet zgjedhin listën e tyre të zgjedhësve të mundshëm. Mënyra e zgjedhjes së tyre ndryshon nga njëri shtet në tjetrin.

Të gjitha shtetet, me përjashtim të Maine dhe Nebraska kanë një politikë që “fituesi i merr të gjitha”. Shteti në këtë rast merr parasysh vetëm fituesin e përgjithshëm të votës popullore.  Maine dhe Nebraska, janë të vetmet shtete që caktojnë zgjedhës (electors) individualë bazuar në fituesin e votës popullore për secilin qark të Kongresit, dhe më pas, 2 zgjedhës bazuar në fituesin e votës së përgjithshme popullore në të gjithë shtetin.

Beteja brenda partisë dhe takimet para-zgjedhore

Zgjedhjet paraprake (primaries) të shtetit, drejtohen nga shtetet dhe qeveritë lokale dhe aplikohet votimi i fshehtë. Ato që në anglisht quhen “caucuses” janë takime private të drejtuara nga partitë politike. Ato mbahen në nivelin e qarkut ose rrethit. Në shumicën e rasteve, pjesëmarrësit e ndajnë veten në grupe sipas kandidatit që mbështesin. Votuesit e pavendosur formojnë grupin e tyre. Secili grup mban fjalime në mbështetje të kandidatit të tij dhe përpiqet të bëjë që të tjerët të bashkohen me grupin e tij.

Në fund, numri i votuesve në secilin grup përcakton sa delegatë ka fituar secili kandidat. Si zgjedhjet paraprake ashtu edhe takimet zgjedhore (caucuses) mund të jenë “të hapura”, “të mbyllura” ose një kombinim i të dyjave. Kur kemi të bëjmë me zgjedhje paraprake “të hapura,” njerëzit mund të votojnë për kandidatin e këdo partie politike. Kur kemi të bëjmë me zgjedhje paraprake “të mbyllura”, vetëm votuesit e regjistruar në atë parti mund të marrin pjesë dhe të votojnë.

Delegatët për zgjedhjet paraprake (primaries) dhe takimet zgjedhore (caucuses)

Në çdo palë zgjedhje paraprake (primaries) apo takime gjedhore (caucus) është gjithnjë në diskutim një numër i caktuar i delegatëve. Këta janë individë që përfaqësojnë shtetin e tyre në konventat e partive kombëtare. Ai që merr shumicën e delegatëve të partisë fiton të drejtën për të kandiduar. Palët kanë numër të ndryshëm të delegatëve për shkak të rregullave të përfshira në dhënien e tyre. Secila parti ka gjithashtu disa delegatë ose superdelegatë të paangazhuar.

Këta delegatë nuk janë të lidhur me një një kandidat të veçantë që shkon në konventën kombëtare. Në përfundim të zgjedhjeve paraprake dhe takimeve zgjedhore, shumica e partive politike mbajnë një kongres kombëtar. Ky është momenti kur fituesit shndërrohen në kandidatë zyrtar.

Konventa kombëtare

Pas zgjedhjeve paraprake dhe takimeve zgjedhore, shumica e partive politike mbajnë konventa kombëtare. Konventat janë momenti final ku partitë politike përcaktojnë kandidatin e tyre për President dhe zv/President. Për të konkuruar për postin e presidentit, një kandidat duhet të fitojë shumicën e delegatëve. Kjo zakonisht ndodh përmes zgjedhjeve paraprake të partisë dhe takimet zgjedhore (caucuses).

Më pas, konfirmohet përmes një votimi të delegatëve në kongresin kombëtar. Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën e delegatëve të një partie gjatë zgjedhjeve paraprake dhe takimeve zgjedhore, delegatët e konventës zgjedhin kandidatin. Kjo ndodh përmes raundeve shtesë të votimit.

Llojet e delegatëve

Ka dy lloje delagatësh. Ata të zotuar, ose ata të lidhur me një kandidat të caktuar, duhet të mbështesin kandidatin që doli nga zgjedhjet paraprake apo takimet zgjedhore.  Delegatët e pazotuar ose superdelegatët mund të mbështesin cilindo kandidat presidencial që ata zgjedhin.

Konventat e kundërshtuara apo të “ndërmjetësuara”

Në raste të rralla, asnjë nga kandidatët e partisë nuk ka shumicën e delegatëve që hyjnë në kongres. Kongresi konsiderohet i “kontestuar”. Në këtë rast, delegatët zgjedhin kandidatin e tyre presidencial përmes një ose më shumë raundeve të votimit. Në raundin e parë të votimit, delegatët e premtuar zakonisht duhet të votojnë për kandidatin të cilin ata kanë mbështetur në nisje të konventës. Delegatët e pazotuar nuk e kanë këtë detyrim. Superdelegatët mund të votojnë në raundin e parë vetëm nëse një kandidat ka arritur të mbledhë mjaftueshëm delegatë përmes zgjedhjeve paraprake dhe takimeve zgjedhore.

Nëse asnjë kandidat nuk fiton në raundin e parë, konventa konsiderohet e “ndërmjetësuar”. Delegatët e zotuar mund të zgjedhin cilindo kandidat në raundet e mëvonshme të votimit. Superdelegatët mund të votojnë në këto raunde të mëvonshme. Votimi vazhdon derisa një kandidat të marrë shumicën e kërkuar për të fituar kandidimin. Gjatë konventës, kandidati presidencial njofton zyrtarisht edhe emrin e personit që do të shërbejë në pozicionin e zv/Presidentit, në rast fitoreje.

Kush mund të zgjidhet president?

Ka disa kritere kushtetuese që mundësojnë përfshirjen në garën për President në SHBA.

  1. Të kesh lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  2. Të jesh të paktën 35 vjeç

3 Të kesh qenë rezident në SHBA në 14 vitet përpara kandidimit

Kushdo që plotëson këto kërkesa mund të deklarojë kandidaturën e tij për president. Sapo një kandidat të mbledhë, ose shpenzon më shumë se, 5.000 dollarë për fushatën e tij, ai duhet të regjistrohet në Komisionin Federal të Zgjedhjeve. Ky proces përfshin emërimin e një komiteti kryesor të fushatës për të mbledhur dhe shpenzuar fonde në funksion të fitores së zgjedhjeve.

Kush verifikon nëse një kandidat është i kualifikuar për të kandiduar për President?

Kolegji zgjedhor (i cili nis të funksionojë pas zgjedhjeve të nëntorit) administrohet nga dy organizma, OFR në NARA. Nëse Presidenti i zgjedhur nuk arrin të kualifikohet para inaugurimit, Seksioni 3 i Amendamentit të 20-të të Kushtetutës Amerikane thotë se zv/Presidenti i zgjedhur do të veprojë si President. Në rast se edhe Presidenti i zgjedhur, edhe zv/Presidenti i zgjedhur dështojnë të kualifikohen deri në fillim të mandatit presidencial, Kushtetuta i jep të drejtën Kongresit të aplikojë atë që quhet si “urdhër i trashëgimisë.”

Si është e mundur që vota elektorale të prodhojë një rezultat të ndryshëm nga vota popullore?

Eshtë e rëndësishme të mbani mend se Presidenti i SHBA-së nuk zgjidhet nga vota popullore. Totali i votave të Kolegjit Zgjedhor përcakton fituesin, dhe jo numri i votave popullore kombëtare. Votat elektorale jepen në bazë të votës popullore në secilin shtet. Duhet pasur parasysh se 48 nga 50 shtete japin votat elektorale mbi bazën e filozofisë se “fituesi i merr të gjitha” (siç është rasti i Washington D.C.-së). Për shembull, të 55 votat elektorale të Kalifornisë shkojnë te fituesi i zgjedhjeve të shtetit, edhe nëse marzhi i fitores është vetëm 50.1 përqind në 49.9 përqind.

Në një garë me shumë kandidatë, ku kandidatët kanë tërheqje të fortë rajonale, si në 1824-ën, është mjaft e mundshme që një kandidat që mbledh më shumë vota në shkallë vendi të mos fitojë votën elektorale. Në një garë me dy kandidatë, gjasat që ky fenomen të ndodhë janë të pakta, por jo të pamundura.

Një situatë e tillë ndodhi në zgjedhjet mes Hayes dhe Tilden të 1876-ës dhe zgjedhjet mes Harrison dhe Cleveland të 1888-ës, për shkak të pabarazisë statistikore midis totalit të votave në zgjedhjet individuale të shtetit dhe totalit të votave kombëtare.

E njëjta situatë u përsërit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, ku George W. Bush mori më pak vota popullore sesa Albert Gore Jr. Bush arriti të zgjidhej president me shumicën e votave elektorale. Rasti më i freskët është ai i zgjedhjeve të vitit 2016, ku Donald J. Trump mori më pak vota popullore sesa Hillary Clinton, por mori një shumicë votash elektorale.

Në 2016-ën, edhe pse miliona më shumë individë votuan për kandidatin Demokrat sesa atë Republikan në California, Pennsylvania dhe Texas (nëse shtoni votat nga 3 Shtetet), Partia Demokratike arriti të merrte vetëm zgjedhësit (electors) e emëruar në California. Për shkak se kandidati republikan fitoi votën popullore të Shtetit në Pennsylvania-s dhe Texas-it, partia republikane u vlerësua me 3 zgjedhës më shumë se Partia Demokratike.

Çfarë ndodh nëse asnjë kandidat presidencial nuk merr 270 vota elektorale?

Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën e votave elektorale, stafeta i kalon Kongresit. Dhoma e Përfaqësuesve zgjedh Presidentin nga 3 kandidatët për President që morën më shumë vota elektorale. Çdo grup përfaqësuesish i një shteti të caktuar ka një votë dhe i takon shteteve individuale të përcaktojnë se si të votojnë. Meqenëse Distrikti i Kolumbisë nuk është shtet, ai nuk ka një grup përfaqësuesish në dhomën e përfaqësuesve dhe për pasojë nuk voton.  Një kandidat duhet të marrë të paktën 26 vota (shumica e shteteve) për t’u zgjedhur.

Senati zgjedh zëvendës Presidentin mes dy kandidatëve me më shumë vota elektorale. Secili senator hedh një votë për zv/presidentin. Ashtu si në Dhomën e Përfaqësuesve, edhe këtu Distrikti i Kolumbisë nuk përfaqësohet në votim. Një kandidat duhet të marrë të paktën 51 vota (shumica e senatorëve) për t’u zgjedhur. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve nuk arrin të zgjedhë një President deri në Ditën e Përurimit, zëvendës-Presidenti i Zgjedhur shërben si President i përkohshëm deri në zgjidhjen e ngërçit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Sa ndikon “pranimi i humbjes” nga ana e një kandidati në procesin e Kolegjit Zgjedhor?

Nuk ka asnjë ndikim. “Pranimi i humbjes” nuk ndikon në detyrat dhe përgjegjësitë e shteteve në lidhje me sistemin e Kolegjit Zgjedhor.

A mund të kundërshtohen votat elektorale kur Kongresi numëron votat në janar?

Sipas ligjit federal, një kundërshtim ndaj votave elektorale të një shteti mund t’i bëhet Presidentit të Senatit gjatë numërimit të votave elektorale të Kongresit në Janar. Kundërshtimi duhet të bëhet me shkrim dhe të nënshkruhet nga të paktën një senator dhe një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve. Si Senati ashtu edhe Dhoma e Përfaqësuesve debatojnë veçmas kundërshtimin. Debati është i kufizuar në dy orë. Pas debatit, si Senati ashtu edhe Dhoma e Përfaqësuesve bashkohen dhe të dy duhet të bien dakord për të refuzuar votat.

Preçedenti më i freskët është ai i janarit të vitit 2005, ku u sfiduan 20 votat elektorale të shtetit të Ohio-s. Pas debatit, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve nuk arritën të bien dakord për të refuzuar votat, duke ia akorduar ato Presidentin Bush dhe zëvendës Presidentit Cheney.

Historia, si mbërritëm këtu?

Midis shumë çështjeve delikate të debatuara nga delegatët në Konventën Kushtetuese të vitit 1787, një nga më të vështirat për t’u zgjidhur ishte mënyra e zgjedhjes së presidentit. Etërit Themelues debatuan për muaj të tërë. Disa argumentonin se Kongresi duhet të zgjidhte presidentin dhe të tjerët këmbëngulnin për një votim demokratik të popullit. Kompromisi i tyre njihet si Kolegji Zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor, një Sistem i Lindur nga Kompromisi

Gjatë kohës kur mbahej Kongresi i Philadelphia-s, asnjë vend tjetër në botë nuk zgjidhte drejtpërdrejt Presidentin e vet. Ndaj delegatët po vepronin në një territori të paeksploruar. Po kështu ekzistonte një mosbesim i thellë karshi pushtetit ekzekutiv. Mbi të gjitha, kombi i ri sapo kishte luftuar për të dalë nga një mbret tiranik dhe guvernatorë kolonialë. Ata nuk donin një despot tjetër në duart e tyre.

Një grup delegatësh besonte se Kongresi nuk duhet të kishte të bënte me zgjedhjen e presidentit, pasi kjo do të ishte një mundësi më shumë  për korrupsion midis ekzekutivit dhe legjislativit. Një kamp tjetër ishte kategorikisht kundër zgjedhjes së Presidentit me anë të një vote të drejtpërdrejtë popullore.

Së pari, ata menduan se votuesve të shekullit të 18-të u mungonin burimet për t’u informuar plotësisht për kandidatët, veçanërisht në zonat rurale. Së dyti, ata kishin frikë nga një “turmë demokratike” kokëfortë që mund ta çonte vendin në drejtimin e gabuar. Së treti, një president populist që zgjidhet drejtpërdrejt nga njerëzit mund të kthehet në “i rrezikshëm” nga fuqia e pushtetit të tij.

Si rezultat i këtyre debateve u arrit edhe kompromisi i bazuar në idenë e ndërmjetësuesve zgjedhorë. Këta ndërmjetës nuk do të zgjidhen as nga Kongresi dhe as nga populli. Shtetet përcaktojnë “zgjedhës” të pavarur të cilët do të zgjidhnin Presidentin.

Përse Kolegji Zgjedhor ekziston akoma?

Partia në pushtet zakonisht përfiton nga ekzistenca e Kolegjit Zgjedhor, ndërsa pakica ka pak shanse për të ndryshuar sistemin, sepse një ndryshim kushtetues kërkon një super-shumicë të dy të tretave në kongres, plus ratifikimin nga tre të katërtat e shteteve. Gjithashtu, sistemi zgjedhor i “shkollës së vjetër” ka përfitimet e tij. Për shembull, me Kolegjin Zgjedhor nuk ka asnjë shans për një balotazh ose një rinumërim të zgjatur kombëtar.

*Posaçërisht për gazeten Mapo

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular