BallinaKronikeEkzekutimi i 50-vjeçarit në Fier/Merret në pyetje ish-dhëndri i viktimës, ja për...

Ekzekutimi i 50-vjeçarit në Fier/Merret në pyetje ish-dhëndri i viktimës, ja për çfarë dyshon policia

Mëngjesin e së hënës, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Fierit, ku një person ende i paidentifikuar ka qëlluar për vdekje me armë zjarri 50- vjeçarin, Ahmet Toska.

Viktima ishte duke përcjellë gruan e tij për në punë, ashtu si çdo ditë tjetër, ndërkohë që autori ende i paidentifikuar e ka qëlluar me armë zjarri nga afër, në kokë. Burimet nga Policia bënë të ditur se viktima punonte në një karburant si dhe merrej edhe me peshkim, ndërsa e shoqja punonte në furrë buke.

“Ishim duke shkuar në punë. Personi ishte me maskë. E qëlloi në kokë dhe u largua me vrap. Kërkova ndihmë nga fqinjët por ishte shume vonë”, ka thënë për Policinë gruaja, e cila është shfaqur në gjendje shumë të rënduar psikologjike.

FQINJËT

Ndërkohë edhe fqinjët e 50-vjeçarit, Ahmet Toksa, rrëfejnë se kanë dëgjuar të shtëna armë dhe më pas kanë dëgjuar bashkëshorten e viktimës që bërtiste për ndihmë.

“Dëgjuam krisma armësh, i njohim si familje e mirë. Po shoqëronte gruan për në punë, në një furrë buke. Ai vetë punonte në një pikë karburanti. Dëgjova ulërima, bashkëshortja po bërtiste ‘ma vranë, ma vranë’. Autori ka qenë pa makinë, nuk kemi parë asnjë makinë të kalojë. Ahmeti ishte njeri i mire”, ka thënë shtetasi A. L., një banor i lagjes.

Në të njëjtën kohë, një tjetër fqinjë e familjes Toska ka treguar se janë alarmuar vetëm kur kanë dëgjuar gruan të bërtasë, sepse fillimisht krismat e armës u janë dukur si lojëra fëmijësh.

“Kur dëgjuam krismat, ishim në gjumë faktikisht. Krismat, tri herë ka goditur, mu bë fillimisht si nga këto shashkat. Dola aty, sepse u trembën fëmijët, mu duk si zë qensh se po ulërinte e shoqja, dola menjëherë këtu te porta, sa hapa portën kur ajo i ra të shoqit përsipër. ‘O ma vranë, o ma vranë’. Thashë çohu moj motër, ajo që të ndodhi të ndodhi, sepse kisha dhe pak frikë nga Policia, kush merret jo e pe, jo s’e pe e më the të thashë. Dëgjova ulërimën e të shoqes.

E shoqja që atje erdhi me vrap, si duket është ruajtur nga autori dhe kur e pa që ai ra përtokë, u çua e shoqja e po bërtiste ma vranë, ma vranë. Po mundohesha të hapja portën që të shikoja ishte vrasje e vërtetë apo shashka se nuk isha e bindur, a ishte krismë arme apo ishte shashkë. Tentova që ta ngrija atë por nuk mundesha dot. Fëmijët dolën, u trembën se ishin në gjumë, vetëm nga krisma që goditi tri herë bam-bambam.

Ata ishin pa makinë. Unë nuk i pashë. Viktima me gruan kalonin këtej përditë se çonte të shoqen në punë. Ai ishte djalë shumë i mirë, edhe e shoqja, si familje. Ne që i kemi këtu, nuk kemi dëgjuar sikur një diçka më të vogël. Po t’i flisje të fliste, po mos t’i flisje nuk të fliste”, deklaroi fqinja e familjes.

Merret në pyetje ish-dhëndri i viktimës

Ahmet Toska është qëlluar gjithsej me tri plumba nga një person i vetëm, ende i paidentifikuar. 50-vjeçari është vrarë në sy të bashkëshortes së tij, teksa e shoqëronte atë për në punë. Sipas dëshmitarëve ai është qëlluar me tri plumba në trup dhe ka mbetur i vdekur ne vend.

Goditja fatale ka qenë një plumb në kokë. Nuk dihen ende motivet e krimit, por hetimet vazhdojnë. Burime nga uniformat blu thanë se lidhur me këtë ngjarje është marrë në pyetje edhe ish-i fejuari i vajzës së viktimës. Kjo pasi, grupi hetimor dyshon se 50-vjeçari mund të jetë ekzekutuar si pasojë e ndonjë konflikti pas ndarjes së vajzës së tij.

Por, ky fakt pritet të hetohet nga Policia në vazhdim. Ndërsa zyrtarisht, nuk ka asnjë pistë se ku po hetohet kjo ngjarje e rëndë, e ngjashme me vrasjet mafioze. Menjëherë pas ngjarjes Policia bëri të ditur se ka ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe se vijon krehja e zonës nga shërbimet e Policisë Fier dhe FNSH-së Fier.

Autori u largua duke u fshehur nëpër rrugicat e lagjes, viktima pa precedent penal

Policia dhe grupi hetimor kanë sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë për të zbardhur më shumë detaje lidhur me autorin. Viktima, Ahmet Toska, njihet si një person i qetë e punëtor dhe nuk ka precedentë të mëparshëm penal. Sipas dëshmisë së gruas, por edhe të banorëve të zonës, autori ka qenë i maskuar dhe është larguar në këmbë pa makinë, pasi nuk kishin parë asnjë mjet që të kalonte në atë orë.

Policia ka ngritur postblloqe në pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit dhe ka nisur të kontrollojë të gjitha mjetet e dyshimta me të cilat mund të ketë lëvizur autori. Ky i fundit dyshohet se ka përfituar duke u fshehur nëpër rrugicat e lagjes “Sheq i Madh”, si dhe nga lëvizja e paktë e njerëzve në atë orë. Ende nuk dihen arsyet e këtij ekzekutimi pasi viktima nuk njihej si person problematik, po ashtu edhe familja e tij.

Uniformat blu bënë të ditur se u është marrë dëshmia edhe disa fqinjëve të viktimës për të mësuar më shumë rreth dinamikës kur edhe ndodhi krimi. Këta të fundit janë shprehur se 50- vjeçari nuk është dëgjuar në asnjë moment të ketë konflikte me ndonjë person tjetër. Për këtë fakt, Policia thotë se zbardhja e kësaj ngjarje është e vështirë, pasi rrethanat janë misterioze./ Panorama/

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular