BallinaKryesoreKodi Zgjedhor: Rama mban peng integrimin, refuzon "Venecian"

Kodi Zgjedhor: Rama mban peng integrimin, refuzon “Venecian”

Mazhoranca socialiste e drejtuar nga Edi Rama ka refuzuar të presë opinionin e Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, edhe pse kishte një kërkesë të hapur nga Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian për ta bërë këtë.

Disa ditë pasi Presidenti Ilir Meta e riktheu në Kuvend Kodin e ndryshuar dhe iu drejtua Venecias për një opinion të paanshëm, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi i kërkoi Kuvendit të presë opinionin e këtij komisioni para se të rivotojnë ndryshimet e Kodit Zgjedhor .

Varhelyi shkruan në “Twitter” se Komisioni i Venecias do të sigurojë këshilla të shpejta për palët rreth Kodit dhe se parlamenti duhet të marrë në konsideratë pritjen për të rivotuar.

“Kodi Zgjedhor i Shqipërisë: Unë besoj se Komisioni i Venecias do të sigurojë këshilla të shpejta për palët e interesuara shqiptare mbi zbatimin e Ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet të marrë në konsideratë pritjen e rivotimit për të marrë parasysh këtë këshillë. Duke pritur për zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”, shkruan Varhelyi.

Më herët gjatë vizitës në Tiranë komisioneri i BE-së bëri të qartë për qeverinë shqiptare se reforma zgjedhore është kushti kryesor për çeljen e bisedimeve me BE-në. Kur përmendi reformën zgjedhore ai e kishte fjalën për ndryshimet e njëanshme që iu bënë reformës së miratuar më parë me konsensus dhe kjo ishte një kambanë për veshët e mazhorancës qeverisëse.

Apeli i komisionerit është ripërsëritur dje nga Raporteri i Shqipërisë në Parlamentin Europian, David Lega.

Me anë të një statusi në Twitter, Lega po ashtu i ka bërë një thirrje kryeministrit Rama dhe Parlamentit për të pritur opinionin e Venecias.

“Pajtohem me Komisionerin, Oliver Varhelyi. Parlamenti dhe Kryeministri Rama duhet të presin për Opinionin e Venecias, kjo do të ishte qasja demokratike”, shkruan Lega duke e shoqëruar statusin e tij me hashtagun “zgjedhje të Lira dhe të Drejta në Prill 2021”.

Në një situatë ku Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale, Komisioni i Venecias ka shërbyer si një gjykatës për çështje të rëndësishme të kushtetutshmërisë dhe konfliktit ligjor ndërinstitucional në vend.

Refuzimi i Ramës

Kërkesat eksplicite të komisionerit dhe eurodeputetit kanë hasur në vesh të shurdhër në Tiranë. Kryeministri Edi Rama, ideator dhe arkitekt i këtyre ndryshimeve u tregua i vendosur për të ecur përpara me rivotimin e kodit të ndryshuar.

“Kodi Zgjedhor do të votohet sa më shpejt, pa asnjë ndryshim. Askush s’mund të vendosë në diskutim vendimin e Kuvendit, aq më pak Meta”, deklaroi ai dje duke dalë nga selia e Partisë Socialiste pasi kishte zhvilluar një takim me shtabin elektoral të partisë.

Më tej ai shkroi në Twitter, ku e konsideronte mendimin e ‘Venecias’ të mirëseardhur, por nënvizoi faktin se presidenti pranohet ose rrëzohet nga parlamenti.

Kryeministri Rama tregoi se mazhoranca që e drejton e kishte me nxitim këtë votim duke theksuar se “parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë në lidhje me kodin”.

Në asnjë rresht ai nuk iu referua kërkesës direkte që i erdhi dje nga Brukseli duke i konsideruar procedurat parlamentare si shumë të rëndësishme.

“Mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur, por për një ligj të votuar dhe të refuzuar nga Presidenti, procedura është e qartë: Refuzimi i Presidentit pranohet ose rrëzohet nga parlamenti! Parlamenti do të rishprehet pa humbur asnjë ditë! Ky President i angazhuar si një ekstremist kundër Parlamentit dhe Qeverisë shqiptare, s’merr dot peng askënd dhe asgjë përveç institucionit që fatkeqësisht ka marrë peng! Opinioni i Venezias mirësetëvijë kur të vijë, por koha për këto zgjedhje s’pret asnjë ditë jashtë procedurave”, shkruan Rama.

PS ka treguar, jo vetëm me fjalë por dhe me vepra refuzimin e institucioneve evropiane, pasi ka futur në rend dite të Komisionit për Çështjet Ligjore shqyrtimin e dekretit të presidentit.

Pas diskutimit këto ndryshime priten të kalojnë në seancën e Kuvendit, ditën e enjte.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor i japin përparësi nga ana ligjore PS-së së drejtuar nga Rama pasi bllokojnë tentativat për një koalicion parazgjedhor të gjerë opozitar./MAPO

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular