BallinaAktualitetProfesor Ilir Ciko rrëfen betejën me Covid-19: Arrita në Sanatorium në orën...

Profesor Ilir Ciko rrëfen betejën me Covid-19: Arrita në Sanatorium në orën 2 të natës, mjeku kishte në dorë….

Profesori dhe eksperti i Ekonomisë Ilir Ciko, tregon se pak kohë më parë ka kaluar Covid-19 dhe jep disa mendime të shpejta që siç shkruan ai janë “të shkëputura nga përvoja jo fort e lehtë me të”, dhe që tregojnë sesi virusi përhapet në gjithë trupin.

Sipas Profesorit, shenjat e para të virusit sado të lehta që të jenë duhet të jenë një këmbanë alarmi për këdo, për të marrë mjekim dhe për t’u lidhur me mjekun. “Kryerja e tamponit mund të vonojë, por së paku bëhet më shpejt se në 10 ditë apo dy javë që përmendet në shumë vende”, shkruan Ciko.

Ai tregon se ka qëndruar vetëm një natë në Sanatorium i shtruar, ndërsa bën dhe një krahasim me Francën. Sipas Cikos, ai ka mbërritur në spital në orën 02.00 të natës dhe për një orë, deri në orën 03.00 mjeku kishte në dorë përgjigjen e skanerit të tij dhe të gjitha llojet e analizave. Ndërkohë, ai rrëfen se për të bërë skanderin dhe për të marrë përgjigjen e tij, në Francë duhet së paku 1 javë.

“Përvoja në sanatorium – Covid2 (një natë e vetme për fat). Pastër, mirëorganizuar në detaje që nga dera deri në pavion, gjithcka funksionale, stafi plotësisht i mobilizuar, edhe në orën 2 të natës. Brenda 1 ore nga arritja me urgjencë në spital, mjeku ka në dorë rezultatin e skanerit që ndërkohë të kanë kryer (ora 3 e natës) dhe të gjitha analizat e duhura të gjakut, të kanë dhënë oksigjen dhe ndërhyrjen e parë me mjekimet më efikase, dhe është gati për konsultën mbi ecurinë e trajtimit (në rastin tim për fat trajtim në shtëpi, në rastet e tjera sipas kategorizimit të gjendjes në tri shkallë sipas protokolleve përkatëse). Nuk dua të mburr kot askënd, por sot në Francë duhet 1 javë për të kryer skanerin dhe marrë përgjigjjen për të, edhe nëse ke shkuar me ambulancë në spital”, shkruan ndër të tjera Ilir Ciko, pedagog dhe ekspert i ekonomisë.

E PLOTË:

Disa mejtime, post-Covid.

Disa javë më parë Covidi kaloi me vrrull edhe nga ne ndaj po hedh këtu disa observime personale, të shpejta e ndoshta të shkëputura nga përvoja jo fort e lehtë me të, për të ndihmuar sadopak ata që duan të kuptojnë se ç’ndodh, kjo për fat të keq nën kushtet e intensifikimit të përhapjes së virusit, spekullimeve të shumta mediatike dhe stoicizmin e atyre që ende dhe sot e kësaj dite vazhdojnë të besojnë se virusi nuk ekziston. Natyrisht çdokush mund të kalojë situata të ndryshme, por sa më poshtë përmbledh shkurtimisht pjesë të eksperiencës që kalova dhe mendimeve rreth saj, gjatë gjysmës së parë të shtatorit:

  • Shenjat e para, sado të lehta, duhet të jenë urgjent këmbanë alarmi. Kryerja e tamponit mund të vonojë, por së paku bëhet më shpejt se në 10 ditë apo dy javë që përmendet në shumë vende.

Edhe 3-4 ditë mund të jenë tepër vonë për trupin. Temperatura rreth 37.5, rezistente ndaj paracetamolit/aspirinës/ibuprofenit është treguese e besueshme për nevojën e fillimit të trajtimit, në konsultim me mjekët. Humbja e shijes (nuk më ndodhi), dhimbja e kokës/muskujve janë po ashtu tregues i reagimit të trupit ndaj virusit.

  • Faza e parë e sëmundjes, rreth 4-6 ditë, të lë përshtypjen që po e kalon lehtë. Ndihesh i fuqishëm për të ecur e lëvizur, por gjërat më pas do përkeqësohen, e kjo relativisht shpejt. Sërish nisja e mjekimit agresiv sipas protokollit përkatës në këtë fazë, ndihmon shërimin.
  • Megjithë problemet e largimet nga Shqipëria, kemi plot mjekë të shkëlqyer, të palodhur e të përkushtuar për t’u shërbyer qytetarëve. Falenderoj veçanërisht e me plot zemër doktor Arjan Harxhin që më është ndodhur pranë në çdo kohë gjatë ditëve të vështira dhe plot të tjerë për atë që bëjnë ditë e natë.
  • Besoj se ndryshe nga sa diskutojmë herët e tjera mbi këtë çështje, jemi me fat që aksesi për antibiotikë e mjekime të forta është ende i lirshëm kudo në shërbimin farmaceutik, madje për përballjen me Covidin, këtë e shoh si një avantazh që kemi krahasuar me vendet europiane/US ku marrja e recetës nga mjeku (për trajtim në shtëpi) sjell shpesh humbje vitale të kohës deri në nisjen e trajtimit me mjekim/antibiotikë.
  • Urgjenca funksionon në mënyrë perfekte, kini besim nëse kjo do ju duhet. Mjafton një telefonatë, dhënia e shpjegimeve të sakta dhe brenda 5 minutash ambulanca ju vjen tek dera e shtëpisë për t’ju marrë në spital.
  • Përvoja në sanatorium – Covid2 (një natë e vetme për fat). Pastër, mirëorganizuar në detaje që nga dera deri në pavion, gjithcka funksionale, stafi plotësisht i mobilizuar, edhe në orën 2 të natës. Brenda 1 ore nga arritja me urgjencë në spital, mjeku ka në dorë rezultatin e skanerit që ndërkohë të kanë kryer (ora 3 e natës) dhe të gjitha analizat e duhura të gjakut, të kanë dhënë oksigjen dhe ndërhyrjen e parë me mjekimet më efikase, dhe është gati për konsultën mbi ecurinë e trajtimit (në rastin tim për fat trajtim në shtëpi, në rastet e tjera sipas kategorizimit të gjendjes në tri shkallë sipas protokolleve përkatëse). Nuk dua të mburr kot askënd, por sot në Francë duhet 1 javë për të kryer skanerin dhe marrë përgjigjjen për të, edhe nëse ke shkuar me ambulancë në spital.
  • Mjekët, dhe po aq infermierët në spital, e përsëris plot herë pa u lodhur, janë të shkëlqyer, të sjellshëm, njerëzorë, të qartë në atë që konstatojnë nga analizat e të thonë, dhe po aq të qartë në atë që duhet të bëjnë. Dëshpërimi në sytë e tyre dallohet vetëm në rastet fatkeqe të pacientëve që arrinin me ditë vonesë në spital, atëherë kur niveli i oksigjenimit ishte në nivele kritike e kjo sërish lidhet me vonesat në trajtimin e sëmundjes.
  • Ngjan se ka protokolle paksa të ndryshme trajtimi për Covid në dy spitalet tona (shtator) – infektivi dhe sanatoriumi, dhe kjo përbën të vetmen gjë të çuditshme që ndesha në spital. Besoj do ishte e udhës që mjekët të unifikonin qëndrimet për të përdorur të njëjtin protokoll mjekimi pavarësisht spitalit ku shtrohen pacientët për të njëjtën sëmundje, por ndoshta ka arsye e ata dinë më shumë.
  • Shërbimi mjekësor ndaj Covid është i përqëndruar në dy spitalet kryesore ndërkohë që pjesa tjetër e shërbimit mjekësor pak ose aspak ndihmon në zbutjen e ngarkesës ndaj sistemit spitalor, sidomos nëse kjo përkeqësohet në të ardhmen. E thënë thjesht, 80-90% e pacientëve mund ta kalojnë sëmundjen në kushtet e shtëpisë nëse marrin trajtimin e duhur. Por shpesh kjo kërkon një serum apo dy injeksione gjilpërash në ditë për person dhe në Tiranë, është thuajse e pamundur ta gjesh këtë shërbim, gjë që i shtrëngon njerëzit të përkeqësohen nga mungesa e trajtimit të duhur ose të nisen drejt spitalit, kur kjo nuk është e nevojshme. Një serum apo injeksion për dikë në nevojë mund të kryhet lehtë nga infermieret e ambulancave të lagjeve por askush nga to nuk të vjen në shtëpi kur mësojnë se je me Covid, ndërkohë që më tepër mund të investohej për veshje/pajisje izoluese/trajnime që personeli mjekësor pranë ambulancave të ishte vazhdimisht në funksion të trajtimit të pacientëve në shtëpi, për të lehtësuar më tej ngarkesën e pashmangshme në spitale.
  • E njëjta gjë vlen dhe për rolin e spitaleve të qyteteve apo rajonale. Kemi spitale infektive me staf funksional nëpër qytete dhe nuk ka kuptim që të gjithë pacientët të sillen në Tiranë kur ata mund të marrin trajtimin profesional sipas protokolleve përkatëse në spitalet më pranë qendrave të tyre të banimit.
  • Trajtimi (analizat/mjekimet) është i kushtueshëm për buxhetin e një familjeje shqiptare dhe kjo do të rëndojë më tej kostot e shoqërisë që po vuan jo pak prej pasojave të tjera të Covidit.
  • Pas 2-3 javësh Covidi largohet plotësisht nga trupi por pasojat e tij, shoqëruar me efektin e bombardimit me antibiotikë për rastet kur kjo është e nevojshme, shpesh vazhdojnë gjatë. Unë e kam kaluar plotësisht sëmundjen por edhe sot trupi e ndien lodhjen e zgjatur dhe rikuperimi i plotë do të kërkojë ende kohën e vetë, ndonëse jemi në rrugën e duhur.

Sa më sipër kurrsesi nuk mund të përgjithsohet. Kam biseduar me plot të afërm e miq që e kanë kaluar me simptoma e mënyra krejt të ndryshme, por thuajse të gjithë pajtohemi që nuk është aspak shaka, aspak “diçka pak më e fortë se gripi i zakonshëm”. Ndaj, ndonëse plot miq që i respektoj në mendimet ndryshe mund të mbeten të zhgënjyer, ju lutem të gjithëve të bëni kujdes, për veten, të afërmit, fëmijët, prindërit, fqinjët, kolegët. Maska, duam apo s’duam, pak apo shumë, ndihmon në kufizimin e virusit që po përhapet shpejt dhe ajo është bezdia më e vogël që mund t’ju sjellë kjo kohë e prapë që shpresoj të përfundojë sa më shpejt e mirë, për të gjithë.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular