BallinaEkonomiBuxheti i borxheve dhe koncesioneve

Buxheti i borxheve dhe koncesioneve

Stabiliteti fiskal i vendit është në buzë të greminës prej rënies së të ardhurave dhe rritjes së shpenzimeve buxhetore, të cilat kanë prodhuar nivelin më të lartë historik të borxhit publik në tre dekadat e fundit. Qeveria synon të rrisë të ardhurat me ritme dy herë më të larta se rritja ekonomike, teksa shpenzimet do të jenë nën presionin e pagesave të PPP-ve, borxheve dhe efekteve zgjedhore. Pandemia dhe tërmeti, kanë bërë që rezultatet buxhetore të vitit 2019 të mos arrihen para vitit 2022

Blerina Hoxha

Edhe pa pandeminë Covid-19, Shqipëria e kishte të brishtë stabilitetin fiskal. Në vitet normale, qeveritë tona historikisht kanë grumbulluar më pak të ardhura se vendet e tjera të Rajonit me të njëjtat kushte zhvillimi, edhe pse kemi taksat më të larta. Si rrjedhojë ka ofruar më pak stimuj për rritjen e pagave, pensioneve, investime dhe të mira të tjera publike. Dobësitë në grumbullimin e të ardhurave, të shoqëruara me papërgjegjshmëri në krahun e shpenzimeve publike, një pjesë e të cilave është kanalizuar në kontrata koncesionare pa fizibilitet, kanë prodhuar borxh të lartë.

Në vitin 2019, Shqipëria kishte raportin e borxhit me Prodhimin e Brendshëm bruto (PBB) ë më të lartin pas Malit të Zi, por tërmeti dhe pandemia e kanë përshpejtuar përkeqësimin. Treguesit makroekonomikë dhe ata buxhetorë të vitit 2020-2021 tregojnë se, niveli ekonomik i vitit 2019 nuk do të arrihet para vitit 2022. Borxhi publik në raport me PBB këtë vit përllogaritet në 80.9%, teksa projektbuxheti 2021 në vend që të kanalizojë ato pak burime të ardhurash në shpenzime me produktivitet është i detyruar të kryejë pagesa për kontrata koncesionare dhe faturat e larta të borxhit

Veç të tjerash, stabiliteti fiskal i vendit është nën kërcënimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe parashikimeve tejet optimiste të qeverisë për të ardhurat. Duke parë praktikat e kaluara, tensionet politike që prodhojnë zgjedhjet ndikojnë negativisht arkëtimet buxhetore dhe shpenzimet gjithashtu.

Ndërsa optimizmi i qeverisë në parashikime pritet të sjellë jo pak dëme. Vitin që vjen, të ardhurat buxhetore pritet të jenë 10% më të larta se fakti i pritshëm i këtij viti, teksa ekonomia pritet të rritet me 5,5%. Ekonomia e vendit pritet të shtohet me 110 miliardë lekë vitin që vjen, ndërsa të ardhurat të rriten me 37 miliardë lekë. Shtesa e re të ardhurave është sa 34% e shtesës së ekonomisë. Të ardhurat parashikohen në një nivel rekord prej 28.4% e PBB-së.

Mirëpo Shqipëria nuk ka arritur në asnjë rast të vetëm të grumbullojnë më shumë se 28% të PBB të ardhura. Parashikimet optimiste bëhen shkak për të gjeneruar detyrime të prapambetura. Pasi në çdo fillimviti, entet publike lidhin kontrata në bazë të parashikimeve buxhetore, por më pas, për shkak të mosrealizimit të tyre ato zhyten në borxhe. Në kuadrin makroekonomik, i cili raportohet në Komisionin Europian dhe FMN, detyrimet jashtë llogarive fiskale janë 67 miliardë lekë, vlerë gati e njëjtë me atë të detyrimeve që u gjet në vitin 2013.

Të ardhurat, optimizëm i tepruar

Projektbuxheti 2021 parashikon një total të ardhurash prej 479 miliardë lekësh, me një rritje 7.3% më shumë se plani i këtij viti dhe 10% më të larta se fakti i pritshëm i vitit 2020. Nga ana tjetër, shpenzimet publike parashikohen të jenë 578,6 miliardë lekë, me rritje 1.4% nga viti 2020. Diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve do të gjenerojë një borxh të ri, me vlerë 108 miliardë lekë, ose 6.5% e PBB. Në total, borxhi publik vitin që vjen planifikohet të arrijë në 78.6% të PBB-së.

Por buxhetet e qeverisë qendrore vuajnë nga serioziteti në raportim dhe nga parashikimet tejet optimiste në të ardhura. Për shembull, në vitin 2019, qeveria parashikoi të grumbullonte 486 miliardë në fillim të vitit, por në të vërtetë, ka grumbulluar vetëm 460 miliardë lekë, ose 26 miliardë lekë më pak se parashikimi. Tërmeti i 26 nëntorit tronditi edhe zhvillimet fiskale, por gjithsesi realizimi i planit ishte i dobët edhe para tërmetit, që pati ndikim vetëm në muajin dhjetor.

I njëjti optimizëm në parashikime ka vijuar edhe për vitin 2020 dhe për vitin që vjen. Në tabelat fiskale, që qeveria ka dorëzuar në Kuvend për projektbuxhetin 2021, totali i të ardhurave do të jetë 478,9 miliardë lekë, me një rritje 7% në raport me aktin normativ në fuqi të këtij viti. Kjo do të jetë rritja më e lartë e arkëtimeve që nga viti 2014. Qeveria pret të rrisë arkëtimet me ritme më të larta se sa rritja ekonomike, e cila është parashikuar 5.5% vitin që vjen, teksa pasiguria për ecurinë e pandemisë i bën edhe më të brishta këto parashikime.

Doza e optimizmit shtohet edhe më shumë në treguesit zyrtarë të buxhetit 2021, pasi ecuria faktike e këtij viti është krejt ndryshe nga parashikimet e Ministrisë së Financave. Në “Aktin Normativ 2”, buxheti 2020 u ndryshua për të reflektuar pasojat e pandemisë. Treguesi i të ardhurave u korrigjua duke u ulur në 460 miliardë lekë, mirëpo as ky objektiv nuk do të mund të arrihet. Ministria e Financave pret që në fund të vitit 2020, të arkëtojë 14.8 miliardë lekë, ose 3.4% më pak se plani i aktit normativ.

Për pasojë, rritja e pritshme të ardhurave në vitin 2021 është edhe më e lartë se në krahasim me planin 2020. Krahasuar me buxhetin e pritshëm të vitit 2020, të ardhurat gjithsej në vitin që vjen do të rriten me 10.6%, ose dy herë më shumë se sa rritja ekonomike. Ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen të zgjerohen 12.2%, ose 37.1 miliardë lekë më shumë. Ky është niveli më i lartë i shtesës neto në të ardhura që nga viti 2014 kur ndodhi rotacioni politik, vit në të cilin të ardhurat ishin 39 miliardë lekë më të larta se në 2013-n.

 

Shpenzimet nën presionin e koncesioneve, borxhit dhe zgjedhjeve

Zgjedhjet parlamentare, faturat e koncesioneve dhe borxhi publik do të ushtrojnë presion më të lartë në shpenzimet buxhetore të planifikuara më 2021. Fatura për pagesën e koncesioneve do të jetë më e larta e paguar ndonjëherë, me vlerë 14.4 miliardë lekë, ose 2,5% e shpenzimeve totale. Teksa zgjedhjet do të vënë në presion disa zëra të veçantë, siç janë pagat.

Ministria e Financave planifikon që totali i shpenzimeve publike vitin që vjen të jetë 587,7 miliardë lekë, me një rritje 1.4% me planin e këtij viti te përcaktuar në aktin normativ në fuqi. Shpenzimet korrente planifikohen të jenë 462 miliardë lekë dhe zënë 78% të totalit të shpenzimeve me një rritje 5% se plani në aktin normativ 2020. Në këtë zë rritjen më të madhe do ta kenë shpenzimet e personelit dhe pagesat e borxhit.

Qeveria ka programuar që ndaj punonjësve të shëndetësisë dhe arsimit të aplikohet rritje pagash, përkatësisht me 40 dhe 15%, më të lartat e dekadës me kosto vjetore në buxhet 8 miliardë lekë. Si rrjedhojë, shpenzimet për personelin do të jenë 12% më të larta.

Gjithashtu qeveria ka vendosur të përdorë për rindërtimin një shumë të madhe fondesh, një pjesë e së cilës ishte programuar që këtë vit. Sipas tabelave fiskale 2021, programi për rindërtimin do të financohet me 28 miliardë lekë. Fondet për rindërtimin janë klasifikuar tek shpenzimet kapitale, të cilat këtë vit arrijnë një total prej 120 miliardë lekësh.

Zëri i shpenzimeve kapitale do të jetë më i larti i projektuar deri më tani nga të gjitha qeveritë dhe shënon një rritje vjetore me 32 miliardë lekë, ose 37% më shumë se plani i këtij viti në aktin normativ. Ministria e Financave analizon se, Investimet Publike për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 28 miliardë lekë). Në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu si edhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2021 janë parashikuar në masën 56.326 miliardë lekë, me një rritje prej 5.3% më shumë se në vitin 2020. Këto shpenzime për vitin 2021 zënë 3.3% të PBB-së me një rritje 5.3% në raport me programin e këtij viti.

Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën 193.97 miliardë lekë, me një rritje 3% në raport me programin e vitit 2020.

Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2021 parashikohet në masën 144.6 miliardë lekë, ose 8.6% e PBB. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 2.4 miliardë lekë. Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2021 janë parashikuar në masën 46.3 miliardë lekë, ose 2.8% e PBB, nga 43.8 miliardë lekë të pritshme për t’u realizuar në vitin 2020.

2021, Borxhi në rekorde historike

Për shkak të pandemisë dhe tërmetit të vitit të kaluar, borxhi publik i vendit arriti rekordin historik që kur ekonomia e vendit u decentralizua në vitin 1990. Ministria e Financave e ka shtuar borxhin me 133 miliardë lekë këtë vit, duke e çuar raportin e tij me PBB-në në 80,9%. Rritja e shpejtë e borxhit po nxitet nga kërcimi i pazakontë e deficitit buxhetor gjatë 2019-2021.

Ministria e Financave raporton se, deficiti buxhetor për vitin 2021 planifikohet të jetë në nivelin 6.5% të PBB nga rreth 6.8% i pritshëm për vitin 2020. Balanca primare edhe për këtë vit pritet të jetë sërish negative në rreth -3.9%, gjithsesi në një përmirësim të lehtë nga rreth 4.6% që pritet për vitin 2020.

Dy goditjet që pësoi vendi, në fillim nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe më pas nga pandemia në vitin 2020, janë dy faktorët që kanë çuar në këtë përkeqësimin të përkohshëm të deficitit të përgjithshëm buxhetor dhe balancës primare.

Edhe për vitin tjetër, rreth 1.7% e PBB janë planifikuar shpenzime për fondin e rindërtimit. Megjithatë, balanca korente fiskale (diferenca midis investime publike dhe deficit fiskal) rikthehet në shifra pozitive që në vitin e ardhshëm 2021, në nivelin prej 0.8% të PBB nga një nivel i pritshëm negativ prej -0.3% këtë vit, në përputhje kjo me rregullin respektiv fiskal (“rregullin e artë” të buxhetit).

Gjithashtu, parashikohet që edhe borxhi publik bruto do t’i rikthehet një trajektore rënëse, duke filluar që nga 2021, në përputhje me rregullin respektiv fiskal, ku pritet të bjerë në rreth 78.6% të PBB nga rreth 80.9% i pritshëm për këtë vit. Ndërkohë që në afatin e mesëm, pasi të akomodohen nevojat kryesore të lidhura me efektet negative të dy goditjeve, financat parashikojnë t’i rikthehen qartësisht trajektores konsoliduese.

Balanca primare mund të rikthehet së paku në balancë zero, që në vitin 2022, por me një siguri më të lartë ajo do të jetë pozitive nga viti 2023 e në vijim. Ky target tashmë është sanksionuar edhe në ligjin organik të buxhetit, ku me përfshirjen në korrik të 2020 të një rregulli të ri fiskal, tashmë bëhet ligjërisht e detyrueshme që duke filluar nga viti buxhetor 2023 e për çdo vit në vijim, balanca primare të rezultojë jo më e vogël se sa zero (pra së paku e balancuar ose pozitive). Sipas skenarit bazë, borxhi publik pritet të ulet në rreth 68.5% në vitin 2025.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular