BallinaKryesoreDokumentet/Zbardhen urdhrat, si i shpëtoi ministri i qeverisë fashiste 2000 hebrenj: Të...

Dokumentet/Zbardhen urdhrat, si i shpëtoi ministri i qeverisë fashiste 2000 hebrenj: Të pajisen me pasaporta dhe…

“Lutemi qi gjithë hebrenjve nënshtetas shqiptarë që kërkojnë pasaporta për Itali, t’u lëshohen pa u sjellë asnji pengim për vehte dhe për familjet e tyne”.

Ishte ky urdhri i ministrit të Brendshëm, Kol Bibë Mirakaj, për të pajisur me pasaportë shqiptare hebrenjtë që ndodheshin në Shqipëri në vitin 1943.

Asokohe, Kolë Bibë Mirakaj ishte ministër në qeverinë fashiste dhe nga njëra anë është tërësisht e habitshme se si një ministër i qeverisë fashiste mbështet popullsinë hebraike, por nga ana tjetër është e kuptueshme sepse Mirakaj ishte shqiptar dhe i qëndroi besës së dhënë.

Të paktën, vetëm për këtë aspekt shqiptarët duhet të ndihen krenarë në shekuj: ata nuk i dorëzuan hebrenjtë e persekutuar e të ndjekur në duart e persekutorëve, por i strehuan dhe i ndihmuan ata t’i mbijetonin shfarosjes.

Këtë e dëshmojnë edhe dy dokumente që mbajnë firmën e ish-ministrit Mirakaj, i cili urdhëronte të gjitha kuesturat që të pajisnin hebrenjtë me kombësi shqiptare me dokumentet e nevojshme. “Izraeli sot” servir këto dy dokumente, që rrëfejnë për këtë qëndrim të Mirakajt, përkundër qëndrimit të përgjithshëm të partisë ku ai aderonte.

URDHRI

Ishte viti 1943, kur forcat gjermane po mbërrinin në Shqipëri. Një numër i konsiderueshëm hebrenjsh ndodhej në territorin shqiptar dhe rrezikoheshin nga nazistët. Në atë kohë, ishte ministër i Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj, i cili drejtoi këtë institucion në periudhën maj 1943–shtator 1943.

Një urdhër i tij i datës 31 gusht të vitit 1943 detyronte pajisjen me pasaporta shqiptare për të gjithë hebrenjtë që ndodheshin në territorin e vendit tonë në atë kohë. Përmes pasaportave shqiptare, ata mund të udhëtonin e të gjenin strehim në Italinë Jugore, pjesë e çliruar në atë kohë prej forcave aleate anglo-amerikane.

Ky është dokumenti, përmes të cilit Kolë Bibë Mirakaj shpëtoi dy mijë hebrenj. Dokumenti është regjistruar me numër protokolli 9/110 i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Mbretnija Shqiptare
Ministria e P. të Brendshme
Zyra Politike
Telegram
Prefekturave
Drejtoris Përgjithshme Policis Tiranë

“Lutemi qi gjithë ebrejve nënshtetas shqiptar që
kërkojnë pasaporta për pasaporta për Itali, t’u lëshohen pa u sjellë asnji pengim për vehte dhe për familjet e tyne.
Të porositen Kuesturat qi të shkapërcejnë çdo formalitet, mbasi çashtja ka rëndësi të veçantë politike. Për vistim nga Delegacioni Italian t’interesueimit kujdesen vetë.
Ministri
Kol Bibë Mirakaj

Një tjetër urdhër I tij lidhet me një familje të tërë, për të cilën ai urdhëron Prefekturën e Tiranës, që të pajiset me pasaportë.

Mbretnija Shqiptare
Ministria e P të Brendshme
Zyra Politike
Prefekturës
Tiranë

Shkurtim: Pasaportë për Itali Lutemi qi të quejtunëve Rafael Natam e Solomon Konforto me gjith familjet e tyne t’u lëshohet me’i herë pasaportë për udhëtue n’Itali.

Ministri

Kolë Bibë Mirakaj

“Shpërblimi” i kthyer

Në librin e tij “Qëndresa Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore” (1941-1944), Faik Quku ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kolë Bibë Mirakajt. Një moment shumë i rëndësishëm në rrëfimet e tij është refuzimi që Kolë Bibë Mirakaj i bëri shumës së parave që hebrenjtë kishin vendosur t’i jepnin atij si shpërblim, për kohën kur shpëtoi 2000 prej tyre nga nazistët gjermanë.

“Në verën e vitit 1943, Leon Thuri shkoi në zyrën e Kol Bibë Mirakajt, ministër i Punëve të Mbrendshme, dhe i ofroi një shumë napolonash për përkrahjen që u kishte dhënë hebrenjve, kur kishte qenë ministër. Por, ai nuk i pranoi këto para dhe e përcolli me sjellje bujare Leon”.

Në atë kohë, Kolë Bibë Mirakaj ishte në mërgim në Romë, hebrenjtë që jetonin në Romë e njohën ministrin që u kishte shpëtuar jetën dhe vazhduan këmbënguljen për ta ndihmuar atë si shenjë mirënjohje për ndihmën që u kishte dhënë. Ishte koha kur Kolë Biba kishte tre vjet që po jetonte me ndihmë bamirëse të një kuvendi françeskan. Megjithatë, ai e refuzoi sërish shumën e parave që i ofruan hebrenjtë e Italisë.

“Hebrenjtë në Romë i dhuruan dy shkopinj me pjesë qelibari, si shenjë kujtimi të mirënjohjes së tyre të paharrueshme. Një shkop ishte i zi e tjetri bojë kafe. Kush e ka pa Kolë Bibën tue ecë me nji shkop, duhet ta dijë se ishte po i njajti që ja kishin dhurue në Romë hebrenjtë. Nuk ka pasë kurrë tjetër dhe me të ka ecë deri në fund të jetës së tij. Shumë shqiptarë janë dallue për ndihmën që ua kanë dhanë hebrenjve në Shqipëri, katolikë e muslimanë pa dallim feje, e për këtë arsye Shqipnia njihet si E Drejtë ndër Kombet prej Yad Vashem-it”, shkruan Quku.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular