BallinaEkonomiShoqata Shqiptare e Bankave (AAB) në fushatën ndërgjegjësuesembi përdorimin e kartave bankare

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) në fushatën ndërgjegjësuesembi përdorimin e kartave bankare

4 nëntor 2020 – AAB nëpërmjet një konference për shtyp komunikoi mbi fushatën për ndërgjegjësim të kartë mbajtësve që të përdorin kartat e tyre bankarepër blerjen e mallrave dhe shërbimeve. Kjo është një fushatë informuese, edukuese dhe sensibilizuese, e orientuar drejt rritjes së ndërgjegjësimit publik mbi përfitimet e kryerjes së pagesave me kartë debiti dhe krediti, por edhe përfitimet për tregtarët dhe, si rrjedhojë për ekonominë e vendit. Fushat organizohet me mbështetjen e Mastercard.

Nën moton : “Ftillohu! Evito cash. Paguaj me kartë!” fushata do të jetë aktive gjatë dy muajve në vijim.

Përmirësimi i përdorimit të kartave të kreditit dhe debitit si një instrument pagese është një kontribut i pazëvendësueshëm në luftën kundër informalitetit, lehtëson koston e parave në qarkullim, çon drejt një ekonomie pa para fizike, duke siguruar një paketë të kompletuar për shërbimet e ofruara për klientët dhe rrit sigurinë personale të individëve.Në këtë aktivitet, morën pjesë përfaqësues nga media audiovizivesi dhe përfaqësues të bankave anëtare.

Fjala e plotë e Sekretarit të Përgjithshëm të AAB-së, z. Spiro Brumbulli, në konferencën për shtyp:

Përshëndetje dhe mirë se keni ardhur në këtë konferencë për shtyp!

Kam kënaqësinë që sot, në emër të AAB-së, të ndaj me ju njoftimin mbi organizimin e një fushate dy mujore për ndërgjegjësim të kartë mbajtësve që të përdorin kartat e tyre për blerjen e mallrave dhe shërbimeve të ndryshme.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë qershor 2020, në Shqipëri janë gjithsej 1,188,249 karta të lëshuara, nga të cilat 1,075,500 janë karta debiti dhe 112,749 janë karta krediti. Për 1,000 persona në moshë të lejuar (adults) Shqipëria ka 483 karta të emetuara, ndërkohë që rajoni luhatet nga 2,449 për Kroacinë në 759 për Bosnjë Hercegovinën (të dhëna këto sipas FMN për vitin 2019).

Edhe pse gjatë periudhës 2016-2019, në nivel vendi, rezulton një rritje vjetore konstante në numrin e transaksioneve të realizuara me karta në POS, mesatarisht 28%, dhe për  volumet e gjeneruara – 21%, sërish, numri i transaksioneve për një kartë në POS, në Shqipëri, është 4 (Kosova) deri 10  (Maqedonia e Veriut) herë më i ulët se në vendet e rajonit.

Është fakt që krahasuar me vitet e shkuara numri i transaksioneve me kartë është rritur në mënyrë të dukshme. Kështu, numri transaksioneve për vitin 2019 është rreth 5 milionë, kurse në vitin 2016 ishin  vetëm 2.35 milionë. Dhe ajo që bie më shumë në sy është se veprime për tërheqjen e cash-it në ATM në vitin 2016 ishin 14.3 milionë, kurse në vitin 2019 – 16.5 milionë. Pra, 3 herë më shumë veprime për tërheqje në ATM se sa veprime në POS!

Një prirje tjetër pozitive është kryerja e transaksioneve online. Nga 1.8 milionë veprime në vitin 2016 në mbi 3.6 milionë në vitin 2019.

E bëmë këtë paraqitje të shifrave për të kuptuar që tashmë ekziston një bazë e mirë e njohjes dhe e përdorimit të kartës si instrument pagese qoftë nëpërmjet POS-eve, qoftë nëpërmjet homebanking. Njerëzit po mësohen për vit e më shumë me shërbimet elektronike dhe të digjitalizuara, duke mposhtur frikën dhe ndrojtjen nga përdorimi i kartës si instrument pagese.

AAB, pas organizimit në katër vitet e fundit të një konference për digjitalizimin, të një forumi për përdorimin e kartave, një forumi për edukimin financiar, dy fushatave për përdorimin e kartave të sponsorizuara nga Visa dhe Mastercard, disa videove për njohjen e aspekteve të veçanta të veprimtarisë bankare, etj., ka ndërmarrë në këtë fundviti një fushatë për ndërgjegjësimin e përdorimit të kartave si mjet pagese. Fushata e tanishme sponsorizohet nga Mastercard. Me këtë rast një falënderim të veçantë!

Çfarë synojmë ne të arrijmë me këtë fushatë?

Së pari, duam të ndërgjegjësojmë të gjithë kartë mbajtësit që të përdorin sa më shumë kartën e tyre për pagesa në POS. Mesazhi ynë është: mos mbaj cash, përdor kartën!

Së dyti, siç edhe shifrat treguan, të bëjmë të ditur te të gjithë mbajtësit e kartave të debitit se kjo kartë nuk është thjesht karta e pagës, d.m.th. të tërheqësh pagën nga ATM, por me këtë kartë mund të paguash njësoj si me kartën e kreditit, në çdo blerje, pagesë shërbimi apo blerje online (në internet). Dhe nuk ke asnjë komision!

Së treti, të paguash me kartë është komoditet, është siguri, është shpejtësi, është kursim. Bankat te ne nuk ngarkojnë me komisione kartë mbajtësin në transaksionet e paguara me kartë në pikat e shitjes POS brenda vendit.

Së katërti, duke qenë edhe të ndikuar nga efektet e mbylljes dhe kufizimeve nga covid-19, të përdorim më shumë blerjet online. Duhet theksuar se që nga muaji mars është vënë re një ndryshim në sjelljen konsumatore, ku shifrat tregojnë për një rritje të përdorimit të kartave në online. Mesazhi ynë është: ruaj shëndetin, bli me kartë!

Së pesti, sidomos tani me cilësimin në kartë PaKontakt, përveç ruajtjes së shëndetit, ka edhe më eficencë në kryerjen e çdo pagese, edhe të atyre në shuma të vogla. Një tjetër komoditet ky që u vjen në ndihmë gjithë përdoruesve për çfarëdo lloj pagese.

Ulja e parasë fizike në qarkullim dhe në transaksionet tregtare është një sfidë dhe kërkesë për një ekonomi më të organizuar, më të matshme, më të disiplinuar dhe më të qëndrueshme. Në këtë përpjekje për shtimin e përdorimit të kartave ne jemi të ndërgjegjshëm së pagesat me kartë varen sa nga mbajtësi i kartës, aq edhe nga tregtari, nga gatishmëria e tij për t’iu përgjigjur kërkesës së blerësit për rrugë alternative të pagesës. Parë më gjerë, ne insistojmë në domosdoshmërinë e ofrimit alternativ të kryerjes së pagesës. Çdo tregtar mallrash apo shërbimesh duhet të ketë në mënyrë detyruese një alternativë pagese përveç cash-it (parasë fizike) që t’i ofrojë klientit për pagesë. Paraja fizike është vetëm një mënyrë, por mënyra tjetër duhet të jetë nëpërmjet kanaleve alternative – pagesë me kartë, pagesë e menjëhershme në llogari, etj. Ne duhet të kapërcejmë patjetër fazën ku ndodhemi sot që paraja fizike mbizotëron si mjet i pagesës. Prandaj kërkojmë nga institucionet dhe autoritet përkatëse më shumë dhe më shpejt rregullimet infrastrukturore dhe ato rregullative që çdo tregtar të ketë të paktën dy kanale të ofrimit të kryerjes së pagesës.

E dëshiruam këtë konferencë me ju jo vetëm për t’ju bërë me dije për fushatën dhe se çfarë synojmë me të, por edhe për të kërkuar mbështetjen tuaj për sensibilizim dhe ndërgjegjësim të popullatës. Prandaj dhe në tërësinë e vet e kemi titulluar këtë fushatë me termin “Ftillohu”, në kuptimin e ecjes në një valë me kohën. Rritja e përdorimit të kartës është tashmë tregues që mat modernizimin e ekonomisë dhe ne dëshirojmë të jemi të krahasueshëm me vendet e tjera. Pajisja me kartë e qytetarit dhe përdorimi i kartës në blerje është siguri, është eficencë, është modernizim! Së bashku le të përpiqemi në një front të përçojmë mesazhe pozitive, informuese dhe të sigurta te mbajtësit aktualë të kartave dhe te ata potencialë që karta nuk është vetëm për të tërhequr para fizike në ATM, por me të mund të paguash kudo që ka POS si dhe në blerjet online /internet.

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular