BallinaBotaEkipi elektoral i Presidentit Trump padi gjyqësore për rezultatet zgjedhore

Ekipi elektoral i Presidentit Trump padi gjyqësore për rezultatet zgjedhore

UASHINGTON – Me përpjekjet për t’u rizgjedhur të rrezikuara nga një garë e ngushtë elektorale, Presidenti Donald Trump ndërmori hapin e parë që mund të çojë në një betejë të zgjatur ligjore.

Në tre shtete kyçe të betejës elektorale për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve, në Xhorxhia, Miçigan dhe Pensilvani, zyrtarët e fushatës elektorale Trump paraqitën të mërkurën padi gjyqësore për menaxhimin e votave me postë, ndërsa në Uiskonsin ekipi elektoral i Presidentit Trump ka kërkuar rinumërimin.

Synohet kështu bllokimi i numërimit të votave të shumta të dërguara nëpërmjet postës, për të cilat Presidenti Trump ka deklaruar, pa paraqitur prova, se janë të manipuluara dhe se po shtojnë shanset e sfiduesit demokrat Joe Biden për të fituar zgjedhjet.

Ish-Nënpresidenti Biden është shpallur fitues në Miçigan dhe Uiskonsin, por ende nuk është shpallur rezultati në Xhorxhia dhe Pensilvani.

“Gjithashtu kërkojmë të shohim votat që u hapën dhe u numëruan ndërkohë që ne nuk patëm qasje të mjaftueshme”, tha menaxheri i fushatës Trump, Bill Stepien, në një deklaratë ku njoftoi padinë në Miçigan.

Paditë u paraqitën pasi Presidenti Trump sinjalizoi më herët të mërkurën në mëngjes se do t’i drejtohet drejtpërdrejt Gjykatës së Lartë për të ndalur numërimin e miliona votave me postë.

Punonjësit zgjedhorë duke menaxhuar votat në Kenosha, Uiskonsin
Punonjësit zgjedhorë duke menaxhuar votat në Kenosha, Uiskonsin

Ekspertët ligjorë thonë se nuk ekziston mekanizmi që Presidenti Trump t’i drejtohet për ndihmë Gjykatës së Lartë për të ndalur numërimin në një proces zgjedhor të ligjshëm. Megjithatë, kërcënimi sugjeron se fushata Trump po përgatitet për një betejë ligjore paszgjedhore në këtë cikël nga më të ankimuarit në historinë amerikane.

“Fushata Trump ka ndjekur të njëtat taktika për një vit, kështu që nuk imagjinoj dot ndonjë arsye pse të ndalen pa provuar të gjitha opsionet”, tha James Gardner, profesor i jurisprudencës dhe ekspert zgjedhor në Universitetin e Buffalos.

Mbetet për t’u parë se sa do të zgjasë beteja ligjore.

Godina e Gjykatës së Lartë në perëndimin e Ditës së Zgjedhjeve
Godina e Gjykatës së Lartë në perëndimin e Ditës së Zgjedhjeve

Ndërsa Gjykata e Lartë mund të ndërhyjë për të zgjidhur një mosmarrëveshje zgjedhore, ashtu siç veproi në betejën elektorale të vitit 2000 mes republikanit George W. Bush dhe demokratit Al Gore, pala paditëse duhet të kalojë përmes disa etapave ligjore.

“Nuk ekziston një ligj që lejon ndaljen arbitrare të numërimit të votave në mbarë vendin, madje as në një shtet të caktuar; pra nuk do të kishte bazë ligjore për ta kërkuar këtë masë”, thotë Kim Wehle, profesore e jurisprudencës në Universitetin e Baltimorës dhe autore e librit “Çfarë duhet të dini për votimin dhe përse”.

Kjo nuk do të thotë se Presidenti Trump nuk ka opsionin ligjor ndërsa përpiqet të sigurojë një minimum prej 270 votash elektorale të nevojshme për të fituar rizgjidhjen. Deri më tani, rezultatet zgjedhore në 44 nga 50 shtetet amerikane i kanë dhënë Presidentit Trump 213 vota elektorale dhe ish-Nënpresidentit Biden 253 vota, sipas kalkulimeve të Zërit të Amerikës. Rezultatet në shtetet e mbetura janë tepër të afërta për të përcaktuar një fitues.

Sidoqoftë, nëse Presidenti Trump ose Joe Biden sigurojnë vota të mjaftueshme në garat e padeklaruara dhe e bëjnë këtë me një diferencë të pakapërcyeshme, sfidimi i rezultateve do të bëhej i vështirë dhe ndoshta jopraktik, thonë ekspertët ligjorë. Por nëse ndryshimi mes votave të numëruara ngushtohet, secili kandidat mund të kundërshtojë rezultatin.

“Por do të duhet të jetë një sfidë shtet-pas-shteti, pothuajse një sfidë votë-pas-vote”, tha zonja Wehle.

Edhe pasi rezultati i zgjedhjeve mbeti në pikëpyetje, të dy kampet elektorale Trump dhe Biden pretenduan se ishin pranë fitores.

“Ne ndjehemi sikur presidenti është në një pozitë shumë, shumë, shumë të mirë këtë mëngjes”, tha zoti Stepien për mediat të mërkurën.

Menaxherja e fushatës Biden, Jen O’Malley Dillon, duke folur gjatë një telefonate me gazetarët, tha se zoti Biden ishte “në rrugën e duhur për të fituar këto zgjedhje dhe ai do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara”.

Kërkesa e rinumërimit nuk është e pazakontë

Një rinumërim i votave të llojit që Presidenti Trump po kërkon në Uiskonsin nuk është i pazakontë. Në vitin 2016, kandidatja e Partisë së Gjelbër, Jill Stein kërkoi një rinumërim në këtë shtet. Dyzet e shtatë shtete lejojnë që kandidatët humbës të kërkojnë rinumërim. Nga shtetet e mbetura të padeklaruara, vetëm Arizona nuk e lejon këtë opsion.

Sidoqoftë, rinumërimet rrallë ndryshojnë numërimin e votave dhe nëse Presidenti Trump nuk arrin të marrë një rezultat të favorshëm përmes një rinumërimi, ai mund të kundërshtojë rezultatet, thonë ekspertët.

Një mosmarrëveshje e mundshme ka të ngjarë të rrotullohet rreth fletëvotimeve me postë që mbërrijnë pas Ditës së Zgjedhjeve, sipas studiuesit ligjor të Fondacionit “Heritage”, Hans von Spakovsky.

Pandemia ndikon tek zgjedhjet

Tre nga shtetet me rezultatet më të afërta në këtë cikël zgjedhor – Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin – ndryshuan rregullat e tyre gjatë pandemisë së koronavirusit për të lejuar që fletët e votimit të mbërrijnë pas Ditës së Zgjedhjeve dhe që ato të numërohen.

Gjykata e Lartë javën e kaluar mbështeti afatet e zgjatura të Karolinës së Veriut dhe Pensilvanisë, por refuzoi Uiskonsin.

Ekipi elektoral i Presidentit Trump mund të argumentojë në gjykatë se zgjatja e afatit për marrjen e fletëve të votimit ishte antikushtetuese, tha zoti Gardner.

Një tjetër polemikë e mundshme ka të ngjarë të përqendrohet tek fletëvotimet me mangësi nëpërmjet postës dhe nëse ato duhen refuzuar pa u dhënë votuesve një mundësi për të ndrequr problemet. Të martën, ndërsa votimi po fillonte, republikanët ngritën një palë padi kundër “ndreqjes” ose rregullimit të problemeve me fletët e votimit në Pensilvani.

Fletëvotimet problematike

Numri i fletëve të votimit problematike që refuzohen është i konsiderueshëm.

Gjatë zgjedhjeve paraprake këtë vit, më shumë se 550’000 fletëvotime me mangësi u refuzuan në 30 shtete, sipas një analize të NPR, duke shkaktuar një proces gjyqësor në Nju Jork. Zoti Von Spakovsky tha se çështje të ngjashme gjyqësore mund të paraqiten nga kandidati humbës.

“Nëse ka ndonjë çështje gjyqësore që konteston numërimin e fletëve të votimit, refuzimin e fletëve të votimit dhe mungesën e zgjatjes së kohës, nuk kam dyshim se kush humbet në atë proces gjyqësor ndoshta do të jetë i përgatitur ta diskutojë atë deri në Gjykatën e Lartë ”, tha von Spakovsky.

Por të tjerët paralajmëruan se Gjykata e Lartë ka të ngjarë t’i shmanget tërheqjes në një luftë politike. Gati 20 vjet pas vendimit të diskutueshëm në çështjen “Bush kundër Gore”, tha zoti Gardner, Kryetari i Gjykatës John Roberts e konsideron vendimin se “ishte gabim që gjykata e vendosi veten në qendër të zgjedhjeve presidenciale”.

Nëse ai mundet ta mbajë gjykatën jashtë një tjetër mosmarrëveshjeje zgjedhore mbetet e pasigurt. Zoti Gardner tha se Gjykatësi Roberts po përballet me një “revoltë të brendshme” nga tre konservatorë të tjerë në gjykatë – Samuel Alito, Clarence Thomas dhe Brett Kavanaugh – të cilët kundërshtuan vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë për zgjatjen e afateve të votimit në Karolinën e Veriut dhe Pensilvani.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular