BallinaOP EDPërse po mbyllet zyra e EUROPOL-it në Tiranë?

Përse po mbyllet zyra e EUROPOL-it në Tiranë?

NGA PËLLUMB NAKO

Pak më shumë se një vit më parë, në Tiranë u hap zyra ndërlidhëse e EUROPOL-it. Në ceremoninë e organizuar atë ditë, ministri Lleshaj dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë nuk mund të rrinin pa e shfrytëzuar rastin edhe politikisht. Secili sipas mënyrës së tij, thelbin e komenteve e përqendroi në interpretimin e hapjes së zyrës në fjalë si një sukses të Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Kurse mediat pranë oborrit madje nuk nguruan që ta quajnë ngjarjen si një hap të mëtejshëm drejt marrjes së vendimit nga ana e Këshillit Europian për hapjen e kapitujve të bisedimeve për aderimin e vendin tonë në BE. Ndërkohë, ndryshe nga pritshmëria entuziaste, këto ditë bëhet me dije se zyra në fjalë do të mbyllet në fund të këtij viti pa mbushur ende dy vite veprimi operacional.

Pra, nuk do të ketë më zyrë ndërlidhëse të Europol-it në Tiranë, për të cilën me zë të lartë na thanë që ishte e vetmja në Ballkanin Perëndimor dhe e dyta në botë pas asaj në Uashington. Sigurisht, zyra e EUROPOL-it në Uashington nuk është mbyllur. Kjo, sepse në çeljen e saj nuk u mblodh gjithë politika e diplomacia respektive për të shfrytëzuar një instrument teknik bashkëpunimi si ngjarje me rëndësi politike dhe askush nuk u rrek ta quante qeverinë amerikane sikur të kishte hedhur një hap me pranë Bashkimit Europian.

Mendimi më i thjeshtë, i nivelit më modest të mundshëm në këtë drejtim, i shkon pyetjes se tani që kjo zyrë po mbyllet, është dështim i Policisë Shqiptare, i Qeverisë së vendit tonë apo edhe i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë? Përse po mbyllet zyra ndërlidhëse?

Në rast se do të merrnim për përgjigje të kundërtën e fjalëve euforike që u thanë ditën e hapjes së saj, do të na rezultonte se mbyllja e zyrës së EUROPOL-it në Tiranë përbën disfatë politike me përmasa ndërkombëtare. Disfatë kjo edhe e Shqipërisë në rrugën e integrimit, edhe e Komisionit Europian si udhërrëfyesi ynë në rrugën drejt BE-së. Nëse do të merrnim mbrapsht faktin se kjo zyrë u hap pasi Policia e vendit tonë është partnere e mrekullueshme e kolegëve europianë, siç i tha me buçima, atëherë duket se ka ndodhur diçka e rëndë që e ka minuar këtë besim kaq të çeliktë.

Ndërkohë, nëse hapja e zyrës në Tiranë do të trajtohej thjesht si një instrument operacional bashkëpunimi sigurisht i rëndësishëm, siç u trajtua kur u hap në Uashington ku nuk u lebetiti dynjaja, mbyllja do të konsiderohej thjesht si një instrument teknik që nuk rezultoi efikas. Madje, këtë lloj interpretimi me natyrë teknike e kam përshkruar edhe në shkrimin tim një vit e ca më parë për të njëjtin problem, duke nënvizuar me këtë rast se logjika teknike e kundërshton atë politike.

Sigurisht, këtu nuk është çasti për të qenë i lumtur dhe më pas plot hare të vësh gishtin e përgjegjësisë dhe të bërtasësh me të madhe për ndëshkim. Por, nga ana tjetër, nuk mund të rrish indiferent dhe të anashkalosh sikur të mos ketë ndodhur, gjë kur sheh sesa keq veprohet në raste të tilla kur gjithçka bëhet për propagandë, për protagonizëm absurd dhe klientelizëm që në fund të fundit nuk i sjell asgjë të mirë, sidomos vendit. Pozicioni shpeshherë favorizues i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë në raport me mjaft veprime të diskutueshme të qeverisë duke e reklamuar gjithçka si në të mirë të vendit, e vuri mjaft në vështirësi syrin kritik të opinionit të brendshëm, pasi i dha shkas ideal qeverisjes t’i cilësojë gjithë kritikat ndaj saj si hedhje baltë ndaj vendit. Mbështetjet lobuese ndaj qeverisë, në mungesë të arritjes së standardeve të kërkuara, është më shumë i dëmshëm se produktiv.

Në fjalimin e tij më ketë rast, një vit më parë, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë theksoi qartë: “Më lejoni të përmend këtu se ky bashkëpunim në rritje në nivel operativ mund të kontribuojë vetëm për mbështetjen e rastit të Shqipërisë në kryeqytetet e BE-së duke pasur parasysh vendimin e Këshillit në tetor për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE”.

Duket pastër se më shumë si një nevojë teknike bashkëpunimi, zyra ndërlidhëse e Europol-it në Tiranë ka qenë lobim i Komisionit me protagoniste ish-ambasadoren Vlahutin në Tiranë për t’u dhënë më shumë argumente bindëse vendeve skeptike për hapjen e bisedimeve midis Shqipërisë dhe Këshillit Europian. Ky kanal komunikimi me sa duket ka zbutur edhe situatën kriminale reale në Shqipëri. Ndërkohë, zyra, ashtu sikurse u hap, edhe po mbyllet me nismë të Komisionit Europian.

Ajo nuk tregoi efikasitet, sepse nuk i mbushi mendjen Holandës e as disa vendeve të tjera pas saj, për seriozitetin e shtetit shqiptar në luftën krimin e organizuar. Apo nuk gjeti terrenin e duhur në bashkëpunim me Policinë e vendit tonë, pikërisht në një kohë kur njëri prej drejtuesve të saj më të lartë u kap nga organet e huaja policore duke komunikuar nëpërmjet platformës elektronike “Encrochat” me trafikantë? Hamendësitë mund të jenë të shumta dhe legjitime për faktin se hapja e zyrës u shoqërua me fjalime të shumta euforike, suksesesh dhe partneriteti të fuqishëm në bashkëpunimin ndërmjet Policisë sonë dhe EUROPOL-it, kurse tani po mbyllet.

Ndërkohë, për zyrtarin e lartë policor dihet që ka komunikuar me trafikantë nëpërmjet ‘Encrochatit’, që përdoret gjerësisht nga organizatat e tyre. Por ajo që as publiku, as autoritetet tona nuk dinë deri më sot mbetet fakti se ky chat kaq i përdorshëm nga trafikantët është i zbërthyer më 25 qershor të këtij viti nga ana e xhandarmërisë franceze pas operacionit të saj të koduar “Emma 95” dhe serverat e tij ndodhen në Francë. Kurse në emër të të gjithë policive europiane, ajo holandeze është duke zhvilluar operacionin “ 26 Lemont “ për të identifikuar 60 mijë përdoruesit e ‘Enrochatit’ kryesisht trafikantë. Tarifat financiare të përdorimit të tij janë mjaft të larta.

Aktualisht, Policia holandeze ka angazhuar një numër të konsiderueshëm përkthyesish dhe specialistësh për identifikimin e zërit të përdoruesve të ‘Enrochatit’ duke marrë mostra krahasimi nga “Youtube”, ku figurojnë edhe politikanë. Deri në këtë moment, askush në vendin tonë nuk është në gjendje të dijë më saktësi se sa shtetarë, kriminelë, punonjës Policie, të drejtësisë së vendit tonë e kanë përdorur eventualisht këtë platformë elektronike.

Kurse Holanda dhe vende të tjera europiane e dinë. Pra, mbetet mjaft reale hamendësia për të kuptuar nëse zyra e EUROPOL-it në Tiranë, u mbyll sepse vendi ynë nuk i çeli dot bisedimet për anëtarësim e për rrjedhim kjo zyrë nuk e realizoi dot misionin, për të cilin u hap, apo ndoshta policitë perëndimore kanë mungesë besimi dhe kujdes të madh në shkëmbimet e informacioneve të ndjeshme me Policinë tonë nisur nga fakti i shefi të OFL-së komunikonte me “Encrochatin”, i cili aktualisht është i zbërthyer dhe ndodhet në fazën e identifikimit të përdoruesve. Sepse, të dyja dëmtojnë vendin. Një vit e ca muaj më parë, kur i thanë se zyra e Europol-it në Tiranë është e dyta në botë dhe e para në Ballkanin Perëndimor, ministri ynë tha se ndihej mirë. Po tani që kjo zyrë po largohet nga vendi ynë si ndihet? Me siguri përsëri ndihet mirë, pasi ashtu si shefi i tij, edhe ai ka mendimin se fajin e ka Holanda.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular