BallinaOP EDPas asociacionit të komunave pason njohja serbe e pavarësisë së Kosovës

Pas asociacionit të komunave pason njohja serbe e pavarësisë së Kosovës

NGA MERXHAN JAKUPI

Nëse vështrojmë situatën aktuale të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, duke ndjekur dhe lexuar analizat dhe komentimet në mjetet e informimit, në gazeta e portale të ndryshme, do të na habisë fakti, mjerisht, se edhe pas një çerek shekulli, shumë gazetarë, autorë dhe pseudo-analistë, ende merren me anatema, anakronizma, trillime, intriga dhe shpifje. Javën e fundit, vizita e të dërguarit të posaçëm të BE-së, diplomatit sllovak Mirosllav Lajçak, në vend të kritikave, sugjerimeve racionale e objektive, nga shumë autorë dhe gazetarë u prezantua me shumë insinuata dhe etiketime. Këta autorë nuk zotërojnë dije të thellë, nuk njohin gjuhë të huaja, nuk përcjellin shtypin dhe mediet e jashtme, përkundrazi marrin prononcime nga turma dhe rrjetet sociale që janë të pakontrolluara.

Një autor, duke mos e njohur diplomatin e BE-së, Mirosllav Lajçak, shkruan se ai është me origjinë çeke dhe se qeveria çeke, nën trysninë e Lajçakut ka dashur ta tërheq njohjen e Kosovës. Pa e njohur mirë figurën dhe karizmën e këtij diplomati, jo vetëm që akuzojnë Lajçakun si proserb, por edhe gjithë popullin sllovak si etnogjen sllav e konsiderojnë si proserb apo serbofil.  Sllovakët si etnogjen sllav janë shumë larg, kanë divergjenca kulturore mes sllavëve ortodoks rusë, serbë apo malazezë. Sllovakët i takojnë kulturës dhe qytetërimit perëndimor dhe janë të konfesionit fetar katolik, së bashku me çekët, polakët, sllovenët dhe kroatët. Diplomati i BE-së mund të jetë proserb, si individ, në jetën private, por si i dërguar special është i detyruar ta kryejë misionin e tij sipas instruksioneve të Brukselit e jo të Bratislavës. Një ndër shkaqet dhe arsyet që Republika e Sllovakisë nuk e ka njohur Kosovën qëndron në faktin se ky shtet ka një provincë me etnitet hungarez. Pas shpërbërjes së Austro-Hungarisë, në Konferencën e Paqes në Paris, përkatësisht në Versaj, kjo provincë iu dha Sllovakisë. Kur opinioni publik në Kosovë njoftohet nga disa gazetarë të kalibrit të konstruksioneve, duke kapur temën e bisedimeve të Lajçakut në relacionin Prishtinë-Beograd, lehtë do të vërejë zhytjen e tyre në këtë baltë.

* * *

Në bisedimet e lodhshme të të dërguarit special Mirosllav Lajçak me palën kosovare dhe atë serbe, ky diplomat i BE-së kishte pranuar se nuk mund ta lëvizte nga vendi këtë shkëmb të rëndë. Mesazhi i tij i fundit kishte qenë që nuk kishte arritur rezultatet e pritura, por edhe nuk i kishte humbur shpresat. Është kjo një çështje kohe, që një ditë doemos do të ulen dhe do të nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur, e cila do t’i zgjidhë çështjet e ngrira mes Beogradit dhe Prishtinës, në dobi të të dy palëve.

Sipas analistëve, politologëve, asociacioni i komunave serbe ka qenë në Dokumentin e Ahtisarit, ku pala kosovare ka nënshkruar dhe të dy palët kanë filluar bisedimet në dhjetor të vitit 2013, ndërsa më vonë palët ende kanë paraqitur qëndrime të kundërta. “Zajednica” serbe sikundër për qeveritë e mëparshme, ashtu edhe për këto të mëvonshme, për opozitën dhe subjektet e tjera politike, ka qenë dhe ka mbetur si një “gështenjë e nxehtë” në duar e tyre. Por, kutia e Pandorës, një ditë, gjithsesi se do të hapet.

Zgjatja e bisedimeve dhe status-quoja më shumë i konvenon Aleksandar Vuçiqit, për të shfrytëzuar këtë situatë për mbetje më të gjatë në pushtet. Por, edhe presidentit të deridjeshëm të Kosovës, nën njëfarë mënyre i konvenonte kjo situatë e jashtë marrëveshjes.

Kryetari i Forumit për nacionalitete në Republikën e Serbisë, Dushan Janjiq, ka thënë se qeveria e Beogradit vazhdon t’i manipulojë, instrumentalizojë dhe t’i mbajë të getoizuar serbët në Kosovë. Nënshkrimi i Marrëveshjes do të jetë pozitive dhe e dobishme edhe për serbët e Kosovës. Në këtë situatë, as andej e as këndej, do të ketë bllokada, pengesa, peripeci, heqje të targave, pritje në dogana, pagesë taksash, neglizhencë dokumentesh etj., ku më së shumti përfitojnë të korruptuarit, mafiozët dhe kriminelët. Me zgjidhjen e “konfliktit të ngrirë”, do të hiqen të gjitha këto barriera, do të ketë qarkullim të lirshëm të mallrave dhe të njerëzve mes Kosovës dhe Serbisë.

Dushan Janjiq ka theksuar se serbët e veriut të Kosovës janë pjesë integrale e Republikës së Kosovës dhe e njohin ekzistencën e shtetit dhe të ligjeve të tij. Serbët e Veriut marrin pjesë në zgjedhje; janë nën juridiksionin e Republikës së Kosovës, gjykatave, ku proceset zhvillohen në gjuhën serbe dhe me alfabet cirilik, por përsëri janë nën ombrellën e shtetit të Kosovës. Doganat në kufi me Serbinë janë nën kontrollin e Republikës së Kosovës, që administrohen bashkërisht mes shqiptarëve dhe serbëve.

KUSHTETUTA NUK ËSHTË BIBLIKE

Pas dështimit të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, ato në të ardhmen do të imponohen me ndërmjetësim prej BE-së dhe Uashingtonit. Aleksandar Vuçiqi e di se për Asociacionin e Komunave Serbe ka përkrahjen e Brukselit dhe Uashingtonit, por dhe presidenti i dorëhequr Thaçi, kryeministri Hoti e dinë që paketa për “Zajednicën” serbe është e pashmangshme. Nuk dihet se çfarë plani apo modeli do të vihet në funksion. Sipas disa analistëve, asociacioni i katër komunave serbe do të jetë i ngjashëm me modelin e serbëve në Kroaci, ndërkaq sipas disa diplomatëve anonimë në BE, Mirosllav Lajçak, në takimet dhe bisedimet me Aleksandar Vuçiqin, ka thënë se njohja e shtetit të Kosovës do të jetë e mundur kur Republika e Kosovës, si kompromis, do të nënshkruajë dokumentin e Marrëveshjes për “Zajednicën” serbe.

Në të ardhmen, duhet të kihet parasysh se Prishtina dhe Beogradi do të kenë një presion nga Brukseli dhe Uashingtoni, për t’u ulur dhe nënshkruar Marrëveshjen reciproke. Për të dyja palët, përfundimi apo kompromisi do të jetë i dhembshëm. Asnjëra qeveri nuk do ta mbajë barrën dhe përgjegjësinë për implementimin e marrëveshjes dypalëshe. Së këndejmi, Republika e Kosovës, në njërën anë dhe Republika e Serbisë në anën tjetër, mbase do të formojnë qeveri koalicionesh, ku do të marrin pjesë të gjitha subjektet politike, edhe ato të opozitës. Në fund, Prishtina dhe Beogradi do të ndryshojnë Kushtetutën, pasi që edhe vetë Mirosllav Lajçak deklaroi në Prishtinë dhe Beograd se kushtetuta nuk është biblike. Kurorëzimi, në fund, si kompromis do të vuloset. Prishtina do ta nënshkruajë dokumentin mbi statusin e Asociacionit të katër komunave serbe në Kosovë, me shumicë serbe si minoritet, ndërsa Beogradi do ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular