BallinaEkonomi84% e bizneseve deklarojnë se janë prekur nga kriza. Ja koha e...

84% e bizneseve deklarojnë se janë prekur nga kriza. Ja koha e kthimit në normalitetit…

84% e bizneseve shqiptare deklarojnë se janë prekur nga kriza e pandemisë.

Banka e Shqipërisë ka kryer dy anketa për efektet e Covid-19 në aktivitetin e biznesit, si pjesë e vrojtimeve të besimit në ekonomi, përkatësisht në muajt prill dhe shtator.

Në muajin prill, rreth 90% e bizneseve që kthyen përgjigje ishin shprehur se aktiviteti i tyre u ndikua nga epidemia, ndërsa në muajin shtator, ky raport është ulur në 84%, i ndikuar kryesisht nga sektori i industrisë dhe ndërtimit. E kundërta ka ndodhur me bizneset e shërbimeve, ku numri i bizneseve që shprehen se janë ndikuar është më i madh në muajin shtator.

Lidhur me pyetjen se si janë ndikuar, bizneset vlerësojnë si më të rëndësishmen uljen e kërkesës nga klientët vendas. Rëndësia e këtij faktori është rritur në krahasim me fillimin e pandemisë dhe ka arritur në rreth 42% të përgjigjeve të bizneseve në shtator, në krahasim me 34% në prill. Në linjë me lehtësimin e masave të marra, mbyllja e detyruar e aktivitetit, e cila ndikonte në masën 23% në prill është ulur në nivelin 13% në shtator. Ulja e kërkesës nga klientët vendas identifikohet si faktori me ndikim më të madh edhe në kategorizimin e bizneseve sipas madhësisë, me një peshë veçanërisht më të madhe për mikrondërmarrjet.

Bizneset kanë zgjedhur si alternativat kryesore për të përballuar situatën shtyrjen në kohë të pagesave, në 30% të rasteve dhe uljen e përkohshme të numrit të të punësuarve, në 27% të rasteve, në masë të ngjashme në të dy vrojtimet. Ndryshimi kryesor shihet në alternativën mbyllje aktiviteti, e cila ishte konsideruar në muajin prill, me 14% të përgjigjeve totale, por jo në muajin shtator, me vetëm 2% e përgjigjeve të bizneseve. Alternativa e konsideruar më shumë nga bizneset në muajin shtator është rritja e borxhit nga të tjerët, që ka arritur në 12% të bizneseve, nga 4% në prill. Në të dy vrojtimet, bizneset nuk kanë konsideruar si alternativë uljen e përhershme të numrit të punonjësve.

Edhe sipas madhësisë, alternativat kryesore për të përballuar situatën rezultojnë si më lart. Në muajin shtator vihet re një shtim i peshës së alternativës “Rritje e borxhit nga të tjerët” për mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla. Ndërkohë, alternativa e “Rritjes së huamarrjes nga bankat” rezulton me një peshë më të lartë në muajin shtator për ndërmarrjet e mesme dhe ato të mëdha.

Në përgjithësi, bizneset presin që të kthehen në një situatë normale (e kuptuar si situata përpara Covid-19) afërsisht pas 10 muajsh. Në krahasim me muajin prill, kur kriza pritej të ishte më e përkohshme, kjo periudhë është dyfishuar. Sipas madhësisë, koha e kthimit në situatën normale rezulton më e lartë për bizneset e vogla./E.Shehu

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular