BallinaIntervista“Pse ma hoqën rolin e Colit te ‘Debatiku’”, Koço Devole: S’më pranonin...

“Pse ma hoqën rolin e Colit te ‘Debatiku’”, Koço Devole: S’më pranonin tek Artet për shkak të biografisë

DASHNOR KALOÇI/ Artisti që na dhuroi buzëqeshje edhe në kohë të vështira, u nda nga jeta vetëm një javë më parë. “Memorie.al” publikon një intervistë të dhënë në emisionin “Rrëfim” në “TV Scan”, disa kohë më parë, nga karikaturisti, skenaristi, aktori dhe regjisori i madh i humorit shqiptar, Koço Devole, që u nda nga jeta para pak ditësh, i cili për 90 minuta ka rrëfyer disa nga ngjarjet dhe historitë e panjohura të jetës, familjes dhe karrierës së tij artistike, duke filluar nga origjina e familjes; specializimi i babait të tij, Thanasit, në Itali për kino-operator; puna në atë profesion në qytezën e Kuçovës ku u lind edhe Koço; ardhja në Tiranë si kino-operator në kinema “17 Nëntori”; largimi dhe dërgimi në Kombinat me dënim si punëtor, pasi u zbulua se ai kishte rregulluar një linjë direkte telefonike për Tuk Jakovën e Bedri Spahiun, që u shpallën “armiq të popullit”; pjesëmarrja në kinoprovat për një rol te filmi “Debatiku”, ku “nuk fitoi”, dhe figurant te “Vitet e para” etj.

Pasioni e prirjet e Koços për pikturën ku mësonte me inxhinierin rus në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” në Tiranë, si dhe me rrethin e teatrit në Pallatin e Pionierëve ku regjisorja ruse i besoi disa role, karikatura e parë që botoi te “Hosteni” në 1964-ën, rolet në disa drama në Klubin e Kulturës në Kombinat, konkursi për në Liceun Artistik dhe pengesa biografike për “xhaxhanë e arratisur”, e drejta e studimit për në Inxhinieri Mekanike në Tiranë ku qëndroi vetëm dy vite “për hatrin” e shokut indonezian që i bënte portretin dhe “shpërblehej” me kafe, dreka e darka te “Vollga”, vajtja ushtar dhe angazhimi në Estradën e Ushtarit me shokun e fëmijërisë, Roland Trebicka, pas ndërhyrjes së regjisorit, Viktor Gjoka, duke dhënë shfaqje deri në pikat më të largëta kufitare etj.

Lirimi i Koços nga Ushtria dhe puna në Klubin e Kulturës në Kombinat, ku bëri emër të madh pasi pikturoi në një fasadë gjigante Enver Hoxhën, angazhimi në revistën “Hosteni” si karikaturist dhe me skenarë për skeçe e parodi, emërimi në Estradën e Shtetit dhe më pas në Radio Televizionin Shqiptar, puna dhe projektet pas viteve ’90-të me filma, komedi, spektakle etj., bashkëpunimi e puna me mikun e ngushtë të jetës, Filip Çakulin, e deri te profecia e tij e thënë në këtë emisionin, ku ai mes të tjerash u shpreh: “Nuk pyesin fare nëse ikën nga jeta ndonjë artist i madh, është për të ardhur keq! Nuk pranojnë që t’i përcjellin për në banesën e fundit që nga Teatri. Ka pasur shumë raste. Rasti i fundit ishte Hajrie Rondo, që, me njëqind lutje, e ndihmuan nga pak. Kur vdesin po, ironikisht, të bëjnë nderimin më të madh. Unë e di që kur të vdes, do të më nderojnë dhe do thonë ato gjërat e zakonshme që kanë thënë dhe për të tjerët”

Zoti Devole, kur u lidhët me kinemanë?

Diku në vitet 1963-’64 mora pjesë në një kinoprovë për filmin “Vitet e para”, e cila u realizua me skenar të shkrimtarit Fatmir Gjata, sipas romanit të tij “Këneta”. Në atë kohë ishte një ëndërr e madhe që të interpretoje në një film dhe sigurisht që ishte një kënaqësi e madhe që të ishe përpara kamerave në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Ishte një lloj ëndrre që sa kishte filluar të më ngacmonte, por do vijë radha dhe t’jua tregoj edhe si nisi kjo ëndërr, pasi ka qenë filmi “Debatik” ai i pari ku unë bëra kinoprovën, xhirova shumë, por si përfundim nuk shkova, pasi fitoi një djalë tjetër.

U lënduat që nuk fituat tek ai film, pra, te “Debatiku”?

Po, sigurisht. Përveçse ishte një ëndërr e madhe të interpretoje në një film, ishte edhe kënaqësia tjetër, pasi aty luanin dhe interpretonin emra të mëdhenj të skenës dhe kinematografisë shqiptare, si: Sandër Prosi, Prokop Mima, Margarita Xhepa etj., që i kishim parë nëpër filma dhe tani i kishim afër, i kishim në krah. Ishte gati-gati magjike kur ke një ëndërr të madhe të dalësh në ekran, në kinematografi, në televizion. Aty u xhirua goxha, se ishte një skenë masive (sipas skenarit) ku u shpërthye diga, në një moment vjen ai asistentregjisori dhe na thoshte që të bënim kujdes, pasi fillimisht ne duhet të ishim të qetë dhe vetëm kur vjen lajmi që po shpërthente diga, ne duhej të alarmoheshim. Por unë isha shumë në siklet, pasi në të gjithë atë turmë me 30-40 figurantë, isha një nga ata dhe kujtoja se asistentregjisori e gjithë të tjerët më shikonin vetëm mua dhe rrija duke menduar se do ta bëja mirë apo keq atë skenë. Kështu, në atë siklet që isha, kur vjen momenti që u dha lajmi që u shpërthye diga, nuk e di se çfarë bëra, por kur e pashë filmin (qesh) nuk ishte fare ajo skenë, vetëm dukesha pak që kisha zbritur nga ato krevatet që ishte ndërtuar dekori aty dhe kaq ishte e gjitha. Pra, dhjetë sekonda a ishin apo nuk ishin…

Por ju, Koço, u impenjuat maksimalisht, edhe pse dolët vetëm disa sekonda në atë skenë të filmit?

Patjetër që impenjimi ishte maksimal, por kjo gjë erdhi më shumë nga meraku i madh që kisha unë nga dështimi. Te shkolla “8-Nëntori”, ku isha unë në atë kohë, erdhi regjisori Hysen Hakani, futet në klasë dhe shikon të gjithë e afrohet tek unë, pasi unë s’kam qenë kështu, kam pasur flokë, e ai më përkëdheli nga koka e më tha: “A ke dëshirë që të interpretosh në një film”? Ndërkohë, nga gëzimi, unë mbeta e nuk fola fare dhe ai m’u drejtua përsëri: “Hë, mo, ke qejf të vish, apo jo…”? ‘Po’, i thashë unë menjëherë nga frika se mos ndërronte mendje. Ai më tha: “Nesër do vish në Kinostudio”. Unë fluturova, nuk e di, por fluturova nga gëzimi në ato momente, pasi ishte një ndjenjë, që nuk e di si t’jua them! Të nesërmen, erdhi “Gaz”-i i Kinostudios aty te shkolla për të më marrë dhe doli e gjithë shkolla duke më përshëndetur me duar kur unë po hipja aty dhe më thoshin: “Ejjj, na ndero, mirupafshim Koço etj…”, dhe ma bënin me duar. Hipa, shkova në Kinostudio, bëra disa fotografi me aktorët e mëdhenj, Besim Levonjën edhe Sandër Prosin. Bëmë disa xhirime, jo me ca pëllumba, jo me një italian që i jepja breshkën etj. Ehh, poo, tartaruge, diçka e tillë, ishin disa skena që i kishte zgjedhur vetë regjisori Hyseni, skena që i dukeshin atij tepër të vështira dhe a do ta përballoja unë atë xhirim. Pra, ishin këto skena që përsëriteshin në xhirime. Disa ditë vinte “Gaz”-i në shkollë e më merrte, më përshëndesin shokët e shoqet e shkollës, më dërgonin në Kinostudio, vazhdonin e përsërisnim xhirimet, më sillnin përsëri në shkollë, më merrnin prapë e kështu nja një javë kjo punë. Befas, pas një jave, vjen drejtori i Kinostudios, Todi Bozo, dhe i thotë regjisorit me atë zërin e tij karakteristik: “Oreee, ç’është ki mo, ki është më i madh sa ata, gjej ndonjë tjetër mo…”. Unë mbeta kështu i ngrirë. “Gjej ndonjë tjetër mo, ky është më i madh sa këta, sa Roland Trebicka, sa Dhimitër Pecani, kupton ti… Coli duhet të jetë i vogël mo Hysen”. Dhe kështu erdhi Hyseni e më përkëdheli, u prenë xhirimet në mes dhe më tha, ‘hëëë se do bisedojmë, përsëri do vij…’ dhe të nesërmen prita, por nuk erdhi më “Gaz”- i dhe në njëfarë mënyre u thye ëndrra. U thye vërtet, por kur më thirrën për herë të dytë u rizgjua përsëri dëshira për të interpretuar. Kishin kaluar kohë dhe sigurisht unë kisha marrë pjesë në këto grupet e Teatrit me shkollat, me Pallatin e Pionierit etj. Unë që në fëmijëri isha marrë me vizatime, piktura, bëja skulptura me baltë e vogëlsira të tjera si gjithë fëmijët në atë moshë.

Pra, kishit prirje për artin?

Po, kisha. Më kujtohet se në Kombinat ishte një inxhinier tekstili, por ai bënte piktura me bojëra vaji dhe unë i dilja nga mbrapa e komunikoja me të, se ai dinte pak shqip e më thoshte: “Mundohu të bësh vizatime kështu, se ke një stil”. Unë, edhe pse s’merrja vesh çfarë thoshte ai, mundohesha të vizatoja dhe e kisha me shumë pasion e dëshirë, pasi që i vogël, pra, para se të shkoja për kinoprova në Kinostudio, ëndrra ime ka qenë që të bëhesha piktor. Por rruga e jetës dredhoi dhe ai që u bë sebep është një regjisor, Mihallaq Baliu, i cili ka qenë në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore. Ai diçka pa tek unë, pasi kisha shkruar për herë të parë një tip parodie, rreth 10 rreshta. Duhet të ketë qenë viti 1959-’60, i ri isha dhe ajo ishte një parodi për fëmijë, ku unë trajtoja ato çapkënllëqet e fëmijëve, kur ne nuk shkonim në shkollë apo loznim me llastiqe. Dhe ky më nxiti të shkruaja, duke më inkurajuar, por krahas kësaj, unë vazhdova të merresha me karikatura dhe në vitin 1964 arrita të botoja karikaturën e parë te revista “Hosteni”. Ajo ishte një karikaturë si 30 a 40 të tjera që kisha bërë unë dhe shikoja njerëzit që blinim revistën “Hosteni” e kujtoja se ata e blinin për mua, edhe pse askujt s’i binte ndërmend për karikaturën time. Sidoqoftë, ishte një ngjarje e madhe për mua botimi i asaj karikature, që s’e harroj kurrë. Ajo ishte një karikaturë e vogël, por u bë shtysa kryesore që unë u mora për vite e vite me radhë te revista “Hosteni”.

Me sa dimë, që në moshë të re kur ju ishit në Pallatin e Pionierit, në shkollën 7-vjeçare, nuk merreshit me vizatime dhe karikatura, por me letërsi…

Po, po, me letërsi jam marrë, me drama, vetëm me dramën merreshim, por mendjen e kisha te piktura dhe gjithnjë thosha se do bëhesha piktor, edhe pse kisha pasion edhe letërsinë. Pra, ishte një dyzim si të thuash, që s’di ta përcaktoj, ndërmjet pikturës dhe letërsisë. Kjo ka qenë zanafilla e pasioneve të mia që më vonë erdhi dhe u konsolidua, duke u bërë si profesioni im në jetë. Kujtoj se në vitin 1961 apo ’62 ka qenë një regjisore ruse, e cila më dha një rol të Gjon Marka Gjonit, te drama e Loni Papës, “Tre të shtëna pushke”. Unë isha fare i ri, por më bënin makijazh, musteqe, flokë të thinjura, më vinin qeleshe etj.

Ku ju gjeti ajo dhe çfarë pa te ju?

Aty më gjeti, te grupi i teatrit dhe nuk e di se çfarë gjëje të veçantë pikasi tek unë që më angazhoi në atë dramë. Duhet pyetur ajo, por nuk është e shkreta. Aty u forcua ajo prirje për teatrin dhe mua më angazhuan në pjesë të tjera, pastaj erdhi komedia “Banorët e shkallës nr. 6” e Dionis Bubanit. Këto ishin fillimet e mia të para me artin, skenën dhe dramën në veçanti, pasi ajo e Pallatit të Pionierëve ishte si një shaka. Kështu fillova atëherë. Ishim kalamaj dhe ku të venim, shkonim në rrethin e teatrit, te piktura, nuk më pranuan si të paaftë. D.m.th., ngeca te Teatri, jo se kisha ndonjë dëshirë të madhe. Pra, karikatura e dëshira e madhe për skenën u përzije dhe unë anoja nga komedia.

Ju keni pasur fatin dhe rastin që të takonit ikonat e jetës kulturore e artistike shqiptare, që kur u përzgjodhët për kinoprovën te “Debatiku”, pra, aktorët më të mirë të asaj kohe…

Po, patjetër, vetëm se nuk na vinte njeri në pullë kur i thonë, e ne vetëm rrinim dhe shikonim. Më kujtohet kur Prokop Mima na jepte fjalën artistike dhe ne e shikonim kështu, pasi ai e bënte punën e vet me shumë pasion. Dhe erdhi një moment kur Prokopi, me atë të folurën e tij karakteristike (ka qenë një aktor i shkëlqyer ai dhe gjithë plejada e aktorëve të tjerë të asaj kohe), me atë timbrin e zërit të tij të veçantë, na thoshte: Duhet t’i jepni tingullin çdo germe, çdo fjale, duhet ta marrë vesh edhe spektatori që është në fund të sallës. Dhe ne rrinim kështu dhe e dëgjonim me vëmendje. P.sh., kur thoshte: “Karikaturisti karikaturoi një karikaturë karakteristike”, dhe ne duhet ta thoshim të gjithë fjalinë, duke i ndarë fjalët në rrokje. Si i thoshim disa nga ne, edhe duke qeshur dhe na mbetën në mendje ato fjalë e i përsërisnim me njëri-tjetrin, por ai ishte një aktor i madh i papërsëritshëm.

A kishit një aktor të preferuar në atë kohë që të mendonit sikur unë të bëhem si ky?

Aktori që ne ëndërronim ka qenë Mario Ashiku, që ne e kishim idhull që kur e pamë për herë të pare te filmi “Furtuna” në rolin e Arbenit. Ai ishte një aktor i madh dhe gjithashtu një burrë simpatik dhe ia kam thënë Marios më vonë që ne të shikonim gjithë adhurim e simpati.

Ju keni kaluar një pjesë të mirë të jetës suaj në Kombinat, keni bërë shkollën e mesme aty, keni punuar atje, por me sa kemi mësuar, që i vogël ju shkonit në kinema “17 Nëntori”, si e kujtoni atë kohë?

Po, po, në Kombinat, atje kam qenë. Ehhh, kinema “17 Nëntori”, se im atë, ka qenë kino-operator atje dhe aty vinin edhe aktorët e Teatrit, se ajo ka qenë e vetmja kinema në atë kohë, e bashkë me kinema “Donika” e “Partizani”, ishin të vetmet se tri kinema kanë qenë në atë kohë. Sigurisht, aty vinin aktorët e njohur në atë kohë, ku unë, siç thoshte ime më, më kanë marrë që një vjeç, dy vjeç, pasi babai, përveçse ishte kino-operator aty, ka qenë kino-operatori i parë në Kinemanë e Kuçovës, se unë atje kam lindur, në Kuçovë. Im atë ishte kino-operatori i parë aty dhe kishte shkuar edhe në Itali për të mësuar për atë profesion, por kishte mësuar edhe për këto makinat e akulloreve dhe e thërrisnin gjithandej tim atë për këto punë. Do flas pak për tim atë, pasi më kanë mbetur në mendje fjalët e tij kur unë isha fëmijë dhe ai tregonte, siç i mbesin çdo fëmije në mendje ca gjëra, që bëhen shkak për një ngjarje jo të mirë në familje. Ne në Kombinat na kishin çuar me dënim, pasi babai, kur kishte ardhur në Tiranë, ngaqë merrej me telefona (pasi i vinte dorësh për shumë gjëra), i kishte bërë një lidhje telefonike direkte Tuk Jakovës me Bedri Spahiun, kur këta ishin anëtarë të Byrosë Politike dhe me funksione të larta pas Enver Hoxhës. Por pasi u dënuan këta dhe dolën si armiq të popullit, ashtu si shumë të tjerë, pyetën: po kush ua ka bërë këtë? ‘Thanas Devole’, thanë. “Hiqeni menjëherë”, u dha urdhër dhe babanë e hoqën nga kinema “17 Nëntori” dhe ne na çuan në Kombinat. Mua më kanë mbetur në mendje këto gjëra që ndodhën me babanë, pasi nuk arrija ta konceptoja dot atë gjë.

Po prindërit, mamaja me babanë, a e diskutonin atë gjë në familje, pra, dënimin e babait?

Jo, nuk e diskutonin kurrë, por ky ka qenë realiteti dhe unë nuk dua të ndalem gjatë në këtë ngjarje që i solli jo pak peripeci familjes sonë, pasi kështu e solli jeta, me trishtime e probleme të tjera dhe si ne ka pasur me dhjetëra familje që kanë vuajtur.

Por, të qëndrojmë pak këtu te ngjarja me babanë tuaj, që përfundoi i dënuar në Kombinat…

Po aty përfundoi, por ngaqë ishte e zoti dhe ia kishin nevojën, u detyruan dhe e bënë prapë shef reparti, por tashmë në një profesion tjetër. Aq i zoti ishte, saqë edhe vetë ata specialistët dhe inxhinierët sovjetikë që ishin aty në Kombinat e pyesnin dhe konsultoheshin me të për probleme të ndryshme pune. Sepse, siç ju thashë, ai kishte qenë një vit në Itali, në 1939-ën apo në ’40-ën, diçka e tillë, dhe kishte mësuar shumë atje nga këto profesionet.

Po ju personalisht, çfarë kujtimesh keni nga Kombinati, pasi aty keni kaluar jo pak vite, p.sh. nga gjimnazi çfarë kujtoni?

Nga Kombinati unë kam plot kujtime dhe nga gjimnazi gjithashtu, por që nga viti 1964 që kam mbaruar maturën, kanë kaluar kaq vite, por sigurisht i mbaj mend shokët e klasës e shumë prej tyre, si p.sh. disa që u bënë mjekë më vonë, si Drita Llaha (Hana) apo Bedrie Bezhani etj. Dhe nga e gjithë klasa që ishim ne atëherë, vetëm unë devijova dhe dola kështu, zdroms, si i thonë.

Devijuat?!

Po, devijova se të gjithë dolën mjekë apo inxhinierë, kurse unë, në fakt, për Inxhinieri vazhdova në fillim.

Aty do ndalemi, pra, kur ishit në gjimnaz dhe mbaruat maturën, a kishit ëndrra se çfarë do bëheshit, pra, për çfarë kishit dëshirë të studionit?

Ëndrra ime ishte që të bëhesha piktor dhe kisha kërkuar që të vazhdoja Liceun Artistik, por nuk më pranuan se më pengonte biografia dhe këtë gjë e kam marrë vesh shumë vonë. Një xhaxha i babit tim kishte ikur në 1939-ën në Amerikë. Dhe ai regjim thoshte se xhaxhai nuk ka ikur në ’39-ën, por në ’49-ën. Tani, kjo e ’49-ës, quhej i arratisur politik dhe me këtë, ata më thoshin ‘kij kujdes tani’. Këtë e kam kuptuar vonë, pasi kur shkova për të konkurruar në Teatër, Instituti i Lartë i Arteve ishte atëhere, mendova se dola mirë, por nuk ma dhanë të drejtën, se, siç dukej, ishte puna e këtij xhaxhait që ma bënë të arratisur në ’49-ën. Se nuk kishte arsye tjetër, pasi sa herë konkurroja, që në Lice e më pas, më thoshin, ‘mirë, shumë mirë’, por asnjëherë nuk fitoja. Vetëm në Inxhinieri Mekanike që më doli, pasi kisha shkëlqyer në Vizatimin Teknik dhe nuk e di se si më doli e qysh më doli, por Vizatimin Teknik e kisha 10 me notat që u dyfishuan në atë kohë, pasi nota më e lartë deri atëherë ishte pesa. Unë e kisha qejf Vizatimin Teknik dhe më doli Inxhinieri Mekanike, ku qëndrova dy vjet, pasi nuk ma fshinë emrin si herët e tjera. Unë nuk e kisha me qejf atë degë dhe ato dy vjet kam qëndruar aty vetëm për hatër të një shoku tim indonezian (kishte plot atëherë të huaj nëpër fakultete) që vinte përditë e më merrte dhe më jepte ndonjë kafe. E gjithë puna ishte se ai gati-gati më adhuronte, sepse unë i bëja ndonjë pikturë portretin e tij ose karikaturë e ai kënaqej me këto, e s’më ndahej, por as unë s’i ndahesha (qesh).

Po ju ku shkuat pasi ikët nga Inxhinieria?

Pasi ika nga Inxhinieria Mekanike, më morën ushtar për mbrojtjen e atdheut dhe më caktuan në Tiranë, në Estradën e Ushtarit, ku isha bashkë me Roland Trebickën, shokun tim të fëmijërisë.

Po kush ju mori në Estradën e Ushtarit, si e rregulluat?

Po kishim nga pak talent thoshin, kështu na mori aty Viktor Gjoka me Thanas Gjokën dhe na çuan në Gardën e Republikës. I thamë ne po ç’do bëjmë aty’, “Do bëjmë teatër” tha Rolandi. Ishim të veshur me uniformë me armatime, me kokë të qethur, ushtar tamam. Aty filluam pastaj të merreshim me teatër se na takoi regjisori Viktor Gjoka dhe na tha nesër do vini te Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, ku filluam provat menjëherë me Estradën e Ushtarit. Duhet të ketë qenë nëntori i 1966-ës apo ’67-ës diçka e tillë, se me këto vitet ju thashë se nuk jam shumë i saktë. Nga aty kemi shkuar atëherë në Vërzhezhë të Skraparit, ku ishte ai “trimi pa sy” që tha shoku Enver Hoxha, kemi dhënë shfaqje atje në majë të malit me dëborë.

Po paskeni qenë me këmbë të mbarë?

Po, po, me këmbë të mbarë, atje në majë të malit ku u bë dhe një stërvitje e madhe ushtarake dhe në përfundim të saj i dhanë edhe atij Fuat Çelës një…

Një dekoratë?

Jo, jo, ç’dekoratë, i dhanë një automatik, kështu kallash, ia dhanë aty dhe ai i shkreti qau nga gëzimi, se nuk e priste si duket. Ia dha ai Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, dhe ai nuk shikonte, por kur ia lanë në dorë, ai i shkreti gjithë gëzim tha: “Këtë armë që ma dha Partia, do ta ruaj si sytë e ballit”, e në atë moment, shefi i ra me bërryl (se ai nuk shihte, sytë thoshin se ia kishte dëmtuar një granatë, por nejse) dhe ato fjalë ai i tha nja tri herë dhe po kaq bërryla hëngri i shkreti nga ai oficeri që ishte ngjitur me të. Por pastaj si duket e kuptoi dhe herën e katërt tha: Këtë automatik që ma dha Partia, do ta ruaj në zemër si sytë e ballit, e kështu…!

Qeshnit ju…?

Për të qeshur ishte, po kujt ia mbante të qeshte, ishin gjëra me zarar këto dhe nuk bëhej shaka kollaj me ato që thoshte Partia, sesi “ai ishte trim pa sy” dhe me “Kallash” etj./Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular