Nga ‘SCAN INTELLIGENCE UNIT’
Shtetet më “të nxehta”
“Scan Intelligence Unit” ka analizuar të dhënat e EUROSTAT dhe ato të INSTAT, për të bërë një krahasim mes vendeve të Kontinentit “të Vjetër” dhe Shqipërisë. Duke qenë se EUROSTAT analizon të dhënat e vitit 2018, edhe për Shqipërinë, do të marrim si referencë të njëjtin vit. Vendi me numrin më të lartë të fataliteteve në Europë është Rumania, e cila raporton 96 jetë të humbura për 1 milionë banorë në 2018-ën, si pasojë e aksidenteve rrugore. Shtetet pasuese janë Bullgaria (87), Turqia (79), Kroacia (78) dhe Letonia (77). Por si klasifikohet Shqipëria në këtë renditje “famëkeqe”? Fatkeqësisht, vendi ynë, mban pozicionin e 6-të, për numrin më të madh të jetëve të humbura në aksidente rrugore, për 1 milionë banorë, saktësisht 76 të tilla, në 2018-ën.
Vdekjet nga aksidentet në Europë
Në të gjithë kontinentin e Europës, gjatë 2018-s raportohen më shumë se 32 mijë shtetas në total, që kanë humbur jetën në rrugë. Scan Intelligence Unit ka ndërtuar një hartë të Europës, pjesë e së cilës është edhe vendi ynë, ku reflektohen shtetet e Kontinentit “të Vjetër” sipas numrin të fataliteteve nga aksidentet rrugore për 1 milionë banorë.
Vendet me më pak viktima
Vendin e parë për numrin më të ulët të viktimave nga aksidentet, e zë Norvegjia. Vendi nordik raporton 20 jetë të humbura, për 1 milionë banorë në 2018-ën. Shtete të ngjashme më të, janë edhe Zvicra, Anglia, Irlanda, Danimarka, Suedia, Malta, Spanja, Hollanda dhe Gjermania. Numri i jetëve të humbura, si pasojë aksidenteve rrugore në këto shtete, nuk i kalon 39 viktima për 1 milionë banorë.
Por si ka lëvizur ndër vite trajektorja e fataliteteve në rrugë në vendin tonë?
Shifrat tregojnë se, përgjithësisht numri i viktimave ka pasur trend në ulje përgjatë viteve të fundit. Përjashtim nga ky trend bën viti 2019, i cili në krahasim me vitet e mëparshme, ka shënuar numër në rritje të jetëve të humbura. Numri më i lartë i raportuar nga INSTAT është në vitin 2016, ku janë shënuar 269 viktima dhe numri më i ulët është shënuar gjatë 2018, me 213 viktima. Viti 2019 e ka ndryshuar kurbën e trendit të jetëve të humbura, duke shënuar 227 fatalitete.