BallinaPolitikeDokumenti: Si i fshehu qeveria shqiptare viktimat e koronavirusit

Dokumenti: Si i fshehu qeveria shqiptare viktimat e koronavirusit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh mbrëmë në “Opinion”, se qeveria fsheh numrin real të viktimave të koronavirusit. Kreu i Opozitës nxori fletoret e morgut, dhe i bëri thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin pasi kemi të bëjmë me një krim të rëndë. Ndërkohë, paralelisht në studion e “Real Story”, Kryeministri tha se nuk i nxjerr ai shifrat dhe se në këto kohë faktet duhet të luftojnë shumë të mbijetojnë përballë shpifjeve

Kryetari i opozitës Lulzim Basha, tha dje në emisionin “Opinion” se qeveria ka fshehur numrin e viktimave që sipas tij rezulton gati 2 herë më i lartë se ai që raportohet nga institucionet. Basha kishte me vete në emision dhe listën e emrave, të cilat sipas tij kanë ardhur nga morgu ku janë raportuar si vdekje nga COVID-19. Nga ana e tij kreu i opozitës i bëri thirrje prokurorisë që të fillojë menjëherë hetimet në lidhje me këtë çështje.

“Qeveria ka fshehur vdekjet në morgun e Tiranës. Kjo është e vërtetuar nga njerëz me emër me mbiemër, që janë konfirmuar nga morgu. Unë po i bëj thirrje prokurorisë të shkojë në këtë moment në morg dhe të marrë evidencat e plota, dhe të vërtetojë këtë që po them. Kjo që keni përpara, ka ardhur nga një denoncim që është verifikuar me vdekjet e raportuara dhe vdekjet e vërtetuara në morgun e Tiranës. Vetëm në spitalet Covid, jo atyre që kanë vdekur në shtëpi. Ne disponojmë edhe emrat e viktimave. Ndërkohë që në këtë moment unë kam qindra mesazhe denoncuese nga të afërm të viktimave, këto nuk janë thjesht numra por janë jetë njerëzish”, tha Basha.

Shifrat

Sipas dokumentacionit që paraqiti kreu i opozitës, deri në tetor janë raportuar 509 viktima, ndërkohë që në dokumentat e tij rezulton se kjo shifër, është 923 viktima. Një tjetër manipulim sipas tij po bëhet dhe për muajin nëntor ku numri i viktimave i raportuar nga qeveria është 128 por në realitet sipas tij janë 315.

Në total që nga fillimi i pandemisë sipas asaj që paraqiti Basha deri më 17 nëntor të këtij viti kanë vdekur 1238 persona, ndërsa janë raportuar rreth 601 viktima nga ana e institucioneve përgjegjëse. Pra, më shumë se 50% e shifrave sipas asaj që denoncoi Basha, janë fshehur duke paralajmëruar se jemi përpara një prej skandaleve më të mëdha që kanë ndodhur ndonjëherë. Basha u shpreh se institucionet e drejtësisë duhet të fillojnë menjëherë hetimet.

Drejtori i Mjekësisë Ligjore që u fut në lidhje direkte u shpreh se ky institucion ka varësi të dyfishtë nga QSUT dhe Ministria e Drejtësisë dhe institucioni që ai drejton është përgjegjës vetëm për të bërë ekzaminimet e vdekjeve, duke lënë të kuptohet se shifrat janë kompetencë e institucioneve të tjera.

Rama

Në përgjigjen e tij rreth kësaj çështjeje, kryeministri Rama ka preferuar të bëjë më shumë politikë se të japë një përgjigje të qartë rreth vërtetësisë së asaj që tha kreu i opozitës. Rama u shpreh se këto janë shpifje, dhe se shifrat nuk i nxjerr qeveria, por pa harruar t’i kujtojë opozitës humbjen që ka pësuar në zgjedhje.

“Çfarë mund t’i përgjigjesh tani?! D.m.th është pjesë e asaj që thashë, panik, konfuzion, shqetësim, katastrofë. Qeveria nuk deklaron asgjë. Numri i fataliteteve është një numër që pasqyrohet çdo ditë në bazë të kritereve që janë të lidhura me një element të thjeshtë: Të sëmurët nga Covid. Të tjerat janë spekulime, s’kanë asnjë bazë dhe hyn në atë të përditshmen: Shpif, shpif se diçka do mbetet, kall dëshpërim te njerëzit se diçka do ndezë, ajo që përpiqen këta të ndezin, është se duhet të kuptojnë që pse kanë humbur që nga dita e parë”./MAPO

ImageImage

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular