BallinaKultureDy botime të vyera të studiuesit dhe politologut Safet Kryemadhi

Dy botime të vyera të studiuesit dhe politologut Safet Kryemadhi

Nga Flori Slatina

Safet Kryemadhi nuk është një emër i panjohur për lexuesin shqiptar. Pas një sërë studimesh të rëndësishme në dhjetëvjeçarin e fundit, Safet Kryemadhi rikthehet me dy botime mjaft të çmuara, më aktuale se kurrë, “La Maladie universelle” (Sëmundja botërore), një antologji e epidemive botërore, si dhe libri tjetër, “Contes et legendes du pays des aigles (Përralla e legjenda nga vendi i shqiponjave”, si vijim një vëllimi tjetër, botuar në vitin 2015. Këta dy libra vijnë në prag të Festave në Nëntorit, në gjuhën frënge, si botim i shtëpisë botuese “”Ovadia”.

Për lexuesin tonë le ta nisim, fillimisht, nga autori, z. Safet Kryemadhi. Nuk ka vit që Safeti, një personalitet i kulturës dhe letrave pranë diasporës shqiptare në Bruksel, të mos vijë në vendlindjen e të parëve të tij. Ai është biri i një emigranti politik, antikomunist, Bajram Kryemadhit, nga Lëpusha e Librazhdit sot, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1953, së bashku me Dervish Bojkën (për të cilin kam shkruar edhe monografinë “Arratisje drejt lirisë” (2009) dhe që emigroi në Belgjikë në gusht 1956. Si të gjithë bijtë e bijat e emigrantëve politikë shqiptarë, edhe Safeti u rrit dhe u edukua me dashurinë për atdheun e të parëve të tij, dashuri që e ushqeu gjithë jetës e që po e bën më së miri edhe sot me fëmijët e tij.

Pas vitit 1991, Safeti e rigjeti vendlindjen e babait, madje shumë më shumë se aq. Aty gjeti dashurinë e jetës së tij, Anidën, me të cilën sot ka dy vajza të mrekullueshme, Adele dhe Marie. Të gjithë së bashku, të paktën deri para pandemisë, ata vijnë dy apo tre herë në vit në Mokër e në Shqipëri.  Gjatë këtyre ardhjeve, Safeti rizbuloi edhe ato përrallat apo rrëfimet e dëgjuara e lexuara rastësisht në fëmijërinë e tij. Një krijuesi e artisti nuk i shpëton  rasti dhe Safeti e çoi më tej jo vetëm kuriozitetin e fëmijërisë, por si Gjon Buzuku, dikur, kur pa se gjuha shqipe nuk kishte germat e saj, vendosi t’i shkruani shqip apo pak fjali të mesharit të tij, edhe Safeti i hulumtoi, i mblodhi, i përgatiti, ritregoi dhe rishkroi pastër e bukur në frëngjisht, jo vetëm për lexuesin perëndimor, por për gjithë atë armatë të madhe shqiptarësh që sot jetojnë në Belgjikë e vendet frankofone. Një sukses dhe një pritje shumë e mirë. Lexuesit e parë ishin vajzat e tij. Tashmë këto rrëfime, përralla apo legjenda e kishin fituar pasaportën dhe nuk mbetej gjë tjetër veçse nga ky thesar i artë i provës popullore shqiptare Safeti të gërmonte e të nxirrte më në pah personazhe të çuditshëm, ngjarje fantastike, mesazhe që vijnë të mrekullueshme nga vendi i shqiponjave dhe rishkruar mjeshtërisht nga Safeti. Libri “Contes et legendes du pays des aigles (Përralla e legjenda nga vendi i shqiponjave” është plotësim i librit të parë “Légendes, fables & contes albanais” (2015), dhe njëherësh një përmbledhje më e plotë, fantastike dhe shkruar e treguar bukur në frëngjisht.

***

Paralelisht me këtë punim të veçantë, puna për të cilin ka nisur pesë vjet më parë, sapo ka përfunduar botimi i vëllimit të parë, pasi, siç ndodh shpesh, kur boton një vepër shikon se dalin ende gjëra që nuk ke pasur mundësi objektive t’i vendosësh apo t’i gjesh, politologu Safet Kryemadhi, i kryqëzuar si e gjithë bota nga pandemia e rrezikshme dhe fatale e Covid-19, zbuloi se kërcënime të tilla, bota ka njohur edhe më herët. Covid-19, Sars, Gripi Spanjoll 100 vjet më parë, apo epidemi të tmerrshme shekuj më parë janë pjesë e librit të dytë që i paraqet lexuesit francez. I mbështetur në të dhëna të sakta, studime më të hershme mbi pandemitë dhe katastrofat njerëzore në shekuj, Safeti hartoi këtë antologji pandemike, si një përpjekje për të qetësuar dhe për të sensibilizuar opinion publik, me mesazhin e qartë se “njerëzimi ka qenë gjithmonë i rrezikuar, madje shpesh herë ekzistenca e tij ka qenë edhe në fije të perit, por asnjëherë ai nuk e humbi besimin tek e nesërmja”.

***

Safet Kryemadhi, këshilltar pranë kryebashkiakut të Brukselit, z. Philippe Close, është autor i një sërë veprash si studimore, letrare e perkthimesh, si: “Balades littéraires en Albanie” (2013), “Le voyage en Albanie” (2013), “Légendes, fables & contes albanais” (2015), “Traces de Faik Konitza” (2017), “Kardiki” (2017), “Contes et légendes du pays des aigles” (2020), “La Maladie universelle”. Emri i  Safet Kryemadhit është i lidhur edhe me dhjetëra veprimtari artistike, kulturore e sociale në Bruksel e më gjerë, pranë komunitetit shqiptar e jo vetëm, si një katalizator i fuqishëm i botës dhe çështjes shqiptare, si një “ambasador” i shkëlqyer i vendit tonë në Bruksel!

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular