BallinaOP EDSi fillon e si mbaron, voton për ndryshim, del Erion

Si fillon e si mbaron, voton për ndryshim, del Erion

Nga Belind Kelliçi
Kreu i FRPD

Peza ka qenë rezidenca e Ramës në kohën kur, si kryebashkiak, e mbushi Tiranën me pallate kuturu, ca jeshilë e ca çiklaminë, pa respektuar asnjë distancë, plan urbanistik e hapësirë rrethuese.
I vetëdijshëm se betonizimi i Tiranës po sillte ndotje e kaos, kryebashkiaku i atëhershëm Rama zgjodhi gjelbërimin e Pezës për arsyen e thjeshtë se në Tiranë mungonte. I vetmi kryebashkiak, rast unikal, që nuk banoi në qytetin që e zgjodhi në krye.
Betonin për ju, gjelbërimin për vete.
Me urdhër të Sekretarit të I-rë të PPP-artisë, shokut Edi, Peza bëhet nuse një herë në vit. Festa e shtatorit rishfaq pionerët e rinj shallekuq të Enverit, ku me qofte tymi e arka birrash, i këndohet epopesë së lavdishme të tollonit, furnelave të vajgurit dhe radhëve të qumështit. Festohet tejkalimi i rendimentit në konçensione dhe realizimi i pllanit 4-vjeçar që e rendit Shqipërinë krahas Nigerisë, Republikës Domenikane dhe Sirisë, në “dëshirën dëshpërimisht të madhe për të emigruar”. Arritje këto që Bashkimi Europian refuzon t’i shohë përderisa negociatat me Shqipërinë ende nuk janë hapur.
Tradita vazhdon me kryebashkiakun aktual Veliaj.
Shoku Eri, që dje organizonte protesta kundër qeverisë socialiste Nano, sot shfaqet ultra-socialist. Ai që në vitin 2009, me partiçkën e tij G-99 kërkonte votën e të rinjve, se sipas tij “socialistët ishin shumë demode”, sot është më socialist se Lenini.
Erioni që akuzonte politikën e vjetër për lidership arkaik, me t’iu dhënë mundësia, e vendosi veten në krye të listave të G-99 në të 12 qarqet e vendit, pa respektuar asnjë normë demokratike të konkurimit brenda-partiak. Kaq i dashur ishte Veliaj për shqiptarët sa që mori veçse 0,6% të votave në rang kombëtar.
I bindur se me siglën “Erion Veliaj” nuk hynte as në oborrin e parlamentit, Veliaj mendoi t’i bashkohej PS-së, duke ndjekur të njëjtat makinacione makiaveliste si sponsori i tij politik Rama, që hynte e dilte nga selia e PS-së si “i pavarur”.
Gdhihu Mjaftist, ngrysu Socialist.
Për dyfytyrëshin Veliaj, Peza është “rroftë sebepi” që socialistët të shohin tek ai udhëheqësin e ri të partisë. I vetëdijshëm për rrotacionin e 25 prillit, Veliaj i ka vendosur energjitë e tij në luftën e brendshme për të zëvendësuar Edi Ramën. Të dy shfaqen përkrah njëri-tjetrit, qeshin e përqafohen, porsi byroistët e djeshëm kur Shqipëria kishte marrë tatëpjetën.
Ndërkaq Veliaj vijon të shtojë radhët e rrogëtarëve fiktivë në Bashkinë Tiranë, i dijshëm se bashkia do të mbetet kështjella e tij edhe pas kalimit të PS-së në opozitë më 25 prill. Do të mjaftonte vetëm një javë pa rrjete sociale dhe filmime 3D, që makineria e propagandës Veliaj të shkërmoqej njëherë e përgjithmonë.
Ndërkohë që Shqipëria lufton me Covid-19, Veliaj evokon ndjenjat revolucionare të pseudo-veteranëve që, edhe pse të lindur pas lufte, vazhdojnë të përfitojnë para nga taksa-paguesit, falë statusit të veteranit.
Me morgun plot, borxhin në majë, dhe numrin e testimeve më të ulët në Europë, vendi ynë po prek fundin. 25 prilli është një mundësi e artë për të ngritur Shqipërinë dhe për të dënuar betono-maninë.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular