BallinaEkonomiFlet Rrahman Kasa, Kreu i Unionit Turistik Shqiptar: Janë nënshkruar kontratat për...

Flet Rrahman Kasa, Kreu i Unionit Turistik Shqiptar: Janë nënshkruar kontratat për 2021, por me kusht rishikimi në mars

Agjencitë e huaja, pavarësisht situatës së COVID-19, nuk kanë nguruar që të hyjnë në negociata edhe këtë vit me tur-operatorët shqiptar, për të bërë rezervime për verën 2021. Sigurisht, kontratat janë modifikuar disi dhe është rënë dakord që deri në mars të ketë një rezervim paraprak.

Pas kësaj, nëse çdo gjë do të jetë në rregull, pa COVID-19 si shqetësim, ato do të kalojnë si kontrata me garanci, duke bërë automatikisht edhe pagesat. Rezervimet aktuale janë në të njëjtin nivel të vitit 2019, gjë që premton rikuperim të shpejtë të turizmit nëse pandemia zbehet si risk.

Çdo vit në shtator ka një lloj diskutimi me agjencitë e huaja për kontratat e sezonit të ardhshëm. Në kushtet e pandemisë, a është ndjekur kjo praktikë negocimi edhe këtë vit?

Kontratat janë bërë me garanci dhe premtuese për vitin 2021. Janë në të njëjtat shifra në vitin 2019. Operatorët që kanë qenë të pranishëm në verë si polakët i bënë dhe negociatat.

Për shkak të pasigurisë dhe paqartësisë që ka pandemia, është kërkuar nga agjencitë e huaja që tani të bëhet rezervimi i dhomave me kontratë, por në mars të rishihet edhe një herë kjo pjesë.

Nëse pandemia nuk do të jetë më një faktor shqetësues, këto kontrata do të kalojnë automatikisht në formën e garancisë dhe do të bëhen edhe pagesat. Nëse situata do të ketë kufizime, atëherë hyn në fuqi forca madhore dhe ato mbeten të ngrira.

Pra në mars do të bëhet rikonfirmimi për këtë pjesë. Në njëfarë mënyre, të gjithë kanë të drejtë pasi edhe klientët nuk blejnë paketa në kushte të tilla. Ne e testuam këtë vit dhe për shembull ne kishim 5 chartera në javë nga polakët, kurse një vit më parë kishim 22 të tillë. Patëm një muaj e gjysmë sezon se më pas e mbylli qeveria polake daljen drejt Shqipërisë. Vitin tjetër, mendoj se nëse situata do të përmirësohet, do të respektohen të gjitha kontratat.

Si e vlerësoni sezonin veror po të kemi parasysh pandeminë dhe mungesën e turistëve të huaj, ndër të tjera edhe nordikët, një grup i rëndësishëm në pjesën e turizmit të organizuar?

Këtë vit, nordikët nuk erdhën për shkak të kufizimeve. Për vitin tjetër janë të mbyllura kontratat, por gjithçka mbetet për t’u parë. Ne të turizmit, nuk e quajmë fare si sezon këtë që lamë pas, sepse ishte i vështirë dhe me tentativa për t’u mbajtur në këmbë. Sikurse e kam thënë dhe më parë, ndihma e madhe na u dha nga Kosova, pasi nëse do të llogarisnim vetëm të huajt që vinin si turizëm i organizuar, shifra e tyre ishte e papërfillshme. Turizmi i organizuar ishte sa 10% e shifrës së vitit të shkuar ndoshta dhe më pak.

Po për hotelet, mendoni se është siguruar një lloj mbijetese me këtë sezon dhe si paraqitet situata, duke qenë se koha ka qenë e mirë deri në tetor?

Shumica e hoteleve janë mbyllur, pasi me fundin e shtatorit nuk kishte më punë. Patëm fat që koha ishte e mirë dhe shumica qëndruan të hapur, por tani kanë mbetur vetëm hotelet e mëdhenj, që frekuentohen në fundjavë, ose për konferenca. Një pjesë e mirë e subjekteve operojnë me NIPT-e sezonale pra i mbajnë aktivë vetëm gjatë verës, që të mos detyrohen të paguajnë taksa gjithë vitin.

Një pjesë që e mbajnë hapur është familja, ajo që angazhohet dhe qëndron në punë. Mendoj se na pret një dimër i vështirë dhe qeveria duhet të solidarizohet duke ndihmuar sektorin, për ta mbajtur në këmbë. Kjo është diçka që e kanë bërë të gjithë vendet e rajonit, duke llogaritur peshën që ka turizmi si sektor në ekonomi dhe kontributi që jep në formë direkte dhe indirekte.

Thatë që një kontribut të rëndësishëm ka dhënë Kosova në mbijetesën e sektorit. A mendoni se duhet të ketë një bashkëpunim më konkret dhe serioz mes dy vendeve për të mbështetur njëri-tjetrin?

Po Kosova dha një kontribut të jashtëzakonshëm po të kemi parasysh pandeminë. Ne duam që në dimër t’ia kthejmë sadopak këtë borxh, duke orientuar shqiptarët që udhëtojnë drejt hoteleve dhe turizmit të borës në Kosovë dhe Maqedoni. Ne nuk kemi shumë mundësi për turizmin dimëror. Janë pak destinacione dhe nuk ka resorte dimërore, apo infrastrukturë me pista e ski dhe kjo na penalizon.

Këtë vit, pati disa grupe të huajsh, edhe pse në shifra të ulëta në bregdetin shqiptar. Cila ka qenë përshtypja nga agjencitë lidhur me shërbimin dhe masat në kuadër të pandemisë?

Këtë vit ka pasur një grup nga Bjellorusia, Ukraina dhe Polonia që na kanë vizituar. Dy grupet e para erdhën pasi kishin kufizime dhe nuk vizitonin dot vende të tjera, pasi kishin numër të lartë të infektuarish. Nga Ukraina, sidomos, ka pasur fluturime të ngjeshura. Për fat të mirë, gjatë këtij sezoni nuk u infektua asnjë nga pushuesit dhe agjencitë e huaja e kanë përçuar si një shembull pozitiv që, ndoshta, do të ndikojë edhe për vitin tjetër, nëse do të kemi një situatë pozitive. Le të shpresojmë që jo. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular