BallinaIntervistaBesmir Kodra: Drejtësia të ndëshkojë fajtorët e gjobave të Arbitrazhit

Besmir Kodra: Drejtësia të ndëshkojë fajtorët e gjobave të Arbitrazhit

Intervistë me Besmir Kodra, përfaqësues i përmbaruesve privatë: Fakti që Strasburgu shpalli fajtore Shqipërinë, në Tiranë zyrtarët përgjegjës duhet të shkojnë në burg, pse shteti ynë nuk i respekton kontratat, për të cilat Arbitrazhi jep gjoba disa qindra mln euro, duke prishur edhe imazhin e Shqipërisë. Ka mungesë të plotë transparence me proceset e arbitrazhit dhe dyshime për bashkëpunim korruptiv të Avokatisë së Shtetit  me zyra avokatie të huaja, të cilat paguhen edhe 1-2 apo me shumë mln euro.

Skandali më i rëndë është që Avokatura e Shtetit i merr këto vendime, ia çon Ministrisë së Financave për ekzekutim  dhe nuk ka informuar kurrë nëse i ka çuar ndonjëherë në prokurori?!

Drejtësia shqiptare të dënojë penalisht zyrtarët-përgjegjës të humbjeve kolosale të shtetit nga gjobat e Arbitrazhit

 Gazeta Telegraf

 Besmir Kodra,  Sekretar i Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë  në intervistën për gazetën “Telegraf”, bën me dije se përmbaruesit austriakë, por edhe kolegë në shtete të tjera, kanë filluar të ekzekutojnë vendimin e Arbitrazhit kundër Shqipërisë për të sekuestruar pasuri të Shqipërisë, për shkak se qeveria nuk zbaton vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare. Zoti Kodra, pohon, se përveçse dëmit material,  i gjithë ky kalvar, që sapo ka nisur me përmbarues dhe sekuestro në vende të ndryshme, përveçse rrit shpenzimet e shtetit shqiptar me tarifa përmbarimi dhe me kosto të tjera administrative, dëmton dhe reputacionin e shtetit shqiptar, duke u bërë simbol i një shteti që nuk njeh dhe zbaton vendimet e gjykatave. Zoti Kodra, arsyeton, se në mungesë të transparencës nga qeveria, nuk përjashton mundësinë, që “Ndër vite janë ngritur dyshime të qenësishme për bashkëpunim të natyrës korruptive të Avokatisë së Shtetit  me këto zyra avokatie të huaja, që marrin pagesa edhe nga 1-2 apo më shumë milionë euro. Zoti Kodra kritikon edhe Avokatinë e Shtetit për paaftësi profesionale, e cila mban përgjegjësi që çështje të tilla humben kaq lehtë në Arbitrazh, madje hedh edhe dyshime për bashkëpunime korruptive të Avokatisë së Shtetit me zyra avokatie të huaja, por që gjithmonë kanë një përfaqësues shqiptar, e këto zyra avokatie, ndonëse gjyqet në Arbitrazh humben kaq lehtë, shpërblehen me miliona euro nga shteti shqiptar. Së fundi, zoti Kodra, pohon se drejtësia shqiptare duhet të ngarkojë me përgjegjësi materiale dhe penale zyrtarët përgjegjës, që janë shkaktarët e gjobave të  çështjeve që gjykon Arbitrazhi ndaj Shqipërisë.

-Zoti Kodra, Gjykata e Arbitrazhit ka marrë disa vendime në dëm të shtetit shqiptar, i cili deri tani nuk i ka ekzekutuar ato vendime. Aktualisht ka filluar procesi i sekuestrimit të pasurive të shtetit shqiptar në shtetin e Austrisë. Si fillon ky proces sekuestrimi?

 – Ekzekutimi i Vendimeve të Gjykatës së Arbitrazhit është i mbështetur në Konventën e Kombeve të Bashkuara “Për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të huaja të arbitrazhit” në New York, në 10 Qershor 1958, të cilën Republika e Shqipërisë e ka ratifikuar me anë të ligjit nr. 8688, datë 09.11.2000, gjithashtu në këtë Konventë ka aderuar edhe Austria. Në zbatim të kësaj konvente, vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit, është vendim i cili duhet të njihet nga gjykatat kompetente në vendet, ku do të ekzekutohet.

Për sa i përket rastit konkret, me aq sa jemi vënë në dijeni nga media, pala gjyqfituese/kreditore që është shoqëria “Hydro” S.r.l. që përfaqësohet nga shtetasi italian Francesco Becetti, i është drejtuar gjykatës kompetente në Austri dhe kjo e fundit në datë 10 nëntor 2020, ka njohur vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, për të cilin ka lëshuar dhe Urdhërin e Ekzekutimit përkatës. Pas kësaj vendimmarrje, kreditori, shoqëria “Hydro” S.r.l. i është drejtuar Përmbaruesit Gjyqësor në Austri për ekzekutimin e këtij vendimi, i cili ka vijuar me procedurat e ekzekutimit të vendimit.

Thuhet se po vihen sekuestro në llogaritë kur Shqipëria merr pagesat e koncesionit nga shoqëri që kanë investuar në Shqipëri. Le të imagjinojmë çfarë dëmi kolosal është ky.

Gjithashtu kreditori është duke vijuar të njëjtën rrugë ligjore në disa shtetet të tjera, ku mendohet se shteti shqiptar ka pasuri.

Duhet të kemi parasysh, që i gjithë ky kalvar, që sapo ka nisur me përmbarues dhe sekuestro në vende të ndryshme, përveçse rrit shpenzimet e shtetit shqiptar me tarifa përmbarimi dhe me kosto të tjera administrative, dëmton dhe reputacionin e shtetit shqiptar, duke u bërë simbol i një shteti që nuk njeh dhe zbaton vendimet e gjykatave. E gjithë kjo histori do të mund të shmangej nëse shteti shqiptar do e ekzekutonte vullnetarisht këtë vendim, që tashmë është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm.

Sipas jush, pse shteti ynë nuk u përgjigjet vendimeve të Gjykatave të Arbitrazhit dhe mbërrijmë në sekuestrime të pasurisë së shtetit tonë?

– Së pari, detyrimi prej 110 milionë euro i këtij vendimi është vlerë e konsiderueshme për buxhetin e shtetit shqiptar, aq më tepër pas fatkeqësive natyrore të tërmeteve dhe situatës pandemike, që po kalon vendi aktualisht.

Së dyti, në pjesën dërmuese të rasteve të ekzekutimit të vendimeve të gjykatave, edhe nëse do të ishte vlerë e përballueshme nga buxheti, mënyra e pagesave nga administrata shqiptare rrallëherë bëhet në zbatim të ligjit, duke ndjekur radhën e ekzekutimit, por në mënyrë të përzgjedhur, duke u nisur kryesisht nga arsye thellësisht personale të titullarëve përgjegjës.

Së treti, duke qenë se detyrimi është në vlerë të konsiderueshme në raport me buxhetin e shtetit, qeveria mundohet të gjejë çdo artific për ta shtyrë pafundësisht pagesën.

Së fundmi, çka për mendimin tim është edhe vendimtare, arsye tjetër është edhe ajo e propagandës së qeverisë që asnjëherë deri tani nuk e ka pranuar humbjen në këtë proces arbitrazhi, pavarësisht se tashmë mund të konsiderohet fakt i njohur botërisht.

Shteti shqiptar është karakterizuar gjithmonë nga një mungese e plotë transparence në lidhje me proceset e arbitrazhit, duke përfituar dhe nga fakti që këto procese bazohen dhe në parimin e konfidencialitetit

-Zoti Kodra, kush duhet të mbajë përgjegjësi penale, që Shqipëria humbet çështje në Gjykata të Arbitrazhit? (Kemi parasysh gjyqet e Bechetit, Akërnia, Actor, Kurum, çështjet e pronësisë, etj)

– Në fund të një procesi gjyqësor arbitrazhi patjetër që një nga palët do të humbasë pavarësisht faktit se një nga palët mund të jetë shtet si në rastin tonë. Arsyet e humbjes duhet të analizohen dhe nëse ka përgjegjës konkret pa diskutim që duhet të mbajnë përgjegjësi penale dhe pse jo ta dëmshpërblejnë dëmin e shkaktuar. Organet ligjzbatuese shqiptare duhet të ndërmarrin hetimet e duhura, se përse shteti shqiptar nuk i respekton kontratat, aq më tepër kur nga kontrata të tilla vijnë pasoja kolosale financiare, por dhe cënim imazhi në këndvështrimin e investitorëve të huaj që patjetër që do të stepeshin për të investuar në një shtet që nuk garanton zbatimin e kontratave.

Nëse do të qëndrojmë te rasti konkret midis shtetasit italian Francesco Becetti dhe shtetit shqiptar, si mund të presim përgjegjësi penale apo shpërblim dëmi, kur arsyet kryesore të humbjes se këtij gjyqi nga shteti shqiptar (me sa jemi informuar nga media) ka qenë presioni dhe shantazhi i drejtpërdrejtë (mesazhet e bëra publike në media) i një nga ministrave të qeverisë Rama, që sot është Kryetari i Bashkisë Tiranë?! Çdo ditë e kuptojmë që drejtësia nuk vepron për përfaqësuesit e këtij pushteti, ndaj pritshmëritë për pasoja ligjore për shkaktarët e vërtetë të kësaj humbje, janë të kota.

-Thuajse të gjitha çështjet gjyqësore që Gjykata e Arbitrazhit ka gjykuar ndaj Shqipërisë, janë humbur për shtetin tonë (sidomos çështjet e prishjeve të kontratave). Sipas jush, cili është roli i Avokaturës së Shtetit? (Disa herë, edhe pse shteti ynë i ka humbur këto gjyqe, personi që kryeson Avokaturën e Shtetit është graduar në detyra më të larta shtetërore)

– Shteti shqiptar është karakterizuar gjithmonë nga një mungesë e plotë transparence në lidhje me proceset e arbitrazhit, duke përfituar dhe nga fakti që këto procese bazohen dhe në parimin e konfidencialitetit. Megjithatë, duke qenë se një nga palët është shtet, ka detyrimin që të bëjë transparencë sa i përket shkaqeve të humbjes së një procesi, vlerës së dëmit dhe mënyrës së ekzekutimit për aq kohë sa janë taksapaguesit shqiptarë që do i shlyejnë këto detyrime.

Në të gjitha këto raste bëhet fjalë për interesa të mëdha, që shkaktojnë kosto të mëdha, jo vetëm sa i përket dëmit që vendos gjykata e që duhet ta paguajë shteti shqiptar, por ka dhe një kosto tjetër, që lidhet me tarifat që paguan Avokatura Shtetit për zyrat e avokatisë që përfaqësojnë shtetin shqiptar në këto procese. Avokatura e Shtetit vetë, edhe pse u bënë vite e duhet të kishte rekrutuar specialistët më të mirë, meqë ndryshoi dhe statusin e punonjësve të saj, për gjyqet e Arbitrazhit operon me zyra avokatie të huaja (por që gjithnjë, çuditërisht, kanë ndonjë ortak shqiptar). Ndër vite janë ngritur dyshime të qenësishme për bashkëpunim të natyrës korruptive me këto zyra, që marrin pagesa edhe nga 1-2 apo me shumë milionë euro. Pra, përveç dëmit të gjyqit në arbitrazh, paguajmë dhe tarifat e kripura të mbrojtjes së dështuar, siç paguajmë dhe pagat e avokatëve te shtetit.

Nga ana tjetër, Avokatura Shtetit nën mbrojtjen qesharake që vendimet e Arbitrazhit kanë të dhëna sensitive, nuk bën publike vendimet, ku është penalizuar shteti shqiptar. Ne të gjithë duhet t’i lexojmë, të njihemi me to, të shohim pse është penalizuar shteti ynë, pra ne vetë që paguajmë taksat!

Dhe skandali më i rëndë është që, Avokatura e Shtetit i merr këto vendime, ia çon Ministrisë së Financave për ekzekutim, dhe nuk ka informuar kurrë nëse i ka çuar ndonjëherë në prokurori?! A ka,  më së pari në vetë institucionet përgjegjëse të identifikojnë shkaktarët e veprimeve që kanë çuar në ankimin e shoqërive në arbitrazh?! A ka kërkuar gjetjen e përgjegjësive civile dhe penale?! Jo, asnjëherë!

Ndër vite janë ngritur dyshime të qenësishme për bashkëpunim të natyrës korruptive të Avokatisë së Shtetit  me këto zyra avokatie të huaja, që marrin pagesa edhe nga 1-2 apo me shumë milionë euro

Disa media bëjnë fjalë se qëllimisht disa çështje të marrëdhënieve shtet-privat, si PPP prishen njëanshmërisht nga qeveria kontratat, që paskëtaj të shkojnë në Arbitrazh, shteti të humbasë, e disa zyrtarë me privatin të ndajnë bashkarisht shumën e majme të gjobës ndaj Shqipërisë. Ju e besoni se mund të ndodhë kjo?

– E kam dëgjuar shpesh këtë fenomen. Nga sa thamë dhe më lart, mungesa e transparencës e organeve publike në lidhje me shkaqet e humbjeve, mbrojtjes që ka bërë shteti shqiptar, mënyrën dhe kohën e pagesave të kryera, apo dhe dështimi i organeve të drejtësisë me mosveprim për të iniciuar qoftë dhe kryesisht hetime për të tilla procedura, janë disa arsye që të bëjnë të mendosh se një pjesë e çështjeve/rasteve janë të simuluara.

– Nëse nuk ndodh, a duhet të hetojë Prokuroria jonë përgjegjësinë penale të zyrtarëve që shtetit tonë i shkaktojnë kaq dëme ekonomike në qindra milionë euro?

– Patjetër që ka ardhur koha për hetime të thelluara të këtyre aferave. Nga Becheti dhe gjithë çështjet e tjera, çdo zyrtar duhet të mbajë përgjegjësi nëse ka elemente të shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit. Çështje të tilla, me fatura katastrofike për shtetin shqiptar, kurrsesi që nuk mund të jenë vetëm pasojë e interpretimeve ligjore në mënyra të ndryshme nga palë të ndryshme.

– Ju, meqë jeni ekspert ligjor, si do të këshillonit që çështjet të tilla, kaq dëmprurëse për Shqipërinë të mos përfundonin në Gjykatën e Arbitrazhit?

– Gjykatat e Arbitrazhit janë zgjidhjet më të shpejta dhe më të pakontestueshme sa i përket vendimeve të tyre. Problematika do parë që në draftimin e kontratave, të cilat duhet të jenë të tilla, që shteti shqiptar të garantojë të drejtat dhe të marrë përsipër detyrime jo në mënyrë disproporcionale në raport me palët e tjera. Nëse shteti shqiptar nënshkruan kontratat e duhura dhe i respekton ato, nuk ka asnjë arsye pse t’i trembet arbitrazheve ndërkombëtare. Problemi qëndron në faktin se shteti shqiptar nxitohet dhe karakterizohet nga një ndjesi inferioriteti, kur lidh kontrata të tilla që në fund nuk arrin dot t’i respektojë edhe për shkak të aferave korruptive në zbatimin e tyre. Në këto raste kurrsesi që nuk e shmang dot arbitrazhin, pasi pala tjetër patjetër që do të kërkojë të drejtat e saj.

Mund të kemi dhe arsye të tjera të qenësishme që nuk respektohet një kontratë, si pamundësia financiare për të vijuar zbatimin e projektit, ndryshimi dhe rritja e vlerës gjatë zbatimit, ndryshimi i prioritetit, etj. Në të gjitha këto raste, pavarësisht shkaqeve që duhen hetuar rast pas rasti, padiskutim që çështja duhet të tentohet të zgjidhet me marrëveshje para se të iniciohen procedurat e arbitrazhit, pasi në këtë mënyrë mund të ulen kostot në një vlerë të konsiderueshme.

-Në dijeninë tuaj, cilat nga gjyqet që Shqipëria ka humbur në Arbitrazh, nuk mundet të evitoheshin, dhe gjykimi i çështjes në Arbitrazh (pavarësisht nga vendimi në dëm të Shqipërisë) ishte e vetmja rrugë ligjore e zgjidhjes së konfliktit?

– Pa u bërë transparencë në lidhje me arsyetimin e gjykatave të arbitrazheve është e pamundur për të gjetur mënyrën e evitimit të tyre. Një gjë është e sigurt, nëse palët kanë rënë dakord në kontratë për klauzolën e arbitrazhit, si mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, atëherë nuk ka gjykatë tjetër që mund t’i zgjidhë këto mosmarrëveshje. Këtu duhet të theksojmë, që për kontrata të projekteve të mëdha të lidhura mes shtetesh dhe kompanive multinacionale, tashmë është traditë që mosmarrëveshjet të zgjidhen me arbitrazh, për shkak të garancive që këto trupa japin për pavarësi nga shtetet përkatëse. Kjo është dhe më e theksuar në rastin e Shqipërisë, pasi asnjë kompani ndërkombëtare nuk do të pranonte që të zgjidhte një mosmarrëveshje me shtetin shqiptar në gjykatat shqiptare, pasi perceptimi për to dhe për mungesën e pavarësisë së tyre nga qeveria, tashmë është i njohur ndërkombëtarisht.

Mungesa e transparencës e organeve publike në lidhje me shkaqet e humbjeve, mbrojtjes që ka bërë shteti shqiptar, mënyrën dhe kohën e pagesave të kryera, janë disa arsye që të bëjnë të mendosh se një pjesë e çështjeve/rasteve janë te simuluara

– Duke u nisur nga pësimet e vendimeve të Gjykatave Ndërkombëtare në dëm të Shqipërisë, ju çfarë do të sugjeronit, që të ndryshohet, të përmirësohet? Ligjet? Institucionet përkatëse? Drejtuesit e paaftë?

– Më e rëndësishme është që drejtësia shqiptare të funksionojë. Organet e reja të “drejtësisë së re” kanë momentin të tregojnë, që janë të pavarurura nga pushteti dhe nga çdo faktor tjetër.

Nëse do të vihen para përgjegjësisë penale dhe civile përgjegjësit e këtyre rasteve, ju siguroj që nuk do kemi me raste abuzimi, jo vetëm në çështjet e arbitrazhit.

-Faleminderit!

Kush është Besmir Kodra

Besmir KODRA ka lindur në vitin 1986. Ai është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës në vitin 2008. Më tej po në Fakultetin e Drejtësisë ka kryer Masterin e Nivelit të Dytë “E drejtë kushtetuese e krahasuar dhe evropiane”. Në maj të vitit 2013 ka marrë titullin “Përmbarues Gjyqësor” dhe e ka ushtruar si detyrë që nga tetori i vitit 2013 e në vijim njëkohësisht edhe në cilësinë e administratorit të shoqërisë përmbarimore gjyqësore private “Kodra BailiffService” sh.p.k.

Besmir Kodra ka një përvojë disavjeçare në nivele menaxheriale dhe drejtuese pranë disa institucioneve shtetërorë si Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë, etj. Besmir Kodra ka gjithashtu dhe përvojë në mësimdhënie në fushën e së drejtës financiare pranë Fakultetit të Drejtësisë. Ai ka qenë pjesëmarrës në “Programin për zhvillimin e lidershipit në Evropën Juglindore”në “Kolegjin Evropian” me qendër në Berlin, Gjermani, program ky i zbatuar nga “TransfuseAssociation” i cili është zhvilluar në Berlin, Shqipëri dhe Bruksel në periudhën 2008-2009. Besmir Kodra zotëron certifikatat për ushtrimin e profesionit të përmbaruesit gjyqësor privat, të avokatit dhe të audituesit të brendshëm në sektorin publik. Që nga muaji shtator i vitit 2018 Besmir Kodra mban detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë. /telegraf.al/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular