BallinaKryesore“Qaja se s’kisha lekë për furgon”, rrëfimi special i Uzunit: Ja çfarë...

“Qaja se s’kisha lekë për furgon”, rrëfimi special i Uzunit: Ja çfarë më tha Solskjaer kur isha te Laçi

Kur ai ishte dhjetë vjeç, familja e tij vendosi që të linte qytetin e Beratit për t’u transferuar në Greqi. Kishte vetëm dy mënyra për të ikur. Ose të kalonte mes maleve, një udhëtim që zgjaste tri ditë e tri net me vëllain e tij trevjeçar në krahë ose që të paguante 8000 euro që të bënte një udhëtim ilegal por të sigurt. Prindërit e tij zgjodhën këtë opsion të dytë dhe sulmuesi i Ferencvaroshit, Myrto Uzuni mbërriti në Greqi.

GREQIA – “Shkuam atje për një jetë më të mirë. Babai im punonte në riparimin e rrugëve, ndërsa mamaja ime lante pjatat në një restorant. Unë gjithashtu punoja. Ndihmoja atë. Punoja 12 orë dhe luaja futboll. Edhe pse më duhet të zgjohesha në orën 6 të mëngjesit. Nuk kam ndaluar asnjëherë së ëndërruari”, tregon Myrto Uzuni për gazetën spanjolle “AS”, nga shtëpia në Budapest, ku tani ai jeton me familjen e tij.

“Unë shkoja në shkollë vetëm në dimër”, vijon tregimin e tij djaloshi, që pak nga pak, nisi të kuptonte që kishte cilësi dhe talent. “U përpoqa që të bëja një provë tek Olimpiakos që ata të mund të shihnin talentin që kisha, por nuk kisha dokumentet në rregull. Ky ishte momenti kur babai im tha se ishte më e mira që të riktheheshim në shtëpi, në Shqipëri në mënyrë që unë të mund të regjistrohesha në një ekip futbolli. Ata sakrifikuan për mua”, shton Uzuni.

Kështu që familja u rikthye edhe një herë në malin Tomor dhe Uzuni nisi të luante për skuadrën e qytetit. Ishte 16 vjeç dhe nuk iu desh që të qëndronte për shumë kohë jashtë. “Një trajner më pa dhe më mori në skuadrën e tij tek Apolonia. Në ndeshjen e parë miqësore, unë shënova dy gola. Dhe pas vetëm gjashtë muajsh, të gjitha klubet më donin”, deklaron Uzuni. Përgatitja e tij ishte gjithçka individuale, pa asnjë ndihmë, sepse në fëmijëri ai nuk pati mundësinë që të ishte në një akademi futbolli.

VËSHTIRËSITË – “Kristiano Ronaldo është pika ime e referimit. Unë e di historinë e tij. Kam lexuar gjithçka rreth tij. Ai ka qenë motivim për mua. Në Shqipëri nuk ka pasur shumë akademi. Ky ishte problemi. Unë gjithashtu më duhet të paguaja 12 euro në muaj që të shkoja në stërvitje dhe pesë për një mikrobus që të më dërgonte në ndeshje. Nuk kisha para dhe nuk pushoja së qari në shtëpi për këtë. Pagova për dy muaj dhe më pas më duhet t’ua kërkoja shokëve”, tregon me sinqeritet Uzuni, tashmë si një lojtar Champions-i. Pas Apolonisë, Uzuni përjetoi një eksperiencë të shkëlqyer te Laçi.

Aq sa kur shënoi gol në minutën e fundit për 1-0 ndaj Anorthosis, apo kur kaloi Molden me të cilën takoi Solskjaerin. “Ai ishte trajneri i Moldes dhe më tha që kisha luajtur mirë dhe që mund të isha në cilën skuadër të kisha dëshirë”. Ajo paraqitje e dërgoi Uzunin te Lokomotiva e Zagrebit. “Pas një jave nga kjo ndeshje më thanë që më donin”. Dhe pas dy vitesh, Uzuni u transferua te Ferencvarosh. “Kalova atje, edhe pse Majorka dhe Espanjol më donin. Më kontaktuan në mars, por gjithçka u ndërpre prej pandemisë”, rrëfen sulmuesi i Kombëtares.

RONALDO – Myrto Uzuni i cili takoi idhullin e tij, Kristiano Ronaldon, në Torino ku Ferencvaroshi u mund 2-1, me një gol të shënuar nga shqiptari. Sulmuesi e komenton atë episod të një jave më parë: “Ishte një ëndërr. Njësoj si ajo që përjetova pas ndeshjes, kur Morata më përgëzoi për mënyrën se si kisha luajtur”.

Pavarësisht këtyre momenteve entuziaste në moshën 25-vjeçare, Uzuni mbetet me “këmbët në tokë”. “Hap pas hapi. Nuk dua që të bëj gabime. Unë vetëm dua që të shënoj gola dhe të jap asiste. Këto janë për mua gjërat më të rëndësishme në këtë moment. Gjithashtu, të fitojmë ndeshjet si dhe të luaj në Ligën e Kampionëve. Ëndrrat e mia janë të mëdha, por preferoj që të mos i them ato”, përfundon deklaratën e tij për prestigjiozen spanjolle, Myrto Uzuni.

Përgatiti: OLSI TUJANI  – PANORAMASPORT.AL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular