BallinaBotaPresidenti Trump urdhëron largimin nga Somalia të forcave amerikane

Presidenti Trump urdhëron largimin nga Somalia të forcave amerikane

Pentagoni tha të premten se po tërheq shumicën e trupave amerikane nga Somalia me urdhër të Presidentit Donald Trump, duke vazhduar një aksion paszgjedhor nga Presidenti Trump për të zvogëluar përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në misionet e anti-terrorizmit jashtë vendit.

Pa dhënë detaje, Pentagoni tha në një deklaratë të shkurtër se shumica e trupave amerikane dhe njësive në Somali do të tërhiqen në fillim të vitit 2021. Ka rreth 700 forca në këtë vend të Afrikës, për të trajnuar dhe këshilluar forcat vendase në një luftë kundër grupit ekstremist al-Shabab, një filial i al-Kaidës.

Presidenti Trump kohët e fundit urdhëroi tërheqjen e trupave nga Afganistani dhe Iraku dhe ai pritej të tërhiqte një pjesë ose të gjitha forcat nga Somalia. Gjenerali Mark Milley, shefi i shtabit të përgjithshëm, kishte thënë të mërkurën se struktura e ardhshme e pranisë ushtarake amerikane në Somali ishte ende duke u debatuar.

Prania e modifikuar amerikane, tha Gjenerali Milley, do të përbënte “një prezencë relativisht të vogël, kosto relativisht të ulët për sa i përket numrit të personelit dhe për sa i përket parave”. Ai nuk dha asnjë specifikë, por theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të shqetësuara për kërcënimin e paraqitur nga al-Shabab, të cilin ai e quajti “një zgjatim i al-Kaidës”, grupi ekstremist që planifikoi nga Afganistani sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

 

 

“Ata me të vërtetë kanë një farë shtrirjeje dhe ata munden, nëse lihen pa mbikqyrje, të kryejnë operacione kundër jo vetëm interesave të Shteteve të Bashkuara në rajon por edhe ndaj territorit amerikan”, tha ai. “Kështu që ndaj tyre duhet vëmendje”. Duke vënë në dukje se Somalia mbetet një vend i rrezikshëm për amerikanët, ai tha se një oficer i CIA-s u vra atje kohët e fundit.

Sekretari i përkohshëm i mbrojtjes, Christopher Miller, bëri një vizitë të shkurtër në Somali javën e kaluar dhe u takua me trupat amerikane.

Në varësi të asaj që mbetet nga prania e Shteteve të Bashkuara në Somali, kur të marrë detyrën në 20 janar Presidenti i zgjedhur Joe Biden mund të anulojë tërheqjen e Presidentit Trump ose të bëjë rregullime të tjera për të pasqyruar përparësitë e tij kundër terrorizmit. Ushtria amerikane gjithashtu ka një prani në vendin fqinj Xhibuti, në ngushticën Bab al-Mandab.

Ligjvënësi demokrat Jim Langevin, kritikoi tërheqjen e Presidentit Trump në Somali si një “dorëzim ndaj al-Kaidës dhe një dhuratë për Kinën”. Zoti Langevin është kryetar i Nënkomisionit të Zbulimit dhe Kërcënimeve të Reja, pjesë e Komisionit për Forcat e Armatosura.

“Kur forcat amerikane të largohen nga Somalia në përgjigje të urdhrit të sotëm, bëhet më e vështirë për diplomatët dhe punonjësit e ndihmave për të ndihmuar njerëzit të zgjidhin konfliktet pa dhunë dhe humbje jetësh”, tha zoti Langevin. “Me zgjedhjet e ardhshme në Somali dhe konfliktet e ndezura në Etiopinë fqinje, braktisja e partnerëve tanë nuk mund të vinte në një kohë më të keqe”.

Zoti Langevin tha se Kina do të shfrytëzojë rastin për të shtuar ndikimin e saj në këtë pjesë të Afrikës.

Pentagoni tha se tërheqja në Somali nuk shënon fundin e përpjekjeve atje të Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit.

“Si rezultat i këtij vendimi, disa forca mund të zhvendosen jashtë Afrikës Lindore,” tha Pentagoni. “Sidoqoftë, forcat e mbetura do të ripozicionohen nga Somalia në vendet fqinje në mënyrë që të lejohen operacionet ndërkufitare nga Shtetet e Bashkuara dhe forcat partnere për të ruajtur presionin kundër organizatave të dhunshme ekstremiste që veprojnë në Somali”.

Pentagoni shton se: “Shtetet e Bashkuara do të ruajnë aftësinë për të kryer operacione të përqëndruara kundër terrorizmit në Somali dhe për të mbledhur informacion dhe të dhëna të hershme në lidhje me kërcënimet ndaj atdheut”.

Natyra e kërcënimit të paraqitur nga al-Shabab dhe reagimi i duhur i Shteteve të Bashkuara ka qenë një çështje debati në rritje në Pentagon, i cili ka kërkuar mundësinë për të zhvendosur fokusin drejt Kinës si një sfidë më e madhe afatgjatë.

Një raport i zyrës që mbikqyr Departamentin e Mbrojtjes javën e kaluar tha se Komanda e Shteteve të Bashkuara në Afrikë ka parë një “zhvendosje përfundimtare” këtë vit në fokusin e al-Shababit për të sulmuar interesat amerikane në rajon. Komanda e Afrikës thotë se al-Shabab është kërcënimi më “i rrezikshëm” dhe “i afërt” në Afrikë. Associated Press/VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular