BallinaKryesoreVaksina elektorale e kryeministrit dhe vdekjet reale të shqiptarëve

Vaksina elektorale e kryeministrit dhe vdekjet reale të shqiptarëve

Nga Dr.Erion Dasho

Në fillim e bëri Donald Trump!

Ai kaloi tre vitet e parë të presidencës së vet duke shkatërruar Planin Obama, përpjekjen e fundit në radhë për t’i dhënë SHBA-ve atë që asnjëherë nuk e kanë patur – një sistem shëndetësor. Kuptohet se SHBA-të kanë mjeksinë më të zhvilluar në planet, por sistemin shëndetësor, atë që kujdeset për çdo qytetar dhe i garanton kujtdo një minimum kujdesi shëndetësor, asnjëherë nuk e kanë patur!

Në pranverë erdhi COVID!

Trump injoroi çdo masë që ju rekomandua nga specialistët më të mirë të botës dhe ndoqi një politikë aventureske dhe deri diku sharlatane. Të gjithë kujtojnë gafat e tij të marsit rreth “trajtimit” të COVID duke konsumuar detergjentë apo duke injektuar dritë lazeri në trup.

Dhe kur SHBA-të, vendi që shpenzon për shëndetësinë shumë më tepër se çdo vend tjetër në botë (qoftë në vlerë absolute, qoftë për banor), përfunduan në vendin më të prekur nga COVID, kur SHBA-të kanë arritur sot të kenë më tepër se 15 milion të prekur dhe gati 300,000 humbje jete, Trump dhe ekipi i tij e vendosën bastin tek vaksina anti-COVID. Një gjeneral i besuar u vendos në krye të Task Forcës për prodhimin e vaksinës duke u premtuar amerikanëve që vdisnin se “mrekullia” ishte në prag.

Mrekullia nuk erdhi për fatkeqët që sot humbin jetën nga COVID me mijëra në ditë dhe Trump dhe ekipi i tij u ndëshkua në zgjedhje megjithë kontributin e pamohueshëm në përmirësimin e ekonomisë së vendit dhe jetës së familjeve amerikane.

COVID-i doli kockë më e fortë se Trumpi dhe leksioni ishte: “Koha e mrekullive në shëndetin publik ka mbaruar! Epidemitë nuk fitohen me masa të veçuara, por me sisteme të fortë shëndetësorë dhe strategji gjithëpërfshirëse!”

Dhe mbi të gjitha: “Në se nuk kujdesesh për jetën dhe shëndetin e njerëzve, herët a vonë ndëshkohesh!”

*

Kjo analizë e bërë gjatë muajve të fundit, mu kujtua kur kryeministri shqiptar “mbathi opingat” për tu parë “sy më sy” me prodhuesit e vaksinave!

Çfarë do të marrë Z. Rama nga vaksina?

Në radhë të parë, vaksina në Shqipëri do të vijë si kofini pas të vjeli!

Me numrat aktualë, Tirana në pranverë arrin imunitetin e grupit, me një kosto prej disa mijëra jetësh të humbura. Pjesa tjetër e Shqipërisë e ka luksin të presë Covax-in pasi vera do ta fashitë epideminë dhe vaksinimi nga Covax në verë-vjeshtë është i mjaftueshëm për të shmangur një valë të tretë të COVID në dimrin 2021-22.

Pra COVID në Shqipëri do të zgjidhet pas dimrit aktual, por me një kosto jetësh njerëzore dhe dëmi ekonomik ndër më të lartët në botë! Kjo si pasojë e papërgjegjshmërisë së qeverisë që fillimisht shkatërroi edhe atë pak sistem shëndetësor që trashëgoi. Në shtatë vjet qeverisje të Z. Rama spitalet vetëm bojatiseshin për tu dukur bukur në kamerat propagandistike. Asnjë investim serioz nuk u bë në infrastrukturë, teknologji dhe, më pak akoma, në burime njerëzore. Nga ana financiare, shëndetësia ju shit koncesionarëve të PPP-ve me pasoja të cilat të gjithë i kemi parë.

Përgjatë pandemisë, qeveria nuk mori asnjë masë shkencore dhe të bazuar mbi evidenca për të kontrolluar COVID-in! Duke mos testuar, gjurmuar dhe trajtuar Shqipëria ka arritur në pikën kur numri i vdekjeve mujore pritet të jetë zyrtarisht rreth 500, por në fakt disa herë më i lartë! Në pikën ku raportohen 320 vdekje për 1 milion banorë, por kur numri real duhet të jetë mbi 1,000 dhe që na vendos midis vendeve ku epidemia ka patur pasojat më tragjike.

Ndërkohë, sikundër Trump kur SHBA-të ranë në kolaps prej COVID-it, edhe në Shqipëri shpresat po varen tek vaksina!!!

Me siguri gjatë udhëtimit amerikan apo lypjeve europiane, Z. Rama do të sigurojë ndonjë sasi “elektorale” vaksinash!

Sa për t’i hedhur hi syve qytetarëve!

Skenari ka për të qënë një sasi prej disa qindra apo maksimumi mijëra vaksinash të mara hua nga ndonjë prej vendeve fqinje apo të blera nga ndonjë prej prodhuesve. Ashtu sikundër një qendër shëndetësore e lyer shfaqet në disa spote propagandistike, edhe një vaksinë do të shfaqet me dhjetëra herë për të shpëlarë mendjet e shqiptarëve dhe për t’i bindur ata se jo fundi i dimrit dhe imuniteti i grupit, por 100 vaksinat e qeverisë po sjellin “mrekullinë”…

*

Shqiptarët u përballuan me epideminë më të rrezikshme të shekullit të lënë në mëshirë të fatit nga qeveria e tyre! Edhe vendet më të varfëra afrikane kanë treguar më tepër përgjegjshmëri!

Kosto e jetëve njerëzore që deri tani vlerësohet në mbi 3 mijë jetë të humbura dhe deri në fund të dimrit mund të arrijë në dyfishin e kësaj shifre, është e tmerrshme!

Sikur të mos mjaftojë kjo, shqiptarët kanë paguar gjatë epidemisë më tepër se 100 milionë dollarë për tu kuruar duke rrënuar kursimet, krijuar borxhe dhe shkatërruar ekonominë familjare!

Dhe këto dështime katastrofike nuk mbulohen dot me 100 vaksina…

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular