BallinaIntervistaRrëfimi ndryshe i presidentit/ Ilir Meta zbulon pse hoqi dorë nga peshëngritja

Rrëfimi ndryshe i presidentit/ Ilir Meta zbulon pse hoqi dorë nga peshëngritja

Presidenti Ilir Meta ka një karrierë të larmishme, ku ndërthuren natyrshëm sporti dhe politika. Të gjithë e dinë se presidenti është dashamirës i sportit, pasi e shohim shpesh në stadiume, por më pak është thënë për karrierën e tij si peshëngritës.

Ai ka dhën detaje në emisionin “Pasó” në Top Albania Radio, ku ka zbuluar edhe shkakun se pse nuk e vazhdoi aktivitetin e peshëngritjes.

Ai ka thënë se arsyeja ka qenë një dhe vetëm një, se ishte i paduruar për t’u bërë kampion.

Intervistë e Presidentit Meta për emisionin “Pasó” në Top Albania Radio

President Meta: Kam pasur të njëjtin trajner me Aleksandër Kondon, isha i paduruar për t’u bërë kampion!

Gazetari: Zoti President, gjatë kohës që kishit hobi komentimin në radio, merreshit edhe me peshëngritjen? Pra vijonte paralelisht?

Presidenti Meta: Jo, jo. Peshëngritjen unë e kam nisur në moshën 15 vjeç, një muaj ose dy muaj pasi është arratisur Aleksandër Kondo me Sukniqin.

Gazetari: Ka qenë idhulli juaj?

Presidenti Meta: Po. Aleksandër Kondo të them të drejtën ishte idhulli i gjithë të rinjve. Kishte një trup të jashtëzakonshëm në atë kohë dhe arriti të ngrinte mbi 200 kilogramë në vitin 1984. Për mua ishte një fatkeqësi që ai u largua nga Shqipëria, pavarësisht nga mesazhi që dha.

Po të kishte qëndruar në Shqipëri, ai do të kishte përfunduar kampion bote. Ishte i jashtëzakonshëm.

Gazetari: Të qëndrojmë pak te Aleksandri profesor? President, se na janë bërë të gjithë profesorë në fakt.

Presidenti Meta: Mund të më thoni edhe Ilir që të jeni edhe më komodë!

Gazetari: Jo, komodë jemi ne në çdo rast. President është më mirë se na ndjekin njerëzit dhe do të ishte më mirë që ata të kuptonin se po flasim me Presidentin e Republikës, i cili në këtë rast është shumë sportiv në bisedë.

Presidenti Meta: Ju faleminderit!

Gazetari: I ndjeri Aleksandër Kondo ka disa dritë-hije në raport me historinë e tij. Ju dini diçka në lidhje me këtë? Si ishte historia e tij që pati atë fat që pati?

Presidenti Meta: Po, unë kam dëgjuar shumë për Aleksandër Kondon. Ai ishte legjëndë që këtu, pastaj kur u largua u bë edhe më legjendar në kuptimin e gojëdhënave apo historive të lidhura me të. Ajo që mund t’ju them është se ka qenë një sportist shumë i madh. Kjo është e padiskutueshme. Që në vitin 1984 arriti të ngrejë 200 kilogramë në Shqipëri që është një rezultat i jashtëzakonshëm. Po kështu ka pasur një trup shumë të bukur që nuk është normale, sepse unë jam marrë vetë me sportin e peshëngritjes, që të kesh rezultate kaq të larta siç kishte Aleksandër Kondo, por edhe të kesh një trup aq të bukur, të punuar, sepse zakonisht ata që punojnë për trupin, për “bodybuilding”, nuk arrijnë dot rezultate kaq shumë të larta. Ajo që kujtoj unë është se trajneri im që ishte edhe trajneri i Aleksandër Kondos nuk na lejonte të bënim shumë stërvitje për trupin.

Gazetari: Ah, kishit të njëjtin trajner?

Presidenti Meta: Po, të njëjtin trajner dhe kjo është edhe arsyeja që u mora me peshëngritje. Ferid Berberi ishte trajneri i “Dinamos”, i Ekipit Kombëtar dhe ishte edhe mësuesi unë i fizkulturës në shkollën e mesme ‘Sami Frashëri” ku isha unë nxënës. Kjo ishte arsyeja që ia më vuri re si tip, si konstrukt, si personazh dhe më përzgjodhi.

Gazetari: Zoti President, ju nuk tërhiqeni kollaj nga sfidat. Përse e latë peshëngritjen. Pse duket si një sfidë e lënë përgjysmë?

Presidenti Meta: Po, kjo është shumë e vërtetë. Arsyeja ka qenë një dhe vetëm një: Isha i paduruar për t’u bërë kampion. Kjo është e vërteta.

Meta ka treguar në Top Albania Radio se para viteve ’90 ka qenë edhe komentator i ndeshjeve të futbollit.

Meta si komentator ndeshjesh

Presidenti tregoi edhe një histori kur ishte komentator i ndeshjes në Kavajë para se të rrëzohej sistemi komunist, kur stadiumi brohoriste “Poshtë komunizmi”.

Meta tregon se xhami i kabinës nga e cila komentonte ishte i thyer dhe kjo bënte që tifozët të dëgjoheshin më shumë se ç’duhej, ndaj edhe kur komentatori i madh Ahmet Shqarri u lidh në radio me të, për shkak të brohoritjeve të mëdha u detyrua të shkëpuste lidhjen, me justifikimin se kishte një defekt teknik.

Pyetje (Glenti Nallbani): Si filloi pasioni juaj si komentator në radio dhe sa zgjati?

Presidenti Meta: Unë gjithmonë kam qenë i dhënë pas sportit. Kam qenë sportist profesionist në peshëngritje me “Dinamon” për gati 2-3 vite, por edhe shumë i dhënë pas futbollit.

Gjithashtu kam qenë shumë i dhënë pas letërsisë e gazetarisë dhe kisha shumë dëshirë të shkruaja.

Për shkak të këtyre të dhënave dhe për shkak të një miqësie, që babai im kishte me Ahmet Shqarrin, i cili ishte drejtuesi kryesor i emisionit më të ndjekur dhe më tërheqës për të gjithë sportdashësit në atë kohë, “Nga njëra ndeshje, në tjetrën” në Radio Tirana, ai më ftoi për të qenë komentator.

Pyetje (Glenti Nallbani): Ju bëtë një provë para se të fillonit?

President Meta: Bëra një provë, por siç ju thashë më jepej për të shkruar, madje kam botuar tek gazetat “Studenti”, “Zëri i Rinisë”, pra isha i afërt si të thuash me gazetarinë.

Pyetje (Denis Dyrnjaja): Në fakt zoti President keni dhe një diksion shumë të mirë të zërit. Keni një zë shumë interesant radiofonik. Madje mund t’ju them se pas z.Berisha jeni shumë i suksesshëm në mitingje, se z.Basha çalon pak tek kjo pjesë.

President Meta: Ju falenderoj që e vendosni zotin Berisha para meje, e pranoj këtë. Doktori ka një diksion zëri të paparë.

Pyetje (Sidorela Gjoni): Si përfundim komentuat në disa ndeshje apo jo?

President Meta: Po, kam komentuar disa ndeshje. Kam qenë komentator në veçanti për Kavajën, sepse nuk kishte një komentator të përhershëm. Gjithashtu kam qenë komentator për Lushnjen, për Fierin, por kam komentuar edhe në Tiranë me të madhin Ismet Bellova, pavarësisht se në kryeqytet kishte edhe shumë emra të tjerë si Veli Rada e shumë personalitete.

Pyetje (Denis Dyrnjaja): Pra ju shkonit si korrenspondent?

President Meta: Po, çdo të shtunë ose të diel, në Kavajë, në Fier dhe në Lushnje.

Pyetje (Denis Dyrnjaja): Në cilat vite ndodhte kjo?

President Meta: Kjo ka ndodhur në vitet ’89 – ’90. Madje kam pasur dhe një histori interesante në Kavajë, kur stadiumi brohoriste “Poshtë komunizmi!”, para Lëvizjes Studentore. Ishte thyer xhami i kabinës ku unë transmetoja dhe kur më kërkon në transmetim z.Ahmet Shqarri dhe më thotë: “A jemi gati Kavaja?”, unë qëllimisht ju përgjigja: “Po gati jam”. Në momentin që unë filloj dhe komentoj, nuk dëgjohej fare se çfarë thoja unë, se stadiumi brohoriste: “Poshtë komunizmi”. Nga ana tjetër e linjës dëgjoj: “Ka një defekt teknik Kavaja, kalojmë linjën në një rreth tjetër”.

Pyetje (Denis Dyrnjaja): Pra ju ishit bërë “palë” me tifozët…

President Meta: E vërteta është se unë enkas e kërkova lidhjen me Tiranën.

Pyetje (Glenti Nallbani): Dhe derisa sa kohë e vazhduat komentimin..

President Meta: Me fillimin e Lëvizjes Studentore, ra interesi im për të vijuar këtë angazhim. Por dashuria ime për radion mbeti e përhershme edhe për shkak të atij angazhimi. Për më tepër që në atë periudhë, para viteve ’90, ishte një ëndërr e madhe të punoje në radio dhe të komentoje ndeshje. Në atë periudhë, e gjithë Shqipëria ditën e diel, me një radio Iliria, çdo familje ndiqte ndeshje futbolli. Ishte një nga kënaqësitë e mëdhaja të asaj periudhe.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular