BallinaKryesorePD, gati për betejën e 25 prillit: Jo rrotacion, por ndryshim rrënjësor

PD, gati për betejën e 25 prillit: Jo rrotacion, por ndryshim rrënjësor

Një rrugëtim i vështirë me vendimmarrje të panjohura në historine politike, e ka shoqëruar Partinë Demokratike, në rrugëtimin e saj  në 8 vite opozitë. Debate të ashpra në Kuvend, shpesh herë bojkot, iniciatore e disa ligjeve të rëndësishme  siç është ai i dekriminalizimit, protesta e deri tek djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore.

Sot thuajse dy vite nga këto akte, përfaqësuesit e lartë të PD-së, mendojnë se ishte rruga e vetme për të zgjuar dhe sensibilizuar qytetarë dhe partnerët ndërkombëtarë për situatën ku ndodhej vendi.

Nënkryetari,  Edi Paloka, thotë se opozita ka qenë e vështirë pasi përballë, tha ia, ka qenë një qeveri që nuk njeh rregulla,parime, ligje apo Kushtetutë.

Paloka: Opozita e këtyre  8 viteve me të vërtet ka qenë një opozitë e vështirë sepse kemi patur përballë një qeveri që nuk njeh rregulla, parime, ligje apo Kushtetutë. Një Kryeministër arrogant jo vetëm me qytetarët e thjeshtë por arrogant me opozitën, median e me çdo faktor që ka kundërshtuar çmendurinë e tij në këto 8 vite qeverisje. Megjithatë pavarësisht vështirësive të detyruara nga kjo përballje e vështire, ne kemi marrë dhe vendime të vështira dhe të forta. Janë vendime të forta por të detyrueshme.

Djegia e mandateve apo mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, ishin dy akte për të cilat Partia Demokratike dhe aleatët e saj morën kritika të forta, duke shënuar dy ngjarje të pa precedenta në historinë e politikës shqiptare.

Ndërkombëtarët me seli në Tiranë dhe ata në kancelaritë jashtë, e kritikuan fort Partinë Demokratike, duke theksuar se ajo braktisi votuesit e saj.

Por përtej këtyre kritikave, nënkryetari Edi Paloka, thotë se pa ato vendime ekstreme e të vështira edhe sot vemendja e ndërkombëtarëve  do të mungonte.

Paloka: Nëqoftëse ne nuk do ti merrnim ato vendime edhe sot e kësaj dite vëmendja e ndërkombëtarëve dhe do të mungonte. Krimi dhe lidhja me politikën, korrupsioni, do të ishin në hije. Në 8 vite, nuk është qeverisur, nuk ka qeverisur, po ka pushtetëruar çdo element vetëm në favor të vet dhe një grupi të vogël oligarkësh.

Sot Partia Demokratike i ka lënë  pas të gjitha këto  dhe është  angazhuar në  hartimin e një platforme  për të marrë mbështetjen e qytetarëve për nesër në qeveri.

Foca e opozitës është mbështetur kryesisht tek alternativa ekonomike, shëndetësia, rendi e siguria dhe tek rinia.

Jorida Tabaku prej më shumë se dy vitesh është e angazhuar në grupin  e punës për hartimin e platformës ekonomike.

Tabaku thotë se ekonomia është në vështirësi për shkak të drejtimi jo të duhur që mori  kur socialistët erdhen në pushtet.

Tërmeti dhe pandemia, thotë, ajo treguan situatën e vërtet ekonomike, jashte propagandës së qeverisë.

Qeveria, sipas saj, tregoi se e ka lëshuar ekonominë, e kjo u pa në mbështetjen që i dha biznesit në kohën e pandemisë.

Jorida Tabaku thotë se Partia Demokratike gjatë gjithë viteve në opozitë ka qenë afër biznesit dhe grupeve të interesit për të dëgjuar e reflektuar çdo shqetësim të tyre.

Bazuar mbi këto shqetësime dhe shoqëruar me lehtësira të taksave, Tabaku thotë se është hartuar një platformë e plotë ekonomike që i rikthen pulsin ekonomisë.

Tabaku argumenton se programi nuk është teorik, por i mirëmenduar dhe 100 përqind i aplikueshëm.

Një pjesë e mirë e alternativës ekonomike e Partisë Demokratike, fokusohet tek investimet e huaja, si një zë i rëndësishëm në ekonomi.

Tabaku thotë se në 8 vite investimet e huaja janë zero.

Lulzim Basha për nesër në qeveri, ka premtuar se ndër ligjet e para  që do të ndryshojë,  është ai i njohur si “Antimafia”.

Ky ligj parashikohet të zgjerojë objekt, duke goditur edhe kontratat koncensionare që cilësohen korruptive.

E pikërisht këtu mbështet dhe premtimi kurajoz për të anuluar disa koncensione të cilat janë dhënë pas 2013-ës.

Po ashtu Tabaku, thotë se në ndihmë të PD-së janë edhe raportet ndërkombëtare.

Opozita ka qenë e vështirë. Rinia ka pasur një rol kyç jo vetëm ne aksionet politike dhe ndërmarrjet e vështira, por dhe sa i përket proceseve të hapjes dhe ristrukturimit ndërvite.

Sot një kapitull i tërë në programin e Partisë Demokratike i kushtohet pikërisht rinisë.

Kryetari i Forumit Rinor, Belind Këlliçi, thotë se pikë së pari programi për rininë, targeton arsimin.

Vlerësimi i të rinjve do jetë në nivel maksimal, thotë Këlliçi, pasi sipas tij riciklimi i elitës është jetike.

Forumi Rinor i Partisë Demokratike, nuk funksionon vetëm si një organizëm partner politik, por edhe si një grupim social që shpesh angazhohet në nisma humanitare apo sociale.

Rruga drejt 25 prillit nuk është e lehtë. Partisë Demokratike i duhet të bindë qytetrët se tashmë është ajo alternativa për të qeverisur, ndërsa përballë ka një mazhorancë të fortë që gëzon thujase të gjitha pushtetet nga forca e kartonit në Kuvend deri tek 100 përqind të pushtetit vendor.

Por nënkryetari demokrat, Edi Paloka, thotë se tashmë shqiptarët e kanë kuptuar se PS nuk ka qeverisur po ka pushtetuar. Ky është  shkaku, thotë ai, se Edi Rama, tashmë urrehet.

Paloka: Kjo ka bërë që sot 80 përqind e shqiptarëve të jenë të revoltuar me këtë qeveri. Nuk di ta them sa rol ka luajtur opozita. Fakti që sot mbi 80 perqind e urrejnë qeverinë është meritë e opozitës por edhe e pislliqëve që ka bërë në 8 vite kjo qeveri. Sot jemi para faktit që shqiptarët duan largimin e Ramës.

Por teksa  zyrtarët  e PD-së janë të mendimit se qeveria e ka humbur besimin e qytetarëve, 25 prilli do të ketë rregulla të reja sa i përket procesit zgjedhor, kjo falë ndërhyrjeve në kod.

Me ndikimin e ndërkombëtarëve u ngrit Këshilli Politik, instrument  që fuste në proces opozitën jashtëparlamentare sa i takonte rishikimit të Kodit Zgjedhor.

Oerd Bylykbashi ishte përfaqësuesi i demokratëve në atë tryezë, ndërsa thotë se diskutimi e me pas reflektimi në ligj solli disa instrumenta që përmirësojnë një sërë garancish për zgjedhje me standarde.

Bylykbashi: Flasim për dy pjesë, reforma zgjedhore që u  mbyll me 30, solli një numër ndryshimesh në Kodin Zgjedhor. Solli përmirësimin e një numri garancish. Pamundësoi kapjen e administratës zgjedhore nën argumentin e depolitizimit. Ndërkombëtarët pranuan se administrata është e politizusr. Ka dhe një seri ligjesh të tjera që rriten garancitë por nuk janë zgjidhje përfundimtare.

Por zgjedhjet e lira, në gjykimin e ish-deputetit demokrat nuk mund të garantohen vetëm me ligj.

Vullneti politik është instrumenti kryesor që garanton standardet thotë ai:

Bylykbashi: Problemet zgjedhore nuk vijnë nga ligjet. Ka kohë që OHDIR thotë se ligjet janë në standarde të larta, por mungon vullneti politik. Pra edhe këto ligje që ne miratuam në Këshillin Politik e më pas i kaloi edhe Kuvendi, nuk e zgjdhin problemin, thjesht e bëjnë më të vështirë. Shitblerja e votës nuk është çështje e Kodit Zgjedhor, abuzimi me resurset shtetërore apo presioni mbi adminsitratën nuk janë çështje të ligjit zgjedhor, ashtu siç nuk është çështje e kodit edhe mosndjekja penale në prokurori. Ne të gjithë e dime se në zgjedhjet e fundit, krimi zgjedhor ishte sheshit. Në 2017 kemi krimin, në 2019 presionin mbi administratën.

Ne e pamë si u bë një ping-pong për të mbyllur dosjen e për ti sherbyer qeverisë. SPAK nuk respektoi edhe rekomandimet e BE, që është ndjekja penale e atyre që përfshihen në krim zgjedhor. Ajo  çfarë ne kemi bërë, është se kemi rritur përgjegjësinë e drejtësisë për krimet zgjedhore. SPAK do të merret me shitblerjen e votës. Ky është krimi më i madh e kjo do jetë banka e provës që SPAK të jetë ai tehu i mprehtë që tregon reformën në drejtësi. Deri më tani nuk e ka provuar një gjë të tillë. Po ashtu prokuroria do te fokusohet më shumë tek aktet e tjera të kundërligjshme. Janë masa që i vështiresojnë shkeljet.

Por demokratët thonë se qeveria nuk ka vullnet për zgjedhje të lira.

Këtë gjë Oerd Bylykbashi e sheh te ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.

Bylykbashi: Ndryshimet e njëanshme janë për një qëllim të vetëm. Politikisht është përpjekje për të zvogëluar humbjen e Ramës. Ndryshoi koalicionet, kur të gjithë ishin dakord me formulën. Rama kur e kuptoi se është vetëm e ndryshoi për të fragmentuar votën e opozitës. Por opozita është duke parë optimizimin në maksimum të strategjive, që Rama të largohet nga pushteti.

Nënkryetari demokrat shkon më tej, duke akuzuar se Rama po aktivizon bandat dhe paratë e pista për të blerë votat.

Paloka: Jam i sigurt që Rama do të bëjë të  gjitha tentativat për të manipuluar. Rama ka filluar që tani. Ka ndryshuar kodin pa konsensus, ndërkohë që loja kishte filluar. Nuk kemi hyrë zyrtarisht në fushatë elektorale, por praktikisht jemi në garë . Loja ka filluar dhe ai i ndryshoi rregullat.  Të gjitha këto por edhe banditët, kriminelët, paratë e pista, fakti që edhe këtë vit është shtuar kultivimi i kanabisit  dhe trafiku i dorgës, fakti që elementët kriminal të lidhur me deputetët dhe pushtetarët po tregojne se Rama do ti vërë në shërbim të manipulimit të zgjedhjeve.

Këtë nuk e vë në dyshim askush. Por nuk do të thotë aspak se Rama ka shanse ti marrë zgjedhjet. Rama kurrë nuk ka fituar pa manipulime, as brenda partisë së tij. Edhe në 2017 përdori çdo element për manipulim dhe këtë e kemi edhe në dosje që janë në gjykata apo që janë denoncuar nga mediat ndërkombëtare. 2017 ja doli për shumë arsye, ti marrë zgjedhjet, por edhe në atë kohë nëse opozita do ishte në kushtet që është sot nuk kishte aritmetikë të vinte në pushtet.

Përpjekjen e tij, ai e cilëson të kotë, por një paralajmërim të fortë e ka:

Paloka: Në kushtet e sotme kur çdo gjë është agravuar, kur revolta e njerëzve ka arritur në maksimum, nuk ka shanse pavarësisht çdo tentative, të gdhihet fitimtar. Nëse ai do të guxojë të marrë hapa ekstrem, e kur them hapa ekstrem, të guxojë të marrë kutite e ti çojë në Surrel. Nëqoftëse do të luajë mendsh të fusë policinë, atëherë ka rrugë tjetër. Dalin hujt, revolta e të rinjve para pak ditësh do ti duket Ramës balet klasik. Nëqoftëse i shkon në mend të manipuloje vullnetin e 80 përqind të shqiptarëve  fundin do ta llogarisë vetë.

Fitoren demokratët nuk e diskutojnë. Por ajo që ata proklamojnë është se nuk kërkojnë thjesht rrotacion pushteti.

Në gjykimin e tyre duhet një ndryshim rrënjësor në menyrën qeverisëse për ti dhënë vendit shpresë dhe zhvillim.

Paloka: Ne nuk jemi mjaftuar vetëm me këtë fakt. Në 30 vite pluralizëm shqiptarët ka ndodhur të votojnë kundër qeverisë sesa për një alternativë. Po ne nuk jemi mjaftuar të grumbullojmë apo përdorim inatin e shqiptarëve për pushtet. Ne nuk kërkojmë thjesht rrotacion, kërkojmë ndryshim. Për ndryshim nuk mjafton vetëm urrejtja e shqiptarëve. Ne jemi përpjekur ti japim shqiptarëve edhe alternativë. Ti tregojmë atyre çfarë i pret. Me të vërtetë largimi i Ramës i hap rrugë ndryshimit. Pjesa më e vështirë vjen pastaj. Rikthimi i shpresës, sidomos tek rinia. Nuk premtojmë mrekulli si Rama në 2013 që e çoi vendin në humnerë. Po ju premtojmë shqiptarëve tu rikthejmë normalitetin, shpresë dhe një të ardhme më të mirë. Ne i kemi të gjitha projektet, po i shpalosim çdo ditë. Jo ëndrra në diell apo fishekzjarre që lëshoi Rama në 2013 dhe po i lëshon sot. Ne kemi premtime kronkret, me 25 prill shqiptarët jo vetëm largojnë të keqen, por do zgjedhin alternativën e duhur. PD e përfaqëson këtë.

Bylykbashi: Nuk shkojmë për të bërë thjesht rrotacionin por qëllimi jonë është të sjellim një ndryshim rrënjësor. Duhet të projektohet të paktën një 10 vjeçar të qeverisje ndryshe dhe jo thjesht një mandat qeverisës tjetër. Ora News

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular