“Situata politike si në 1997-ën”, Celibashi: Çfarë s’do të lejohet 4 muaj para zgjedhjeve…

0

Implementimi i teknologjisë në zgjedhje ishte një ndër garancitë kryesore të futura si risi në Kodin e ri Zgjedhor. Teksa projekti për votimin me gisht ka ecur përpara dhe në Komisionin Qendror ka mbërritur oferta, komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një intervistë për gazetën “Panorama” ka dhënë detaje për realizimin e një tjetër projekti për garancinë e procesit të votimit.

Kreu i KQZ-së tha se në buxhetin e KQZ-së janë planifikuar 4 milionë euro për kamerat që do vendosen në çdo qendër votimi. Ndërkohë, të gjitha kamerat do të lidhen me një ekran qendror edhe në KQZ. Ndërkohë, akti i miratuar para datës 25 dhjetor për aktivitetet e ndaluara krijoi përshtypjen se qeveria nuk do të marrë pjesë në dhënien e çelësave të shtëpive dhe në inaugurime të ndryshme, por kreu i KQZ-së sqaroi se cilat janë aktivitetet që nuk do të lejohen dhe ato të cilat nuk do të mund të promovohen.

Por, megjithatë për të realizuar zgjedhje të mira, nuk mjafton vetëm një ligj i mirë dhe puna e KQZ-së, por duhet edhe vullnet politik. Por, a ka vullnet politika shqiptare për të zhvilluar zgjedhje të mira? Për këtë pyetje Celibashi u shpreh se situata politike në Shqipëri sa i përket konfliktualitetit mund të krahasohet me atë të 97-ës.

Ju keni qenë kryetar i KQZ-së edhe në 2001-2006 dhe jeni edhe aktualisht. Në optikën tuaj, komisioni ka qenë më politik atëherë apo më pak politik tani?

 

 

Nëse do të kem mirëkuptimin tuaj, dua ta evitoj komentin në lidhje mbi formatin e shkuar të KQZ-së dhe formatin e tanishëm. Pa diskutim që e kam një pikëpamjen time në lidhje me ligjin zgjedhor ose me këtë pjesë të ligjit zgjedhor, por pas 25 prillit do të kemi kohën e bollshme për të dhënë opinionet tona në lidhje me Kodin Zgjedhor.

Për të pasur zgjedhje të mira nuk mjafton vetëm puna e KQZ-së, por duhet edhe vullneti i partive politike. Mendoni se zgjedhjet e 25 prillit do të jenë të rregullta dhe nuk do të ketë presione politike dhe si ka qenë marrëdhënia e partive politike me ju deri tani?

Në vlerësimin tim është fakt që situata politike është shumë e acaruar dhe ajo që unë sjell në memorien time qoftë si zyrtar që ka pasur angazhime me zgjedhjet dhe qoftë si qytetar, duket që konfliktualiteti politik është gati i krahasueshëm me atë të vitit ‘97. Nuk është një gjë e mirë për hir të së vërtetës. Por, në raport me përgatitjen e zgjedhjeve, qasja e të gjitha palëve është shumë pozitive. Ne kemi një bashkëpunim të mirë me të gjithë faktorin politik sa i përket përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme. Kjo është një gjë e mirë në kontrast të plotë me sjelljen që politika ndërmjet vetes.

Një nga vendimet e fundit të Komisionit Rregullator është akti për veprimtaritë e ndaluara të qeverisë. A mund ta sqarojmë se cilat janë ato aktivitete që ndalohen, pasi në perceptimin publik ka një keqkuptim. Ditët e para që u miratua ky akt u krijua perceptimi se qeveria nuk do të marrë pjesë në dhënien e çelësave, inaugurimin e rrugëve.

Padyshim që çdo aktivitet i qeverisë që zhvillohet në përmbushje të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore të qeverisë dhe institucioneve publike, është i lejueshëm dhe kjo është logjikë, sepse nuk mundet që ne të bllokojmë aktivitetin e qeverisë. Ajo që ligji dhe në zbatim të ligjit ky akt ndalon ka të bëjë me keqpërdorimin e burimeve njerëzore, e aseteve publike për qëllime politike elektorale. Në mënyrë precize, KQZ-ja bazuar në Kodin Zgjedhor ka ndaluar veprimtaritë e institucioneve publike, të cilat janë me karakter publik, pra ose me pjesëmarrjen e publikut ose të medias, aktivitete të cilat nuk kanë qenë në axhendën e qeverisë, por janë alokuar fonde rishtazi për këtë periudhë 4-mujore për qëllime elektorale.

Qoftë Kodi Zgjedhor, por edhe akti i Komisionit Rregullator ndalojnë edhe aktivitete të tilla promovuese siç janë shpërndarja e lejeve të legalizimit në mënyrë publikem, por kjo nuk do të thotë që procesi do të ndalojë. Zyrat përkatëse kanë detyrimin ta përmbushin këtë proces, por ajo që ndalohet është promovimi i tyre. Edhe shpërndarja e titujve të pronësisë, ato vazhdojnë por është i ndaluar promovimi i tyre.

Një nga risitë e zgjedhjeve të 2021 do të jetë edhe identifikimi biometrik. Tani që ka ecur deri diku procesi, a jeni më të bindur se ky projekt mund të realizohet në 100% të Shqipërisë?

Në një periudhë shumë të shkurtër kemi bërë shumë përparime në këtë projekt. Tani jemi në procedurën e prokurimit të këtyre pajisjeve dhe të këtij shërbimi. Tani presim ofertat e kompanive të interesuara dhe mendoj që shanset janë gati absolute që ky projekt të realizohet. Ka akoma aspekte të karakterit teknik që duhet të marrin vëmendjen e KQZ-së, sepse nuk është një proces i thjeshtë nga pikëpamja teknike. Realizohet për herë të parë dhe ka mungesë eksperience. Besoj se me një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë faktorët që lidhen me këtë proces ta realizojmë me sukses edhe këtë.

Ligjvënësit iu lanë një detyrë mjaft ë vështirë që është realizimi i votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Mendoni se do të realizohet votimi i tyre më 25 prill dhe mund të themi disa detaje se si do të funksionojë, ku do të numërohet vota e tyre?

Është i vërtetë konstatimi se është një projekt shumë i vështirë, që implikon shumë elementë në realizimin e tij. KQZ-ja po vlerëson eksperiencat e vendeve të ndryshme. Jemi në një proces konsultimi me shoqatat dhe organizatat që përfaqësojnë shqiptarët me vendbanim jashtë vendit. Jemi në një proces konsultimi jo dhe aq intensiv për momentin me partitë politike. Tani besoj e kemi një ide se si do përgatitet lista e zgjedhësve të kësaj kategorie votuesish. Ata janë në listën e zgjedhësve dhe mund të vijnë të votojnë në Shqipëri, por ideja është që ata të votojnë atje ku janë. Ka një procedurë se si do jetë e përbërë lista e zgjedhësve që e kanë vendbanimin jashtë Shqipërisë. Gjatë këtij muaji do të plotësohet edhe me aspektet e tjera se si do të votohet dhe si do pajisen me fletën e votimit. Sa i përket se ku do llogaritet kjo votë, këtë e ka përcaktuar Kodi Zgjedhor. Ata do të përfshihen në zonën zgjedhore ku kanë regjistrin e gjendjes civile.

A do të ketë rol të shtuar Policia në zgjedhjet e 2021?

Kodi Zgjedhor përcakton disa angazhime shtesë të Policisë së shtetit. Pranon të ketë një prezencë më konkrete të Policisë, konkretisht në ditën e zgjedhjeve. KQZ-ja miratoi në fund të vitit që lamë pas aktin përkatës që ka të bëjë me detyrat e Policisë në zgjedhje. Është një akt i konsultuar dhe i dakordësuar.

Një tjetër risi është edhe përdorimi i telekamerave në qendrat e votimit. Në çfarë faze jemi në këtë aspekt?

Ne kemi bërë parashikimet në buxhet për këtë projekt. Është pjesë e angazhimeve të KQZ-së dhe ka të gjithë fokusin që ta realizojmë edhe këtë projekt?

Mund të kemi një shifër se sa është kostoja e këtij projekti?

Kemi bërë një vlerësim të përafërt që shkon rreth 4 milionë euro i gjithë procesi i monitorimit për kamera.

Cila është sfida më e madhe për ju në zgjedhjet e ardhshme?

Sfida më e madhe në vlerësimin tim ka të bëjë me rikthimin e besimit të qytetarëve dhe të gjithë faktorit politik në të gjithë procesin zgjedhor dhe mendoj se për këtë do të punojë KQZ-ja dhe është duke punuar. Vetë fakti që të gjitha aktet janë miratuar me konsensus të plotë është shenjë e angazhimit dhe përgjegjshmërisë së KQZ-së për të punuar në atë drejtim. Është shumë e rëndësishme që të gjithë të jenë besimplotë në procesin zgjedhor, pasi përndryshe edhe legjitimiteti i qeverisë së ardhshme do të jetë i cenueshëm./Panorama

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.