BallinaEkonomiFiskalizimi nis zbatimin, biznesi mjaft i paqartë për kostot

Fiskalizimi nis zbatimin, biznesi mjaft i paqartë për kostot

Nga 1 janari fillon zbatimi i procesit të fiskalizimit. Por faza para kalimit në sistemin e ri ka krijuar mjaft paqartësi për kostot dhe vështirësitë për t’u zbatuar, që mund tí kalojnë edhe 700 euro.

Subjektet e certifikuara nga shteti për prodhimin dhe mirëmbajtjen e zgjidhjeve software shpjegojnë se cilat janë opsionet që ofron procesi, si për bizneset që duan të përdorin kasën fiskale, por edhe për ato të cilat përdorimin e aplikacionit, e shohin si oportunitet. Drejtoresha e tatimeve Delina Ibrahimaj, tha se prioriteti i procesit është formalizimi. Kontabilistët e vënë në pikëpyetje zbatimin e procesit, pasi biznesi nuk është ende gati për të kaluar në një sistem të ri

Nga 1 janari 2021, fiskalizimi, ose siç njihet ndryshe lëshimi i faturave elektronike, do të nisë me bizneset që kanë marrëdhënie tregtare me qeverinë. Parashikohet që kjo fazë të jetë shtysë pozitive për implementim e fazës tjetër nga 1 korriku 2021, që do të jetë biznes me biznes për transaksionet pa para në dorë. Ndryshimi më i madh do të ndodhë nga 1 shtatori 2021, kur të gjitha bizneset që punojnë për transaksionet me para në dorë, do të lëshojnë fatura elektronike.

“Nuk do të ketë më diferencë ndërmjet kuponit dhe faturës, por të gjitha faturat do të jenë elektronike, si transaksionet me para në dorë, ashtu edhe ato pa para në dorë, për të gjitha këto transaksione do të lëshohet faturë elektronike”, pohon Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj.

Për ato biznese që kryejnë shitje apo ofrojnë shërbime me para në dorë, fizkalizimi heq nocionin e kuponit. Ajo që do të vërtetojë kryerjen e një transaksioni do të jetë fatura tatimore. Për lëshimin e faturës, sipas sistemit të ri, biznesi duhet të blejë kasë të re të teknologjisë moderne, të përshtatë atë ekzistuesen ose të përdorë zgjidhjet sofware. Çdo faturë që do të lëshohet do të jetë e nënshkruar elektronikisht nga biznesi dhe për këtë duhet të pajiset me certifikatën të lëshuar nga AKSHI. Ky dokument do të rinovohet çdo vit dhe do të jetë i integruar, si te pajisja fiskale ashtu edhe te programi software.

Kasat fiskale nuk do të hiqen nga përdorimi

Regjimi i ri përveç dërgimit të të dhënave të transaksioneve në kohë reale në serverin e tatimeve mundëson edhe dhënien e disa informacione më shumë nga biznesi, siç janë elementët e sigurisë duke nisur që nga kodi i pajisjes që po përdor, i prodhuesit, nipti i bizneset etj. Për bizneset që punojnë pa para në dorë për çdo transaksion të kryer me fiskalizmin do të lëshojnë faturë elektronike. Kjo kategori do të përdorë vetëm një nga programet software të certifikuar në treg.

Administrata tatimore, prej dy vitesh, ka nisur përgatitjet për vënien në jetë të procesit, si me miratimin e ligjeve, investimet e domosdoshme teknike dhe certifikimin e subjekteve prodhuese dhe të mirëmbajtjes të zgjidhjeve software.

Ligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” parashikon për bizneset që kryejnë transaksione me para në dorë për tregtimin e mallrave, ose ofrimin e shërbimeve, që mund të vazhdojnë të përdorin kasën fiskale ekzistuese deri më 30 gusht 2021. Pas këtij afati për procesin e fiskalizimit (lëshimin e faturave elektronike që mundëson transmetimin e të dhënave online në serverin e administratës tatimore) do t’u duhet të zgjedhin tre nga opsionet që mundëson ligji.

“Të mbajë kasën ekzistuese dhe ta azhurnojë atë siç e përcakton ligji. Të bëjë një zgjidhje të teknologjisë më të re, siç është blerja e kasës së re fiskale, e cila përmbush kërkesat e biznesit specifik. Të pajiset me zgjidhjen software dhe ta instalojë atë në një kompjuter, tablet, celular etj., të cilat mund t’i ketë ekzistuese dhe në rast se nuk i disponon, duhet t’i blejë ato”, shpjegoi përfaqësuesja e kompanisë “Daisy & ETM”, znj. Myrvete Pazaj.

 

Kostot e sistemit të ri

Përshtatja e pajisjes ekzistuese fiskale do të kushtojë 70 euro, kur transmetimi i të dhënave do të kryhet me internetin që biznesi ka të instaluar në ambientet e tij. Në rast se bizneset zgjedhin të instalojnë një burim alternativ që do të siguronte internet të vazhdueshëm për të shmangur problemet që mund të krijohen nga ndërprerja e energjisë, znj. Pazaj thekson se biznesi mund të blejë kartën SIM (e ngjashme me kartën e telefonit), që kushton 15 euro në vit.

Ato ndërmarrje që do të përzgjedhin të lëshojnë fatura elektronike me kasë fiskale duhet të paguajnë edhe një tarifë vjetore prej 29 eurosh për mirëmbajtjen e pajisjes, sipas përfaqësueses së kompanisë “Daisy & ETM”. Bizneset që nuk kërkojnë të ndryshojnë mentalitetin e të punuarit mund të zgjedhin të blejnë edhe pajisje të re, që nuk ka nevojë të përshtatet për fiskalizimin. Blerja e një kase të re që lëshon fatura elektronike, bashkë me shërbimin e internetit dhe mirëmbajtjes, kushton 279 euro.

 

Sa do të paguhet për programet software

Rezarta Hamzaj, menaxhere e shitjeve dhe marketingut te kompania “Image & Communications Development sh.p.k.” (Dev.al) thotë se janë të shumta bizneset që kanë shfaqur interes për përdorimin e aplikacioneve software për lëshimin e faturave elektronike. Sipas saj, 3 janë arsyet pse kërkohet programi që nga kostoja e ulët, teknologjia e avancuar dhe opsionet shtesë që ka aplikacioni për menaxhimin e magazinave, inventarëve deri te gjenerimi i raporteve.

“Zgjidhja jonë software nuk blihet, ajo ka vetëm një abonim vjetor, që për bizneset e vogla është një kosto shumë e ulët duke nisur nga 3 euro në muaj, që përfshin edhe mirëmbajtjen, përditësimet dhe suportin. Kjo zgjidhje ka nevojë për një kompjuter të thjeshtë dhe për një printer po ashtu të thjeshtë. Për subjektet që nuk kanë hapësirë apo nuk duan të shpenzojnë për kompjuter, ne kemi edhe një version mobile të sistemit, i cili punon në çdo pajisje me sistem operativ Android. Ne do të sjellim shumë shpejt në treg edhe një pajisje smart me printer të integruar, kostoja e së cilës nuk do t’i kalojë 250 eurot.

Për paketat mobile, por edhe për bizneset që do të përdorin kompjuter, por nuk duan të shpenzojnë për lidhje interneti, ne do të ofrojmë lidhje 4G të dedikuar me serverët tanë, me kosto jo më të lartë se 40 euro në vit”, pohon znj. Hamzaj.

Edhe përfaqësuesi i kompanisë “Infosoft Software Developer”, Gentian Qiriazi, që ofron zgjidhjen software Financa-5, thotë se mundësia e teknologjisë mund të vazhdojë të shfrytëzohet edhe nga bizneset e vogla që punojnë me aplikacionin. “Me nisjen e procesit të fiskalizimit për këto biznese që punojnë me transaksione me para në dorë, tashmë nuk është e nevojshme instalimi i programeve të reja, për këto raste programit i bëhet update.

Kësaj kategorie biznesi nuk do t’i ndryshoje gjë në aktivitetin e tyre të përditshëm”. Kostoja për instalimin e zgjedhjeve software është në varësi të tipologjisë së programit që kërkon të përdorë sipërmarrja. Për një program bazik Financë-5, vlera e tij nis nga 13,100 lekë dhe kostoja për transmetimin e të dhënave në serverin e Tatimeve kushton 14,000 lekë në vit.

 

Sa kushton investimi fillestar

Për bizneset e reja që do të hapen dhe do të kërkojnë të punojnë direkt me programet software, kostoja si investim fillestar, duke përfshirë blerjen e kompjuterit, printerit, mirëmbajtjen e programit software dhe pagesa për linjat e internetit llogaritet rreth 515 euro.

“Në rastin e zgjidhjes me aplikacion software është e nevojshme të blihet një kompjuter dhe një printer, të cilët së bashku minimalisht kanë koston 300 euro. Gjithashtu, do të instalohet interneti, i cili nuk kushton më pak se dhe 15 euro/muaj, që do të thotë 90 euro në vit. Kostove të mësipërme duhet t’u shtohet edhe kontrata e mirëmbajtjes së software, që do të jenë nga 100-150 euro në vit.

Në total, kostoja fillestare e opsionit të dytë është 300 + 90 + 125 = 515 euro. Pra një biznes që punon me transaksionet me para në dorë, nëse zgjedh të investojë për zgjidhjen software, do të shpenzojë 515 euro dhe nëse do të blejë kasën e re fiskale do të shpenzojë 279 euro”, sipas drejtoreshës ekonomike te kompania “Daisy & ETM”.

Pajisja hardware, që do të zëvendësojë kasën (printeri fiskal), pajisja hardware e firmës elektronike, software përkatës, certifikatat e sigurisë nga institucione për subjekte të ndryshëm dhe shërbimi i internetit konsiderohen elemente që shtojnë kostot sipas kontabilistit Armand Mala. “Këto elemente të sipërpërmendura janë kosto të drejtpërdrejta, por normalisht për zbatueshmërinë e tij do të ketë edhe plot kosto të fshehura”.

 

Vështirësitë që priten nga procesi

Gjashtë pika në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” do të jenë shumë të vështira për t’u zbatuar, sipas kontabilistit Armand Mala.

“Futja e këtij ligji me emergjencë do të vërë në pikëpyetje të madhe zbatueshmërinë e tij. Nuk janë vetëm bizneset që nuk janë gati për të adaptuar një ligj të tillë, por është edhe vetë administrata tatimore apo dhe bankat, pasi edhe këto të fundit do të jenë një aktor kryesor në zinxhirin e transaksioneve (kujtojmë që do të kenë akses të shikojnë cilën faturë po likuidon subjekti, a ekziston vërtet një faturë e tillë në profilin fiskal të subjektit”.
Vështirësi do të krijohen, sipas tij, në zbatimin e nenit 15 të ligjit për regjistrimin e operatorëve.

Në këtë nen përcaktohet se: “tatimpaguesi që lëshon fatura, detyrohet që të paraqesë në administratën tatimore nëpërmjet shërbimit elektronik, të dhënat për çdo operator, në përputhje me nenin 3, pika ‘h’, e këtij ligji, përfshirë informacionin mbi numrin unik të identifikimit dhe emrin e operatorit, por jo më vonë se 24 orë para lëshimit të faturave nga secili operator”.

Në dukje, komunikimi do të jetë shumë i thjeshtë në rrugë elektronike. Por nga praktika e dimë që komunikimi me administratën nuk është asnjëherë aq i thjeshtë sa shkruhet. Për më tepër ç’ndodh në rastet kur operatori nuk u paraqit në punë pa njoftim paraprak e subjekti nuk mori masat për të njoftuar një operator tjetër në organin tatimor? A duhet të punojë në mënyrë të jashtëligjshme (pa bërë njoftimin 24 orë para), apo të ndërpresë faturimet?”.

Ligji parashikon një afat 48 orë për të rivendosur lidhjen e shërbimit të internetit në rast shkëputje, për dorëzimin e gjithë faturave dhe nëse afatet nuk respektohen do të ketë penalitete. “Por a është e drejtë të kemi penalitete për një biznes, i cili thjesht e ka të pamundur të ndjekë një procedurë dhe jo se nuk ka vullnet. Ligji ngarkon me përgjegjësi subjektin për të rivendosur lidhjen në kapacitetet teknike të duhura për të bërë funksional një sistem të tillë faturimi. Në ligj vihet re një listë e gjatë që fillon apo vazhdon me ‘brenda 24 h…’.

Parë në këndvështrimin praktik, nuk është aq e lehtë të ndiqen me rigorozitet gjithë ato pikat e përmendura aty me kufizimin kohor brenda 24 orësh. Kufizime dhe problematika të tjera do të krijohen edhe nga sistemi. Jam i sigurt që për të realizuar këtë, një projekt madhor qëndron mbrapa. Por a i kemi vërtet kapacitetet për të menaxhuar në mënyrë kaq të përsosur sistemin e faturimit? Përvoja na ka treguar që jo. Jo më larg se fundi i korrikut pamë sesi sistemi kaloi në kolaps vetëm se shumë biznese tentonin të depozitonin pasqyrat financiare dhe vendimet e ortakëve (veprim ky që kryhet një herë në vit).

Sistemi doli totalisht jashtë funksionit dhe bëhej fjalë për një total 25,000-26,000 subjekte, që ishin të detyruara për këtë veprim. Sipas statistikave vetëm 7,000-8,000 subjekte nuk kishin kryer këtë veprim deri ditën e fundit. Pra ishin vetëm maksimalisht 7,000-8,000 subjekte që nxorën jashtë loje një sistem, çfarë do të ndodhë kur të jenë me qindra mijë që mund të jenë duke transmetuar fatura apo duke klikuar në të njëjtën kohë, a do t’i përballojë sistemi?”

Mala thotë se gjendja e parave cash pritet të jetë pika më e nxehtë e këtij ligji, pasi janë disa vështirësi për zbatueshmërinë e këtij neni. E para, limitet a paracaktuara të parave cash janë në vlera shumë të ulëta, për subjekte me disa njësi aktiviteti. Këto para nuk do të mjaftojnë as për “lekë kusuri”. E dyta, ligji detyron subjektet në fillim të çdo dite të raportojnë gjendjen e cash-it.

Kjo e çon kontabilitetin në një tjetër nivel, kemi të bëjmë me kontabilitet në kohë reale, pasi e dimë që në përditshmërinë e tij, biznesi nuk është aq i thjeshtë sa një faturë blerje dhe shitje. E treta, çfarë do të ndodhë me bizneset që janë larg degëve të bankave (nëpër fshatra të ndryshëm), ndoshta do t’ju duhet çdo ditë të humbasin 4-5 orë punë (vajte-ardhje-pritje në bankë) për shuma që mund të jenë dhe shumë të vogla dhe lehtësisht të menaxhueshme në cash”.

 

Sa do të shpenzohet që nga përshtatja e kasës deri te përdorimi i software-ve për fiskalizimin

Kostot që do të paguajë biznesi për procesin e fiskalizimit llogaritet të nisin nga 146 euro deri në 677 euro. Sipas çmimeve të deklaruara nga kompanitë të certifikuara për prodhimin dhe mirëmbajtjen e zgjidhjeve software, Monitor llogariti kostot për 4 variante, që biznesi mund të përdorë për fiskalizimin, sipas të dhënave të deklaruara nga kompanitë e intervistuara.

Faza e parë që nisi zbatimin nga 1 janari 2021 për bizneset që operojnë me entet publike me transaksione pa para në dorë dhe faza e dytë për transaksionet pa parë në dorë i kushtëzon sipërmarrjet vetëm në përdorimin e aplikacionit software (në këtë rast ato nuk mund të përdorin kasë fiskale). Në fazën e fundit të procesit që nis zbatimin nga 1 shtatori 2021 bizneset për lëshimin e faturave elektronike nëse zgjedhin të përdorin kasën fiskale, duke e përshtatur do të shpenzojnë rreth 146 euro vitin e parë.

Në vitin tjetër kjo kategori nuk do të paguajë koston e përshtatjes (70 euro), por vetëm për internetin, mirëmbajtjen e pajisjes dhe të rinovimit të certifikatës të sigurisë. Funksionimi i sistemit të ri kërkon domosdoshmërisht pasjen e linjës të internetit. Sipas kompanive të intervistuara, për bizneset që zgjedhin përdorimin e kasës fiskale rekomandohet si më e leverdishme blerja e kartës SIM të internetit me vlerë 15 euro në vit. Nëse biznesi zgjedh të blejë një kasë të re fiskale, nuk ka nevojë të përshtatë pajisjen me fiskalizmin. Kostoja totale e këtij investimi duke përfshirë mirëmbajtjen, kontratën e internetit dhe pagesën për certifikatën e sigurisë llogaritet të jetë 311 euro.

Për ato sipërmarrje që zgjedhin të përdorin aplikacionet software, si investim fillestar, kostoja do të jetë më e lartë se përshtatja e pajisjes fiskale. Llogaritet që shpenzimet e tyre të arrijnë 677 euro. Në këtë variant është përdorur çmimi mesatar i aplikacionit për funksione bazike (pa përfshirë funksionet e tjera si menaxhim, kontabilizim, magazinim etj).

Në koston totale është përfshirë edhe blerja e kompjuterit dhe printerit (të dhënat e çmimeve janë dhënë nga kompanitë) dhe kostoja e instalimit të software-t, investime që do të kryhen vetëm vitin e parë. Ndërsa për ato biznese që kanë përdorur edhe më parë aplikacionet software, kostoja e fiskalizimit për ta do të jetë më e ulët.

Në këtë rast këto biznese do të shpenzojnë 243 euro për përditësimin e aplikacionit vitin e parë, pasi nuk e kanë të domosdoshme të blejnë kompjuter. Kostot vjetore do të përfshijnë kontratën e shërbimit të internetit që sipas deklarimeve të kompanive llogaritet 90 euro në vit, mirëmbajtjen e programit software 150 euro në vit, certifikata e sigurisë 32 euro.

 

Aplikimi për certifikatë elektronike online tek e-Albania

Këto ditë, një nga shqetësimet më të shpeshta që ka ngritur biznesi është marrja e certifikatës elektronike që jepet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila mundëson nënshkrimin elektronik. Për t’u ardhur në ndihmë subjekteve që do të nisin më 1 janar fazën e parë të fiskalizimit dhe e kanë të domosdoshme të pajisen me certifikatë elektronike, AKSHI sqaroi për “Monitor” se ky shërbim ofrohet online duke aplikuar në portalin e-Albania, nga llogaria e biznesit në shërbimin: Aplikim për certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit.

I gjithë aplikimi zgjat jo më shumë se 5 minuta. Aktualisht, pagesa e shërbimit prej 4,000 lekësh mund të kryhet online, nëpërmjet çdo lloj karte krediti/debiti duke përdorur modulin e bankës Credins (edhe nëse subjekti s’ka llogari bankare në këtë bankë).

Sipas AKSHI-t, tashmë është bërë e mundur që pagesa të kryhet edhe me mandatpagesë, ku çdo subjekt, pasi të ketë shkarkuar dhe printuar formatin e mandatpagesës nga formulari i aplikimit dhe të ketë kryer pagesën në çdo bankë të nivelit të dytë, duhet të bashkëngjisë faturën e pagesës me firmë e vulë të bankës, të skanuar në formatin PDF.

Në fund të procedurës, certifikata elektronike për projektin e fiskalizimit i dërgohet subjektit në adresën e email-it, të vendosur nga ana e tyre, në formularin e aplikimit. Certifikata elektronike e lëshuar ka afat vlefshmërie 1-vjeçar, ndërsa afati për marrjen e këtij shërbimi bëhet i mundur brenda 3 ditëve.

Të gjitha subjektet, që kanë paqartësi apo pyetje mbi procedurën e aplikimit për t’u pajisur me certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, duhet të kontaktojnë në adresën e email-it: [email protected], për të marrë asistencën e nevojshme. Deri tani janë pajisur me certifikatë elektronike 335 subjekte private, nga 376 që kanë aplikuar.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular