BallinaBotaShangai, eksperimentohet monedha digjitale kineze

Shangai, eksperimentohet monedha digjitale kineze

Renminbi (RMB) ose juani digjital, një monedhë virtuale e administruar nga Banka Popullore e Kinës, banka qendrore e Kinës, ka mbërritur tashmë në Shangai.

Pas përdorimit eksperimental në disa qytete të tjera, tani renminbi-ja digjitale ka nisur të përdoret në spitalin “Tong Ren” të Shangait, duke u ofruar punonjësve një mënyrë të thjeshtë për të paguar për ngrënien në mensë.

Doktori Yu Yiming e blen mëngjesin në mensën e spitalit. Tani ai ka një mënyrë të re për të paguar për mëngjesin, një kartë monedhash digjitale të emetuar nga Banka Postare e Kursimeve.

“Është njësoj si karta e metrosë, është shumë e volitshme. Ti e di se sa ke shpenzuar dhe sa të kanë mbetur në kartë,” tha doktor Yu.

Procesi i pagesës është i thjeshtë, por është një hap i madh përpara.

Karta përmban renminbi digjitale, që nuk është kriptovalutë, por një monedhë e re eksperimentale e emetuar dhe e administruar nga banka qendrore kineze.

Zhvillimi dhe përdorimi i monedhës digjitale do të jetë në ndihmë të plotësimit të kërkesave për monedhën e ligjshme në ekonominë digjitale, duke lehtësuar pagesat në shuma të vogla dhe duke shtuar sigurinë e tyre.

Kjo monedhë digjitale gjithashtu është eksperimentuar në qytetet Shenzhen dhe Suzhou, por spitali “Tong Ren” është vendi ku përdoret për herë të parë në Shangai.

“Ne planifikojmë të hapim llogari për të 2 mijë punonjësit tanë në janar dhe shpresojmë se kjo monedhë do të hyjë në përdorim publik për të paguar për gjëra të tilla si rezervimi dhe regjistrimi,” tha drejtori i spitalit Ma Jun.

Banka Popullore e Kinës dhe Grupi “Ant” gjithashtu po zhvillojnë provë në një dyqan çaji në qendrën financiare Lujiazui të qytetit. Megjithëse eksperimentimi i monedhës digjitale në Kinë po zhvillohet në qetësi, ajo kanë tërhequr vëmendjen globale.

Kryeekonomisti i firmës së letrave me vlerë “Orient” Shao Yu bën të ditur: “Në shumë ekonomi në mbarë botën po eksplorohen monedhat digjitale, si për shembull në Zvicër, Singapor dhe Kanada, e veçanërisht në Europën Veriore. Kjo është një prirje e madhe. Për një ekonomi të madhe si Kina, që ka nevojë për ndërkombëtarizimin e monedhës së saj, kjo provë është pa dyshim e nevojshme dhe urgjente.”

Banka Popullore e Kinës po zhvillon bashkëpunim me mbi 20 banka tregtrare dhe kompani të tregtisë elektronike për të zgjerimin e përdorimit të monedhës digjitale, e cila pritet të eksperimentohet më gjerësisht në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit të vitit 2022. (Fani)

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular