Nxënësit marrin rezistenca me vete edhe pse shkolla e tyre është e re ‘fringo’. Shkolla 9- vjeçare ’18 Tetori’ është inaguruar në muajin shtator të vitit që lamë pas, por nuk është përfshirë në projektin e saj sistemi i ngrohjes. Kjo shkollë në Kuçovë u ndërtua nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve , ndërkohë dhe Bashkia Kuçovë ka investuar 30 përqind të vlerës.
Prindërit ankohen duke marrë shkasë edhe nga ulja e temperaturave në vendin tonë, që kanë kapur edhe shifrat nën zero, se fëmijët e tyre e kanë të pamundur të zhvillojnë mësimin në këto temperatura.
Gazetarët e Fiksit shkojnë në Kuçovë për ta parë nga afër situatën. Takojnë vetë nxënësit të cilët thonë se në shkollë mungon ngrohja dhe kanë qenë të detyruar për të blerë rezistenca për ngrohje në klasa. Problemi i tyre nuk mbaron me kaq . Edhe pse kanë shtuar lekë për të blerë rezistencat në klasa sërish mbeten pa ngrohje, sepse shpesh ju shkëputet energjia elektrike. Nxënësit tregojnë për gazetarët e Fiksit se nëpër klasa qëndrojnë të veshur me xhupa.
Fiksi komunikoi edhe me drejtoreshën e shkollës ’18 Tetori’ Valbona Hoxhën ,e cila thotë se janë në bisedime me Bashkinë e Kuçovës për këtë problem. Por e vetmja zgjidhje e tanishme sipas saj mbeten rezistencat ngrohëse të blera nga nxënësit dhe mësuesit.
Duke qenë se shkolla ka vetëm 4 muaj që është ndërtuar , Fiksi iu drejtua edhe Bashkisë Kuçovë. Drejtoresha e Arsimit në bashki Kozeta Mara, thotë për Fiks Fare se për këtë problem në këshill ka kaluar projekti për kaldajën, por pritet që këto ditë të bëhet edhe miratimi i buxhetit. Ndërkohë ajo tregon se Bashkia e Kuçovës ka investuar rreth 30 përqind të vlerës, pra 760 milion lekë të vjetra për ndërtimin e shkollës, në një projekt që nuk përmbante sistem ngrohje. Por edhe për këtë drejtoresha ka një përgjigje duke ia faturuar fajin ish kryetarit të bashkisë , pasi projekti është miratuar asokohe. Drejtoresha Mara shprehet se pavarësisht problemeve të shumta, bashkia nuk po qëndron pa bërë gjë. Ajo zotohet për Fiksin se shumë shpejt ky problem do zgjidhet.