BallinaKryesoreNdjesa e stërnipit të Viktor Emanuelit përballë dyshimeve të Ramës për varjen...

Ndjesa e stërnipit të Viktor Emanuelit përballë dyshimeve të Ramës për varjen e Havzi Nelës

Nga Ilir NIKOLLA

Nga Italia në Shqipëri nuk na vjen veç ndihma për të luftuar korrupsionin e gjithëpërhapur, të cilin s’e luftojmë dot vetë. Na vijnë edhe shembujt se si një shoqëri, se si protagonistët e saj bëjnë katarsisin moral, mbajnë qendrim e kërkojnë ndjesë kur e lyp nevoja.

Nga hetimet e Kalabrisë, shohim se si malavita italiane e ka kthyer pushtetin qendror e vendor në Shqipëri në një apendiks të buxhetit të saj, por dy ditë më parë, në javën e memories për viktimat e Shoa-s, stërnipi i perandorit Viktor Emanueli III, dha një leksion të pakërkuar për kryeministrin e Shqipërisë se si kërkohet falje.

Edhe pse Emanuele Filiberto e ka çuar gjithë jetën e vet në ekzil, si pasojë e një ligji të 1946-s, e cila abrogoi monarkinë dhe i ndaloi familjes perandorake të Savojës përjetësisht të drejtën të kthehej në Itali, edhe pse e gjithë bota e di se firma e Viktor Emanuelit III në ligjet raciale të 1938-s ishte thjesht një kundërfirmë formale nën pushtetin e pakufi të Musolinit, stërnipi shkruan një letër publike drejtuar komunitetit hebre italian, ku kërkon ndjesë për pasojat e tmerrshme që erdhën nga vënia në zbatim e ligjeve raciale edhe në Italinë fashiste. Emanuele Filiberto kërkon ndjesë, duke shkruar se e ndjen përgjegjësinë në emër të familjes dhe se kishte ardhur koha t’i jepej llogari historisë.

Stërnipi i Viktor Emanuelit të Tretë, i lindur dhe rritur në mërgim ndjen përgjegjësinë familjare për ligjet musoliniane që sollën humbjen e jetës së 7500 hebrenjve italiane dhe kërkon solemnisht falje.

Në javën e memories, s’mund të mos kujtoj qendrimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili në fund të dhjetorit, në një intervistë që rrekej bash të analizonte mjedisin familjar e politik ku u rrit, refuzon prerë të kërkojë ndjesë për një firmë të të atit, i cili në pozicionin formal të anëtarit të presidiumit të Kuvendit Popullor firmos për varjen e poetit Havzi Nela në 1988-n, bash në agun e demokracisë. 32 vjet pas varjes, Edi Rama thotë se s’i ka dalë në mbrojtje të atit, por as ka bërë të kundërtën, pasi i mungojnë dy elementë, fjala e të atit (që s’mund të merret më) dhe mosbindja se firma është autentike. Krejt procesi Edi Ramës i duket kompleks dhe ai s’arrin të gjejë se nga është e vërteta dhe e drejta edhe pas 32 vitesh.

Në prag të 27 qershorit, duke ndjekur me kureshtje piruetat e pushtetit të Tiranës për t’i shpëtuar përfshirjes së stërdukshme në aferën me Ndrangheta-n, pres ndoshta që shembulli i Emanuele Filibertos të pasohet në Shqipëri nga ndonjë tjetër pinjoll që e vret ndërgjegja për krimet atërore e familjare, dhe kërkon ndjesë, edhe pse ndoshta mbi pemën e tij gjenealogjike nuk peshojnë krime të përbindshme si firmat për varje apo nuk gjenden eksponentë të rendit të parë si anëtarët e presidiumit të Kuvendit Popullor.

1 56

2 51

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular