BallinaTe tjera"SELIM HYSA NË ATË LASHKIZË, PRAPË MEJDAN I LYP TRIMNISË"

“SELIM HYSA NË ATË LASHKIZË, PRAPË MEJDAN I LYP TRIMNISË”

Nga Shaqir Çerpja

Koha, çdo periudhë kohore ka nevojë për njerëz, që ta përfaqësojnë kohën, ta drejtojnë dhe t’i prijnë kohës, t’i japin jetë dhe zë asaj. Dikur, koha ishte shumë e vështirë dhe jeta në atë kohë ishte edhe më e vështirë se koha. Por, atëherë njerëzit ishin shumë të fortë, kishin shpirt sakrifice për t’u bërë ballë vështërsive dhe u bënin ballë atyre. Atëherë, motivi dhe qëllimi kryesor i njerëzve ishte atdheu, kombi, liria. Dhe, jeta e njerëzve ishte sinonim i besës, qëndresës, guximit dhe trimërisë. Djemtë dhe burrat ishin heronjë dhe gratë e vajzat ishin heroina, sepse ishin nëna, nuse e motra heronjësh dhe bashkë me burrat e krah përkrah me burrat ishin në llogore dhe istikame, ashtu siç thotë edhe kënga: “Plaka n’ votër e theu furkën,/ fëmija i djepit e kërkon pushkën,/ gratë n’ llogore e pjekin bukën”. Foshnjat e djepit përkundeshin e rriteshin në krah shqiponjash. Ditët dhe javët, muajët dhe stinët, vitet dhe motet ndërroheshin, emërtoheshin dhe shënoheshin me ngjarje epike. Atëherë, në atë kohë nuk kishte shkollë e njerëz të shkolluar, që të mbanin shënime e ta shkruanin historinë, por historia gdhendej shruhej e ruhej në këngë. Ajo kohë heroike është këngë dhe në këngë e nëpërmjet këngës vjen tek ne e do të shkoj tek pasardhësit tanë, tek brezat e arshëm, emri i ndritur dhe vepra e lavdishme dhe e pavdekshme e dëshmorit Selim Hysa.
Luftëtari i paepur dhe patrioti i shquar i çeshtjes kombëtare, Selim Llan Hysa, u lind më 20 shkurt 1872, në fshatin Lashkizë të Dardhës në Dibër. Ai lindi dhe u rrit në Dardhën e Nëntë Maleve të Dibrës, e cila, në shekuj me radhë është shquar për atdhedashuri dhe qëndresë heroike për çështjen kombëtare. Ai lindi në konakun dhe të një dere të një familje e të një fisi të fisëm. Por lindi dhe u rrit në një kohë të trazuar e të ngjeshur me ngjarje të shumta, me kryenrgritje të pandërprera dhe luftëra të vazhdueshme antiturke. Jo vetëm fëmijërinë dhe rininë e tij, por gjithë jetën e kaloi në prushin, në zjarrin dhe në flakët e luftës çlirimtare antiturke dhe antisllave. Në shpirtin e Selim Hysës rrinte gjithmonë ndezur zjarri i atdhedashurisi, i dashurisë për lirinë e atdheut e të kombit. Gjithë jetën e jetoi në luftë, në llogore dhe istikame, ashtu siç tregohet edhe në një këngë kushtuar bashkluftëtarit të tij, Misim Ahmeti, në të cilën thuhet:
“Në llogore e hëngri bukën,
N’ istikam fjeti me pushkën,
N’ mes t’ armiqëve e ndezi
zjarrin,
Me barut e çelte iftarin”.
Emri i Selim Hysës është gdhendur në histori. Gazeta “Shqypja e Shqipnisë”, datë 15 maj 1910, jo vetëm e përmend emrin e Selim Hysës, por emrin e tij e specifikon si një nga bashkëluftëtarët e shquar të Elez Isufit dhe Sufë Xhelilit. Ndërsa mjeshti i penës, poeti “Naim Plaku “Mjeshtër i madh”, në tekstin e këngës kushtuar Selim Hysës, thotë:
“Po sjell dimni borë me gjak,
Ka shkel serbi në konak,
Nxin Korabi e digjet Ruja,
Digjen male e shemben
kulla,
Vjen haberi në Reç e Dardhë
Me i dalë hasmit ballë
përballë,
Çet oxhaku flakë e xixa,
N’ at’ Lashkizë, te Selim
Hysa,
Besa-besë, o Elez Aga,
Reç e Dardhë i ke
përmbrapa”.
Ku ishte lufta, ishte Dibra, ku ishte Dibra, ishte Elez Isufi, ku ishte Elez isufi ishte Selim Hysa dhe ku ishte Selim Hysa, ishte qëndresa, trimëria, heroizmi, … Ashtu siç ishte bashkluftëtar i Elez Isufit, Suf Xhelilit dhe luftëtarëve të tjerë dibranë e lumjanë, Selim Hysa ishte njeriu më i afërt, më dashamirës, më besnik, me bestar dhe më i besuar i Misim Ahmetit. Ata ishin bashkëfshatar, gati moshatar, bashkëudhëtar dhe bashkëluftëtar. Bashkë në mexhelise dhe kuvende burrash, bashkë në llogore dhe istikame. Ngado, kudo e kurdo, bashkë. Gjithmonë bashkë. Çdo gjë i bashkonte dhe asgjë nuk i ndante. Vdekja, vetëm vdekja i ndau. Dhe, në këngën kushtuar Selim Hysës, poeti Naim Plaku i sheh bashkë dhe i bën bashkë. Dhe, historia flet e kënga thotë:
“Qet martina flakë të kuqe,
Kush po i del në ballë k’saj
lufte?!
Fort po i digjet krajlit mjekra
Djemtë e Dardhës, si zogj
mbi shkepa,
Të lumt dora Misim Ahmeti,
N’ krah ke Likën prej
Shënlleshni,
Kazin, Hoxhën e Mustafën,
Osman Çajkrin edhe Kacën,
Selim Hysën e Lashkizës,
Besa-besë, krejt shpitë e
Dibrës”.
Kalendari i jetës së Selim Hysës është pjesë e kalendarit të historisë sonë, sepse jeta e tij ka kaluar dhe është përcjellë e përshkuar nga ngjarje të rëndësishme, në kuvende burrash, në kryengritje të pandërprera dhe luftëra të vazhdueshme për mbrojtjen dhe lirnë e atdheut. Emri i tij është gdhendur në ngjarjet më të rëndësishme të Dardhës, Dibrës e atdheut si kryengrita e qërshorit 1912 dhe lufta e Kolosjanit në po këtë vit, kryengritja e shtatorit 1913: lufta e Kaushit, 1915, etj., … Si gjithmonë, edhe në qëndresën e Misim Ahmetit në Majë të Karmës, në gushtit 1921, Lëvizjen e Marsit 1922, …por edhe në luftën Nacionalçlirimtare. Dhe, ngado, kudo dhe kurfo, Selim Hysa la gjumë në histori. E, një nga këto gjurmë të tij në histori, kur në vitin 1913, Selim Hysa vrau në Zall-Dardhë gjeneralin serb, na i tregon e i thotë kënga:
“Gjëmon Drini kep më kep,
Ndal, mor kral, se nuk ke
shteg,
Selim Hysa, pika e djalit,
Po i vikatka gjeneralit,
Gjeneral, mor biri i shkinës,
Unë jam djali i Lashkizës,
Po ta jap kët’ pare ballit,
Kjo është pushka e
shqiptarit”.
Në periudhën e regjimit komunist, në mesin e viteve ’80, në një miting të madh në qytetin e Peshkopisë, i deleguari kryesor, një nga udhëheqësit e lartë politik dhe shtetërot të Shqipërisë, (H. I.), midis të tjerash tha se në muzeun e luftës të Beogradit është ekspozuar dhe’ nga dheu i Zall-Dardhës , ku u vra një nga gjeneralët madhor të Serbisë. Megjithëse dihej se gjeneralin serb e kishte vra Selim Hysa, i deleguari nuk e përmendi emrin e Selim Hysës, se regjimi komunist e kishte përndjeur, e kishte burgosur e dënuar patriotin dhe luftëtarin e shquar të çeshtjes kombëtare.
Në kuvendin e Arrasit, 13 gusht 1920, Selim Hysa u zgjodh anëtar i shtabit për drejtimin e luftës. Si në çdo luftë tjetër, edhe në gushtin e vitit 1921, në qëndresën heroike të Misim Ahmetit në Maje të Karmës, Selim Hysa ishte përkrah e në krah të Misim Ahmetit kundër mercenarëve të Beogradit, të cilët pasi dogjën kullën e Misim Ahmetit, si hakmarrje ndaj Selim Hysës, dogjën edhe kullën e tij. Selim Hysa kishte gradën “toger”.
Edhe gjatë luftës Nacionalçlirimtare, Selim Hysa dha kontribut të çmuar dhe të shquar. Djali i tij, Shahin Hysa ishte partizan në radhët e brigadës së 18-të sulmuese, ndërsa vetë Selimi ishte kryetar i këshillit çlirimtar për fshatin. Në verën e vitit 1944, një brigadë partizane kalon nëpër Dardhë dhe në lagjen Qan të fshatit Lashkizë, pikërisht në livadhin e Sheut ndalojnë për të gjykuar një partizan nga jugu, për thyerje të disiplinës. Shtabi partizan vendosi dënimin me pushkatim të partizanit, por Selim Hysa ndërhyn dhe ngul këmbë e kundërshton vendimin e shtabit partizan. Ndërhyrja e Selim Hysës nuk e ndryshoi dot vendimin e shtabit partizan për pushkatimin e partizanit. Kur po e pushkatonin partizanin, arma nuk shkrepi dhe kur po rimbushej arma për ta qëlluar përsëri, Selim Hysa del para partizanit të dënuar dhe në mënyrë demostrative proteston përpara shtabit partizan, duke këmbëngulur se është zakon, traditë dhe ligj i këtyre maleve, se kushdo që falet nga pushka, (edhe hasmi), falet. Partizani u pushkatua dhe u gropos, po aty, ku u pushkatua.
Për 23 vjet me radhë, nga viti 1921 kur u formua dhe deri në fund të vitit 1944, ka qënë anëtar i të 15-tëve të Dheut në Dardhë.
Megjithë kontributin e çmuar dhe të shquar për atdheun dhe çeshtjen kombëtare, paç çlirimit të vendit dhe vendosjes së regjimit komunist, për Selim Hysën do të vinin dhe erdhën ditë të vështira, ditë të zeza. Diktatura komuniste kishte si strategji të sajën izolimin e njerëzve dhe familjeve me reputacion dhe me 15.4. 1946 arrestojnë Selim Hysën, bashkë me vëllain e tij, Xheladin Hysa dhe nipin e tij Hashim Hysa. Dhe me vendim të gjykatës ushtarake Elbasan nr. 84, datë 10. 6.1946 e dënojnë me 15 vjet burg dhe konfiskim pasurie. Pasi bëri disa vite burg, Selim Hysa lirohet dhe kthehet pranë familjes, por dhjetë ditë pas lirimit, forcat e sigurimit i vijnë në shtëpi dhe e arrestojnë përsëri dhe e kthejnë përsëri në burg, ku edhe vdiq në vetmi.
Më 25 shkurt 2000, Selim Hysa shpallet “D ë s h m o r”
Kënga nuk pushon, ajo vazhdon e thotë:
“Selim Hysa n’ at’ Lashkizë,
Prapë mejdan po i lyp
trimnisë,
T’ kam në besë, o Hakik
Mena,
Miku i shpisë nuk pritet
mrena.
Qofsh mallkue, moj bisha e
kuqe,
Na e kalbe trimninë në
burgje.
Vdiç si burrë, si i ka hije,
Por pa fëmijë e miq mbi
krye”.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular