BallinaKryesoreAlma Lama, njё diplomate pioniere, nga Kosova nё oborret europiane

Alma Lama, njё diplomate pioniere, nga Kosova nё oborret europiane

Profili i njё ambasadoreje me fustan te gjuri

Nga Romelda Bezhani*

Tani vonё, kёto vitet e fundit, ndodhi takimi ynё i dytё. Kohё mё parё, ishim njohur nё bankat e universitetit, nё Tiranё, ku me Almёn, na kishte lidhur mё shumё seç e mendonim, letёrsia, pasioni ynё i pёrbashkёt.

Herёn e tretё, kur u rehatuam nё kafene dhe u shkёrmoqёm nё biseda tё çlirёta, e kuptuam se e kaluara jonё ishte mbushur me njerёz tё njёjtё e tё dashur, miq tё harruar e tё paharruar, qё pa dijeninё tonё, na kishin shtruar njё qilim me fije tё kuqe, ku ne kishim ecur deri nё ditёn qё u ritakuam, pas njёzetё e tre vjetёsh.
U takuam nё ca banka shkolle, sёrish. Kёsaj here nё bankat e njё salle tё madhe e tё ngrohtё, nё Universitetin la Sapienza nё Romё, me rastin e njё veprimtarie organizuar pёr nder tё muzёs sonё, Mysinesё. Nё ’38-tёn, vashёza Mysine, ndoshta ishte ulur nё tё njёjtёn sallё e cimbiste mendueshёm bishtin e penёs me tё cilёn merrte shёnim leksionet e letёrsisё. Njё shekull mё vonё nga lindja e saj, nё 2017- tёn, nё epokёn e lirive tё shpenguara, nё erёn e internetit dhe dashurive tё mundura, ishim mbledhur njё dorё shqiptarёsh e italianёsh e po kujtonim nё intimitet, me pёroltje e turp se si ishim bёrё padashur dёshmimtarё tё fatit tё zi, tё njё njeriu tё bardhё, siç ishte Kokalari. Midis tyre, unё, ndjekёsja e heshtur e letёrsisё sё tё tjerёve, midis nesh, edhe ajo, diplomatja, qё kohёn e lirё e kalonte nёpёr aktivitete qё bёnin tё njohura figurat shqiptare nёpёr botё. Ishte bёrё, ndёrkohё, Alma Lama, ambasadorja e Kosovёs nё bel paese e kishte lёnё nga pas faltoren e ligjit ku kishte shёrbyer pёr dy mandate radhazi. Nё kokё, duhet tё kishte ndarё me kohё ca si shumё ide politike qё i kishin kushtuar bёrryla burrash dhe zgjedhje partish tё ndryshme, por hapin e kishte tё shpenguar si dikur.

Drejtuesja italiane e seancёs e ftoi tё fliste. Fjala e saj ishte jashtё programit. Ambasadorja foli, improvizoi, por Kosova dhe fati i zymtё i grave kosovare gjatё luftёs, fati i zi i mijёra mysineve, humbja e jetёs sё qindra e mijёra grave, viktima tё dhunёs sё ideologjive tё çmendura, u bё plaga e hapur e tё gjithёve nё atё sallё. Ndoshta sepse ёshtё plaga e Almёs, e hapur dhe e pёrhershme, prandaj. Ёshtё edhe e imja. Kёto paralele fatesh tё mjera, çuditёrisht, ne grave shqiptare, na dalin kaq natyrshёm. Sepse jemi pjella tё sё njёjtёs luftё.
Nё bisedat publike tё Alma Lamёs, gruaja ёshtё, ekziston. Ajo lufton vazhdimisht pёr tё drejtat e grave, kaq bindshёm.

Me ligje, me fjalё, me kokёfortёsi. Nё intervista tё ndryshme, edhe nё mediat e huaja, nuk harron tё flasё pёr gruan si krijesё e pёrpёlitur qё duhet mbrojtur me tё gjitha mjetet e nё tё gjitha rrethanat, pse gruaja ёshtё bёrthama e njё shoqёrie. Nё fakt, nё Kosovё, ashtu si edhe nё Shqipёri, gruaja ёshtё ende njё amazonё e lidhur, por ja, ligjet, edhe pse ngadalё, po marrin formё e erё qytetarie.

Shifrat flasin, tridhjetё pёr qind tё parlamentarёve nё Kosovё janё gra. Nё emёr tё tyre, Alma ideoi ndёrtimin e monumentit tё parë në Kosovë kushtuar kontributit të grave gjatë luftës. Memoriali i quajtur “Heroinat” sot ndodhet në qendër të Prishtinës e i bёn hije turpit tё atyre qё prekёn dhe pёrdhosёn gra. Nё emёr tё tyre, Lama flet sot e kёsaj dite nёpёr foltoret e botёs, ku nderohet vazhdimisht me çmime si njё figurё e spikatur qё ёshtё vendosur nё anёn e njerёzores.
Jo mё kot, njё nga “heroinat” e pёrhershme tё saj, ёshtё Nёnё Tereza. Kjo grua e vogёl ёshtё edhe nderi ynё i madh.

Dhe ambasadorja Lama s’ka lёnё rast pa e pёrmendur kёtё “yll shqiptar” nё oborre diplomatёsh tё huaj. Pёrmend shpesh edhe Rugovёn. Shkon deri te adhurimi pёr tё, si pёr njё idhull, sepse “Rugova pёr Kosovёn ishte si Nelson Mandela pёr Afrikёn e Jugut dhe Gandi pёr Indinё”. Nё fund tё fundit: Nёnё Tereza, Skёnderbeu, Ibrahim Rugova, Anton Ҫeta, Bekim Femiu e tё tjerё, janё flamuri ynё i pёrbashkёt, edhe nё kohё paqeje.

Flamur vlerash pёr tё janё bёrё edhe personalitete tё ndryshme ndёrkombёtare qё i ka prekur nga afёr. Nё kujtesё do t’i nguliten pёrherё çaste krenarie si takimi me Presidentin italian, aq shumё i nderuar jo vetёm pёr Almёn, Sergio Mattarella. Flet pёr takime me diplomatё karrierash tё vendeve tё ndryshme, tё akredituar nё Italinё fqinje. Nё zemёr e kujtesё, do te ruhen takimet me “diasporёn kosovare e shqiptare”, siç e quan ajo. Mesa kam kuptuar, Italia i ka dhёnё ambasadores njё lidhje shumё tё ngushtё edhe me arbёreshёt. “Ruajta e gjuhёs, e shpirtit, e kujtesёs dhe patja e njё vizioni tё qartё pёr identitet kulturor”, pёr Almёn janё “njё mrekulli etnologjike”. “Pastaj, komuniteti arbёresh ka luajtur njё rol dhe kontribut tё jashtёzakonshёm pёr çёshtjen e Kosovёs”, shton si pa tё keq. Asnjё gjurmё poze nё qёnien e saj. Aty kupton qё gazetarja e dikurshme brenda saj, zgjohet, nuhat, vigjёlon.

Kur sheh Almёn se si i ёshtё dhёnё e tёra politikёs, kur e sheh se sa lirshёm flet pёr gjeopolitikёn, diplomacinё, marrёdhёniet fatkeqёsisht tё pandryshuara, midis Kosovёs dhe Serbisё, edhe pse kanё kaluar shumё vite nga koha e errёt; kur flet pёr lirinё e fjalёs, gjuhёn, kulturёn, zhvillimin e shoqёrisё, rolin e gruas, rrezikun nga feja ekstremiste, etj., kupton se po qetёsohet njё gjak i trazuar.
Njё tjetёr takim. Kёsaj here, takohemi nё Ambasadёn e Republikёs sё Kosovёs, nё Romё. Nё atё apartament tё vogёl e aq modest, tё futur mes pallatesh banimi, nё rrugёn Tolmino, 12, Alma bёn tё zonjёn e shtёpisё. “Duhet tё gjej njё zyrё mё tё madhe”, thotё. “Kosova, meriton mё tepёr”.

Qё Alma Lama, tashmё, i pёrket Kosovёs, e kupton nga çdo bisedё me tё.

E kupton edhe kur flet nё telefon dhe andej fillit, vjen si poezi e folura “kosovarçe” e bijёs mё tё vogёl, Jerinёs. Pёr ne shqiptarёt e Shqipёrisё, ky dialekt ёshtё gurgullim uji, kёngё zane, fuqi eposi kreshnikёsh.
E unё pёrfytyroj se si mbretёresha e luleve, tёrheq tё ёmёn “andej kahu” e se si “kёndej kahu” sa vjen e zbehet. Nё atё çast, mё vjen edhe mbyllja e kёtij shkrimi. Mendoj: “Alma mund t’i pёrkasё Kosovёs, por kam frikё se Kosova e re do t’i pёrkasё Jerinёs”.

*Autorja është gazetare e njohur që jeton në Romë

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular