BallinaKultureHipokrizia e rëndë/ Kujt Edi Rame t’i besojmë për Kadarenë?

Hipokrizia e rëndë/ Kujt Edi Rame t’i besojmë për Kadarenë?

Dy qëndrime diametralisht të kundërta në një njeri të vetëm. Rama i kahershëm 32-vjeçar, me çorapet e ngjyrosura të artistit dhe gjuhën e drejtëpërdrejtë e të paqetë me gjasë për shkak të mos realizimit të ambicieve politike, shpotiste e përçmonte gjithëkënd, duke përfshirë edhe të cilësuarin si “gjeni të letrave shqipe”, Ismail Kadarenë.

“Ashtu si doktor Saliu në rolin e Presidentit të Republikës nuk i jep asgjë politikës, ashtu edhe letrari Kadare në rolin e opinionistit nuk i jep asgjë atyre që lexojnë me sytë e mendjes”, përgjigjej plot mllef Rama në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” në vitin 1996.

I gjithë zhvlerësimi dhe ironia e përdorur ndaj shkrimtarit të njohur, vinte për shkak se asokohe ai i kishte cilësuar anëtarët e Partisë Socialiste si të parinovuar. Sot, në 85-vjetorin e Kadaresë, Rama në pushtet, me një retorikë të qetësuar, plot diplomaci, thur elozhe ndaj shkrimtarit që dikur e demaskonte plot urrejtje se i kishte shërbyer partisë duke përdorur pseudonime në artikujt e shkruara prej tij.

“Opinionet e tij politike nuk më duket se e kanë kaluar ndonjëherë pozën e shtirur intelektuale. Një pozë e mbajtur gjatë në kohë, që kur shkruante me pseudonimin Gent Arbana në “Zërin e Popullit” apo në “Dritën e Partisë” e deri kur filloi të firmoste artikujt në mbështetje të Perestrojkës së vonuar të Ramiz Alisë”, shprehej gjithë vrer Rama.

Gjithë sa është thënë për Kadarenë gjer më sot, nga kritikat e deri te lëvdatat, kryeministri Edi Rama i krahason me kështjellat e rërës që ngrihen prej të vegjëlve në bregdet. Kështu kërkon të tregojë madhështinë e veprës së shkrimtarit si dhe nënvlerëson ato që janë thënë për të, duke lënë të nënkuptohet se do të mbesin në harresë. Ndonëse shquhet për lojën e fjalëve, këtë herë Rama gaboi, pasi në të vërtetë fjalët mbesin, ashtu si vlerësimet e të riut artist për shkrimtarin e madh, qëndrojnë të regjistruara në gazetën “Koha Jonë”. “Të një niveli të dobët intelektual”, i konsideronte Rama artikujt dhe intervistat e Kadaresë.

“Për të mos folur fare pastaj për artikujt dhe intervistat e kohës së ekzilit që janë dëshmi të një niveli të dobët intelektual, dhe mbi të gjitha moral, jo vetëm se përshkohen nga një konformizëm pervers me pushtetin, që fshihet pas mjegullës së një preokupimi të sforcuar për çështje madhore të kombit, por mbi të gjitha për frymën e rëndë autoritare ku, përmes adoptimit të ca aksiomave të universit letrar kadarejan, thuhen gjëra tepër arbitrare e të mërzitshme”.

Një fytyrë tjetër shfaq kryeministri sot në qëndrimet ndaj shkrimtarit.

“Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare – ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve”, shkruan Rama me rastin e 85-vjetorit të Kadaresë.

Të thyer në moshë e konsideronte Kadarenë 25 vite më parë, duke u përpjekur të zhvlerësonte freskinë e mendimeve të tij, ndërsa sot, në një moshë të përafërt me Ismailin e asaj kohe, kryeministri jep lëvdata të pakursyera ndaj figurës që e kritikonte për ndryshim të qëndrimeve.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular