BallinaKulture“Sovraniteti versus Integriteti”, një “Pasaportë” universale për diplomacinë

“Sovraniteti versus Integriteti”, një “Pasaportë” universale për diplomacinë

Duke shfletuar librin e diplomatit dhe shkrimtarit Arben Çejku “Sovraniteti versus Integriteti” në vigjilje të përvejtorit të Pavarësisë së Kosovës-

NGA SHEFQET MEKO, MINNEAPOLIS, SHBA

Në mesin e vitit 2020, kur pandemia vijonte të trondiste botën, diplomati Arben Çejku, iu paraqit publikut shqiptar me librin “Sovraniteti versus Integriteti” (Prapaskenat e dialogut dhe sfida e pajtimit mes Kosovës dhe Sërbisë 2002-2020). Kur e mora me dedikim miqësor të autorit, ndjeva peshën e fletëve dhe mendimit mbi pëllëmbët e mia, e rrotullova mes duarve të mia me një ndjesi admiruese dhe thashë :”Urime Ben Çejku, të lumtë…” dhe siç ndodh në këto lloj takimesh me botime të tilla, kalova faqet e librit mes gishtave, si për të bërë “ledhatimin” e parë të diçkaje që emocionin. Nuk e di, por në ato momente u ndjeva sikur autori me guximin dhe palodhësinë e tij intelektuale, sikur na sillte para kohë një “ vaksinë diplotamike” që i duhet aq shumë Ballkanit dhe shqiptarëve, për të ndërtuar ura paqeje dhe mirëkuptimi me vetveten dhe fqinjët. Ishte koha kur bota dhe Amerika ishte në ethet e kërkimit të vaksinës ndaj Covid-19, që kërcënonte dhe vijon të kërcënojë njerëzimin. E ndërsa tashmë në këtë fillim të vitit 2021, vaksina reale, falë talentit të shkencëtarëve, po injektohet në krahët e qytetarëve të botës, rikthimi tek “vaksina diplomatike” e Arben Çejkut erdhi tek unë si një ngacmim i brendshëm.

Të jem i sinqertë me veten dhe lexuesin, unë mbase duhet të jem i fundit të shkruaj për diplomacinë, aq më pak për atë kosovare, e cila kur ika unë nga Shqipëria më 1999, falë vendosmërisë amerikane, detyrimisht u fut në axhendën botërore. Jam thjesht admirues i diplomacisë, e cila për hir të së vërtetës në “socializmin centralist” ishte një “ëndërr e paparë”, ku shërbenin vetëm “Elita tejet besnike” që e kishin dëshmuar dhe provua “dashurinë për PPSH….” Sidoqoftë, gjëja e parë që më erdhi në mendje kur më ra në duar libri i Çejkut, ishin ato ditë të qershorit 1999, kur si gazetar në Radio-Tirana, do intervistoja sa e sa të dëbuar nga Kosova…Ishte një tmerr dhe solidartet i paparë mbarëshqiptar.Gati gjysëmmilionë kosovarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre, gjetën strëhë në çdo cep të Shqipërisë së varfër,por bujare. Akoma në arshivën time personale në Amerikë, ruhen ato kaseta me histori të trishta e tragjike kosovare… E ndërsa shfletoj një libër dinjitoz për rrugën e gjatë dhe të mundimshme të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, me vijnë në mendje ato tregime rrëngjethëse të nënave, prindërve e të moshuarëve kosovarë të dëbuar nga dhuna e paparë milosheviçiane, më shfaqen ato lot të tharë në fytyrat e rreshkura të të moshuarve dhe lëngimet e tyre, më tingëllojnë në vesh ato zëra fëmijësh, që ashtu pa kuptuar se ç’ndodhte me ta, në apartamentet apo nëpër kampet strehuese që u hapën kudo në Shqipëri, gjenin kohë të qeshnin me naivitetin dhe pafajësinë e tyre, duke u bërë simbol i shpresës në ato kohë të vështira të kombit tonë në Ballkan…Ishin kohët kur UÇK-ja ishte kthyer në një shpresë për shqiptarët e tmerr për sërbët,natyrisht nën “umbrellat” fluturuese të NATO-s.

Arben Çejku, me aftësinë e tij treguese dhe mendjen e mprehtë analitike, sikur më largon nga “kujtimet e të shkuarës” dhe më përplas me një realitet aq të ndryshëm nga ai që ende “fle” në celefonin e kasetave të mia në Minneapolis…Ai është futur aq thellë në rrugën pa fund të mbijetesës dhe shtetformimit kosovar sa të magjeps. Kosova kishte zgjuar botën dhe kanceleritë e saj të përgjumura. Kosova u bë kreu i lajmeve botërore duke tronditur si kurrë më parë “gogësitë” europiane e duke bërë të mobilizoheshin diplomacia dhe vemprimi ushtarak njëherësh.Kosova i dha Ballkanit një fundosje tektonike që historia e shënoi. Europa nuk e kishte njohur një bërbindsh që ishte aq pranë, Kosova ja dëshmoi botërisht. Këtu fillon si duket e “mban shënime” diplomati Cekaj, duke na sjellë një libër risi. Kosova kishte arritur të ishte kryelajm i botës. Deklarata dhe pohime diplomatike që si “vektorë” të shpresës së një populli tmerrësisht të coptuar në historinë njerëzore, u hodhën nga Uashingtoni në Bruksel, nga Berlini në Londër, nga Londra në Beograd, duke u përplasur si “stuhi diplotamtike” nga Parisi në Moskë nga ku si “rikosheta” të fatit tonë rikthehen në Tiranë e Prishtinë. Shqiptarët në Ballkan përfundimisht hapin një kapitull të ri kombëtar duke pasur në krye “Babain” e Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova, që me “gandizmin” e përkthyer në shqip, ia arriti qëllimit. Duket se qysh në ato kohë të tronditura, Çejku i ri, diku “ shënonte në bllok” si gazetar dhe dëshmtar i “aksionit gandist” historik shqiptar.

 

Libri i Arben Çejkut fillon si një “thriller politik” që të rrëmben nga faqja në faqe.Shkurt si askush tjetër. Thënë më qartë si asnjë diplomat i mëparshëm. Akoma më shkoqur: një libër mrekulli që “zgjon” çdo lloj zilie… Autori të lëshon një “shok elektrik” me fakte, të dhëna, reagime dhe angazhime aq interesante, aq të detajuara, dhe të “situra” aq imët, aq kujdesshëm duke të futur nëpër anale diplomatike, në bisedime diplomatësh, në deklarata presidentësh,në plane shtetarësh, sugjerime, këshillime të çuditshme e të gjitha këto sikur derdhen furishëm në “turbinën politike” të Prishtinës, prej nga pritet dritë dhe reflektim për popullin shqiptar të Kosovës, por për fat dhe “mallkim mes vedit” , ky “shtet bebe” akoma kërcënon mbytjen e frikshme në “ujrat e turbullta” të paslindjes së dhimbëshme…Sidoqoftë, vota e lirë kosovare për “Shën Valentin 2021” duket se tregoi një “emancipim perëndimor”,që qartësisht kapërcen klasën politike.

E them pa ekuivoke se libri i Çejkut është një nga kontributet më serioze,një nga prurjet më intelektuale, më hulumtuese e përballje qëndrimesh e idesh, duke rrokur një realitet mediatik, politik dhe diplomatik që shtrihet në tre kontinente, në një kohë dhe hapësirë reale, duke na shpalosur në tre dimensione “kalvarin diplomatik” por edhe “kaosin e vetvetes” të bijve të Kosovës, por gjithsesi me një shpresë të pashuar drejt triumfit. Shfleton këtë vepër publicistiko-diplomatike të Arben Çejkut dhe të vijnë në mendje thëniet lapidare për diplomacinë, që me e përshtatshmja në këtë rast është ajo e e Tomas Xheferson kur thotë “Ne duhet të realizojmë detyrimin tonë dhe të bindim botën se ne jemi pikërisht miq dhe armiq të guximshëm”. A thua Xheferson kishte parasysh Kosovën dhe Sërbinë gati 225 e ca vjet më parë?

Autori krahas prurjeve shumëdimensionale diplomatike që duket se kanë “qëndrën sizmologjike” në Uashignton DC dhe vijnë si lëkundje “7 ballëshë” në Berlin, Paris, Moskë e Beograd, me një mjeshtëri hulumtuese sjell “krizën politike” që përjeton Prishtina, që edhe pse duhet të kuvendojë urtësisht rreth “oxhakut” të vet, befas thërmohet e shkërmoqet në qëndrime, gjykime dhe ekstreme të dhimbëshme, a thua se politikanët e Kosovës apo edhe të Shqipërisë, po zgjidhin “krizat e botës” si “baballarë të demokracisë” dhe jo “krizën e vetvetes”. Autori rrëfen, por nuk hesht. Si kronikan i shkëlqyer të nënvizon se ç’thuhet në Shtëpinë e Bardhë, Londër apo Bruksel, por po aq shpejt sjell “kërcimin inatçor” në Beograd që ndihet deri në Moskë. Në fund të fundit çdo gjë koncentrohet në Prishtinën historike ku ka “shumë kapedanë” që nuk kuvendojnë, por si “skifterë “sulen mbi njëri tjetrin për pushtet dhe lavdi, duke harruar se koha dhe rrethanat iu sollën në shteg “gjahun” historik që kombi kishte dekada që e ëndërronte. Duke ndjekur “teatrin politik” të Prishtiës mendon as politikanët e tajeshëm nuk e kanë mundur të lexojnë dhe “deshifrojnë” kodin diplomatik të Ruzveltit kur thotë se “Folë paqësisht e butë, duke evidentuar saktësisht qëllimin e arritjes së largët”. Akush më mirë se Arben Çejku nuk mund ta “tretë” këtë sentencë diplomatike perëndimore në një libër të tërë, si ky që kemi në duar. Ndërkohë duket qëllimi i vetëm i politikanëve të Kosovës është vetëm pushteti, dhe jo strategjia e qëndrueshme dhe fituese e republikës, e cila në botimin e Arben Çejkut është një fill i artë gati në çdo faqe dhe referencë.

Ky realitet të dhemb, të dërrmon nga brenda si lexues, por edhe si qytetar i thjeshtë pyet veten: Si është e mundur kjo “mosmarëveshje e madhe” për një Kosovë aq të vogël,aq barbarisht dënuar nga fati dhe historia? Ndaj, i prerë në gjykimin e vet autori që jeton me “impulsin” e ditës sikur bën thirrje për “…gjetjen e një uniteti politik përballë sfidave që e presin Kosovën nga 2020 deri më 2030…” Duket se tashmë pas kësaj të “djele elektorale” fitimtarët të parën duhen të kenë “thirrjen diplomatike” që ish-amasador Çejku sjell në librin e vet.

“Sovraniteti versus Integriteti” është një “grafi me ngjyra” e dramës dhe përpjekjes gjithëshqiptare, për të fituar një të drejtë të muhuar që filloi qysh në shekullin e 19-të, u sakatos në fillim të shekullit të 20-të kur Europa po shkonte nga lufta në luftë, dhe u bë një “top ideologjik” në vitet që pasuan fundin e Luftës së Dytë Botërore. Autori me një mprehtësi dhe koncizitet bën “autopsinë” e dramës së kombit shqiptar,që nuk mundi të zgjidhej kurrë kur në Tiranë dhe Prishtinë, rastësist do ishin dy Hoxhë shqiptarë dhe një Tito kroat në Beograd, i cili përherë çështjen e Kosovën e kishte si “top rezervë” për të ruajtur pushtetin e vet, ndërsa Enver Hoxha e shihte si “Muri Kinez” që do ta mbronte nga çdo kërcënim Jugosllav. Natyrisht ish-ambasadori shqiptar, hedh një “vizatim” të shpejtë të marrëdhënieve Tiranë Beograd gjatë luftës së ftohtë, jo si historian, por si një intelektual që e ka lexuar mirë historinë dhe e shikon me “syzet diplomatike” e qartësinë që ka sjellë koha. Pa pasione, pa verbim politik, pa kacavjerrje ndaj “çastit”, sjell fakte, të thëna dhe veprime që flasin vetë. Ai tregon të vërtetën se si Kosova, që ishte “fitili” i parë në Federatën Jugosllave,që me protestat e studentëve më 1981,do shënontë fillimin e rënies të “Federatës së Marshallit Tito” e për ironi të fatit do mbetej e fundit në kalvarin e mundimshëm drejt lirisë së plotë.

“Sovraniteti versus integriteti” është i vetmi botim që sjell një pafundësi informacioni, referenca, konkluzione, reagime dhe pohime shtypi, projekte e synime strategjike kancelerish për Kosovën dhe të ardhmen e saj, për Kosovën dhe ndërveprimin e saj të pashamgshëm me Sërbinë, për rrugën dhe fatet që ndjekin dy pjesët e kombit në dy juridiksione të ndara sipas ligjeve ndërkombëtare, por me “ADN” shqiptare. “Bishtat bien rrugës. Pavarësia mbetet” citohet diku ish-ministri i jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj t’i ketë thënë Presidentit të “post Rugovës”, Fatmir Sejdiu. Përmenda një detaj, por libri ka aq shumë dialogje, batuta, detaje e kronika diplomatike,përshkrime, akuza dhe “shpërthime” shqiptare, saqë shpesh pyet veten:”Kush është kundërshtari…”?! që duhet mundur me frocën e fjalës dhe guximit të saj? Libri sjell me qindra e qindra politikanë,shtetarë,gazetarë, analistë, ekspertë të diplomacisë dhe çështjeve ballaknike, drejtues të OJQ-ve dhe organizatave të tjera shoqërore, që vijnë në fletët e shfletuara si “trenat express” që sjellin e marrin pasagjerë, vijnë me ide, sugjerime, projekte dhe plane të ndryshme që duket se si finale kanë: të ardhmen e paqtë dhe të sukseshme të Kosovës si shtet i një rruge unike në Ballkanin Perëndimor.

Natyrisht në këto pak radhë nuk mundem t’i përmend të gjithë, sepse libri t’i sjell në një “paradë” të organizuar dhe strukturuar mjaft mirë në 615 faqe dhe 10 kapituj, që jo vetëm janë shkrirë organikisht në tërësinë e vet, por edhe sikur të tërheqin në një “vallzim diplomatik” ku jo vetëm mëson shumë gjëra që nuk ke mundur t’i dish, por edhe të fut në mendime dhe të sfidon gjykimi dhe perceptimi i autorit, i cili me një “shkëlqim” të stilit të diplomatit me përvojë, hedh ide që të përplasin sa majtas aq edhe djathas spektrit aktual politik në të dy shtetet shqiptare. Është shokuese e vërteta e krizës së brendshme politike kosovare, e cila në 13 vjet të ekzistencës si shtet i pavarur, ka ndërruar aq shumë kryeministra, presidentë dhe deputetë sa asnjë vend fqinjë i krahsasueshëm. Madje edhe në asnjë vend tjetër në botë. Kosova është një “kampion krize” brenda vetes që duket se foli me votë në “ditën e dashurisë”… Është e njohur paqëndrueshmëria qeveritare e Italisë, fqinjit perëndimor të Shqipërisë, por që një “shtet bebe” të ngrejë dhe rrëzojë kaq shumë qeveri, të krijojë kaq furtuna politike dhe kaq urretje dhe akuza mes vetes, nuk ka, nuk do ketë, nuk mund të imagjinohet. Kush i ka fajet? Pyet lexuesi, përgjigje është “heshtja diplomatike”, një heshtje që ther aq dhimbshëm tek qytetari i thjeshtë kosovar-shqiptar.Duket se politkanët kosovarë më shumë mendojnë për “zgjedhjet e ardhshme” se sa qeverisjen efektive të Kosovës.

Në harkun e dy shekujve, Amerika ka mundur të bëjë dy “eksperimente” unikale politike: i pari në Lindjen e Mesme dhe i dyti në Ballkan. Rasti i parë ka qënë shteti Izrealit që e ngriti mbi “rërë”, por me një prurje njerëzore të pashembull të historitë e kombeve të tjera. Lufta për atdheun e tyre të pushtuar, por edhe guximi mbështetës amerikan bënë më 14 Maj 1948 “Të lindë Shteti i Izrailit”, siç do shkruante shtypi i kohës.(Ç’ngjashmëri me “Sapo Lindi Kosova”-2008 ). Karakteri i pathyeshëm kombdashës hebre, i dha fund “shëtitjes së çifutëve në shkretëtirë” duke krijuar përballë një realiteti tribal dhe me dhe urrtje patologjike, të shteteve fqinjë, një shtet të hebrenjëve, kristianëve dhe myslimanëve si një “maket” zhvillues të demokracisë kushtetuese amerikane në Lindjen e Mesme.

E vërteta është se shteti izrealit ka “vozitur” në stuhitë e veta politike, në këtë rrugë të gjatë ata kanë mundur të formojnë ca kollona të qëndrueshme të shtetit që u shërben qytetarëve. Një miku im ebre në Amerikë një ditë do më thoshte “Ti nuk e di sa shumë sherre, cmirë intriga, luftë politike dhe papajtushmëri ka mes nesh në Tel Aviv, por kur gjejmë “formulën” i qëndrojmë besnikë e kjo na dallon nga fqinjët tanë”. E solla si shembull këtë fakt, sepse, ndërsa hidheshin këto mendime, erdhi lajmi i madh se Kosova u njoh nga Izreali. Unë mendoj se duke lexuar midis reshtave të Ben Çejkut, bindesh se autori sikur e parasheh këtë që ndodhi në këtë fillimviti 2021 , dhe si të thuash duke vënë këto dy “ekpseriemente” përballë njëri tjetrit, duket se sikur justifikohet gjithë kjo krizë e gjatë e “lehonisë” së shtetit kosovar. Njohja e Kosovës nga Izraili është një “ankorim” vërtet premtues, që libri i Çejkut e ka paraparë aq qartë dhe aq entuziasshëm duke shënuar edhe “suksesin e parë diplomatik” të botimit. Unë do ta quaja këtë që sapo ka ndodhur, si triumfin e parë të librit tejpamës “Sovraniteti versus Integriteti”.Në fakt në shekullin e kaluar, brënda një viti, shteti i ri izrealit u pranua në OKB më 11 Maj 1949, 3 ditë para përvjetorit të parë të themelimit, duke u bërë kështu shteti i 59të i OKB. Ndërsa Kosova, edhe pse 13 vjet nga mëvehtësia e saj, jo vetëm që është larg pranimit në OKB, por shtetpranimi i saj në hartën politike të botës, ka bërë edhe hapa mbrapsh, duke ngrirë proçesin ose duke revokuar në disa raste siç ndalet dhe shpjegon mjaft mirë arsye diplomati Arben Çejku në këtë analizë gjithereferuese.

Libri në fjalë jep një panoramë shumë dinamike të zhvillimeve dhe marrëdhënieve komplekse mes Tiranës e Prishtinës, sipas planformave të pushtetmabjtësve në kryeqendrat e dy shteteve shqiptare. Si një kronikan besnik dhe konseguent i të vertetave, autori sjell gjallërisht pikpamjet të shqiptarizmës në Ballkan duke gërmuar në kohë të hershme, por sidomos duke u fokusuar në programet politike të dy forcave politikeqë kanë dominuar Shqipërinë postsocialiste, PD dhe PS. Më befason se sa qartë, por dhe sa logjikshëm, hidhen në libër pikmapjet filozofike dhe besueshmëritë për Kosovën dhe të ardhmene saj duke filluar nga “babai” i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, deri tek Ashim Thaçi i pushtetshëm, por edhe aq i “përgojuar”, apo qëndrimet e PD-se e Berishës si opozita historike që solli përmbysjen e madhe të diplomacisë dhe marrëdhenieve mes Tiranës dhe Prishtinës, “sfidat” çoroditëse të Edi Ramës në Ballkan dhe “shpresa e humbur” që sapo u ringjall, Albin Kurti. Gjithë aktorët politikë në Prishtinë dhe Tiranë në këtë libër kanë “sekuencat” e merituara, ashtu siç janë, ashtu siç kanë kontribuar ose turbulluar në “shtrëngatën” e madhe për shtetformimin kosovar.

 

Ambasador Çejku duket se njeh në detaje realitetin shoqëror e politik të përtejkufirit shqiptar. Si ambasadori më i ri Shqipërisë në Shkup në qeverinë e Sali Berishës, ai ka mundur t’i njohë nga afër gati të gjithë aktorët kosovarë të “teatrit” politik të Prishtinës, duke i përshkruar e portretizuar në libër me një sqimë diplomati perëndimor.Po aq me përkujdesje dhe si “matkë” punëtore ai qëmton kujdesshëm deklaratat dhe pikpamjet perëndimore dhe jo perëndimore të faktorit ndërkombëtar, deri tek sfdidat që i duhet të përballojë Kosova dhe udhëheqsit e saj të lartë nga Gjykata Speciale dhe sulmet konstante dhe të mirëorganizuara të Beogradit, që me nostalgji dhe strategji të saktë e sheh Kosovën ende si “Jerusalem” të Ballkanit. Vetëm një kohë shumë e shkurtër dhe hipotezat e mendimit analitik të Arben Çejkut u vërtetuan me akuzat zyrtare që u ngritën ndaj ish-president Thaçit e politikanëve të tjerë shqiptarë. Duke lexuar librin dhe duke hedhur sytë nga Prishtina, sikur ndjen atë pafat historik që na ka ndjekur aq gjatë, por kur shesh se sa fokus dhe vëmendje është investuar në nga Perëndimi në Kosovë, beson se kemi një “vendnumuro” të përkoshme. Vetë kapitujt e fundit të librit sikur ta ngrejnë zemrën peshë.,

Ndaj politikës zyrtare të Tiranës, libri bën një “skanim” të plotë të suksesve apo dhe dështimve filluar nga Berisha Nano,Majko, Meta apo Rama. Këta “kalorës” të pushtetit në Shqipëri, në hapësirat e kohëqëverisjve të tyrë, janë bërë shpresë, por jo rrallë edhe ankth për plitikanët e rinj të Prishtinës, që logjikshëm kanë pasur pritshmëri të larta nga “shteti mëmë”. Duket se fati i hidhur i Kosovës është vulosur nga “kakofonia e Tiranës” që nuk mundi të unisonte një qëndrim të qartë strategjik e historik ndaj Kosovës, ashtu siç cituam më lart ish-presidentin amerikan Rusvelt. E shqiptari i thjeshtë në Tiranë e Prishtinë pyet veten: “Kaq e vështirë është të kemi një strategji konstante kombëtare si kanë sërbët dhe grekët? Kush na ve “gurë në rrota”?…Veçanërisht me kryeministrin aktual, autori është i rreptë në analizën e vet duke akuzuar se si “diplomacia bashkiake” e Ramës,u kthye vitet e fundit në “diplomaci kryeministrore” siç shprehet autori në libër. Ai është kundër politikave “Zero problem” apo ekzaltimet euforike të “patriotizmit” qeveritar dhe sikur “çirret” në mënyrë diplomatike që politikanët të pajtohen për një strategji të qartë e të qëndrueshme ndaj Kosovës. A thua lexojnë deputetët dhe ministrat shqiptarë libr si ky?…

Më ka ngelur në mendje personalisht paralelja metaforike mes Fan Nolit, këtij thesari të trashëgimisë politiko-kulturore shqiptare dhe Albin Kurtit të VV. Nuk e njoh fort mirë udhëheqsin ambicioz të VV kosovare që fitoi zgjedhjet e fundit e ëndërron “VV-në si forcë politike edhe në Shqipëri”, por unë personalisht nuk do të krahasoja kurrë shkëlqimin e Nolit me “skeçet” politike të Albin Kurtit, i cili duhet përgëzuar për ambicjet që ka, dhe si duket vota e lirë ja miratoi, por kurrsesi të quhet Fan Nol. Janë vite drite larg njëri-tjetrit sipas mendimit tim. “Anti-amerikanizmi” i Nolit më 1924, në OKB dhe ironia e tij ndaj superfuqive të kohës,që e citon Çejku, ishte një duf dhe një “klithmë” e një kombi për ndihmë dhe mbështetje (E cila nëse do të dëgjohej seriozisht do të ishte “shpëtim i hershëm” i kombit shqiptar, por nuk patëm fat). Albin Kurti është një aktor politik në një “eksperiment” amerikan, ai është “lojtar politike” falë manovrës së guzimshme ushtarake e diplomatike të Perëndimit (1999 dëri më 2008), ndaj krahasimi nuk ka vend dhe është thjesht një “përkëdhelje” e tepruar e një karizmatiku që me teoritë e vetvendosjes të kujton mbase dhe instiktivisht “vetqeverisjen jugosllave”, se sa një vizion real politik që mund ta shpëtojë Kosovën.(Kurti fitoi zgjedhjet e 14 Shkurtit 2021, por prap mbetet shumë larg Fan Nolit vigan, Sh.M)

Shteti më i ri i Ballkanit, nuk mund të çvendoset në një “hapësirë tokësorë pa fqinj”, Kosova është e “dënuar” duke pasur në lindje si fqinj Sërbinë, ndaj sa më shpejt të ndërtohen “urat e paqes” aq më mirë do jetë për gjithë Ballkanin duke shënuar edhe suksesin e “eksperimentin amerikan”. Vetë botimi i Arben Çejkut ka mjaft sugjerime pozitive në këtë perspektivë të ardhme, që mund ta sjellë vetëm paqja dhe kompromisi i mirëkuptuar, vëtëm “kurbanet” e dyanshme që kanë si mision paqen dhe lirinë e kombeve dhe pakicave.Kjo do të vijë, kur vetë politika e Prishtinës të artikulojë qartë, thjesht dhe prerë atë që i duhet popullit shqiptar në Kosovë dhe etnive të konfirmuara në kushtetutën e këtij shteti që lindi 13 vjet më parë. Është koha që shteti kosovar të “çohet më këmbë”, sepse boll e torturuan partitë politike në këtë ecje “këmbadorazi” kaq të gjatë. Koha për të ecur më këmbë, ka ardhur…Kosova na duhet “Përsëri më këmbë” siç titullonte dikur romanin e vet Dhimitër Xhuvani në “Shqipërinë e mbyllur”.

Duke lexuar këtë vepër intelektuale, natyrshëm futesh në këtë vorbull shqiptare që është kthyer për vite në një “gjullurdi politike”. Siç thashë më lart, autori të përshkruan në detaje të të gjitha spektret politite të Prishtinës, dhe duke u përqasur misioneve të tyre politike natyrshëm lind pyetja: A ka “oreks” politik një popullsi prej 1.8 milionë për 10-15 parti (apo më shumë), apo ky është më shumë një “oreks kryetarllëku” se sa një nevojë për t’u institucionalizuar mendimi i lirë politik e pluralizmi? A është Kosova aq e madhe sa Amerika? Natyrisht që jo, ndaj “kura” e parë që i duhet politikës së Prishtinës është një “klizmë” tërësore ku kryetarët e partive të humbin kultin e tyre autoritar dhe njerëzit që kanë pasion politikën lirshëm të konkurojnë për të qeverisur Kosovën nën dy apo tri sigla politike.Kjo do shfrynte tullumbacen politike me aurela kryetarësh e presidentë partish pafund, që për egon e tyre personale, çorodisin elektoratin dhe në të vërtetë do ishte “çlirimi i dytë” i Kosovës nga parti-mania e pakumptimë. Mbase ky realitet konkret është edhe mësimi dhe imitimi më i keq që Prishtina ka mësuar nga “kryetarët pa fund” të Tiranës. Duke vërejtur krizën e fundit që mbërtheu Amerikën, del një mësim i madh: pavarësia e pushteteve dhe fuqia manaxhuese e qeverisjes lokale. Kriza e pandemisë zbuloi dobësi të madha të federalizmit amerikan, duke evidentuar “virulëncën” qeverisëse e menazhuese të secilit nga 50 shtetet në përballjen e situatës e cila më shumë se diplomaci kërkoi veprim, aksion, efektivitet nëe jëtën e qytetarit të lirë.

Libri i fundit i Arben Çejkut është një “pashaportë” universale e diplomacisë kosovare dhe asaj shqiptare. Ai meriton të jetë në etazheret e çdo ambasade shqiptare në botë, si një “bibël” diplomatike për çdo nëpunës në përfaqsitë zyrtare, e veçmas për diplomatët kosovarë. “Sovraniteti versus Integriteti” përfaqson një ngrehinë disaktëshe, ku ka talent, studim ,analizë, gjykim, mençuri dhe deduksione të qarta, përqasje diplomatike dhe realitete dyshtetore shqiptare. Ky libër jo vetëm që nuk duhet t’i mungojë asnjë zyre konsullore apo ambasade më flamur shqiptar, por meriton të bëhet një pikerëference në universitete dhe studime akademike për diplomacinë e historinë shqiptare.

Shqipërinë dhe Kosovën nuk e bashkojnë thjesht pasionet politike, apo patetizmi patriotik. Puna e pamatë dhe tejet e suksesshme autorit, sjell para lexuesit jo vetëm një “enciklopedi” diplomatike shqiptare, por në tërësinë e vet, libri “Sovraniteti versus Integriteti” është shembulli më i madh, modeli më i qartë i një gjuhe të shkruar në mënyrë të shkëlqyer në SHQIP me autor të lindur në Kukës. E them këtë sepse për këdo, shtrohet si “emergjencë kombëtare” ruajtja e gjuhës shqipe në standartet e veta tashmë të njohura, si elementi më qënësor i një kombi. Vlera e parë evidentuese e një kombi mbetet gjuha, rreth hapësirës të së cilës ndërtohen gjithë vlerat e tjera. Në këtë plan Amerika jep shembullin e vet më të madh që nuk duhet injoruar kurrsesi. BE është një “amalgamë” politikash , gjuhësh e kulturash,sepse nuk ka fatin e Amerikës. E them këtë sepse me vërshimet e lira të mendimit në mediat sociale, është një rrëzik që “çibanizimi” i gjuhës shqipe të arrijë përmasa të atilla saqë do na duhet “përkthyes” mes nesh. Libri i ambasadorit Çejku është një model i madh i shqipshkrimit dhe shqipfoljes. I qartë dhe i saktë si pakkush. Nuk bashkohet Kosova dhe Shqipëria duke bërë një intelektual kosovar ministër të jashtëm, apo një vajzë të mençur ministre arsimi të Shqipërisë. As duke bërë mbledhje pompze të përbashkëta qeverish. Këto janë kinezërira shqiptarësh. Ne nuk e humbëm Kosovën, fale popullit shqiptar atje, sepse ata mbi të gjitha ruajtën gjuhën shqipe, pa këtë thesar, pa këtë “çelës magjik” që brezat e popullsisë shqiptare jashkë pufijve e kanë ruajtur aq mirë e bukur, nuk do kishte kurrën e kurrës dy shtete shqiptare në Ballkan. Kjo është e vetmja meritë që nuk krenohen politikanët fjalëshumë të Prishtinës, sepse e dinë, kjo meritë nuk u përket atyre, as ëndrrave të tyre politike, as partive me lloj-lloj emrash dhe inicialesh idjoteske, por kjo i përket vetëm “Kosovarit të thjeshtë”, atij të përvuajturit dhe të shtypurit, atij të vrarit dhe burgosurit, atij të pafatit dhe persekutuarit nën shtetin e “Marshallit Tito” dhe “kasapit” tjetër. Autori mund të ishte më i rreptë, më i drejtpërdrejtë në këtë “dështim kolektiv” të “Prishtinës politike” apo “Tiranës vetëmburrëse”, por si diplomat ai shkruan në stilin e vet dhe unë e mirëkuptoj .

Ambasadori Arben Çejku me librin“Sovraniteti versus Integriteti” ka arritur një kulm sa publicistik aq edhe diplomatik e intelektual, që meriton përgëzim. Qoftë ky libër si fund i mundeve shqiptare, e fillim i një një “pranvere gjithëballkanike ” duke respektuar jetën e çdo qytetari si vlerë njerëzore e patregëtueshme, sepse këtë dëshiron çdo sërb, çdo shqiptar e çdo qytetar i thjeshtë i gadishullit. Të paktën kjo pandemi botërore duhet të na ketë mësuar të gjithëve të jetojmë në paqe e mirëkuptim. Ky është e filli përshkues i librit në fjalë, i këtij botimi vezullues të Arben Çejkut, ish-ambasadorit më të ri të Shqipërisë në Shkup. Sikurse thuhet në një proverb kinez “Më mirë të ndezësh një qiri, se sa të mallkosh errësirën”. Diplomati dhe shkrimtari Arben Çejku me librin e tij më të fundit “Sovraniteti versus Integriteti” me men*urinë e vet dhe eksperiencën diplomatike, na ndez vërtet një “qiri” për ta parë me besueshmëri të ardhmen e Kosovës që shënon 13 vjet shtet më vehte. Në mbyllje sërish më vijnë në mendje ato cicërima fëmijësh në kampet e zhurmshme të mbushur me fëmijë , pleq e gra nga Kosova. Ku vallë janë tani ata njerëz? Po ata fëmijë, ç’fat mund të kenë pasur?!…Pyes veten dhe një gjë e di si dielli që na ndrit ditën: Asnjë nga politikanët dhe udhëheqsit e Kosovës së stome nuk i shkon në mendje një pyetje e tillë. Po unë mbetem i sinqertë. Unë jam “Ikanak shqiptar” që kujtimet e atjeshme më mbajnë gjallë…Ndërkohë “vaksina diplomatike” e Çejkut sikur më sjell ngrohtësi e “imunitet”në këtë dimër të acartë e pandemik në Minneapolis të Amerikës.
Marre nga fjalaelire.com

Minneapolis, SHBA

16 Shkurt 2021

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular