Prokurori italian: Ka raste që vetë Ndrangheta furnizohet me kokainë nga shqiptarët

0

Kreu i Departamentit të Prokurorisë së Antimafias Italiane të Reggio Calabrias, Giovanni Bombardieri, në një intervistë për RTV Ora, u shpreh se marrëdhëniet e mafias kalabreze me kriminalitetin shqiptar janë të hershme.

Ai shtoi se ka raste që vetë Ndrangheta furnizohet me kokainë nga shqiptarët.

Pyetje: Prokuror cili është niveli i rrezikshmërisë së krimit të organizuar shqiptar në territorin tuaj?

Prokuror Giovanni Bombardieri: Territori i Reggio Calabrias që unë mbuloj si dhe ai i Catanzaros janë vendet ku ka lindur mafia kalabreze Ndrangheta,  për t’u projektuar më pas jo vetëm në Itali e në Evropë, por në të gjithë botën. E marrëdhëniet e mafias kalabreze me kriminalitetin shqiptar janë të hershme, sidomos  në pjesën e sipërme të Kalabrisë, në Katanzaro ku ka zona të banuara nga shqiptarë e ku janë kryer hetime të shumta që kanë zbardhur trafiqe ilegale armësh e droge të lehtë nga grupet kriminale shqiptare. Edhe në territorin e Reggio Calabria në hetimet e fundit janë zbardhur lidhje të ngushta mes klaneve ndranghetiste të pjesës së Terrenit e kriminalitetit shqiptar dëshmuar nga operacioni Magma, operacioni Pollino, apo dhe ekstradimi që kemi kryer pak ditë më parë të një eksponenti shqiptar në lidhje të ngushtë me Ndranghetan e protagonist në ndërmjetësimin e  blerjes së kokainës.

Kjo është fytyra e re që shfaq kriminaliteti shqiptar në territorin tonë. Shqiptarët nuk janë më trafikantë vetëm të lëndëve narkotike të lehta që prodhojnë në territorin e tyre si hashash e marijuane, por janë protagonist të trafikut të kokainës. Ndrangheta është një lojtar botëror i saj, me një rol të rëndësishëm në trafikun botëror me Amerikën e Jugut. Në Itali e në Evropë, mafia shqiptare po imponohet dhe si një bashkëpunues i rëndësishëm në këtë trafik. Edhe hetimet e operacionit Polino të kryer nga departamenti i antimafias së Reggio Calabrias, në bashkëpunim me autoritetet gjermane të Duisburg e ato hollandeze e belge, zbardhën lidhjet e rolin e trafikantëve shqiptarë me një aftësi kriminale e organizative mjaft të rëndësishëm në trafikun e heroinës.

E të gjitha hetimet kanë konfirmuar se shqiptarët kishin në dispozicion sasi të mëdha kokaine po ashtu dhe në vende të tjera të Evropës si në Spanjë. Përgjimet e një operacioni të antimafias zbardhën se si ndranghetistët mes tyre i konsideronin trafikantëve shqiptarë si zotërues të sasive të mëdha kokaine. Madje kemi raste që vetë Ndrangheta furnizohet me kokainë nga shqiptarët. Kjo është një e dhënë mjaft e rëndësishme e kuptimplote që tregon se si mafia shqiptare ka arritur sot të ketë një rol të rëndësishëm në kriminalitetin evropian.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.