Kryetari i PD, Lulzim Basha u takua me qytetarë e biznese të zonës së Njësisë Administrative 7 në Tiranë, ku dëgjoi prej tyre hallet, problematikat dhe gjendjen e vështirë ku ndodhen pas 8 vite qeverisje të Edi Ramës. Qytetarët shprehën revoltën e tyre për situatën ku ndodhen dhe kërkuan nga kreu i opozitës që nesër në qeveri të ofrojë zgjidhje për të gjithë shqiptarët.
“Jetesa është bërë shumë e vështirë. Tatimet po, siguracionet… ç’është kjo siguracionet, ku kemi ne të paguajmë kaq shumë. Apo kemi punë kaq shumë! Në kohën e pandemisë ne kemi rënë shumë, shumë, shumë keq! Kemi rënë aq keq, sa me zor nxjerrim bukën e gojës.
Qiraja po, dritat po në stratosferë. Po pse rriten dritat dhe uji o djalë? A ka populli, pensionisti? Ka mundësi me i pagu? Kaq di me thënë, më shumë nuk di nëna. Kam dhe burrin invalid edhe rri 2 orë sa për të shkuar për të bërë bukë. Torturohemi gjithë ditën, shkurt muhabetit. I kam ngrënë dy gjoba. Sa hapa dyqanin, po pija kafe me shoqet, vjen njëri hapur e kisha kafen, harrova ta shkruaj atë të shkretë, për një raki më vunë 500 mijë lekë gjobë”, – thotë një zonjë që shet në një biznes të përgjysmuar nga xhiroja.
“Kam punuar 35 vjet dhe tani s’mbaj dot veten time me 170 mijë lekë pension. Nuk mbaj dot veten time’, – thotë një pensionist. “Inshallah të vini në pushtet se për zotin është një katastrofë. Të gjitha taksat, tarifat. S’ka, ja rrimë gjithë ditën kështu. Shohim, numërojmë rrugët, njerëzit ça vijnë e çfarë dalin”, – shprehet i revoltuar një qytetar tjetër
Kryetari i PD, pasi i dëgjoi shqetësimet e tyre, tha se gjendja është e rëndë por qeveria e tij që do të dalë pas 25 prillit ka një plan që ndihmon biznesin, qytetarët dhe shpëton ekonominë nga rrënimi.