BallinaKulture"Rrugëtimi evropian i shqiptarëve në dritën e zhvillimeve të gjuhës shqipe"

“Rrugëtimi evropian i shqiptarëve në dritën e zhvillimeve të gjuhës shqipe”

Nga Ajulja Jubani

Gjuha shqipe dhe kultura jonë gjuhësore ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të studiuesve të gjuhës. Shqetësimi për bjerrjen e kompetencës dhe mungesën e kujdesit ndaj saj është shpërfaqur gjerësisht në auditore konferencash e tryzezash debati shkencor dhe mediatik.
Për të reflektuar mbi rrugët e përballjes me këtë situatë ndoshta është e nevojshme të rikthejmë vështrimin në rrugëtimin e atyre që prej shekujsh u larguan nga trualli amë, por falë përkushtimit të intelektualëve patriotë dhe ideimit të platformave politike dhe kulturore trashëguan gjuhën dhe identitetin kombëtar, arbëreshëve.
Arbëreshët mbetën ura me Romantizmin Evropian, Iluminizmin, Rilindjen Evropiane dhe projektin politik të një Shqipërie evropiane, duke filluar me rizgjimin e identitetit nacional të shqiptarëve dhe ngritjen e institucioneve të para mësimdhënëse, një sipërmarrje misionare e klerikëve arbëreshë për të ruajtur besimin, kishën, po aq sa edhe gjuhën dhe ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
Ishte projekti dhe roli i Klementit XI, Papa Albanit, që nxiti mbledhjen e Kuvendit të Arbënit, botimin e Illyricum Sacrum, mësimin e shqipes dhe hapjen e shkollave nga misionarët katolikë. Falë tij, në Kuvdendin e Shën Pietro në Montorio, u hap një katedër për gjuhën shqype “për me i bâ gadi misjonart e huej me mujtë mâ letas me i vijtë vendit t’onë” dhe janë pikërisht këta që përgatitën edhe gramatika, fjalorë dhe përkthime tekstesh shqip; kontribute shkencore e didaktike në gjuhën shqipe.
Letërsia arbëreshe projektoi dhe vuri në qendër të vëmendjes atë që u quajt “çështja shqiptare”, rikrijoi mitin e Skënderbeut, “si një epifani e spiritualitetit shqiptar e pa shprehur më herët në trajtat e një letërsie të vërtetë”, do të shkruante Koliqi në faqet e “Shejzave”, duke folur për Milosaon.
Edhe sot, ajo që i duhet shqipes dhe shqiptarëve është një projekt i madh kulturor dhe politik.
Me këtë situatë globalizmi bashkëkohor shqipja mund të përballet duke rivlerësuar pasurinë saj të madhe të përcjellë e të mbajtur gjallë edhe falë dialekteve.
Koliqi, tek shprehet për rolin e gjuhëve të veçanta në një shoqëri universale, ashtu sikurse është edhe shoqëria e sotme e globalizuar, shkruan: Duhet gjetë mënyra qi trashigimi ethnik i çdo kombi të híjë në punë për dobí të përgjithëshme tue zânë vendin e përshtatun në nji rendim shoqnuer të përbotëshëm ku sejcili të jét tingulli q’i ep hije e shije njâj symfonije universale. Jo tulla të njâjta si njâna tjetra, por thyeza (tasselli) me ngjyra vezulluese qi përbâjnë nji mozaik plot vesk e bukurí. Kur sejcila thyezë ruen bukurín e vet, mozaiku ka vlerë.
Ky thesar duhet risjellë në sytë dhe vëmendjen e shqiptarëve. Vetëm kështu mund të rikthejmë edhe prestigjin e varianteve të lëna në harresë, duke ringjallur penat e arta të autorëve të mohuar të shqipes dhe duke njohur pasurinë e re që zhvillohet dita-ditës falë autorëve tanë më të rinj.
Pasuria gjuhësore do të vihet në pah si pjesë e thesarit të trashëgimisë kulturore, duke i bërë edhe më të rinjtë ta duan jo vetëm si trashëgimi, por edhe si një pasuri me prestigj kulturor e identitar.
Shqipja nuk ka nevojë për një ligj, pasi ne nuk jemi në situatën e Francës së ligjit, sa të mirënjohur, aq edhe të diskutuar, “Toubon”. Nuk jemi as edhe në situatën e multietnicitetit të Maqedonisë së Veriut (që shpesh sillet si shembull për nxitje).
Ashtu si për shumëçka tjetër, edhe në këtë suazë, duhet të ndjekim modele të mira të vendeve evropiane. Tashmë ASHSH, në bashkëpunim me ASHAK-un, kanë ngritur një institucion si KNGJSH. Ky institucion ndërakademik duhet të kujdeset për zhvillimet e gjuhës shqipe dhe të bashkëpunojë me institucionet universitare dhe kërkimore për planifikimin dhe zbatimin e strategjive e të politikave gjuhësore, ashtu si vepron edhe më e para ndër këto institucione, “L’Accademia della Crusca”, prej 1583.
Si çdo pjesë e rëndësishme e trashëgimisë dhe element thelbësor i identitetit personal e kombëtar, është përgjegjësi e institucioneve shtetërore kujdesi për gjuhën, pasi siç shprehej De Mauro “Dëmtimi i gjuhës paraprin çdo bjerrje tjetër në shoqëri”.
(Përmbledhje e kumtesës)

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular