BallinaKryesoreDecentralizimin “e fjetur apo të munguar” ta bëjmë funksional

Decentralizimin “e fjetur apo të munguar” ta bëjmë funksional

Nga Agron Haxhimali
Shoqata e Bashkive të Shqipërisë
Qeverisje për Ndryshim – pushteti vendor,decentralizimi dhe demokratizimi.
Decentralizimin “e fjetur apo të munguar” ta bëjmë funksional

1. Nevoja dhe propozime për ndryshim

Qytetarët, edhe sot, pas 5 vitesh reformë territoriale, nuk po ndiejnë efektet e pritura. Raportet dhe informacionet dëshmojnë se shërbimet nuk janë përmirësuar si dhe sa duhet, qeverisja është larguar nga qytetari dhe llogaridhënia, pjesëmarrja qytetare nuk është e mjaftueshme.
“Reforma” aktuale e decentralizimit është përgjithësisht e kufizuar, me kompetenca të transferuara në pushtetin vendor, pa i shoqëruar si duhet ato me mjete financiare dhe me kuadrin e nevojshëm ligjor, rregullator, funksional dhe organizativ.
A e kemi sot decentralizimin funksional?
Pyetja nuk shtrohet nëse decentralizimi është i mirë apo i keq në vetvete, por nëse rezultatet e decentralizimit, që presim të gjithë ne, janë aty ku duhet.
Jofunksionaliteti i decentralizimit lidhet me historinë e krizave të demokracisë sonë dhe konflikteve politike, por është e rëndësishme të gjejmë mënyra për ta bërë decentralizimin më efektiv.
Dy teza ngrihen për diskutim për publikun dhe aktorët politikë, (por jo vetëm):
Teza 1. Bashki të mëdha me njësi administrative të pafuqishme
Bashkitë duhet të decentralizojnë veten dhe të bëjnë funksional decentralizimin aktual.
Një sërë shërbimesh publike nuk marrin vëmendjen e duhur nga qeveria, por edhe nga vetë bashkitë. Për shembull, menaxhimi i mbetjeve në zona rurale – sipas INSTAT-it, për vitin 2019, zona e mbulimit me shërbim është zvogëluar.
Po ashtu, sistemi i vaditjes rezulton me problem. Shërbimet bazike të natyrës rurale, si rrugë fshati, kanalizime, shembje e bllokim rrugësh etj., nuk kryhen edhe për arsye se vetë njësitë administrative nuk kanë asnjë kompetencë për të ndërhyrë.
Duhet të ndërhyjë bashkia-qendër. Pra, në mënyrë të pakuptimtë, njësitë administrative duhet të telefonojnë bashkinë për të dërguar një ekskavator për të hapur rrugën apo një motosharrë për të prerë pemët e rëna në një rrugë të bllokuar.
Teza 2. Decentralizim real apo sektorial
Transfertat e pakushtëzuara sektoriale, si (1) mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi, (2) administrimi i pyjeve, (3) ujitja dhe kullimi, (4) arsimi parashkollor, janë funksione të decentralizuara që në vitin 2016, por vazhdojnë të mbështeten çdo vit me fonde buxhetore. Edhe pse ka pasur
një tendencë pozitive në këtë drejtim, sërish problemi mbetet ai që ishte edhe para reformës, kur këta sektorë ishin nën kontrollin e qeverisë. Çka vëmë re sot, është se edhe në këta sektorë, shërbimi publik ka probleme në administrim, në kuadrin ligjor e financiar, si dhe në atë organizativ.
2. Propozime për ndryshim
Lidhur me tezën e parë: Shumë mirë që kemi bashki të “mëdha” dhe të “fuqishme”. Por, duhet bërë kujdes dhe duhet minimizuar rreziku i humbjes së kontrollit mbi territorin dhe shpërndarjen e balancuar të shërbimeve urbane, ndërurbane dhe rurale. Ndaj, rekomandoj fort një decentralizim të vetë bashkisë, që do të thotë një riorganizim të shërbimeve, por edhe të njësive administrative, pa ndryshim kufijsh.
Disa njësi administrative në bashki mund të grupohen sipas specifikave, natyrës së problematikave dhe shërbimeve. Pra, bashkia duhet të organizojë shërbime të natyrës rurale brenda organizimit të vet. Me këtë mënyrë organizimi të brendshëm, rritet fuqia e njësive administrative për të kryer shërbime bazike të jetës së përditshme të komunitetit; dhe kjo është në harmoni me parimin e subsidiaritetit.
Për më tepër, vetë bashkia-qendër me këtë decentralizim të thelluar, të brendshëm, delegon pushtet dhe rrit shërbimet pranë qytetarëve gjeografikisht larg, ndërkohë që përqendrohet më shumë në politika dhe veprime më strategjike për ekonomi dhe zhvillim urban të qëndrueshëm e të integruar me zhvillimin rural. Sigurisht, është një sfidë, por kjo na siguron decentralizim të menjëhershëm. Nevojiten disa ndryshime ligjore, por përcaktues është vetë vullneti i kryetarit dhe Këshillit Bashkiak.
Lidhur me tezën e dytë: Sa u përket shërbimeve sektoriale, edhe me progresin e bërë, pas 4 vitesh duhet:
a) ose të bëhen pjesë integrale e kompetencave bashkiake, dhe buxheti për këto të mos jepet i ndarë, por në bllok, dhe vetë bashkia të bëjë ndarje sipas nevojave;
b) ose të shkojmë drejt qasjes tjetër, ku, si në vendet e zhvilluara, për të siguruar shërbime me efektivitet, efikasitet dhe ekonomi shkalle, të kalohet drejt shërbimeve të rajonalizuara dhe decentralizimit asimetrik. Kjo qasje i përket decentralizimit indirekt. A përbën kjo një “valë” të re të decentralizimit real për pushtetin vendor në Shqipëri? Po, dhe duhet të ndodhë.
Në strategjinë e decentralizimit vendor, në planin për vitet 2020–ʼ22 është parashikuar decentralizmi sektorial, si për shembull në sektorin e ujit dhe kanalizimeve etj. Ky reformim kërkon ndërhyrje ligjore të forta. Kërkon analizë të gjerë faktorësh institucionalë, financiarë, dhe administrativë. Por, për cilësi dhe sasi shërbimesh ndaj qytetarëve, çdo qasje duhet rikonsidreruar dhe vlerësuar.
Me rëndësi tani para zgjedhjeve është qasja politike e maxhorancës dhe opozitës lidhur me reformimin territorial dhe administrativ. Forcat politike duhet t’u prezantojnë qytetarëve agjendën e tyre për zhvillimin e pushtetit vendor. Ato duhet t’u thonë qytetarëve se si e shikojnë.
Në mbyllje, është me shumë rendësi, madje urgjente për demokracinë, që politika t’i hapë rrugë referendumeve.
Në çdo rast, decentralizimin nuk duhet ta lemë në gjumë, duhet ta bëjmë funksional!
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular