BallinaKryesore1958/Opinioni i regjimit për Fan Nolin: "I zgjuar e dinak, njeri i...

1958/Opinioni i regjimit për Fan Nolin: “I zgjuar e dinak, njeri i lekut”

Nga Kastriot Dervishi

Në një informacion pa datë të Zbulimit Politik në të cilin është vendosur një shënim i Mehmet Shehut, thuhet se e kishin takuar Fan Nolin para një sesioni në OKB. E cilësonin “shumë të zgjuar dhe dinak”, por “njeri i lekut”. Shënohej se nuk fliste në shtyp pro regjimit komunist. Kërkohej të bëhej diçka sepse kolonia shqiptare nuk e njihte 29 nëntorin si festë. Dyshohej se mund të ishte “agjent i amerikanëve”, por prova nuk kishin. Propozohej që regjimi mos ta sulmonte Nolin për gabimet që mund të ketë bërë, të mbante korrespondencë me udhëheqësit e Shqipërisë, Kisha të mbante korrespondencë dhe ta mbante në lidhje, të caktohej anëtar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve.

Në pranverë të vitit 1958, Fan Noli, duke parë se ishte në fund të jetës, i kërkoi përfaqësuesve jozyrtarë të qeverisë shqiptare të dërgonin dy klerikë të rinj për kishën e atjeshme, pasi pas vdekjes së tij, ajo do binte në dorë të Marko Lipes me ndikim grek. Duke analizuar çështjen, Zbulimi Politik i MPB-së, arsyetonte do ishte mirë që të ftohej Noli në Shqipëri.

Në këtë kohë, në Tiranë vlerësonin se “Vatra” drejtohej nga “reaksionarët”: Qerim Panariti, Kristo Thanasi, Koli Koblara, Sadik Pepellashi, Muhamet Zagari, ndërsa Fan Noli qëndronte i heshtur para tyre.

Më 27.6.1958 punonjësit e misionit shqiptar në Nju-Jork raportonin se më 15.5.1958 takuan Fan Nolin me rastin një meshe në kishën e atij qyteti. I folën keq për Qani Panaritin, por Noli as pohoi dhe as kundërshtoi. Nisur nga propozimet e paraqitura, me vendimin nr.378, datë 26.10.1958, Byroja Politike e KQ të PPSH-së, vendosi që nëpërmjet Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të thirrej Fan Noli “për festimet e 15-vjetorit të çlirimit të atdheut”. Noli nuk iu përgjigj ftesës.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular