BallinaKulture“Dashuria në Kohërat e Kolerës” nga Gabriel Garsia Markes, dhe një interpretim...

“Dashuria në Kohërat e Kolerës” nga Gabriel Garsia Markes, dhe një interpretim i tij me ndihmën e Dr. Frojdit dhe Erik Fromit!

Nga Irisi Halili

Romanin “Dashuria në Kohërat e Kolerës” e kam lexuar për herë të parë andej nga viti 1992 ndërsa në vitin 1995 kur fillova të jap letërsinë moderne në Fakultetin e Letërsisë në Universitetine Tiranës, e vendosa në program dhe për gati 10 vjet ja u kam shpjeguar studentëve në auditor. Këtu ndoshta do të duhej të bëj një sqarim pasi letërsia, sipas mendimit tim, nuk shpjegohet me formula fikse, ajo fillimisht ndihet dhe pastaj natyrshëm shpjegohet ajo që ndien apo që mendon. E në këtë proces hyjnë apo pleksen kaq shumë mendje dhe shpirtra, hyn ai që e ka shkruar teksin letrar, ai që e ka frymëzuar atë e që ne ndoshta se njohim kurrë, hyjnë ai që e ka përkthyer, hyjmë të gjithë ne që e lexojme me të gjitha eksperiencat dhe kujtimet tona, hyjnë të gjithë ata që e komentojnë dhe në fund janë ata që dëgjojne apo lexojnë komentet. Të gjithë të ndryshëm, të vecantë por me një të përbashket: të gjithë përpara teksit të autorit që më shumë se na rrëfen na bën të mendojmë, ndiejmë dhe përjetojmë, pikërisht dhe vetëm me atë forcë që mund të ta jap vetëm letërsia.
Kështu pra sikur për cdo kryevepër letrare edhe për këtë roman unë mundohesha ta vendosja studentin në pozicionin e autokomunikuesit me autorin, jo në përpjekje për të dhënë shpjegim klishese “cfarë ka dashur të thotë autori”, “por si i ka ndërtuar ai karakteret dhe kompozicionin dhe si ne ja receptojmë veprës mesazhet parësore apo dytësore? ” dhe mbi të gjitha “çfarë mund të shohim përtej tyre? ”.
Në dërrasën e zeze shkruaja fjalinë e parë të romanit: “Ishte e pashmangshme, era e bajameve të hidhura do i kujtonte gjithmonë fatin e dashurive të penguara”. Dhe fjalinë e fundit të romanit :“Tërë jetën”.
Më pas u sqaroja studentëve se cdo mendim apo ndjesi që kanë ndeshur në 470 faqet e romanit në fakt e kanë të përmbedhur në këto dy fjali që në mënyrën më metaforike përcjellin edhe idenë kryesore të romanit “Dashuria në Kohrat e Kolerës”: Sa me shumë i pengohej realizimi fizik i dashurisë karakterit kryesor në vepër, Fiorentino Arises , aq më shumë ai binte në dashuri. Dr. Frojdi ka pasur një teori të tërë për këtë fenomen shpirtëror, teori që e përmblidhte në konkluzionin: “Forca e një instikti rritet me mos funksionimin e tij”.
Personalisht nuk marr përsipër të them se kam lexuar të gjithë librat e shkruara për dashurinë, por them që kam lexuar më të mëdhenjtë autorë të dashurisë apo mitet më të bukura të dashurisë. Për romanin konkret do të thoja se unë kurrë nuk kam gjetur ne një tekst të vetëm letrar, apo dhe jo vetëm letrar, të jenë përfshirë pothuaj të gjitha format me të cilat mund të shfaqet dashuria, të gjitha mënyrat si mund të jetojë ajo, vuaj, vdes, përtërihet,rikthehet,rilind, shuhet etj etj. Në mitet antike, apo tek Dante, Shekspiri, Tolstoi, Cehovi, Remarku, Kohelgo mendoj se kam gjetur edhe përshkrimet më të ndjera të dashurive me të gjitha ngjyrimet e saj, por këto përshkrime kanë qenë të shpërndara në vepra të vecanta. Brenda një teksti të vetëm letrar përshkrimin e kaq shume formave të dashurisë më duket se e gjejmë vetem tek Markesi dhe një ndër kryeveprat e tij “Dashuria në Kohrat e Kolerës”. Ndonëse në roman shumë karaktere vijnë apo shkojnë, duhen, marrosen, cmenden dhe ndahen sikur të mos ishin njohur kurrë, një karakter qëndron stoik në dashurinë e tij dhe ky është ndoshta karakteri më interesant dashuror në historinë e letërsisë botërore, Fiorentino Ariso.
Romani hapet me një vdekje, atë të Dr. Urbinos, bashkëshortit të Fermina Dasës. I pranishëm në ceremoninë mortore shfaqet Fiorentino Arisa i cili tek ngushëllon Ferminën i thotë: “Kam gjysëm shekulli që e kam pritur këtë ditë, për t’u betuar edhe një herë për besnikërinë time të përjetshme dhe dashurinë në jetë të jetëve”. Ishin fare të rinj kur ishin ndarë nga një dashuri maramëndëse ardhur prej një kataklizmoje ndjenjash të lindura pas një takimi të parë lindur prej një vështrimi të hedhur ashtu kot, sikur ndodh në kësi rastesh. “Si në të gjitha dashuritë e ndalura ata merreshin vesh me duar” si dhe me letra të pafundme që ja nisnin njeri – tjetrit. “Qëkurse u panë për herë të parë e derisa ai ia përsëriti vendosmërinë e tij gjysëm shekulli më pas, asnjëherë nuk kishin pasur rast të shiheshin vetëm për vetëm apo të flisnin për dashurinë”. Në këtë raport platonik mes dy të rinjve autori mjeshtërisht sjell influencën e dy të afërmve të tyre. Prapa shumë mendimeve të Fiorentinos ishte mamaja e tij. Nga psikoanaliza Frojdike dimë që nëna është figura më dominuese në jetën e cdo djali. Nderkohë dhe pas Ferminës ishte halla që po sipas psikoanalizës është figura që bën lidhjen direkte mes vajzes dhe të jatit. Në të dyja rastet kemi shfaqjen e kompleksit të Edipit tek Fiorentino apo atë të Elektrës tek Fermina, si dhe përpjekjen e pavetëdijshme të dy të rinjve për tu shkëputur prej këtyre komplekseve dhe arritur maturinë e ndjenjave.
Fermina, sikur e ndërton autori figuren e saj, dukej sikur më shumë është udhëhequr prej ndjenjave të një kurioziteti apo mëshire ndaj Fiorentinos. Shumë femra bien në dashuri tek vihet në veprim instikti i lindur i tyre për kujdes dhe mëmësi, instikt ky arkaik që dominon në cdo shfaqje të dashurisë tek to. Mirpo kur halla e kuptoi shtysën e Ferminës e këshilloi atë se: “Që t’i njihte burrat mirë duhej të kishte jetuar gjatë me ta” dhe me këtë donte ta këshillonte mbesën që të mos i besonte shumë viktimizimit që Fiorentino shfaqte përpara saj. Ky akt dashuror luhet shumë nga gjinia mashkullore dhe njihet si një formë që meshkujt e përdorin shpesh në relacion duke dashur ta konsiderojnë partneren si zëvendësuese të mamasë që do të vazhdojë misionin e kësaj të fundit në shfaqjen e kujdesit pa të cilin ata duket sikur nuk se bëjnë dot.
Fermina gjithashtu mendonte se Fiorentiono vuante “nga sëmundja e dashurisë”. Po kështu mendonde edhe mamaja e tij. Vetë Markesi e përshkruan dashurinë si një sëmundje që kur të zë nuk e ke veten në dorë për ta shëruar. Kështu dashuria e kishte sëmurur aq shumë Fiorentinon sa të gjithë besuan se e kishte zënë kolera që po bënte kërdinë në ato kohë. Por në fund doli që ai nuk paskësh pasur kolerë “por simptomat e tij të dashurisë ishin njëlloj me ato të kolerës”.
I përfshirë i gjithi në obsesionin dashuror që do e shoqëronte përgjatë gjithë jetës Fiorentino niset ti propozojë martesë Ferminës. Sërisht halla e këshillon këtë të fundit: “Edhe sikur të jesh duke vdekur nga frika edhe sikur të të kthehet mendja më pas, sido që të jetë puna do të pendohesh tërë jetën po të thuash jo! Dhe halla duket se kishte të drejtë, në punët e dashurisë më mirë të mbetesh me pendesën që the “po” sesa me atë se the “jo”. Kështu që edhe Fermina ju përgjigj pozitivisht Fiorentinos me anë të një letre në të cilën shkroi:“Në rregull, po martohem me ju po të më premtoni se s’do të më jepni të ha kurrë patllëxhanë me zor”. Dr. Frojd do të na vinte sërisht në ndihmë këtu për të interpretuar çfarë fshihet pas “emrit të vecantë” patllixhanë dhe pas këtij ne do të gjenim intepretimin e asaj frike apo makthi të Fermines ndaj mashkullorit të Fiorentions. Duket sikur ajo e frikësuar instiktivisht qaset t’i ofrojë atij më shumë raport miqësor sesa raport dashuror dhe intim.
Në vazhdim të interpretimit të lidhjes së tyre platonike vëmë re se po të sillnim në ndihmë Erik Fromin dhe përshkrimin që ai i bën llojeve të ndryshme të dashurisë tek libri “Arti i dashurisë” do të thonim se Fermina ishte përfshirë nga një dashuri idilike që më shumë e bënte të fantazonte mbi atë cka donte tek objekti dashuror sesa e gjente vërtet tek ai, po kështu ajo ishte edhe e zhytur thellë në një dashuri sentimentale, më shumë e dashuruar me dashurinë , sikur ndodh gjithmonë me dashurinë e parë: “Sot kur ju pashë, e kuptova se dashuria jonë sqe vecse një vegim i kotë”. Sipas Fromit në dashuritë sentimentale objekti dashuror mbetet i pranuar deri sa raporti është më shumë në idilik apo platonik, por në castin kur marrëdhënia do të duhet t’i i afrohet më shumë materializimit real, partneri nuk guxon të dale nga ëndrra, nga fantasia apo irrealja dhe largohet pa kuptuar dhe këtu marrëdhënia shkëputet apo pritet totalisht dhe shumë artificialisht.
Nga ana tjetër edhe Fiorentino e ka sa idilike aq edhe sentimentale dashurinë e tij, por ai është sërisht në gjendje t’i kalojë këto faza dhe të përballojë vazhdimësinë e raportit me Ferminën e cila nga ana e saj e rrefuzon atë dhe shpejt vendos të martohet me Dr. Urbinon.
I gjithe romani në vazhdim është histori pas historie dashurish të shumta të Fiorentinos i cili me cdo femër me të cilën bënte dashuri, dashurohej apo e bënte të dashurohej kërkonte përfytyrimin e një lidhje organike me dashurinë e tij të parë dhe duke i mbetur asaj gjithmonë në funksion. Fiorentino kërkonte të riprodhonte në jeten e tij atë moment qe ai ndiqte pa ndërprerje në jetën e Ferminës, ai kërkonte kopjen e Ferminës në cdo femër që njihte, apo kërkonte ngjashmërinë me mometin sikur në atë cast do të ishte me Ferminen. “Kishte qënë shume i ri për të ditur se kujtesa e zemrës i zhduk kujtimet e këqija dhe mrekullon të mirat dhe pikërisht në sajë të këtij marifeti në arrijmë të gëlltisim të kaluarën”. I mbetur peng i dashurisë së parë ai përpiqej në cdo cast ta rijetonte atë në cdo formë e në cdo cast. Këtu sërisht gjejmë interpretimin Frojdik sipas të cilit njeriu është i prirur që te kujtojë dhe kërkojë t’i përsëriten ato ndjesi dhe përvoja jetësore që i kanë dhënë kënaqësi dhe të harroj të kundërtat.
Fiorentino Ariso, nëse do të vazhdonim të përdornim gjuhën e Fromit, “nuk ra në dashuri” ai “mbeti në dashuri”. Përgjatë gjithë kohës ai vetëm dha dashuri, ndonëse apo packa prapa cdo imazhi ishte sublimimi për një femër të vetme, ai sërisht i deshi të gjitha të tjerat duke qënë shumë dhënës, për të ardhur këtu edhe tek një ndër përkufizimet më të vlefshme për dashurinë që e gjejmë sërisht tek Fromi dhe sipas të cilës: “Karakteri i vërtete i dashurisë mund të përshkruhet duke theksuar se dashuria është së pari dhënëse dhe jo marrëse. Dhënia është edhe më e kënaqshme se marrja, pasi në aktin e dhënies ka me tëpër shprehje të vetë jetës apo të qënurit gjallë; Të mos japësh është e dhimshme”!
Megjithatë heshturazi ai kishte vendosur të mos lëndohej prej këtyre dashurive sikur qe lënduar nga Fermina. Filloi të bënte një jetë: “ku të gjente dicka që t’i afrohej dashurisë, por pa pasur problemet e saj”. Emocioni dhe vuajtja që i kishte shkaktuar dashuria për Ferminën e kishte kthyer në një dashnor që shfaqte në cdo raport sa pasion aq edhe hakmarrje. I deshi të gjitha çmendurisht por vetëm për aq kohë sa i kujtonin Ferminën dhe i braktiste kur ato nuk përbënin më ringjallje të kujtimit të saj. Padyshim që një analize klinike do e cilësonte Fiorentino Arisen një erotoman i fiksuar/ obsesuar pas objekitt të tij dashuror që sa me shumë i largohej atij në kohë, aq më shumë ai rendëte ta kërkonte apo mbante mbërthyer në mendim dhe zemër. Në jetën e tij deri kur Fermina mbeti e ve regjistroheshin 622 dashuri të qëndrueshme, pa përmendur aventuarat kalimtare. Sa më shumë dashuronte apo bënte dashuri aq më shumë e justifikonte veten se “mund të dashurohesh me shumë gra në të njëjtën kohë dhe për të gjitha të vuash njëlloj pa tradhëtuar asnjërën, pasi zemra ka më tepër dyer se një bordel”.
Edhe sipas Erik Fromit: Dashuria nuk është së pari relacion i një njeriu të vecantë; ajo është një sjellje, një orientim i karakterit i cili e shikon apo përcakton relacionin me personin sikur me botën si të tërë”. Pikërisht për këtë diku Markesi shprehet në roman “Hilderbrenda (kushërirë e Ferminës) kishte një konceptim universal për dashurinë dhe mendonte se cdo gjë që i ndodhte një dashurie, kjo cënonte të gjitha dashuritë e botës”. Markesi e konsideron “dashurinë si një talent universal”, ndaj dhe i përshkruan personazhet e tij si mbitalente të kësaj ndjenje kaq njerzore dhe humane.
Nga ana tjeter Fermina ndonëse e donte të shoqin, vitet e jetës dhe pjekurisë i kishin mësuar se “Problemi i jetës shoqërore është të mësosh të sundosh frikën, ndërsa problemi i jetes bashkëshortore është të mësosh të sundosh mërzinë”. Dikur i shoqi, Dr.Urbino i pati thënë:“Mbaje mend një herë e mirë se gjëja më e rëndësishme në jetë nuk është lumturia por stabiliteti”.
Jeta në forma të ndryshme shtyrë sa nga fati apo zgjedhjet personale u kishte mësuar të gjitha paleve se “asgjë nuk është më e vështirë në këtë botë sesa dashuria” dhe “dashuria e tepërt të bën keq njëlloj sikur dashuria e manget”.
Kështu atë ditë Fiorentino Arisa me guximin që e karrakterizonte, mori rrugën të ngushëllonte Ferminën dhe më në fund të fliste me të pas një gjysëm shekulli pritjeje dhe dashurie, dhe pas 132 letrash mbetur pa përgjigje, duke qenë i bindur se ishte momenti i duhur pasi “Dashuria bëhet edhe më e madhe dhe më fisnike në fatkeqësi”. Por Fermina sërisht e përzuri, duke u ndier e ofenduar që ai po i afronte dashuri ndërkohë kur ajo ende ishte në zi. Fiorentino me aftësinë e tij të hatashme për të fantazuar mendoi se ndoshta “kjo mospërfillje ngulmuese ishte një marifet për të maskuar brengën e dashurisë”. U deshën do kohë derisa ajo ta ndiente veten sërisht të vetmuar dhe sikur cdo femer që e frikëson vetmia edhe ajo e trembur prej saj vendosi të riprovoj shancin me Fiorentinon. Që prej asaj kohe ai i shkonte cdo të martë me një trëndafil të bardhë në dorë, nuk se i pëlqente trendafili i bardhë, pasi kjo lule dukej sikur nuk thonte asgjë, por nuk donte t’i conte trëndafila të kuq që të mos e ofendonte dhe ndonëse kultura e rafinuar i thonte se trendafili i verdhë sillte lumturi, prapë meqenëse kultura popullore e mbante këte lule të mbillte xhelozi ai kishte vendosur të dukej si me i rrezervuar. Kështu ai filloi takimet me Ferminën në një raport sa të distantë aq edhe melankolikë. “Së bashku kishin përjetuar aq gjëra, sa për të kuptuar se dashuria ishte dashuri në cdo kohë dhe në cdo vend, por sa më pranë vdekjes të ndodhej, aq më e fuqishme bëhej, pasi më teper se vdekja ishte jeta ajo që nuk njihte kufij!”. Ai kishte jetuar cdo minutë të jetës me këtë mendim dhe kishte pritur 53 vjet, 7 muaj e 11 ditë për të qënë sërisht bashkë pasi vetvetishëm ndiqte porosine e së ëmës se “të dobtit s’kishin për të hyrë kurrë në mbretërinë e dashurisë, që ishte një mbretëri e pamëshirshme dhe meskine”. Përgjatë gjithë kohës ai kurrë nuk e humbi besimin se dashurinë që dikur i ishte mohuar do ta rrifitonte një ditë. Nuk ju frikësua asnjë hapi që e shtynte të ‘qëndronte’ virtualisht me të. Sikur thotë Erik Fromi :“Dashuria është një akt besimi dhe të kesh besim është një akt guximi, është aftësia për të përballuar rrezikun, apo provuar zhgënjimin apo vuajtjen. Të duash dhe të të duan kërkon guxim, kurrajo për të gjykuar disa vlera dhe për ti arrirë këto vlera.”
“Besnikëria e re” quhej anija ku ata vendosën të celebrojnë dashurinë e tyre. “Fermina Dasa nuk donte ta besonte se ai emër, që ishte aq kuptimplotë për atë të ishte vërtet një rastësi historike dhe jo një shpikje e re e romantizmit kronik të Fiorentiono Arisës”. Kjo dashuri panvarësisht se e ndryshme tek të dy në përmasë apo formë i shoqëroi ata “tërë jetën”, apo si thuash mbeti edhe hapja edhe mbyllja e dashurive të jetës së tyre. Sipas Fromit “Dashuria është e mundur vetëm nëse dy persona komunikojnë me njëri- tjetrin prej qëndrës së eksistencës së tyre. Vetëm në këtë qendër eksperience gjendet realiteti human, vetëm këtu është jeta e gjallë”.
Në letërsinë e përbotshme ka shumë tekste letrare që ndoshta të gëlltisin në emocion shumë më teper se ky roman, por depërtimi i thellë dhe analitik që autori i bën karaktereve dhe mbi të gjitha përshkrimi që ai i bën shumë formave që merr dashuria i jep këtij romani një shkallë tjetër vlerësimi dhe e përcakton atë si një tekst letrar gati unikal me një personazh ikonik nga ata që hyjnë në universin letrar për të mos dalë më kurrë prej tij. Brenda një teksti të vetëm letrar ky roman përcjell përcaktimet më të shumta (metaforike dhe jo vetëm) mbi dashurinë. Pikërisht kjo është edhe një arësye pse romani “Dashuria në kohrat e kolerës” na vjen edhe si një manual që na rrëfen sa shumë trajta mund të marrë dashuria si dhe na bën të kuptojmë sa e vërtet është teoria e Erik Fromit sipas të cilës:“Njerzit mendojnë se të dashurosh është e lehtë, por të gjesh objektin e duhur për t’u dashur, ose që të do, është shumë e vështirë”, pasi sikur na thonte Cehovi “Ka edhe njerëz që vdesin pa dashuruar” dhe kjo është edhe më e mundur në kohët e sotme kur po sipas Fromit: “Nga lindja në vdekje, nga e hëna në të hënë, nga mëngjesi në darkë, çdo aktivitet mbetet në një rutinë të fabrikuar”.
Do të ndalesha këtu edhe tek kompozicioni i romanit që në fakt vështirëson sidomos receptimin në fillim të leximit. Në strukturë romani ka një kompozicion që i shkon për fill të gjithë rrjedhës emocionale të karakterit kryesor. Hapja dhe mbyllja në roman përcaktohet me të njëjtën ngjarje, vdekjen e bashkëshortit të Ferminës, Dr. Urbinos, dhe kjo pasi në jetën e Fiorentinos ky moment do të mbetej edhe dëshira më e madhe që do e rilidhte me Ferminën. Të shihte Ferminën të ve kishte qënë dëshira e heshtur e Fiorentinës që ne ditën e parë të martesës së saj, ditë kur ai u betua se do të mbetej i virgjër për të dhe do ta priste deri sa të rilidheshinm apo edhe deri sa të plakeshin. Po atë ditë ai shkoi me vejushën Nazaret, dhe hapi kështu siparin e dashurive të tij me kaq e kaq vejusha që të gjitha në vecanti sublimonin vetëm një dëshirë ndoshta të pavetëdijshme te Fiorentinos: Ferminën mbetur të ve! Nëse do të respektonte kronikën e ngjarjeve, momenti i vdekjes së Dr. Urbinos do të ishte në fund të romanit. Ky lloj kompozicioni njihet si kompozicion kornizë apo unazë, pasi fundi vjen në fillim dhe kronologjia ndërthurret dhe në vazhdim ngjarjet rrëfehen herë në zhvillim kronologjik e herë në të kundërt, por gjithmonë brënda një funksioni, që ka si synim të rrefejë si rritet, jeton dhe zhvillohet dashuria e Fiorentinos. Kjo metodë kompozicionale është shumë e njohur sidomos në letërsinë bashkëkohore, post moderne, por duhet theksuar se në kohën kur e aplikoi Markesi kjo ishte një risi dhe nuk ishte përdorur rëndom, të mendosh këtu se ai i takon shkollës realiste të letërsisë, që për t’u dalluar nga pjesa tjetër e letëersisë realiste dhe meqenëse i merrte ngjarjet vetëm nga Amerika Latine e mori emrin “Realizëm Magjik”, kjo edhe për shkak se shumë krijime të Markesit apo autorëve te tjerë nga ky kontinent e merrnin frymëzimin nga magjia e miteve vendase. Vetëm kur përfundon romanin lexuesi është në gjëndje të kuptojë qëllimin e këtij lloj kompozicioni, që ne fakt është i vështirë pasi e vë më shumë në mendim, analizë, dhe autokomunikim. Kjo e bën atë t’i kthehet faqeve të lexuara më shumë se një herë, apo t’i kthehet dhe vetë leximit të romanit më shume se një herë.
Së fundmi, është për tu shënuar sa mjeshtërisht Markesi ka mpleksur brënda një teksti të vetëm letrar bashkë dhe pandashmërisht jetën edhe vdekjen, si dy pikat lidhëse të asaj që e njohim si jetë. Autori i jep vdekjes tragjizmin dhe madhështinë që e karakterizon. Pothuaj të gjitha karakteret vdesin nga dashuria, për dashurinë, si mungesë e saj apo edhe si për ta bërë të mundur dashurinë për dikë tjetër që e duan po kaq shumë, të gjithë në një formulë të cudishme që vetëm një penë si e Markesit mund t’i ndërthurë në ngjarje që vijojnë njëra- tjetrën apo ndërthurrin njëra -tjetrën dhe duket sikur të gjitha përfundojnë tek bindja e Fiorentinos sipas të cilës : S’ka lavdi më të madhe se të vdesësh nga dashuria”, dhe që në fakt ai ishte habitur kur të njëjtin princip e kishte gjetur edhe tek shënimet e trashëguara nga i ati: “Nuk kam keq të vdes, por trembem se mos nuk vdes nga dashuria”!
Romani “Dashuria në kohrat e kolerës, është një roman për dashurinë, ndoshta më shumë se kaq, ai e hymnizon dashurinë me të gjitha nuancat e saj. Nëse do të njohësh më shumë për dashurinë ki durimin dhe lexo këtë roman. Dhe sikur ndodh me dashurinë e vërtete, pasi ta duash këtë libër do i kthehesh atij gjithmonë e me shumë e kjo në cdo fazë të jetës. Sikur thotë autori në roman: “Dashuria është një gjëndje e bekuar e cila nuk është mjet për ndonjë qëllim, por është zanafillë dhe qëllim njëherit; ajo nga mesi e sipër është dashuri shpirtërore dhe nga mesi e poshtë është dashuri trupore”. “Pa dashuri, humaniteti nuk mund të jetojë as edhe një ditë”, do shprehej Erik Fromi dhe unë këtu po e mbyll këtë shkrim duke shpresuar që ky roman do t’ju mbërthejë e bëjë të mendoni gjatë si dikur studentët e mi.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular